3K- Rilindja: Korrupsion, Krim, Kanabis…

3K- Rilindja: Korrupsion, Krim, Kanabis…

Nga Kastriot Islami - 12/10/2016

Rama është përzgjedhur si personi i duhur për të aplikuar qasjen e duhur, prandaj është shumë e saktë që të thuhet se Rilindja ka ecur në Rrugën e Duhur i) për të eleminuar Partinë Socialiste, ii) për të eleminuar militantët dhe aktivistët socialistë, iii) për të margjinalizuar dhe/ose përjashtuar disidentët apo kundërshtarët politikë, iv) për të promovuar klientelën dhe besnikët e Rilindjes, v) për të mashtruar të varfërit dhe rritur mundësitë për të pasuruar kilentelën e oligarkëve e të kriminelëve…dhe së fundmi vi) për të krijuar “biznesin e tipit te skemave piramidale të kultivimit të kanabisit…” në funksion të blerjes së votave dhe manipulimit të zgjedhjeve. I gjithë ky mekanizëm autoritarist, oligark e kriminal, është ngritur vetëm për të realizuar synimet dhe interesat personale të Ramës dhe të klientelës së tij të ngushtë. Në funksion të këtij projekti, është vënë në dispozicion media e vetëdeklaruar e “aleancës së qelbësirave” që paguhet me paratë e pista të korrupsionit, veprimtarive kriminale dhe trafiqeve dhe që ka për mision të godasë cdo opinion alternativ apo të sulmojë cdo kundërshtar të Rilindjes e të Ramës dhe të fshehë e maskojë cdo defekt apo dështim të Rilindjes. Fundi i kësaj mënyrë qeverisjeje është i pashmangshëm, në makineritë e ‘trajtimit të plehrave”, madje ai do të jetë proporcionalisht i tmerrshëm me jetëgjatësinë e tij, me marrëzitë, me zullumet, me arrogance, me nivelin e mashtrimit të qytetarëve dhe me mediokritetin e paaftësinë e lidershipit të saj; dhe mbi të gjitha ai do të çrrënjoset nga trazirat e fuqishme sociale nëse do të preken zgjedhjet.

Rama në krye të një qeverisje të korruptuar, kriminale, kanabiste…

Qeveria e Ramës është mbështetur dhe ka favorizuar individët me rekorde kriminale, për të fituar pushtetin përmes blerjes së votave dhe mbajtur sa më gjatë pushtetin duke majmur me paratë e asetet publike “klientelën oligarke e kriminale”… ndërkohë që ka mashtruar të varfërit me gënjeshtrën e taksës progresive, lëmoshat e kompensimit të dritave apo të indeksimit të pensioneve duke jua zhvatur disa fish të ardhurat reale nga xhepat e tyre me  rritjen e të gjithë taksave apo uljen e fuqisë blerëse për shkak të rritjes së çmimeve nga dështimi i ekonomisë dhe korrupsioni galopant. Madje së fundmi, për ti mashtruar ekstremisht të varfërit ndërkohë që klientela e ngushtë pasurohet e kriminalizohet eksponencialisht, Rama ka gjeneruar qasjen e “kultivimit të kanabisit”, një lloj skeme piramidale me pronar Ramën dhe Tahirin, por që menaxhohet në mënyrë perfekte nga i gjithë rrjeti i policisë klienteliste dhe që duket se shërben si “mekanizëm tërheqës” për të “varfërit” që mendojnë të mbijetojnë me “bimën çudibërëse” që ju ka mbetur e vetmja zgjidhje së bashku me emigrimin. Në fakt i gjithë ky është preludi i një katastrofe sociale dhe rrënimi eventual të shtetit. 

Rama ka eliminuar militantët e aktivistët dhe “vrarë” kundërshtarët

Rama e ka urryer Partinë Socialiste që në fillim e vazhdimisht dhe është betuar për ta eliminuar gradualisht, përfundimisht pas zgjedhjeve të ardhshme. Fillimisht duke “vrarë “ militantët e aktivistët socialistë dhe i zëvendësuar ato me “bandat e kriminelëve me veshje politike dhe ushtarët e oligarkëve”. Kurse drejtuesit partiakë me eksperiencë do ti zëvendësonte me “kukullat, klounët dhe sharësit e Rilindjes”, kurse ekspertët partiakë socialistë do ti zëvendësonte me gardën e punonjësve të administratës të përzgjedhur sipas rregullit të besnikërisë ndaj Rilindjes. Rama përmes një strategjie të qartë e ktheu partinë socialiste në një instrument autoritarist për interesat e tij personale. Zërat disidentë dhe kundërshtarët ose u margjinalizuan ose u përjashtuan nga partia. Për të kontrolluar partinë në nivel qendror e lokal, drejtuesit e partisë në nivel vendor emëroheshin pa përjashtim nga vetë Rama, duke shmangur procesin e zgjedhjes kurse si kandidatë për kryetar bashkisë do të caktoheshin vetëm besnikët e klientelës së rilindjes, të cilët gradualisht u kthyen në “kështjella” të oligarkisë, krimit dhe korrupsionit lokal.  Kjo e ka bërë Rilindjen një mënyrë qeverisjeje jashtë realitetit, që nuk ka asnjë lidhje me interesin publik, me hallet e shqetësimet e qytetarëve madje pa asnjë lidhje edhe me vetë socialistët që me votën e tyre e mbajnë Rilindjen në pushtet; e gjitha kjo ka ardhur edhe për shkak të ligësisë, makiavelizimit, mediokritetit e banalitetit të drejtuesit të saj dhe injorancës ekstreme e paaftësisë së anëtarëve të kupolës.

Rama ka pasuruar oligarkët, ka varfëruar të varfërit,  ka “vrarë” klasën e mesme….

Gjatë këtyre tre vjetëve të qeverisjes së Rilindjes, favorizimi i pjesëtarëve të klientelës oligarkike e kriminale është shoqëruar me rritjen e varfërisë dhe shkatërrimin e klasës së mesme. Klientela e Ramës është bërë më e pasur për shkak të korrupsionit elitar, të varfrit janë rritur në numër dhe janë bërë më të varfër kurse klasa e mesme e intelektuale është goditur për vdekje duke u eliminuar plotësisht. Kjo ka bërë që të rritet numri i akteve kriminale, papunësia dhe emigracioni. Shumë nga të sapodiplomuarit, sidomos në fushën e mjekësisë por edhe të tjera, largohen nga vendi me idenë fikse se “ky vend nuk bëhet”.  Numri i aplikantëve për lotarinë amerikane ka arritur shifrat më të larta. Kurse në Gjermani e vendet e tjera të Europës Shqipëria ja kalon për nga numri i emigrantëve edhe vendeve që janë në luftë si Siria, Afganistani, e tjerë.

Rama, ideatori i kultivimit të kanabisit për manipulimin e zgjedhjeve…

Rama së bashku më Tahirin, ndonëse janë shfaqur gjoja kundër kultivimit të kanabisit ata asnjëherë s’kanë pranuar testin e drogës duke lënë të dyshohet se ata potencialisht mund të jenë përdorues të drogave të lehta (marijuana) dhe/ose të forta (kokainë, heroinë…). Por ajo që është më e rëndësishmja, është një fakt i njohur botërisht (të gjithë shqiptarët e dinë por eurodeputeti Kukan pohoi se kjo është e ditur edhe nga të gjithë eurodeputetët) se nën kujdesin e Ramës e të Tahirit, Shqipëria është tashmë vendi i parë në Europë përsa i përket kultivimit të kanabisit. Kultivimi i kanabisit është projekti i radhës i Rilindjes për të blerë votat në zgjedhjet e ardhshme; dështimi i Rilindjes ka detyruar të konceptuesit e saj të gjejnë një mënyrë alternative mashtrimi dhe joshjeje, qoftë edhe të përkohshme të votuesve, si dhe një mekanizëm kapilar  për sigurimin e financave elektorale.

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco