Veliaj vrau në Sharrë si Mediu në Gërdec

Veliaj vrau në Sharrë si Mediu në Gërdec

Nga Andi Bushati - 11/10/2016

Të dielën në mesnatë, teksa po kthehesha nga Shkodra me shijen e hidhur të një dështimi në gojë, ndesha papritur në një nga ato lajme që i japin dërmën e fundit, një dite të keqe. Kreu i bashkisë së Tiranës kishte arritur edhe njëherë  të censuronte një investigim për vdekjen e tmershme të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në Sharrë. Ndërsa i gjithë publiku i kishte sytë nga ndeshja Shqipëri- Spanjë, televizioni Vizion Plus kishte hequr nga programi emisionin investigativ “Publicus”, që qëmtonte të pathënat e kësaj ngjarjeje (lexo poshte lajme Lapsi.al).

Kisha disa arsye që të ndihesha vërtet i cënuar.

Jo vetëm si çdo gazetar që e mundon përdhuna e një akti të tillë.

Jo vetëm si një njeri që ka punuar për një kohë të gjatë me autorin e këtij emisioni, Artan Rama, kur konceptonim çdo javë “Zonë e ndaluar”. Si një bashkëpunëtor i vjetër e njoh ndershmërinë profesionale, sensin e së drejtës, përkujdesjen deri në manjakllëk të Arit, për t'i dhënë publikut një produkt sa më të arrirë. Ndaj nuk kam asnjë dyshim për emisionin e tij edhe pse ende nuk e kam parë.

Por, ajo që më goditi më shumë në këtë histori ishte një ngarje e shumë viteve më parë.

Në 2008, mes dhjetra emisioneve që kemi bërë sëbashku, për katastrofën e Gërdecit, për 21 janarin, për masakrën e Ruzhdies, për zgjedhjet e manipuluara për bashkinë e Tiranës, na ra rasti të kishim të ftuar Erjon Velinë. Ishte nje emision për zhdukjen e biznesmenit Kosta Trebicka dhe për atë skandal financiar që më pas ishte kthyer në një tragjedi vdekjeprurëse, aty brenda fabrikës të demontimit të fishekëve.

Erioni i asaj kohe, i denonconte me zell Berishën, Zenin, Mediun, kundër të cilëve nuk linte ekran pa folur dhe demostratë pa organizuar. Natyrisht, ai e dinte se qeveritarët e kohës nuk kishin shkuar ti ekzekutonin me dorën e tyre 26 viktimat. Por teza që ai mbronte në atë kohë, ashtu sikurse të gjithë ne, ishte: Një symbylltësi skandaloze e shtetit ndaj një biznesi me lidhje politike, favorizimi i klientëve të familjes kryeministrore, anashkalimi i rregullave, hartimi shkel e shko i kontratave dhe etja e babzitur për fitim e kishin bërë të pashmangshme atë tragjedi.    

Sipas të njëjtave parime, Artan Rama dhe grupi i tij i “Publicus” kërkuan të investigonin për vdekjen makabre të Sharrës, tani kur Erioni ka kaluar ylberin dhe nga njeriu që anatemonte Berishën, Zenin dhe Mediun, është kthyer në satrapin që kërkon të censurojë mediat.

Erioni kishte ndryshuar, ata jo.

Lidhur me vdekjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë ata kishin disa pyetje për të cilat ende publiku nuk ka marrë përgjigje.

Përse mbetet ende e panjohur, madje thonë edhe për prokurorinë, kontrata për landfillin e Sharrës që bashkia e Tiranës ka nënshkruar me kompaninë 3R?

Përse vdekja e të riut u tentua fillimisht të mbahej e fshehtë?

Përse familjarët e viktimës 17 vjeçar janë fshirë nga ekrantet tona kryesore?

Pse Erion Veliaj, herë me hirin e planit rregullues të Tiranës që po miraton dhe herë me pahirin e pushtetit, i ka detyruar pa përjashtim të gjithë pronarët ndërtues të mediave ta fshijnë nga TV e tyre këtë ngjarje?

Pse një kolege, Alida Tota, që po hetonte për këtë histori e pagoi këmbënguljen e saj me largimin nga vendi i punës dhe flakjen në rrugë?

Lidhja e tragjedisë së Sharrës me Erion Velinë, njeriun që kish bërë thirrje për punësim e siguri në këtë kahsapanë është direkte.

Prandaj ai është kthyer në makthin e reporterëve që paguhen nga pronarët ndërtues të televizioneve. Sepse urdhri është i qartë: Kush flet për Sharrën humbet vendin e punës.

Po përse kjo censurë jashtë çdo limiti? Përse Erion Veliaj po përpiqet të heshtë çdo zë që tenton të hetojë mbi vdekjen e Arditit dhe skandalin e Sharrës- mund të pyesë dikush? Ai as nuk ka qenë atë natë mbi eskavator dhe as nuk mund të akuzohet për vrasje me dashje- mund të thotë një tjetër?

Përgjigjja është e thjeshtë.

Ajo duhet kërkuar në atë historinë që tregova më lart, kur Erioni, opozitar, akuzonte Berishën dhe Mediun si njerëz që babzia për fitim i kishte shpënë drejt krimit në Gërdec.

Sipas të gjitha gjasave kështu ka vrarë edhe Erioni në Sharrë.

Për të përforcuar këtë hipotezë, mjafton të lexohet edhe një shkrim i para pak ditëve i agjensisë prestigjoze BIRN (me që ra fjala edhe për këtë nuk guxon të flaës asnjë media) ku tregohet me detaje se si bëhen tenderat e pastrimit në Bashkinë e Veliajt (lexo poshte lajme Lapsi.al).

Me sa duket, kështu është vepruar edhe në landfillin ku u gjet me plagë në kokë Arditi i ngratë, që po kërkojnë ta vrasin për herë të dytë me heshtje.

Për faktin se nuk ka zbatuar rregullat, se ka anashkaluar ligjet, se i ka dhënë letër të bardhë një biznesi makut, Erion Veliaj është përgjegjës për krimin e Sharrës.

Njësoj si Berisha dhe Mediu në Gërdec.

Pikërisht për të mos u përfshirë nga ky skandal, të singjajshmin e të cilit e ka denoncuar vetë, kryetari i bashkisë është ngërthyer në një rreth vicioz, presionesh shantazhesh dhe largimesh nga puna.

Pikërisht për këtë, gazetarja Alida Tota sot nuk ushtron më profesionin e saj.

Pikërisht për këtë, emisioni “Publicus” nuk u trasmetua dje në Vizion Plus.

Pikërisht për këtë e diela që shkoi ishte një ditë e keqe. (Lapsi.al)

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco