Mbi pengmarrjen politike të rinisë

Mbi pengmarrjen politike të rinisë

Nga Akil Kraja - 16/01/2017

“Parti, Enver, jemi gati kurdoherë !!!”

Kjo parullë më vjen në mëndje teksa shoh qindra të rinj që duartrokasin verbërisht e pafundësisht Edi Rama, Edi Rama, Edi, Edi, Edi... Si para 50 vitesh, ashtu si dhe dje gjatë 25 vjetorit të FRESH, brohoritjet mekanike e të rinjve më duken fara e servilizmit politik të të ardhmes.

Të rinjve u thuhet haptazi se nëse do të ecësh në jetë:

duhet të brohorasësh çdo arritje të liderit, pa pyetur kurrë për vërtetësinë e tyre;

duhet të duartrokasësh çdo ide të liderit, pa e sfiduar kurrë atë me vizione të reja;

duhet t’i servilosesh liderit, pa ushqyer kurrë ambiciet personale... 

Të rinjve u kërkohet që të shërbejnë si dekor të diskursit politik të një lideri që i pengon të rinjtë të jenë aktorë të politikës. Ata shihen vetëm si dekor dhe jo aktorë të politikës pasi Edi Rama i ka marrë peng të rinjtë.

Të rinjtë i duhen Edi Ramës për të ushqyer mirazhin e një lideri të ri. Të rinjtë i duhen si një “sapun” për të larë mëkatet e 26 viteve të angazhimit të tij në politikë. Edi Rama është i vjetër, i dalë boje, sigurisht karizmatik por absolutisht diktatorial. Ku janë të rinjtë në Rilindje ? Dy drejtoreshat rinore të doganave dhe tatimeve shkëlqyen nga hijet e skandaleve që lanë pas.

Të rinjve u kërkohet që të ngjyrosin fasadën e politikës dhe jo ta ndryshojnë atë si katalizator ideshë e debati. FRESH është sot një strukturë e vënë tërësisht në shërbim të makinerisë propagandistike të Rilindjes.

Aty të rinjtë nuk sfidojnë “establishment-in” dhe kriminelët që Rama i vendosi në Parlament si përfaqësues të elektoratit socialist – aty rekrutohen ushtarët e radhës së krimit politik.

Aty nuk përfaqësohet rinia e gjunjëzuar e reformës së arsimit të lartë – aty masakrohet meritokracia me bursa klienteliste për ca diploma që vetëm letra u ka ngelur origjinale.

Aty nuk diskutohet fakti se Shqipëria po vdes e 80% e të rinjve duan të largohen – aty legjitimohet konçesioni i rradhës  zhvatës në shëndetësi apo në ekonomi.

Brohoritjet që dëgjova dje në 25 vjetorin e FRESH e vrasin politikën duke e kthyer atë në një farsë aktrimi dhe jo një aksion përfaqësimi. Brohoritja zëvendëson dialogun, duartrokitja mocionin, efektet grafike propozimin politik, farsa të vërtetën, duke i marrë si të vërteta supreme çdo fjalë të Ramës. Politika duhet t’a dëgjojë qytetarin, anëtarin, të riun, politika është përfaqësim demokratik, jo shfrytëzim propagandistik.

Dje pashë me dhjetëra të rinj të cilët duartrokasin vendin e punës në administratë, jo kauzën për një Shqipëri më të mirë, të drejtë e të jetueshme.

Ashtu si në Elbasan, para një viti, dje pashë dëshminë e radhës së #rilindjes së diktaturës së demokracisë popullore në Shqipëri. Dje, të rinjtë e FRESH njësoj si anëtarët e rritur të PS, vendosën Partinë para Shqipërisë.

Parti, E(d)ver, jemi gati kurdoherë !!!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco