Dridhe Like dridhe, se shaminë e djeg Edi Rama

Dridhe Like dridhe, se shaminë e djeg Edi Rama

Nga Poli Hoxha - 14/01/2017

Në mes të muajit Dhjetor të vitit të shkuar, Lëvizja Socialiste për Integrim i la të gjithë pa frymë. Bëri një Konventë të partisë, që kur e shihje në televizor të dukej se më në fund në Shqipëri demokracia kishte mbaruar punë me tranzicionin dhe farsën e kësaj klase politike, që edhe shërbëtorët mediatik i ka bërë milioner në euro. Model për tu ndjekur, jo shaka si ato të Lulëzim Bashës dhe bojatisje nga të Ramës.

Ilir Meta me Petrit Vasilin e kompani në krahë, shkëlqenin nga krenaria duke i treguar Shqipërisë mbarë; se cila është demokracia e vërtetë brenda një partie dhe si duhet ta bëjnë edhe të tjerët. Se bëni dot ju votimin elektronik? E bëjmë ne, perfekt, saktë dhe bukur!

 Ilir Meta tha aty se është marinar, gjithmonë në det duke u treguar të gjithëve fanarin nga duhet të shkojnë. Por po rezulton që “marinari Meta”,vetëm kur del në televizor është mes dallgëve, e në luftë për të çuar anijen e demokracisë së përçudnuar shqiptare, drejt molit ku i takon. Tashmë nuk është sekret që ky marinar gjithë kohën e kalon në mejhanet e errëta të molit të qetë e të ëmbël të pushtetit, duke përcaktuar e ndryshuar kursin e anijes së tij (sipas qerasjes së radhës që vjen nga banaku) që në fakt është thjesht një rimorkiator, së bashku me një kapiten tjetër që i është mbushur mendja se është në qiellin e shtatë dhe drejton një anijes kozmike, që e ka pagëzuar me emrin “Rilindje”.

Ekziston një shprehje e vjetër frazeologjike, që populli e përdor për këdo që çfarë thotë në mëngjes e hedh poshtë në darkë; “dridhe Like”. Nuk dihet etimologjija e saj, por prej kohësh njerëzit janë familjarizuar me idenë, që kjo shprehje ka kuptimin e saj më të plotë, kur bëhet fjalë për sjelljen politike të Ilir Metës, veçanërisht kohët e fundit. Busullën e tij nuk ka burrë nëne ta kuptojë; ajo çmendet kur Rama i shkel syrin Idrizit, bën lëmsh Lulëzim Bashën dhe të gjithë mendojnë se, “morri fund edhe kjo martesë”.

Skena zien edhe më shumë kur bum bum buçasin gjylet e Ylli Manjanit, e pau  pau bëjnë ca dyfek të dorës së dytë; të thuash se luftë të madhe ka hapur LSI-ja, jo sikur është në pushtet por sikur e kanë internuar në egzil dhe turfullon kundër qeverisë monstruoze të Rilindjes. Por mjafton një bërje me dorë e Ramës drejt banakut të mejhanes, që ajo të kthehet me qetësi dhe dashuri aty ku do dhe synon të jetë, për tu treguar të gjithëve se Ilir Meta nuk ka bërë shaka kur deklaronte, se një edhe një nuk është e thënë që patjetër bëjnë gjithmonë dy.

Është e tepërt të tregojmë këtu dhjetëra raste të LSI-së dhe kryetarit të saj që kanë lënë shumë me gojë hapur e ca me gisht në gojë. Prandaj le të ngelemi, te “dridhelikja” më e fundit.

Kohët e fundit me afrimin e zgjedhjeve, ka plasur si “kofini pas të vjelit”, debati për Reformën Zgjedhore. Në pararojë, mbi palët, parimore, e vendosur bukur si ajo dëbora 24 orëshe mbi kërpudhat e Ramës, si gjithmonë ishte LSI-ja: Duam transparencë për financimet e partive, duam lista të hapura, duam të mos ketë më biznesmen në listat e partive, duam parlament me 100 deputetë, duam të dënohet rëndë fare shitblerja e votës…dhe mbi të gjitha duam votim elektronik!!

Kur i dëgjon të gjitha këto, të vjen ti dërgosh një email qendrës së Lotarisë Amerikane me kërkesën që të ta anulojnë aplikimin me motivacionin, se më në fund në Shqipëri doli një parti dhe një kryepolitikan që të jep shpresë se ky vend bëhet, madje shumë shpejt menjëherë pas zgjedhjeve të 18 Qershorit, sipas modelit televiziv Meta.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, përpara pak ditëve vendosën si kusht të rëndësishëm deri të panegociushëm për zgjedhjet e 18 Qershorit, votimin elektronik. Në fakt kjo forcë politike bën mirë që insiston fortë për këtë gjë, por do bënte edhe më mirë që fillimisht të kërkonte falje për dështimin e projektit të numërimit elektronik të votave, kur ishte vetë në pushtet dhe kontrollonte KQZ-në. U zhdukën atëherë ca miliona euro, kurse Lefteri Luzi që doli nga xhepi i palltos së Jozefina Topallit për të qenë në krye të KQZ-së, sot është strehuar në konakun e ngrohtë të kreut të Kuvendit.

Gjithsesi erdhi dita, që po të donte Ilir Meta ashtu siç kishte trumbetuar me të madhe, me pak shtrëngesë sepse koha është vërtetë e pakët, duke dhënë edhe përvojën e Konventës së partisë së tij, mund të pozicionohej pro numërimit elektronik.

Por çfarë bëri? Një ditë përpara mbledhjes së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore lëshoi “16 bomba” nëpërmjet Ylli Manjanit, që në pamje të parë e bënin Ramën dhe qeverinë copë- copë. Shumë bomba u lëshuan atë natë, por ajo që duket se ka goditur në shenjë ishte “deklarata personale”, se LSI do duhet të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme. Edi Rama që e ka treguar se nuk merr vesh nga shifrat, këtë herë duket se ka marrë një makinë llogaritëse dhe gjithë natën deri në mëngjes ka bërë llogaritë, me Idriz e pa Metë, me Metë e pa Idriz.

Ndërkohë Ilir Meta që çohet herët në mëngjes edhe kur punët i shkojnë vaj, u pozicionua në kafenenë e ngrohtë të preferuar te Kodra e Diellit, duke pritur telefonatën që ose do të qetësonte busullën, ose do ta tërbonte më keq. Rama me sytë te ekrani i makinës llogaritëse e uli edhe njëherë kokën, e bëri me dhimbje atë thirrje, u takuan, i ndanë çfarë kishin për të ndarë dhe ja lanë skenën Taulant Ballës dhe Petrit Vasilit, në Komisionin për Reformën Zgjedhore.

Një nga gazetarët që ishte aty brenda e raportoi kështu atë që ndodhi më pas;   

“Partia Socialiste nëpërmjet Taulant Ballës deklaron se është e vendosur që votimi elektronik të mos bëhet as për këto zgjedhje, sepse nuk mund të realizohet për pesë muaj. Në fund të mbledhjes kështu u vendos. Ndërkohë surprizoi qëndrimi i LSI-së, pasi kreut i Grupit Parlamentar Petrit Vasili, e cilësoi kërkesën e PD-së për votim elektronik si jo të domosdoshëm për t’u zbatuar. Sipas Vasilit, ka shumë vende në BE, që nuk e kanë numërimin elektronik dhe pavarësisht kësaj,  zhvillojnë zgjedhje me standard”.

Ju besohet?! Jemi krenarë dhe zbatojmë demokracinë e vërtetë kur zgjedhim kryetar Ilir Metën me votim elektronik, por në BE ka plotë vende që nuk e aplikojnë atë dhe zgjedhjet sërish bëhen përsëmbari, kështu që edhe Shqipërisë nuk i prishet ndonjë punë nëse vazhdojnë e bëhen si përherë. Kështu thotë pa ju dridhur qerpiku Petrit Vasili, i shndërruar komplet në tjetër njeri, menjëherë pas ikjes të Ramës nga zyra e shefit të tij.

 Natyrisht iku duke nënqeshur…sepse pavarësisht se i dha çfarë donte Ilir Metës që ta dridhte edhe njëherë, ai gjithmonë e ka një plan; Në fund të kësaj dasme që ngjan gjithmonë e më shumë nga ato që bën familja Adams, do jetë ai që do ta djegë i fundit shaminë. /SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Theodhori Prifti 16/01/2017 22:13

Nje analize teper e sakte, ne cdo rresht vjen era e rende e kesaj politike te mbrapshteKjo ere na ka asfiksuar po ja qe ne na pelqen qe te na lexojne vargjet
O moj Shqypni e mjera Shqypni Kush te ka qit me kryet ne hi . ..
Turp i madh u bene te gjithe per te ikur . ..

Artion15/01/2017 13:12

Pikat mbi i, per dridheliken!/

Shto koment

Denonco