Lajmi i fundit

Sulmi i Ramës ndaj RAI-3, i përgjigjet drejtuesi i ‘Report’: Gjithçka që thamë është në letra

Eduard Zaloshnja zbulon arsyen pse bie euroja në Shqipëri gjatë Verës dhe Vjeshtës

Eduard Zaloshnja zbulon arsyen pse bie euroja në Shqipëri gjatë Verës dhe Vjeshtës

Nga Eduard Zaloshnja - 09/10/2016

Analisti dhe staticienti Eduard Zaloshnja ka bërë një analizë interesante, duke ju referuar debatit qeveri-opozitë përsa i përket gjendjes së kanabisit në Shqipëri dhe prodhimit të tij. Zaloshnja ka konstatuar, se këto 3-4 vitet e fundit kursi i këmbimit euro-lek, gjatë muajve të Verës dhe veçanërisht gjatë stinës së Vjeshtës bie gjithmonë me 2-3 pikë. Sipas tij, kjo gjë ndodh sepse gjatë kësaj periudhe në vendin tonë hyjnë sasi shumë më të mëdha të kësaj valute, se sa në periudhat e tjera të vitit.

Zaloshnja, gjithmonë duke ju referuar shifrave, pasi përjashton si faktor për këtë fenomen rritjen e eksporteve vendase dhe dërgesat e emigrantëve, arrin në përfundim se kjo gjë ndodh pas përfundimit të korrjes së kanabisit në vend dhe shitjes së tij në Europë, në sasira aq të mëdha sa që ndikojnë ndjeshëm edhe në kursin e këmbimit Lek-Euro.

Shkrimi i plotë i Eduard Zaloshnjës

Qeveria shqiptare ka kohë që mburret se në Shqipëri është mbjellë më pak kanabis se më 2013 dhe se është asgjësuar pothuaj 100% e sipërfaqes së mbjellë. Dhe kur Guardia di Financa publikoi raportin e këtij viti për kanabisin në Shqipëri, që tregonte se ishin zbuluar 110 hektarë më pak se më 2013 dhe se 99.8% e sipërfaqes së zbuluar ishte asgjësuar, qeveritarët shqiptarë bërtitën: “Po tani a na besoni?”

Opozita u përgjigj duke thënë se Guardia di Financa ka monitoruar vetëm 17% të territorit, ndërkohë që në pjesën e pamonitoruar nga ajo është bërë kërdia me kanabis – është mbjellë 5 herë më tepër se më 2013.

Meqenëse gjatë çerekshekullit të fundit është bërë gjithnjë luftë shifrash mes qeverive dhe opozitave në Shqipëri, dhe e vërteta ka qenë zakonisht diku në mes, vlen që edhe në këtë luftë të fundit, të dëgjohen me skepticizëm të dyja palët. Ndërkohë, është e mundur që t’i afrohemi të vërtetës tërthorazi – përmes kursit të këmbimit të Euros.

Historikisht, Euro bie 2-3 pikë gjatë muajve të verës dhe kthehet përsëri në nivelin pranveror gjatë muajve të vjeshtës. Kjo luahtje shpiegohet me fluksin e madh të shqiptarëve që vijnë për pushime nga Kosova dhe vende të tjera të Europës. Por në 4 vitet e fundit kjo rregullsi në luhatjen e Euros nuk është shfaqur. Euro ka vazhduar të mbetet 2-3 pikë më poshtë se niveli pranveror edhe në muajt shtator e tetor, që përkojnë me korrjen dhe tharjen e kanabisit – trafikantët thyejnë Eurot e tyre për të paguar punëtorët që e korrin dhe e thajnë atë.

Por a ka ndonjë shpjegim tjetër kjo shmangie e kursit të këmbimit të euros nga prirja 20-vjeçare?

Rënia me 2-3 pikë në shtator-tetor do të shpjegohej me rritjen e raportit eksport-import, për shembull. Por shifrat e Instatit në tregojnë se ky raport është përkeqësuar në 4 vitet e fundit (kryesisht për shkak të rënies së kërkesës së jashtme për naftë e krom). Kështu, më 2013, eksportet mbulonin 48% të importeve, ndërsa në korrikun e sivjetmë ky raport zbriti në 45%. Për më tepër, në muajt shtator-tetor, raporti eksport-import ka qenë poshtë mesatares vjetore në të 4 vitet e fundit.

Me pak fjalë, raporti eksport-import duhej te ndikonte në rritjen e kursit të këmbimit të Euros e jo në rënien e tij në këta dy muaj.

Një faktor tjetër për mbajtjen e kursit të ulët të Euros gjatë muajve shtator-tetor mund të ishin dërgesat monetare të emigrantëve. Por të dhënat e bankës së Shqipërisë nuk tregojnë për ndonjë rritje të papritur në këta dy muaj – dërgesat janë pak a shumë të njëtrajtshme gjatë vitit.

Dhe së fundi, një kurs i ulët i shkëmbimit në shtator-tetor do të mund të shpjegohej me fluksin e eurove nga investitorët e huaj në bankat shqiptare, për të paguar punonjësit e tyre në Shqipëri ose për të investuar në bonot e thesarit shqiptar. Por kjo nuk ka pse të ndodhë vetëm në muajt shtator-tetor. Për më tepër, të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se bankat private po dërgojnë gjithnjë e më tepër Euro jashtë Shqipërisë, për t’i investuar në tregjet financiare Europiane.

Në përfundim mund të thuhet se mbetja në shtator-tetor e kursit të Euros poshtë nivelit pranveror mund të shpjegohet kryesisht me korrjen dhe tharjen e kanabisit. Dhe në 4 vitet e fundit kjo është një dukuri që është shfaqur në nivel të njëjtë – Euro ka qenë 2-3 pikë më poshtë se në pranverë…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco