Vetting-u i zbukuruar përmes “gabimeve” në përkthim

Vetting-u i zbukuruar përmes “gabimeve” në përkthim

Nga Artan Hoxha - 02/12/2016

Zbulimi i “gabimeve” në përkthimin e ligjit të vetting-ut ishte rrufe në qiell të pastër për Rilindjen që zbrazi gjithë potencialin e vet propagandistik për të akuzuar demokratët për mos-hapjen e negociatave me BE, me ankimit që demokratet bënë, pa shkaqe ligjore sipas Rilindjes, për ligjin e Vetting-ut në Gjykatën Kushtetuese.

“Gabimet” duken ashiqare që nuk janë gabime, por shtrembërime të qëllimshme. Me mjaft gjasa teksti në shqip, i përkthyer korrekt në anglisht, nuk e kalon testin e Komisionit të Venecias, ndërsa ai anglisht, i servirur me “gabime”, për shkak të modifikimit të kuptimit të termave, e sigurt që e kalon këtë test.

Për ta ilustruar këtë konkluzion po marr si shembull një nga çështjet për të cilën kam dëgjuar vërejtje të forta jo vetëm nga demokratët, por edhe nga prokurorë, gjykatës dhe plot ekspertë të së drejtës - atë të bashkëpunëtorit të drejtësisë, rolit e peshës së dëshmisë së tij në procesin e verifikimit (Vetting-ut) të pasurisë dhe figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në nenin 54 të ligjit për Vetting-un përcaktohet se:

“Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.

Në ankimin në Gjykatën Kushtetuese demokratet argumentojnë se termat provë vendimtare dhe provë thelbesore cenojnë parimet kushtetuese të një procesi të drejtë ligjor pasi nuk mund të jetë vetë ligji që cilëson e peshon apriori provat, por është procesi konkret gjyqësor ku provat peshohen, vlerësohen, vleftësohen e cilësohen rast-për-rast.

Ky tekst, përkthyer në anglisht, i është dërguar me përmbajtjen vijuese Komisionit të Venecias:

If an agreement is reached, the justice collaborator must give full information, without any reserve or condition, on all the facts, events and circumstances, which serve as evidence for the discovery, investigation, trail or prevention of corruption of assesses. The written statement of a justice collaborator done in front of the prosecutor constitutes a valid evidence for the re-evaluation and all other legal procedures

Siç shihet, në variantin anglisht, në rastin më të parë kur përdoret fjala evidence (prove) ajo nuk shoqërohet nga asnjë cilësor, ndryshe nga ligji në shqip (provë vendimtare). Përkthimi korrekt do të kërkonte përdorimin e cilësorit decisive para fjalës evidence. Në rastin e dyë kur ripërdoret fjala evidence (prove) ajo shoqërohet me cilësimin valid, term ky që nuk ka kuptimin thelbësore, por kuptimin e vlefshme ndërsa do të duhej të përdorej termi essential dhe këto dy terma në shqip kanë kuptime të ndryshme siç kanë edhe në anglisht termat e saktë korrespondues.

Lexuar në anglishten me “gabime”, siç i është servirur Komisionit të Venecias, ky nen i ligjit të Vetting-ut e kalon lehtësisht testin e tyre e, me gjasa, ekspertët e këtij komisioni me siguri do të mendonin se “ç’dreqin kanë demokratet kundër ketij neni”. Përkthimi korrekt do t’ua ngrinte qimet përpjetë.

Përkthimi i ligjit të vetting-ut ka disa raste të këtilla të cilat nuk duken asfare si gabime në përkthim nga mosdija e gjuhës. Kësi “gabime” nuk do t’i bënte as dikush me njohuri mesatare të gjuhës angleze, as nëse do të përdorte google translate.

Ndaj, mbetet që “gabimet” janë bërë qëllimisht - veç disa modifikime, por në pikat kyçe të ligjit, mjaftueshëm për t’mos ua ngritur qimet përpjetë ekspertëve të Komisionit të Venecias e për të bërë qesharak kritikën ndaj ligjit dhe ankimin në Gjykatën Kushtetuese.

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco