Rama i ‘bërë sëpatë’ nga droga e tij

Rama i ‘bërë sëpatë’ nga droga e tij

Nga Andi Bushati - 14/10/2016

Në fillim të viteve 2000, kur ish kryeministri  Ilir Meta shkoi të takonte Xhorxh Bushin në Shtëpinë e Bardhë, në Tiranë filloi të qarkullonte një barcaletë. Duke qenë se takimi ishte organizuar në mënyrë okulte, thjeshtë për të marrë me vete një fotografi, batutaxhinjte e kryeqytetit krijuan një dialog imagjinar. Ishte koha kur Bushi i riu, i gjendur në vështirësi pas sulmeve mbi kullat binjake dhe trysnisë së neokoservatorëve për të hapur luftë ngado në emër të eksportimit absurd të demokracisë, e pyeti shefin e ri të qeverisë shqiptare:  Ç ‘do të bënit ju nëse do të gjendeshit në vendin tim?

“Po të isha unë në vendin tuaj askush nuk do ta merrte vesh se kullat binjake kishin rënë” ishte përgjigjja e thjeshtëzuar që i vihej në gojë Ilir Metës.

Atëherë kjo anekdotë, sado absurde dhe qesharake të dukej, kishte një të vërtetë. Pak muaj përpara se të rrëzohej nga pushteti, Ilir Meta kishte blerë pothuajse të gjitha mediat dhe kishte mbytur gati çdo zë të lirë në vend.

E tillë po degjeneron situata edhe sot, një dekadë e gjysmë më pas. Parcelat e pafundme të kanabisit janë “kullat binjake” që Edi Rama do të fshehë.

Prej disa javësh çdo denoncim se Shqipëria po bëhet republika e drogës, se vendin e kanë marrë në dorë trafikantët, se kanabisi ka shpërthyer ngado, se bosët e tij kanë blerë policinë, dhe po ndikojnë në zgjedhjet politike, kanë marrë refuzime të ashpra.

Kryeministri dhe oborrtarët e tij janë ngërthyer në një kryqëzatë të dalldisur për mohimin e realitetit. Gjithkush që do ta vërë në dukje atë bëhet pjesë e makinerisë së shpifjes, e fabrikës së baltës e kazanit mediatik që përpunon gënjeshtra.

Qëllimi është i qartë: Propoganda nuk duhet ti lejojë njerëzit të shohin se kullat binjake kanë rënë.

Por, në ndryshim nga shekulli i kaluar ka ndodhur një hop i madh. Shpejtësia e shkëmbimit të informacionit është marramendëse. Tentativa për të zhdukur transparencën e pamundur.

Prandaj propagandistët e qeverisë, që njëherë pretendojnë se kanabisin e kanë trashëgim nga Saliu dhe pastaj se këtë vit e kanë zhdukur plotësisht atë, duken qesharakë.

Prandaj edhe ndonjë sharlatan i huaj që është mikluar nga favoret e provincës rilindase dhe pretendon se filmimet nga lart e nxjerrin vendin të pastër, duket thjeshtë një klloun.

Këtë realitet po e denoncojnë me forcë mediat më të fuqishme botërore, që nuk janë as pjesë e makinerisë së baltës dhe as pjesë e kazanit të qeverisë që shkoi.

Tim Judah, një njohës i mirë i rajonit, i cili pozoi edhe përkrah ministrit Tahiri në operacionin propagandistik të djegies së rrënjëve të kanabisit, nuk ngurroi më pas të shkruante për The Economist: “Çdo ditë e më shumë, Shqipëria po bëhet një prodhues i madh i kanabisit, që shpërndahet nga një rrjet kompleks i krimit të organizuar shqiptar”.

Jo më kot “Huffington Post” hodhi hipotezën se pas lejes makabre për të kultivuar drogë fshihet “një plan tjetër për të mbajtur pushtetin”.

Për këtë situatë gazeta “Le matin” e Zvicrës frankofone, vuri gishtin mbi bashkëpunimin e policisë me trafikantët ndërsa italiania “La stampa” nënvizonte se “gomonet që përshkojnë Adriatikun të ngarkuara me drogë janë shtuar ndjeshëm”.

Pothuajse në të gjitha shkrimet e botuara në shtypin ndërkombëtar citohen diplomatë të huaj që megjithëse ende nuk kanë vendosur të flasin publikisht, i furnizojnë me informacione “Off gazetarët të cilët kanë prodhuar edhe tituj marramendës si: "Lumenj të drogës" po rrjedhin nga Shqipëria në brigjet e Italisë”.

Pra, një gjë është e qartë: askush nuk e beson më propagandën e Ramës dhe oborrtarëve të tij se Shqipëria është në vend ku droga luftohet. Shembujt e mësipërm nga media prestigjoze e bëjnë qesharak këtë pretendim.

Pra këtu problem nuk shtrohet më a është shndërruar Shqipëria në një kopsht i lulëzuar i kanabisit në brigjet e Europës apo jo. Këtu problemi qëndron në pyetjen tjetër: Pse Edi Rama bën sikur nuk e kupton këtë dhe mundohet ta fshehë në të gjitha mënyrat?

Për të gjetur një përgjigje për këtë dilemë mirë është ti referohemi historisë sonë të afërt. Për krimet më të mëdha që kanë bërë, liderët tanë janë munduar gjithnjë të fshehin “rënien e kullave”.

Berisha i parë kur vendosi të grabisë zgjedhjet e majtit 96 dhe të masakrojë opozitën, tha se kjo ishte vepër e komunistëve të maskuar si socialiste, të cilët u tërhoqën nga gara. Fatos Nano kur e akuzuan për kurrupsion, deklaronte se ai po pasurohej nga aktiviteti i ligjshëm i së shoqes biznesmene.

Berisha i dytë kur u kap me presh në duar në vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm, prodhoi me dhjetëra gënjeshtra, alibi dhe shpalli grupe të pafundme armiqësore, duke pretenduar se i kishin bërë një puç. Pra qëndrimi është i njëjtë, sa më i madh krimi, aq më e madhe duhet të jetë edhe gënjeshtra.

Këtë po bën edhe sot Edi Rama duke shpallur pushtimin e Shqipërisë nga droga si një trilluam imagjinar të mediave të kazanit dhe makinerisë së baltës. Dhe pikërisht kjo përpjekje për të fshehur realitetin, është prova më e fortë se Rama i ka duart të zhytura në krim.

Ai mund të vazhdojë të këmbëngulë në propagandën e vet, mund të sillet si i “bërë sëpatë” nga kanabisi që ka lejuar vetë, por ai nuk i jep dot përgjigje pyetjes fatale: pse mediat më prestigjioze të botës, nuk e hanë dot gënjeshtrën e tij?/ Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco