Dështimi i sigurt i ‘strongmenëve’ të Ballkanit

Dështimi i sigurt i ‘strongmenëve’ të Ballkanit

Nga Shënim - 22/03/2018

“Strongmenët” e Ballkanit, në mungesë të vëmendjes perëndimore apo të qasjes së tyre naive-afatshkurtër për “stabilitet përkundrejt demokracisë” po rrezikojnë ekonomitë e vendeve të tyre dhe po përkeqësojnë ekstreme të rrezikshme mirëqenien e qytetarëve të vendeve të tyre duke i detyruar ata për momentin të emigrojnë. Dhe nëse kjo dukuri do t’iu bëhej e pamundur pakënaqësitë e tyre do të shpërthenin në mënyrë të pakontrollueshme.

1.

Bashkimi Europian, veçanërisht Komisioni Europian, më shumë për shkak të problemeve të brendshme të vendeve anëtare të BE të lidhura me krizën ekonomike që ka pasur impakt edhe në sistemin e tyre politik, kanë një qasje “naive” lidhur me demokratizmin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke i dhënë prioritet vetëm stabilitetit. Ata preferojnë, përmes raportesh me fjali të rrumbullakosura dhe shtrëngimesh duarsh apo fotosh me “strongmenët” e BP të sigurojnë stabilitetin e vendeve të BP duke i “mbështetur” strongmenët që drejtojnë këto vende, mjafton që të mos kenë kokëçarje me stabilitetin e vendeve të tyre. Këto strongmenë e garantojnë stabilitetin duke qeverisur në mënyrë autoritare. Duke ndërtuar qeverisje korruptive dhe klienteliste, pra duke ngritur një “kupolë” qeverisëse prej një grushti njerëzish që “mbajnë pushtetin” përmes pasurimit korruptiv dhe autoritarizmit politik. Ky është një “stabilitet” afatshkurtër që i ka gërryer këto shtete duke i kthyer në “piramida” që mund të shemben lehtësisht dhe me një kosto shumë të lartë. Kjo dukuri është theksuar veçanërisht këto 10 vitet e fundit duke marrë një formë shumë të “organizuar”, gjë që nëse nuk ndërhyhet fuqimisht e me shpejtësi do të prodhonte në një të ardhme të afërt një situatë kolapsi të paimagjinueshme.

2.

‘Strongmenët” e BP kanë ndërtuar qeverisjen e tyre bazuar në parimin “të forcohemi ekonomikisht për të qeverisur gjatë e pa probleme politikisht”.Me “forcim ekonomik” këtë “strongmenë” nënkuptojnë “pasurimin përmes korrupsionit dhe dukurive të tjera fitimprurëse si paratë klaneve mafioze të lidhura me shtetin, të trafiqeve të drogës e tjerë” të një grushti të vogël njerëzish në ‘Kupolën qeverisëse”. Kurse më “qeverisje të gjatë e pa probleme” nënkuptohet qeverisje “me dorë të fortë” pra sinonim i “qeverisjes autoritare” duke kontrolluar bizneset e mëdha, duke kontrolluar median, shoqërinë civile dhe drejtësinë. Të gjitha këto mjaftojnë për të “fituar zgjedhjet” përmes tjetërsimit të rezultatit zgjedhor, qasjeve nacionaliste apo populiste dhe përdorimit ilegal të “fitimeve ilegale” nga korrupsioni e dukuri e tjera negative. Si dhe për të dobësuar dhe goditur opozitën e të gjithë kundërshtarët politikë brenda partisë që drejtojnë por edhe çdo lloj kundërshtari të qeverisjes së tyre.

3.

“Strongmenët” e BP në të vërtetë kanë si modele Putinin dhe Erdoganin, adhurojnë mënyrën sesi ato drejtojnë dhe sesi qëndrojnë gjatë në pushtet. Madje janë të bindur se kjo mënyrë drejtimi autoritare, pra më dorë të fortë, të cilën mund ta bëjnë vetëm ato dhe askush tjetër, është në të mirë të progresit të vendit dhe të rritjes së mirëqenies së qytetarëve. Këta “strogmenë”, realisht nuk duan që vendet e tyre të jenë anëtare të BE sepse për ta anëtarësimi në BE do të thotë plotësim i kritereve të Kopenhagenit, pra do të thotë “heqje dorë nga qeverisja autoritare”, pra largim i tyre nga pushteti. Por nga ana tjetër nuk mund të jenë në mënyrë të dukshme kundër anëtarësimit në BE të vendeve të tyre dhe prandaj bëjnë gjithçka që të duken sikur ata përpiqen për të futur vendet e tyre në BE, por që për arsye të brendshme (opozita destruktive apo trashëgimia e qeverisjeve të mëparshme” apo për arsye të jashtme (problemet e mëdha që po kalon BE me emigracionin, ndikimin rus e kinez, e tjerë e tjerë), por jo për fajin e tyre, ky anëtarësim vonon. Kjo është një nga arsyet që “strongmenët” kërkojnë të kenë marrëdhënie të mira me lidershpin demokratik europian, dhe për këtë qëllim vënë në dispozicion të gjithë mekanizmat e mundshëm, nga lobistët deri shuma të konsiderueshme parash, për të bërë foto e shtrënguar duart liderit europianë, për të siguruar “raporte pozitive progresi” për qeverisjet e tyre, madje duke mos e carë fare kokën as për lëshime antipopullore në rast se ka kërkesa prej drejtuesve europianë apo kompanive të vendeve të tyre, për “inceratorë mbetjesh të rrezikshme”, dhënie koncesionesh preferenciale, blerje pajisjesh apo makinerishë të shtrenjta, mjafton të sigurojnë mbështetjen e tyre.

4.

Strongmenët” e BP imitojnë dhe kanë për model liderët e fortë e autoritarë si Putin, Erdogan a ndonjë tjetër të cilët i adhurojnë dhe i vlerësojnë si të suksesshëm. Ata nuk kanë më asnjë dyshim se mes Merkel, Makron apo dikë tjetër nga vendet e BE dhe Putin, Erdogan a ndonjë tjetër autoritarë, do të zgjidhnin Putin, Erdogan… Sepse kështu mund të qëndrojnë gjatë në pushtet. Mund të qeverisin pa shumë kokëçarje. Sepse kështu shmangnin edhe kërkesat e liderëve perëndimorë për ‘shtetin ligjor, drejtësi e media të pavaruar, për respektim të opozitës apo të të drejtave të njeriut”.

5.

Shtrohet një pyetje: Përse Putin, Erdogan apo ndonjë tjetër kanë kaq shumë sukses? A është e vërtetë mbështetja popullore që ato gëzojnë?Sa afatgjatë mund të jetë kjo gjendje? Mos vallë ka dështuar sistemi demokratik përballë kësaj mënyrë të re të qeverisjes apo drejtimit të vendit? Nga disa studime ka rezultuar se gjithnjë e më shumë qytetarë duan personalitete të forta në krye të shtetit të tyre, sepse ata i japin atyre përgjigje më të shpejta për problemet e komplikuara të një bote të globalizuar e cila po bëhet gjithnjë e më konfuze. Sepse njerëzit e thjeshtë, në numër gjithnjë e më të madh në mbështetje të “lidërve të fortë” preferojnë përgjigje të shpejta e të qarta për sfidat që duhet të përballojnë, në vend që të presin përgjigjet që vijnë përmes vendimeve demokratike përmes procesesh të gjata apo balancash demokratike të lodhshme të institucioneve të pavarura.

6.

Studimi i një Instituti të pavarur gjerman për gjendjen e demokracisë në 129 vende të botës ka zbuluar “ëndrrën iluzive për një lider të fortë”.Po përse kjo është më shumë një “ëndërr iluzive”? Sepse qeverisja me dorë të fortë ka çuar në erozionin e sundimit të ligjit, Në rritjen e kontrollit të gjithçkaje nga lart dhe shumë shpesh vetëm nga një person. Dhe e gjithë kjo qeverisje autoritare ka çuar apo është shoqëruar gjithnjë në periudhën afat mesme me një rënie të ekonomisë dhe të mirëqenies së shumicës së qytetarëve. Dhe kjo ka një shpjegim shumë të thjeshtë: Dinamika e një autokracie çon në korrupsion dhe nepotizëm të cilën përhapen gradualisht me kalimin e kohës.

7.

Suksesi i një lideri të fortë përmes kapjes dhe kontrollit të të gjithë mekanizmave të shtetit zakonisht zgjat vetëm pak kohë. Sepse një drejtim autoritar në vend të promovimit të konkurrencës së ndershme dhe mundësive të barabarta, privilegjon klientelizmin e nepotizmin, pra njerëzit e kompanitë që janë pranë qendrës së pushtetit të cilët fitojnë më shumë dhe pasurohen ndërkohë që shumica tjetër varfërohet. Po ashtu drejtimet autokratike shkatërrojnë atë pjesë të shëndetshme të ekonomisë së tregut që kanë efekt ballancues dhe bëjnë ekonominë e tregut të suksesshme për shumicën e sipërmarrësve ndryshe nga privilegjimi i një grushti oligarkësh apo familjeve të tyre nga regjimit autoritare që çojnë gradualisht në dobësimin dhe zhdukjen e një ekonomie efikase të tregut. Hapësirat për liderat autoritarë janë zgjeruar për shkak të pritshmërive të larta që kanë qytetarët; për shembull në disa raste demokracia dhe ekonomia e tregut kanë prodhuar “rritje të egër” nga e cila kanë përfituar jo shumica e qytetarëve por disa grupe të vogla të cilësuara si “kartele të interesave” të cilat janë pasuruar në kurriz të varfërimit të shumicës duke krijuar një polarizim të tejskajshëm. Por nëse në një vend demokratik funksionojnë mekanzimat demokratikë, të tilla si kontrolli parlamentar, ledia e lirë apo drejtësia e pavarur atëherë mekanizmat e korrigjimit të këtyre “defekteve” mund të vihen në veprim dhe kthejnë qeverisjen demokratike në normalitet. 

8.

Si përfundim mund të thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor po keqdrejtohen në sytë e perëndimit nga drejtues autoritarë e të korruptuar dhe qeverisje klientelist e nepotike. “Strongmenët” e Ballkanit çdo ditë e më shumë po imitojnë modelet e adhuruara prej të tyre të Rusisë, Kinës apo Turqisë pavarësisht se bëjnë sikur kanë interes që vendet e tyre të anëtarësohen në BE, për me tepër që kanë krijuar bindjen se anëtarësimi është një çështje e së ardhmes së largët. Ata përpiqen vetëm të sigurojnë foto e shtrëngime duarsh me drejtuesit e rëndësishëm në Bruksel, Berlin, Paris apo gjetiu, që ju duhen vetëm për të mashtruar qytetarët e tyre. Qeverisjet e tyre, korruptive dhe autoritare, janë të vendosura mbi themele ekonomike të paqëndrueshme dhe mund të shemben nga momenti në moment për shkak të pakënaqësive sociale latente të gatshme të shpërthejnë dhe për të cilat mjafton vetëm një shkëndijë e vogël. Ata janë të bindur në “suksesin” e tyre për më tepër që shikojnë se perëndimi i angazhuar në hallet e problemet e tij për shkak të konfuzionit nga globalizmi nuk e ka vëmendjen e nevojshme dhe për rrjedhojë ka aplikuar qasjen “stabilitet versus demokraci” me të cilën “strongmenët e Ballkanit” ndjehen mirë dhe janë përshtatur për bukuri.“Strongmenët” mes tyre tallen edhe me tezën perëndimore të “rrezikut rus, kinez apo turk” për shkak të adhurimit që kanë për këto modele. Dhe në realitet, edhe qytetarët i konsiderojnë këto teza jo shumë bindëse, përderisa “modelin rus, kinez apo turk’ po e provojnë çdo ditë në kurriz nga “strongmenët” e tyre dhe prandaj edhe po emigrojnë.

Syri.net/ 22 mars 2018

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp 22/03/2018 17:38

BP mesa duket ka ik per lesh.Mentaliteti dhe praktika autoritariste eshte instaluar ne krejt sistemin politik, perfshi edhe partite.Si gjithmone Ne jemi fanar ndricues.Por ne dallim nga te tjeret Ne kemi zgjedhur te ndjekim modelin Putinist.Presidenti dhe Kryeministri do bejne rrokaden.Marreveshja e Gjirit te Lalesit dhe ajo e Pazarit te Ri do ndiqet nga marreveshja e radhes.Demagogjija , Retorika dhe pergjerimi per hallet e popullit do vazhdoj. Goditja e opozites gjithashtu.Perfshirja ne ekipin negociator te njerezve te dyshimte ,shqiptar qe ndihen si greke, eshte nje paralajmerim i forte se dicka po luhet per llogari te pallekut te "aleances se qelbesirave"(Muc Nano).Reagimi qytetar ndaj tradhetise kombetare, do trajtohet si nje perpjekje e opozites e "financuar nga ruset" dhe qe po behet sebep per mos marjen e fteses per celjen e negociatave per BE.Ky eshte nje skenar ogurzi. Qofsha i gabuar.Por ka edhe nje valvul shkarkimi.Ta shofim si do funksionoj.Reforma ne Drejtesi.Alternativa tjeter, Revolucioni Demokratik Paqesor.

Shto koment

Denonco