Bujqësi, rilindje, kanabis

Bujqësi, rilindje, kanabis

Nga Hysni Gurra - 11/10/2016

Në vitin 2013 Edi Rama, atëherë lider i opozitës, nuk la fshat pa shkelur për bisedimet e famshme me fermerët. Në disa raste objektiv, në disa të tjera jo, e paraqiste gjendjen e bujqësisë si mesjetare.

Premtoi rilindje të bujqësisë dhe fshatit, as në shifra nuk u kursye. Premtoi se do të rrisë 5-fish financimin për bujqësinë, zero taksë për miellin, bukën, qumështin dhe vezët. Premtoi ç'montim të kartelit të monopoleve të grurit, sheqerit, orizit dhe karburanteve. Premtoi 160 milion dollarë investime në rrjetin e kanaleve të ujitjes dhe kullimit. Premtimet janë lehtësisht të gjendshme në internet. Së fundi, po shohim kryeministrin pothuajse cdo pasdite, "live" në media, në takime me fermerët. Në pamje të parë, duket sikur është duke kryer detyrën e llogaridhënies sepse, normalisht, tetë muaj përpara fundit të mandatit një kryeministër bën bilancin e premtimeve të mbajtura.

Por në fakt, jo, kryeministri jonë, me arrogancën që e karakterizon, nuk jep llogari, por bën batuta bajate duke i pyetur fshatarët për gratë. Në vend të dhënies së llogarisë, premton për mandatin e ardhshëm, pothuajse, të gjitha premtimet që cituam në hyrje të shkrimit. Në fakt, kryeministri e ka një hall, halli është se asgjë nga sa ka premtuar nuk mundi të bënte. Tashmë i kanë rënë të gjitha alibitë dhe e vetmja gjë që i ka mbetur janë takimet me regji qëndrore në fshatra, me të cilat shpreson të shpëtojë në këtë fund mandati. Çfarë bëri në të vërtet rilindja për fshatin në këto tre vite qeverisje? Fillimisht, nuk 5-fishoi investimet në bujqësi dhe kjo tashmë është fakt, jo trillim.

Pasi pa se premtimet i kalonin mundësitë, dikasterin e bujqësisë ia dha aleatit qeverisës, pra jo vetëm nga oreksi i aleatit për ofiqe, por dhe nga djallzia e kryeministrit për të patur një alibi për mos mbajtjen e premtimeve. Vitin e parë e kaloi duke përhapur thashetheme nëpër katunde se po sabotohej nga aleati dhe prandaj nuk po mbante premtimet e dhëna. Vitin e dytë e kaloi duke u thënë fermerëve se - ja këtë vit do t'i ndieni frutet e investimeve që u bënë vitin e parë të qeverisjes. Në vitin e tretë, kur duhej të shihej fruti i punës së rilindjes në fshat, INSTAT pohon se bujqësia ka ardhur me trend ulje për të pestin 3-mujor radhazi. Pra, nga 3 vite pushtet, në 1.5 vitet e fundit treguesit janë në rënie. A janë 5-fishuar investimet?! Kryeministri thotë po, faktet thonë jo! Cili ishte investimi i vetëm që rilindja bëri për bujqësinë dhe fshatin?! Ajo që s'kishte ndodhur kurrë më parë, ndryshoi drejtimin ekonomik të bujqësisë. E mbushi Shqipërinë me kanabis, dekurajoi edhe ata pak njerëz që punonin në bujqësi.

Që Shqipëria është e mbushur me kanabis, është fakt dhe nuk ka nevojë për asnjë raport ndërkombëtarë për ta bërë të besueshme. Ujku duket nga të gjithë, s'ka nevojë për gishtin e ndërkombëtarëve. Kjo gjë ka bërë që bujqësia të kthehet shumë vite pas dhe pasojat do të jenë afatgjata. Sesa janë ulur çmimet e shportës edhe kjo nuk ka nevojë për shumë fjalë sepse mjafton një vajtje në market dhe çdo gjë është e qartë. Karteli i monopoleve? Për luftën ndaj karteleve vetëm rilindja nuk duhet të flasë. Megjithatë, për të mos u zgjatur, mjafton një pyetje: Sa lek kushton litri i karburantit për fermerët sot? Thatësira në verë dhe përmbytjet në dimër janë tregues i gjallë i premtimit të investimit të 160 milion dollarëve në ujitje dhe kullim. Përgjithësisht përmbytej vetëm veriu i vendit, tani gjithë Shqipëria. Qeveria thotë - tani as dëmshpërblime nuk do të merrni më në raste fatkeqësish natyrore sepse duhet të siguroheni tek kompanitë e sigurimit. Pra, i çon në gojë të kartelit. Kryeministri, ndoshta, mendon sinqerisht se makinacionet e ndyra që të sjellin në pushtet dhe të ndihmojnë ta mbash atë, quhen punë. Këto nuk janë punë, këto quhen mashtrime.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco