Lajmi i fundit

10 fakte dhe ‘rastësitë domethënëse’ që provojnë përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen ‘Xibraka’

Pesë pyetje të majta për një qeveri pa busull!

Pesë pyetje të majta për një qeveri pa busull!

Nga Sokol Shameti - 09/01/2017

(Shënim: Dy vite më parë, shumë vëzhgues dhe kritikë të majtë të asaj që tashmë është bërë e qartë se është një qeveri e klientelës së biznesit, nisën të shprehin shqetësim rreth retorikës së ministrave të kësaj qeverie. Ndonëse fillimisht e kamufluar, e ndrojtur, thuajse e turpshme, kjo ishte një retorikë që paralajmëronte shkëputjen e plotë të kësaj partie që erdhi në pushtet duke premtuar aleancë me të varfërit, prej premtimeve të saj. Kjo ishte një retorikë plot humnera logjike. Mjaftonte një analizë e thjeshtë kuptimore për t’i zhvoshkur asaj cipën e shndritshme për t’i shpërfaqur brendinë kriminale. Gjuha e dy viteve më parë e kësaj qeverie pseudo-socialiste, paralajmëronte veprën e saj të sotshme kur ajo është tërësisht, aktivisht dhe intensivisht e investuar në opozitë me interesin publik. Po e risjell pa i bërë asnjë ndryshim, për të vëtetuar se kritika e majtë ndaj kësaj qeverie të rrëshkitur në skajin më çnjerëzor të ekstremizmit të së djathtës, është e vetmja kritikë serioze që mund të ofrojë diagnozën e më të saktë të asaj që po përjetojnë sot në kurriz shqiptarët)

7 janar 2015

Sipas ministrit tonë të ekonomisë: “një sërë sektorësh, për herë të parë, siç është bujqësia, shëndetësia apo regjistrimi i pasurive të paluajtshme, siguria ushqimore, shërbimi spitalor që në traditë kanë qenë natyrshëm në kurriz të buxhetit të shtetit, sot fillojnë të shihen ndryshe, duke i afruar nëpërmjet kontraktimeve publike-private në favor të qytetarëve, me shërbime më cilësore”. (Gazeta "Shqip").

Por në këtë pikë janë disa pyetje që duhet t'u pergjigjet ky "socialist" dhe qeveria e tij që thotë se është "e majtë":

Pyetja 1 - Pse e quan "mbajtje në kurriz" administrimin e pronës së shqiptarëve? Qeveria është e shqiptarëve, prona publike gjithashtu e shqiptarëve. Detyra e qeverisë së shqiptarëve është që të administrojë të mirat e krijuara nga puna e shqiptarëve dhe jo t'i delegojë këto punë për t'u bërë nga privatët (kundrejt pagesës, sigurisht). Qeveria prandaj paguhet. Nëse nuk është në gjendje ta meritojë pagën dhe i duket puna e vet barrë, të hapë krahun se ka të tjerë që dinë ta bëjnë. Kur një qeveri nuk administron dot mallin që i ka lëne populli në administrim, largohet qeveria dhe jo malli e gjëja e njerëzve.

Pyetja 2 - Si u shihkan ndryshe pronat dhe shërbimet publike tani? Deri tani që Shqipëria drejtohej nga qeveri të djathta, këto prona shikoheshin si mjet për të pasuruar të pasurit, si copa shpërblimesh për ta. Por sidomos si justifikime për të nxjerrë më shumë para nga buxheti i shtetit gjasme për të paguar kompani kontraktore (si ato që duhet të pastronin rrugët nga bora). Cila është e reja dhe e ndryshmja që kjo qeveri "e majtë" po sjell?

Pyetja 3 - Pse mundohet të fshehë me termin "kontraktim publik-privat" atë që në të vërtetë është thjesht HEQJE E SHERBIMEVE PUBLIKE NGA PUBLIKU dhe dhënie e tyre kundrejt pagesës, privatëve?

Pyetja 4 - Pse quhet "afrim" tek publiku heqja e shërbimeve publike nga publiku? Cila është logjika dhe si funksionon kjo? Nëse në një familje, pazarin e bën babai, sipas qeverisë, heqja e babait nga ky rol dhe dhënia e këtij roli komshiut (kundrejt pagesës shtesë, veç parave të vetë blerjeve në pazar) është "afrim" i bërjes së pazarit tek familja dhe në favor të familjes.

Pyetja 5 - Pse quhen automatikisht "më cilësore" shërbimet që kryen privati? A nuk ishte shërbim i privatit ai "cilësori" që shpërtheu Gërdecin? A nuk ishte shërbim i privatit ai i CEZ-it që dështoi në mënyre skandaloze duke futur vendin në kolaps dhe pa sjellë asnjë "cilësi"? A nuk ishte shërbim i privatit ai polici frikacak që pa me sy vrasjen e bankierit që ai duhej të ruante dhe vetë u fsheh si lepur? A nuk janë "shërbime" të privatëve ato që shkatërruan industrinë tonë? S'janë privatë ata që hodhën rrugëve mijëra shqiptarë? Ata që ndërtojnë rrugë vdekjeje pa asnjë standard? Etj etj etj.

Kompanitë private që falimentojnë me qindra duke sjellë krize konstante, hemoragji shqiptaresh drejt kurbetit, vrasje, kriminalitet, vetëvrasje, shkatërrim familjesh etj? Pse pavarësisht këtyre, sistemi që bazohet mbi marrdhënien diskriminuese në favor të privatëve nuk konsiderohet i dështuar por mbahet me dhunë më këmbë? Kush përfiton nga kjo? Pse shtetit nuk i falet asnjë gabim në administrim, ndërsa privatëve po? Këto janë zgjidhjet e kollajshme që na ofron kjo qeveri që vetëquhet "e majtë" por që majtizmin e ka vetëm një gënjeshtër për t'u marrë votat shqiptarëve të majtë që presin nga të dy krahët një shpresë, teksa të gjithë ata që kanë pushtet funksionojne sipas të njëjtit mekanizëm: Rripe publiken, majme privaten, shkatërroje shtetin dhe maskoje këtë me fjalë të bukura.

Sigurisht, ata "majtistët" ish-revolucionarë që premtonin se po hynin brenda sistemit për ta luftuar atë më mirë, po hanë fara luledielli tani që janë pjesë ndihmëse e kësaj që po ndodh. Nuk u vë faj. Po e luftojnë sistemin. Po e luftojnë duke i marrë atij pagat, duke i vjelë dietat, postet, favorizimet në tendera apo projekte, etj. Nesër kur të vijnë përsëri duke na u shtirur si revolucionarë me tapi, që u pikon në zemër për "proletariatin", ta kenë të qartë se nuk kemi harruar. Ishin aty, ndihmuan dhe mundësuan që kjo të ndodhte, përfituan prej saj.

Shkruar për SYRI.net 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco