Lajmi i fundit

Ilir Meta deklaratë për mediat

Vizioni i May për një Britani globale është thjesht një fantazi Brexit-i

Vizioni i May për një Britani globale është thjesht një fantazi Brexit-i

Nga Martin Kettle - 04/02/2018

“Shihemi në darkë”, i tha Kasius Brutit teksa palnifikonin vrasjen e Jul Çezarit. “Deri atëherë, mendo për botën”. Nuk është rreshti më i famshëm i dramës së Shekspirit, por këto fjalë kapërcejnë shekujt dhe hyjnë në çast në mendjen moderne.

Mendo për botën. Jo shumë prej nesh e bëjnë. Në Britani jemi keq për këtë. Politika britanike është veçanërisht e keqe dhe shtypi britanik, me disa përjashtime të vogla, është edhe më keq. Kur mendojmë për botën, hendeku midis retorikës dhe realitetit është shumë i gjerë.

Theresa May, e cila po bën një vizitë tregtare në Kinë këtë javë, është një shembull përfaqësues i dështimeve më të zakonshme. Ajo flet me formula rreth diçkaje që quhet “Britania globale”. Ajo shkruan, në Financial Times, për një Britani që “komunikon” me botën. Ajo qëndron, siç bëri në Wuhan sot, përpara një logoje të qeverisë britanike që shpall “Britaninë E MADHE”.

Pretendimet për madhështinë britanike dhe angazhimin janë shpesh për të gënjyer veten, siç ishin që shumë kohë para Brexit. Por Brexit pasqyron si të gënjyerit e vetes ashtu dhe rritjen e hendekut midis faktit dhe asaj që shumë shpesh quhet fantazi.

Ideja që Britania është bërë më tepër se zakonisht aktive në frontin e tregtisë globale është evazive. May po bën vizitën e dytë në Kinë si kryeministre. Por edhe Emmanuel Macron ishte atje në janar, ndërkohë që Angela Merkel ka bërë nëntë vizita në Kinë e do të vazhdojë t’i bëjë. Gjermania eksporton në Kinë pesë herë më tepër se Britania. Ideja që Britania në një farë mënyre ka përfituar nga Brexit për të arritur një status përcaktues në botë është thjesht false.

Në disa aspekte Britania nuk është lider global por e prapambetur globale. Macron ka vetëm tetë muaj që është president i Francës, por ka bërë gjashtë vizita në Afrikë gjatë kësaj kohe. Asnjë kryeministër britanik nuk ka shkelur në Afrikë që më 2013. Nuk ka prani diplomatike britanike, ose ka vetëm prani elementare, në 16 vende afrikane. Japonia tani ka më tepër ambasada në Afrikë se Britania, ndërsa Gjermania ka më tepër punonjës bamirësie. Vështirë të kuptohet se si ndodh kjo me një vend që e mban veten si të madh apo të hapur me botën.

Të mendosh për botën nuk është thjesht shtrirja e përpjekjeve diplomatike. Por, më tepër ambasada, më tepër diplomatë apo njerëz që punojnë në terren do të ishin të paktën diçka për ta filluar. Në pesë vitet e fundit, buxheti i Foreign Office (Ministrisë së Jashtme) është reduktuar me 40%, pikërisht në kohën që Mbretëria e Bashkuar po largohet nga BE. Për kontrast, në Gjermani ky buxhet thuajse është dyfishuar. Tani Gjermani shpenzon mbi tri herë më tepër se totali i Britanisë.

Britania duhet të mendojë për botën në mënyrë shumë më realiste. Brexit sigurisht që është një arsye për këtë. Sado që propaganda pro-Brexit mund të pretendojë të kundërtën, po bëhet përherë e më e qartë – jo më pak për diplomatët dhe ata që i ndjekin nga afër çështjet ndërkombëtare – që qershori 2016 ishte një çast vendimtar. Ishte koha kur Britania mori një vendim që i bën të tjerët të mendojnë se ne nuk kemi më rëndësi dhe se Britania nuk duhet marrë më po seriozisht sa më parë. Ambasadori gjerman në largim, Peter Ammon – një diplomat pozitiv e me shumë përvojë – kishte të drejtë kur na paralajmëroi këtë javë që nuk mund t’i shpëtojmë realitetit duke u strukur në të kaluarën heroike.

Por ne duhet të mendojmë për botën edhe për shkak se bota po ndryshon. Kina shpenzon 350 miliardë dollarë në Afrikë sepse mundet. Britania nuk mundet. Ne nuk jemi më superfuqi. Ne nuk jemi Shetet e Bashkuara. Edhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të jenë Shtetet e Bashkuara. Nuk është më në dorën tonë për të vendosur për fatin e Kinës.

Por Britania nuk është as Danimarkë apo Zvicër. Ajo ka lidhje, përvojë, pasuri, tregti dhe asete që kanë rëndësi në shumë mënyra. Pushteti i saj i butë – gjuha, ligjet, universitetet, artet, vlerat, respekti për të drejtat e njeriut – është shumë i madh, pavarësisht Brexit. Nuk duhet ta ulim veten aq shumë sa e ulim, por as nuk duhet të pretendojmë se mund të vendosim fatet e botës.

Nëse duam të zgjedhim ndonjë shtet si model për veten, sigurisht që duhet të jetë Gjermania apo Franca, me të cilat Britania ngjan në shumë mënyra. Ka shumë diferenca dhe ato nuk janë të gjitha në favor të Francës apo Gjermanisë – ne kemi Shekspirin, për shembull. Por së bashku dhe pavarësisht gjithçkaje ne mund të jemi e ardhmja e Evropës, edhe nëse jo e botës.

Marrë nga The Guardian-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco