Kush po e sjell Rusinë në Shqipëri

Kush po e sjell Rusinë në Shqipëri

Nga Enton Abilekaj - 13/03/2018

Mbrëmjen e vonë të 17 majit 2017, ndërsa Edi Rama dhe Lulzim Basha ishin mbyllur në Kuvend, nuk ishin të paktë ata që shpresonin ende në dështimin e bisedimeve. Shpresonin që zgjedhjet të bëheshin pa opozitën dhe që destabilizteti që do të pasonte, do të sillte më shumë demokraci. Ishte një reagim kundër projektit “Stabiliteti mbi demokracinë” që Perëndimi kishte vendosur të zbatonte edhe në Shqipëri. Nuk ndodhi ashtu.

Lulzim Basha, iu bind diplomatëve perëndimorë dhe u fut në zgjedhjet e paracaktuara, për të dështuar. Barra e asaj marrëveshjeje I rëndon aq shumë edhe sot, kur opozita e tij I ka larguar të gjithë faktorët jopolitikë që e mbështetën gjatë kohës së çadrës. Ajo që ka nisur Basha që nga 17 maji i 2017 ngjan më shumë me nënshtrimin sesa me opozicionin, ngjan më shumë me harmoninë sesa me destabilizimin. Pa dashje, me paaftësinë për të prodhuar opozitë, Lulzim Basha ka rrëzuar akuzën që po i bën sot Edi Rama për financime ruse në funksion të destabilizimit.

Pas 21 janarit 2011, Edi Ramës i duhej ndërhyrja e fortë amerikane, për të shmangur një tjetër tubim të ngjashëm përpara Kryeministrisë ku u vranë 4 protestues. Nuk mundi t’i kundërshtonte diplomatët e huaj, por nëpër mediat e kontrolluara prej tij nisi një fushatë antiamerikane. Aq shumë zgjati fushata, sa ambasadori Arvizu, deklaroi se ka një celulë antiamerikane të lidhur me PS. Nuk dihet nëse mbrapa saj kishte financime ruse.

Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, që në muajin e parë të qeverisjes, mediat ruse njoftuan të parat se Shqipëria do pranonte asgjësimin e armëve kimike të Sirisë. Qeveria u detyrua ta pranonte dhe më pas të refuzonte kërkesën amerikane. Pak më shumë se 1 vit më parë, Kryeministri prezantoi një investim në sektorin e naftës. Një kompani ruse nën uniformën e një ish-ushtaraku amerikan, hyri si investitor dhe doli pas një viti, pa dhënë shpjegime. Ndërsa diplomatët perëndimorë e shprehnin shqetësimin në zyrën e Kryeministrit, ai deklaronte në mediat e vendeve të tyre se hezitimi i BE për integrimin e Shqipërisë, mund të rezultojë në favor të Rusisë.

Pavarësisht këtyre, askush nuk e ftoi Rusinë në politikën e brendshme të vendit. Deri sot ka qenë Edi Rama që ka thirrur Serbinë, pastaj Greqinë, madje edhe Maqedoninë në debatin e brendshëm politik. Ia ka dalë të marrë më shumë vota, pavarësisht pasojave ekonomike. Deri këtu ka qenë e përballueshme për një vend të vogël dhe vulnerabël, por përfshirja e Rusisë, nuk mund të jetë shaka. Edhe pse duket sikur Lulzim Basha e ka zhytur PD në një skandal që mban erë korrupsion dhe para të pista, thirrja e Rusisë në debatin politik është një rrezik që ka rezultuar me pasoja.

Në Ukrainë apo në Gjeorgji, apo në republikat e tjera ish-sovjetike dhe vendet sllave, jeta politike ka ndryshuar për keq që nga moment kur është thirrur Rusia në debatin e brendshëm. Siguria kombëtare, apo marrja e pushtetit nga politikanë filorusë, krijimi I terrenit për aleanca të hapura apo okulte, i ka çuar edhe vende si Bullgaria në krizën e orientimit mes Rusisë dhe Perëndimit. Është ajo krizë që vetë Rama e ka paralajmëruar dhe që vetë po I hap rrugë sot.

Duket e padobishme për një parti shqiptare që të zgjedhë orientimin Rus. Ndryshe nga vendet sllave apo ish republikat sovjetike, në Shqipëri nuk ka përkrahje për Rusinë, apo për Lindjen. Ajo që ka bërë PD me lobimin nëpërmjet Biniatta Trade, apo Rama nëpërmjet Bilal Shehut, ngjajnë shumë me përçapjet e politikanëve të korruptuar të Lindjes, që I investojnë paratë me burime të dyshimta për të patur mbështetje në Perëndim. Prandaj ftesa që Rama i bën Rusisë, duke e përfshirë në politikën e vendit, është një kurban që I bën sigurisë kombëtare, për interesat e veta politike.

Ai e tregon Rusinë tek opozita që të ngjajë më Perëndimor. Ndërsa ndërton oligarkinë, e tregon Putinin tek Basha, ndërsa rrezikon sigurinë e BE me trafikantët që bëjnë ligjin edhe në Parlament, e orienton rrezikun tek opozita e lidhur me Rusët. Kjo lojë do të ishte perfekte, nëse nuk do t’i ngjante kafshimit të ariut nga një brejtës. Nëse ariu do ta ndiejë kafshimin do ta pësojë e gjithë foleja.

Shkruar për SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

t14/03/2018 11:31

Basha publikisht e me përgjegjesi penale deklaroi se nuk ka bërë asnjë marëveshje lobimi me kompaninë Brriniata Trade por veç me kompaninë Nick Muzin.
Derisa nuk ka asnjë dokument që ta vërtetojë marëveshjen e PD me kompaninë e dyshimtë skoceze, përse abuzon autori i këtij shkrimi, njëlloj si Rama për ta quajtur fakt të krye një amrëveshje që nuk ekziston ?
Edhe shkrimi i revistes ultra të majtë amerikane e financuar nga Soros përmend një marëveshje midis dy kompanishë pa dijenine e PD e jo për marëveshje të Bashës me "kompani ruse" sic abuzohet ndonëse bën aludime të qëllimëshme për të sulmuar si administratën e z Trump, ashtu edhe liderin e PD z.Basha.
Pamvarësisht se kush është Putini e se cfarë politikash ndjek ai, dihet se Soros ashtu siç ka ndërhyre në shumë vende të botës me financime të dyshimta, provoi të futej edhe në Rusi e Putini e dëboi si person non grata. Fakt ësht se veç Rusisë, kudo që ka ndërhyre Sorosi, ka sjellë kriza e rëmujë politike në favor të së majtës e pse të mos ta themi, ka ndikuar në ardhjen e mbajtjen në pushtet të qeverive të korruptuara të përzjera edhe me trafiqet e drogës. .Nuk ështe e rastit se pikërisht Sorosi ka propoganduar idenë e legalizimit të kanabisit.

Ola13/03/2018 16:07

Super shkrim! Kjo e "sallates ruse", sic iu pelqen ta quajne dhe vete, ishte komplet e panevojshme, per te mos thene groteske se askujt nuk ia mbush mendjen...

Shto koment

Denonco