EDITORIAL/ Zgjedhjet në Kolonjë, Basha, Meta, ose të luftosh Ramën me Ramën

EDITORIAL/ Zgjedhjet në Kolonjë, Basha, Meta, ose të luftosh Ramën me Ramën

- 03/10/2016

Pas ndarjes së papritur nga jeta të kryetarit të bashkisë Kolonjë Arben Malo, ashtu si në Dibër do të kemi së shpejti një betejë të parakohshme elektorale. Bashkinë e Kolonjës e kishte fituar kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe logjikisht aleanca në pushtet, pritet që sërish të kandidojë aty, një përfaqësues të partisë së Ilir Metës.

Por “Syri. Net” ka mësuar se LSI, pas lëvizjes së opozitës për ti lënë fushë të lirë aleatit të saj në rritje Partisë Agrare të Agron Dukës, ka vendosur që të mos ketë kandidat të saj në këto zgjedhje të pjesshme duke i lënë kështu Edi Ramës, fushë të lirë për të përsëritur edhe një herë Dibrën.

Po përse ka ndodhur kjo, çfarë e ka shtyrë Metën të braktisë një nga zonat që e ka pasur për zemër?

Tashmë nuk është më sekret, se LSI u tregua në rastin më të mirë flegmatike në zgjedhjet e Dibrës dhe në atë më të keqin, edhe sabotuese. Ky qëndrim nuk u mohua as nga Meta dhe as nga Rama menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, por Gjiknuri e të tjerë nuk e fshehën atë që kishte ndodhur, madje as entuziazmin se pavarësisht “tradhtisë” së Metës, fitorja e thellë tregonte se e njëjta gjë mund të përsëritet në gjithë Shqipërinë.

Ilir Meta me këtë rast e mori qartë mesazhin, se për atë që kishte bërë forca e tij në Dibër hakmarrja nuk do të mungonte. Rasti fatkeq për Metën dhe fatlum për Ramën, erdhi shumë shpejt me Kolonjën.

Kreu i LSI-së në dijeni të kësaj hakmarrje ka bërë një lëvizje të papritur, duke mos kandiduar në Kolonjë. Me këtë lëvizje që në fakt duket edhe si trembje para fuqisë së errët dhe të frikshme që Rama demostroi në zgjedhjet e Dibrës, Ilir Meta ka shmangur një përplasje të parakohshëm me Ramën dhe është vendosur në pozita pritëse, duke bërë vetëm llogaritë e 2017-tës.

Gjithashtu ai shpreson që kandidati i Ramës të fitojë edhe në Kolonjë me një rezultat spektakolarë, gjë që do të vërtetonte që Rama jo vetëm nuk heq dorë nga “modeli Dibër”, por përkundrazi është i vendosur në këtë rrugë drejt zgjedhjeve të përgjithshme.

Nga ana tjetër edhe opozita bëri një lëvizje, e cila në fakt nuk pritej nga shumëkush.

Mendohej se pas kontestimeve të shumta për Dibrën, mos pranimit nga Rama i asnjë lloj abuzimi që u bë aty, edhe pse blerja e votës me para të pista doli me zë dhe figurë, opozita të mos futej fare në këto zgjedhje.

Ky veprim do të ishte për disa analistë politik, një mesazh i fortë për Ramën dhe ndërkombëtarët njëkohësisht. Do të ishte një paralajmërim serioz që Edi Rama të hiqte dorë nga plani i tij i kristalizuar tashmë, se ka ndërmend të rifitoj një mandat të dytë duke përdorur çdo lloj mënyre, të ligjshme apo jo, demokratike a jo.

Por Basha nuk e bëri këtë, zgjodhi një rrugë të ndërmjetme e cila perceptohet ashtu si lëvizja e Ilir Metës një frikë nga fuqia e madhe që Rama demonstroi në Dibër.

Të dyve, duket se më shumë se përballja direkte me Edi Ramën, u konvenon më shumë që ai të vazhdojë të thellojë atë që nisi në Dibër, pra ta luftojnë Ramën me vetë Ramën.

Nëse për Ilir Metën i cili tashmë e ka kthyer në një sport të tij të preferuar këtë mënyrë politike kjo lëvizje nuk habit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për pritshmërinë që kanë qytetarët për opozitën, nga e cila shpresohet të jetë në ballë të frontit anti-Ramë.

 Dhe “Ballë” do të thotë pjesëmarrja në zgjedhje qoftë edhe të pjesshme, ose bojkotim i tyre nëse je i bindur, se Kolonja do të jetë një Deja Vu e Dibrës.

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco