Si Trump e shpëtoi kandidaturën e tij, në debatin e dytë televiziv

Si Trump e shpëtoi kandidaturën e tij, në debatin e dytë televiziv

Nga Ruben Avxhiu - 10/10/2016

Ata që prisnin që zgjedhjet të mbaronin sot, me fundosjen e Donald Trump në debatin e dytë televiziv kanë mbetur disi të zhgënjyer.

Numri i madh i ligjvënësve republikanëve që kërkonin largimin e tij pas zbulimit të një regjistrimi skandaloz nga viti 2005 me fjalë të ndyra dhe fyerje për gratë.

Një shpresë ishte krijuar, mbase në mënyrë naive për një zëvendësim të tij me numrin dy të kandidaturës, Mike Pence. Një humbje e rëndë në debatin e dytë do ta bënte situatën të pakalueshme. Në rast se Trump nuk do të tërhiqej, mendohej që Pence do të jepte vetë dorëheqjen duke e hedhur fushatën në krizë akoma më të thellë.

Kjo vështirë se do të ndodhë tani, kur Trump u duk se doli fitimtar nga një debat ku hyri gati si i detyruar. Teleshikuesit në tërësi sipas CNN anuan me shumicë nga Clinton, por grupet e të pavarura të testuara në kohë reale anuan nga Trump.

Për arsye që mbase kërkojnë një analizë më vete, ai ia doli mbanë ta vendosë Hillary Clinton në pozita mbrojtëse për minuta të tëra. Nga ana e saj, kandidatja demokrate e filloi shumë mirë debatin dhe mbizotëroi në pjesët kur u fol për politikën e jashtme dhe Gjyklatën Kushtetuese.

Por ajo nuk arriti t’ia fundosë kandidaturën duke e vënë për murin për fjalorin e tij të papranueshëm për një kryetar shteti. As nuk e goditi mjaftueshëm për punën e figurave të shquara republikane që kanë anulluar mbështetjen e tyre.

Ajo mund t’i kishte kushtuar nga një moment, secilit prej tyre, sidomos figurave madhore si Senatori John Mçain, ish-Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice etj.

Një shpjegim më i thjeshtë për arsyen e stepjes së saj lidhur me skandalin e videos ishte rreziku që Trump do të kundërpërgjigjej egërsisht dhe paturpësisht për akuzat seksuale që ndoqën gjatë viteve 1990, bashkëshortin e saj, ish-Presidentin Bill Clinton. Disa prej grave që pretendojnë se kanë pasur marrëdhënie intime me të ishin në sallë, të ftuara nga Trump pikërisht për të detyruar ish-Sekretaren e Shtetit që nëse do ta shpartallonte për moralin e tij, atëhere do të kundërpërgjigjej duke e kthyer debatin në një skenë tabloidesh.

Presidenti Clinton ka qenë nga më të suksesshmit në historinë moderne amerikane, por akuzat mbi të për aventura jashtëmartesore filluan të shiheshin ndryshe kur një stazhiere në Shtëpinë e Bardhë provoi se ai kishte pasur një lidhje intime me të. Incidenti për pak i shkaktoi humbjen e postit të presidentit, duke krijuar një situatë të sikletshme dhe të paprecedentë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Nuk është çudi që Hillary Clinton të ketë bërë një zgjedhje taktike me mend duke e lejuar Donald Trump të mbijetojë në garë, në vend që të përbaltej me të në një shkëmbim vulgar në sy të gati 100 milionë vetëve. Sigurisht, Bill Clinton nuk po kandidon për president. Normalisht Hillary Clinton nuk ka pse të vuajë zgjedhjet e gabuara të bashkëshortit të saj. Po nga ana tjetër, Trump me argumentin se ai thjesht ishte vulgar në fjalë, por bashkëshorti i saj ishte vulgar në veprime, kishte hapësirë të mjaftueshme për të bërë dëme që ishte më mirë të shmangeshin.

Në momentin që Trump zbuloi se i kishte shpëtuar pjesës ku ishte në qendër të vëmendjes fjalori i tij shokues për një njeri publik të atij niveli, ai fitoi një vetësiguri që e përktheu në sulme verbalisht agresive dhe ndërprerje të vazhdueshme fjale ndaj Hillary Clinton. Ndonëse i paartikuluar dhe duke i ngatërruar temat dhe faktet, ai e vendosi atë disa herë në pozita mbrojtëse për mesazhet elektronike të fshira kundër këshillave ligjore duke e akuzuar për shkelje ligji dhe fshehje të të vërtetës.

Në një nga momentet më të shëmtuara në historinë e debateve presidenciale amerikane, ai i premtoi asaj se nëse do të zgjidhej president, do ta fuste në burg. Në rrjetet sociale u komentua shumë si një episod nga pseudo-demokracitë e botës së tretë, ku fituesi i zgjedhjeve e fut në burg rivalin e tij pasi vjen në pushtet.

Hillary Clinton i përballoi me sukses sulmet, ndonëse ishte pak e ngadaltë në përgjigje për disa prej tyre, gjë që u vlerësua negativisht nga grupet e të pavarura që testoheshin drejtpërdrejt gjatë debateve.

Ish-Sekretarja e Shteti ashtu si pritej ishte superiore në politikën e jashtme, sidomos në temën e Sirisë, kur Trump ishte edhe njëherë tjetër, gati në mënyrë të pabesueshme në të njëjtën linjë mendimi me Vladimir Putinin e Rusisë.

Duke hedhur poshtë vetë deklaratat e zëvendësit të tij Mike Pence, ai tha se ishte kundër sulmeve ndaj Asadit, sepse si u shpreh ai: “Asadi po lufton ISIS. Rusia po lufton ISIS. Irani po lufton ISIS.

Në fakt, shumica e sulmeve nga Irani dhe regjimi sirian janë kundër pozicioneve të grupeve sunite që janë kundër ISIS, pra tërthorazi po ndihmon ISIS-n. Rusia që është e vendosur të shpëtojë aleatin e vet Presidentin Asad, dëshiron që ta paraqesë Sirinë si bardhezi, ku duhet të jesh ose me Asadin ose me ISIS. Forcat ruse kanë qenë sidomos të interesuara të bonbardojnë formacionet siriane që kanë luftuar kundër ISIS-it me armë të dhëna nga SHBA.

“Nuk kam biseduar për këtë me Mike Pence dhe nuk jam dakord”, shpjegoi Trump, kur u pyet për dallimet. Një rast tjetër vërtet i habitshëm për një zgjedhje amerikane.

Trump u ankua gjithashtu shumë kundër moderatorëve të debatit duke i akuzuar për anim nga Hillary Clinton dhe në momente të caktuara vërtet që ngjante sikur e ngacmonin atë më shumë sesa kandidaten demokrate. Kjo situatë në fakt, mund ta ketë dëmtuar këtë të fundit.

Agresiviteti i Donald Trump dhe momentet e vështira në të cilën e vendosi rivalen e tij mjaftojnë që të rienergjizojnë bazën e tij të besnikëve, që nesër do të fillojnë të bëjnë presionin e tyre që Partia Republikane të mos ndërmarrë hapin e pazakontë një muaj përpara zgjedhjeve për të ndryshuar kandidatin. Ndonëse nuk kishte ndojë lëvizje zyrtare për këtë, tani mund të thuhet se ideja është edhe praktikisht e vdekur.

Sigurisht, Pence mund të vendosë gjithësesi të japë dorëheqjen për arsye të tjera po jo për shkak se fushata e Donald Trump është fundosur. Rezultatet me të pavarurit në fund të debatit anuan nga kandidati republikan.

Hillary Clinton ndoshta humbi një shans të mirë për ta mbytur fushatën e tij duke e dominuar në debat, me agresivitetin dhe forcën që tregoi në debatin e parë. Po kur e mendon, nga një anë tjetër, ajo kryeson në anketime, Trump po humbet aleatë, flitet për regjistrime të tjera që mund të dalin në ditët e ardhshme. Pse duhet të rrezikojë ajo një ndryshim në momentin e fundit të kundërshtarit.

Vërtet që është vonë në fushatë dhe ndoshta në fletëvotim do të mbetet emri i tij edhe nëse do të tërhiqej nga gara, po pse të rrezikojë një kandidat që mund të kthejë mbrapsh në parti republikanët e zhgënjyer nga Donald Trump.

Mbase Hillary Clinton nuk e deshi një fitore bindëse në këtë debat. Ndoshta e mori lehtë përplasjen duke besuar se Trump do të ishte më mekur nga kritikat e forta të 48 orëve të fundit. Sidoqë të jetë, nëse Trump ka ndalur arratisje të mëtejshme nga kampi i tij në radhët e republikanëve, ai ka shkuar me arsye në shtëpi si fitues i këtij debati të dytë, ndonëse teleshikuesit anuan nga Clinton dhe ndonëse fitorja në 8 nëntor 2016, që prej 48 orësh nuk ka qenë kurrë kaq larg, që kur u zyrtarizua si kandidat në Konventën Kombëtare Republikane.

*Kryredaktor i gazetës së shqiptarëve në SHBA, Iliria

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco