Vendimi për hapjen e negociatave, asgjë tjetër nga ç’tha Krichbaum

Vendimi për hapjen e negociatave, asgjë tjetër nga ç’tha Krichbaum

Nga Kastriot Islami - 02/12/2016

Nuk kanë të sosur gafat e “liderit global”, shakatë e tij të kripura e barcaletat në darkat me kancelaren e drejtues seriozë të rajonit, shfaqjet teatrale me Vuçiç, kërcënimet qesharake ndaj Greqisë, lëpirjet pas sharjeve e ofendimeve ndaj Trump, sulmi ndaj deputetit gjerman Krichbaum, “e lagu se lagu” me çështjen e hapjes së negociatave me BE, për të ardhur te “kërcënim-testimi” me rrezikun e “faktorëve të tretë”. Të gjitha këto janë sjelljet tipike të një personazhi me mungesë të plotë njohurish dhe pa asnjë lloj eksperience në politikën e jashtme. E një individi që e konsideron politikën e jashtme si lojë fjalësh a fjalë pa kuptim, barcaleta apo gallatë, shfaqje teatrale apo shou mediatik, kërcënime a lëpirje, sulm agresiv apo më pas tërheqje e shëmtuar… Ngjarja e fundit, ndoshta më e rrezikshmja, ka të bëjë me “kërcënimin” narcist që i bën BE e NATO me faktorin e tretë duke nxjerrë më tej rrezikun që vjen nga Rusia e ISIS si alibi për të hapur negociatat pa kushte për qeverinë Rama që do të thotë ndryshe fitimin e një “certifikate pastërtie” për një qeveri që dihet pa asnjë mëdyshje në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër e kudo në Europë se është një qeveri e “korruptuar, e inkriminuar, e implikuar në kultivimin e kanabisit dhe trafiqet e drogave” e drejtuar nga zotëruesi i një pasurie 200 milion euro të fshehur në një llogari off shore.

Për më tepër ai ë benë kërcënimin qesharak ndërkohë që prej disa kohësh ka përgatitur vizitën për në Moskë, e për më tepër datën e vizitës ka “çiftuar” me datën mbledhjes së Këshillit Europian për çështjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Ka përdorur të gjithë metodat e alibitë për tja transmetuar fajin të tjerëve për hapjen e negociatave. Po ajo që ka ndodhur me përfaqësuesit gjermanë është e paprecedentë, e turpshme, skandaloze…Për të krijuar jo vetëm një pamje të qartë për qytetarët shqiptarë por edhe për ti dërguar një mesazh serioziteti e dinjiteti politikës gjermane, gjykoj se është e rëndësishme të jepen disa sqarime.

Gunther Krichbaum një deputet serioz me mandatin e Merkel

Gunther Krichbaum është prej 10 vjetësh kryetar i komisionit te integrimit ne parlamentin gjerman. Dhe prej 15 vjetësh deputet i parlamentin gjerman. Ka studiuar ne fakultetin juridik, në dy nga Universitet më të mira të Gjermanisë, në Tubingen e Heidelberg. Si dhe më tej në Lozanë e Gjenevë. Ai ka marrë një “Urdhër nderimi” nga Mbretëresha e Holandës, ka marrë “Urdhërin e Legjionit të Nderit” nga presidenti i Francës dhe Dekoratën e larte “Golden” nga presidenti i Austrisë. Të gjitha këto janë të rëndësishme për të treguar formimin solid dhe seriozitetin e deputetit të parlamentit më të rëndësishëm të Europës. Si dhe për të theksuar formimin e nivelin e lartë të dijenive dhe të njohurive për çështjet e integrimit europian. Gjykoj se shqiptarët, duhet ti besojnë plotësisht zotit Krichbaum për gjithçka tha në Tiranë, madje aq më tepër por ti referohemi sjelljes së turpshme e njëkohësisht qesharake të Ramës dhe “gardistëve të tij sulmues”.

Krichbaum dhe Merkel në rezonancë të plotë

Për më tepër, shqiptarët duhet të kenë parasysh se gjithçka tha deputeti Krichbaum në Tiranë janë jo vetëm në rezonancë me gjithçka tha kancelarja Merkel në Berlin, por mbi të gjitha, duhet të kuptojnë mirë se ai ishte në Tiranë me mandatin e saj të plotë dhe transmetoi me “pikë e me presje” porositë e saj. Çdo sajesë tjetër s’do të ishte serioze dhe do të përbënte minimalisht spekulim të turpshëm… Nëse shqiptarët do të lexonin me vëmendje çfarë ka thëne zoti Krichbaum në Tiranë se; “Shqipëria para se të hapë negociatat për anëtarësim me BE duhet të plotësojë disa kërkesa që janë paraqitur në dokumentin e Komisionit Europian.” Duhet të kuptojnë se gjithçka ka thënë Krichbaum, Merkel, pra Gjermani është në përputhje të plotë me ato që janë shkruar në raportin e KE, pra të Brukselit. Këto kërkesa, pra kërkesat e Komisionit Europian, grupi i CDU/CSU i ka formuluar në formën e një Dokumenti (Paper) me 7 pika. Kaq e thjeshtë është kjo paraqitje dhe vetëm kaq.

Qëndrimi i Gjermanisë do të jetë edhe qëndrimi i Këshillit Europian

Me shumë gjasa ky do të jetë në vija të përgjithshme edhe vendimi i Këshillit Europian në mesin e dhjetorit 2016. Merkel foli në mënyrë eksplicite edhe për zgjedhjet në konferencën e shkurtër për shtyp, si kusht apo si kriter, si kërkese apo diçka tjetër, nuk ka asnjë rëndësi. Vendosja e zgjedhjeve në gojën e saj, do të thotë se çështjes së hapjes së negociatave ju vendos një afat, afat që e përcaktojnë zgjedhjet. Dhe që kryetaret e shtetit të vendosin për hapjen e negociatave, do të duhet të presin raportin e OSBE/ODHIR për zgjedhjet e ardhshme, që në rastin më të mirë do të ishte në dhjetor 2017 dhe në rastin më normal do të ishte në 2018, në mbledhjen e tyre më të parë. Kjo është e vërteta, gjithçka tjetër do të ishte tymnajë, spekulim, mashtrim.

Krimi, korrupsioni, kanabisi, zgjedhjet janë çështjet që i njohin vendet e BE

Përse Rama luan me çështjen e hapjes së negociatave me stilin e “lagu se lagu”?Një herë thotë që negociatat do të hapen pa asnjë kusht. Pastaj thotë që i vetmi kusht është “vetingu”, kusht që vjen nga opozita. Pastaj fshin nga deklarata për shtyp me Merkel çështjen e zgjedhjeve. Pastaj kërcënon me “Rusinë dhe ISIS”. Dhe të gjithë këtë histori e mbyll duke thënë se realiteti i përcaktuar nga qeverisja e tij është pozitiv ndërkohë që imazhi ja kanë prishur kundërshtarët, media-kazan, tradhtarët e vendit duke shkruar deri të “hakmarrja greke” dhe “rreziku rus apo islamik”. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: Këshilli vendos mbi bazën e realitetit që përcaktoka Rama apo të perceptimit/imazhit që përcaktoka opozita? Përveç ndonjë injoranti, të gjithë e kanë të qartë se vendet e rëndësishme të BE i kanë të gjithë mekanizmat për të grumbulluar informacionin e nevojshëm për situatën nëvend, për të krijuar kështu idenë e qartë për realitetin në Shqipëri. Krimi është i përshkruar në raportin e KE. Korrupsioni ekstrem është po aty. Zgjedhjet i përmendi kancelarja Merkel, por do ta thonë në korr edhe kryetarë të tjerë shtetesh. Rama kujton se ekzagjerimi është me kanabisin. Kjo është për të qeshur e për të qarë! Kjo është një çështje që s’mundet më të fshihet, sepse për më tepër dimensioni i saj është i frikshëm jo vetëm për ne, jo vetëm për fqinjët, jo vetëm për rajonin por edhe më tej. Mjafton të lexohet shkrimi i Bob Couen, në revistën amerikane The Hill, një ekspert i NATO, i sigurisë, i çështjeve inteligjente, që e cilëson Shqipërinë “hallka më e dobët e NATO” që rrezikon operacionet e NATO në rajon (http://thehill.com/blogs/pundits-blog/international-affairs/300392-albania-drug-haven-is-a-nato-challenge-for-next).

Kanabisi një çështje që dëmton sigurinë kombëtare

Titulli i shkrimit është shumë i rëndë: Shqipëria, hallka më e dobët e NATO-s për shkak të kanabisit, dosja në tavolinën e presidentit të ardhshëm të SHBA…Shkrimi nuk është i porositur sic do të tentonte ndokush të sajonte apo shpifte sepse autori i tij jep si burime informacioni ose DEA (Departamentin e antidrogës në SHBA) ose shërbimin inteligjent të Britanisë së Madhe ose shërbimet inteligjente antidrogë të vendeve te BE. Aty jepet dimensioni masiv i kësaj dukurie. Jepet konkluzioni se kjo dukuri kryhet e kontrollohet nga niveli më i lartë i qeverisë, drejtuesi i Qeverisë dhe i Ministrisë së Brendshme, së bashku me rrjetin e policisë. Aty shkruhet qartas se kjo dukuri ka dobësuar ndjeshëm stabilitetin e sigurinë e vendit deri në atë shkallë sa që NATO do të kishte probleme për të operuar në hallkën e saj më të dobët…Që për shkak të kultivimit të kanabisit shumë individë të lidhur me ISIS po pasurohen përmes kultivimit të kanabisit dhe janë kthyer në rrezik për Britaninë….e tjerë… Fatkeqësisht kjo është fotoja që shohin të huajt nga një realitet që ekziston në vend dhe nuk është e kundërta. Dhe këtë realitet nuk e ka prodhuar as opozita, as media, as kundërshtarët e kësaj qeverisje…Kjo është një skemë shumë e vjetër që ka dështuar gjithnjë…

Reforma në drejtësi dhe Vettingu, një alibi që po del këto ditë…

Për ta mbyllur këtë çështje, Rama është përpjekur që mos hapjen e negociatave ta ndërlidhë me reformën e drejtësisë dhe më konkretisht me ligjin e Vettingut, duke e përcaktuar si të vetmen pikë që nuk na qenka plotësuar dhe kështu është e vetmja pengesë për të hapur negociatat. Kjo është një sajesë e turpshme. Së pari për të kuptuar se ku fle lepuri me Vettingun mjafton të analizohet me kujdes e gjitha maskarada me “deformimin e përmbajtjes” së dokumenteve të Kushtetutës dhe ligjit të Vetingut të dërguara në Venecia?! Ndërkohë për të ndërgjegjësuar publikun duhet thënë se para se të hapen negociatat duhet të progres të shënueshëm për Reformën në Drejtësi, në luftën kundër krimit e korrupsionit, vlerësim pozitiv për zgjedhjet, progres për respektimin e të drejtave të njeriut e të minoriteteve, çrrënjosje e dukurisë së kultivimit të kanabisit…Ky do të jetë edhe vendimi i KE në mesin e dhjetorit 2016. Për të qenë serioze e dinjitozë letë presim këtë vendim…

SYRI.net

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco