Murgu Gert – Nga Edison Ypi

Murgu Gert – Nga Edison Ypi

Nga Edison Ypi - 10/10/2016

Murgu Gert nuk i përket botës së turmës, gumëzhitjes së shumicës, banalitetit të materialitetit. Murgu Gert ka botën e vet, kohën e vet, hapësirën e vet. Murgu Gert jeton i zhytur në dritën e qiririt që kurrë nuk erret, mbi prushin e ideve që kurrë nuk shterren, brenda zjarrit të idealizmit që kurrë nuk fiket.

Për Murgun Gert Dituria është i vetmi ilaç që të shëron nga çdo sëmundje, të mbron nga çdo zullum, të afron me çdo gjë të dobishme. Murgu Gert nuk lejon kurrë t'i kalojë as edhe një ditë e vetme e jetës pa realizuar diçka, pa bërë një punë sado modeste, pa pasur një bilanc sado minimal. Nëse nuk arrin ta përmbushi leximin, shkrimin, studimin, që ka qënë piksynimi i ditës, sado i lodhur, sado i sfilitur, Murgun Gert gjumi nuk e zë, Murgu Gert të flerë nuk mundet kurrsesi.

Derisa detyrën që i ka vënë vetes ta ketë kryer, Murgu Gert ka shqetësim, ndjen ankth, kërcet frikshëm dhëmbët, ka bindjen se po nuk e mbaroi, një Gjykatë supreme do ta dënojë me vdekje në Ferr. Njohja, zbulimi, hulumtimi, Murgun e eksitojnë, e lumturojnë, aq më tepër sa më të thella, sa më të vështira, të pakapshme, të paarritshme, të jenë sfidat që ka përpara. Kur ndodh që hulumtimi, reflektimi, nuk e kënaqin, nuk kanë dalë të përsosura, Murgu Gert, nga njëra anë shqetsohet, vuan, përpëlitet, nga ana tjetër energjitë i shtohen, vullneti i shumfishohet. Dhe mes rropatjesh e vuajtjesh, përsëri e përsëri sulet, derisa qëllimin ta arrijë, derisa bishën ta lodhi dhe ta mposhti.

Energjitë më të mëdha Murgu Gert i shpenzon pa u ndalur në sulmin më të tmerrshëm, në kacafytjen më të skëterrshme, në dyluftimin më të përbindshëm, atë me tiraninë e kohës, e cila duke rrjedhur pa u ndalur, duke ikur e mos u kthyer, nuk është kurrë e bollshme, nuk është kurrë e mjaftueshme, por gjithmonë e mangët. Murgun Gert e tmerron konstatimi se pasuria kulturore dhe në përgjithësi vlerat shqiptare me aq mund e sakrifica të akumuluara ndër shekuj dhe të shkatërruara nga dhuna e diktaturës, sot po varrosen çdo ditë më thellë nga rendja e pandalur drejt materialitetit shtazarak që kënaq instinktet por është sterile në çdo pikëpamje tjetër.

Bota e pafundme dhe vogëlsia njerëzore Murgun Gert e mahnisin. Mahnitja i shton kuriozitetin, kurioziteti i zgjon imagjinatën, imagjinata i ndez zjarrin e shpirtit për të njohur mundësisht gjithçka nga kjo botë e turbullt. Murgu Gert e di që kockat nuk i ka prej alumini dhe muskujt nuk i ka prej polistiroli, se me kalimin e kohës energjitë dhe mundësitë paksohen, dhe vrapon e vrapon pa u ndalur pas vargmaleve të leximeve, oqeaneve të ideve, dehjes marramendëse të zbulimeve. Murgu Gert brengoset pafund pse njerëzit janë të vrazhdë, paragjykues, përbuzës, meskinë, dhunues, tiranë, vrastarë. Murgun Gert e dëshpërojnë jashtë mase vdekëtarët e zakonshëm, mospjesmarrja e tyre, heqja e tyre mënjanë, konformizmi, pajtimi, mendimi linear, arsyetimi analog, kuptimi i ngushtë, komportimi konvencional, që problemet nuk i zgjidhin por vetëm i shtojnë.

Murgun Gert e dëshpëron gjithashtu njëanshmëria, diskriminimi, nepotizmi, tarafi, krahinarizmi. Heshtja e kushtëzuar nga rrethanat e interesit imediat, lehjet për përfitime, klithmat për abuzime, Murgun Gert e llahtarisin. Murgu Gert kërkon të ulurijë, Murgu Gert do të protestojë, Murgu Gert do t'i djegi me zjarr të paprinciptit, tua thyejë kockat qenve, tua rjepi lëkurën bushtrave. Ka periudha që për ditë të tëra Murgu Gert nuk shkruan as nuk lexon, vetëm mendon. Murgu Gert kurrë nuk mburret. Murgu Gert kurrë nuk flet për veten. Aq e do Shqipërinë Murgu Gert sa një ditë pasi kaloi nëpër Dumre plot me liqene dhe kodra të magjishme i tha vajzës që dashuron; Nuk kam për Ty dhuratë më të bukur dhe më të çmuar se ky peisazh shqiptar.

Përderisa Shqipëria ekziston dhe shqiptarët marrin frymë; Dikush kujdeset tua bëjë të qartë vdekëtarëve shqiptarë se sado të drejtë të kenë nuk duhet të këmbëngulin shumë, se e gjithë e drejta i përket vetëm Zotit. Dikush punon që marrëzia shqiptareske të mos jetë e pafundme. Dikush lodhet që Shqipëria të mos zhbëhet. Dikush punon pa u ndalur që Historia të mos harrohet. Dikush preokupohet që qielli të mos nxihet, zjarri të mos fiket, lumenjtë të mos thahen, magma që shpërthen nga Shpirti i zjarrtë i shqiptarit të mos ftohet. Ky është Murgu Gert Brojka.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco