E dashur Ambasada Amerikane në Tiranë (pjesa e II)

E dashur Ambasada Amerikane në Tiranë (pjesa e II)

Nga Bledian Koka - 31/01/2018

Ka një shprehje shqiptare që thotë, “peshku në det e tigani në zjarr”. Mu kujtua sot ndërsa lexoja reagimin ku tregohej qartë zhgënjimi i thellë i Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

E para. Zoti Lu, zhgënjimi juaj sot është zhgënjimi i të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të po atyre që e dëgjuan me shumë shpresë “hakërrimin” tuaj në Shtator se brenda muajit Janar 2018 do arrestoheshin “peshqit e mëdhenj”. Dhe atëherë kur ne prisnim që erërat e drejtësisë të frynin fort kundër velave të krimit dhe korrupsionit, fatkeqësisht e kundërta ndodhi.

Që prej shtatorit, e deri më sot Saimir Tahiri rimori pasaportat dhe mund të lëvizë i lirë, Orest Sota i ndaluar me 860 mijë euro (jo të tijat) u lirua, Nazer Seitaj u ekstradua si me magji drejt Italisë, e praktikisht ajo që duhej të ishte “revolucioni i madh” i drejtësisë në Shqipëri është shndërruar në përmbylljen e zakonshme të një çështje penale “me procedurë”.

Me gjithë pritshmëritë e mëdha që krijoi paralajmërimi shpresë-plotë i ambasadorit Lu, sot shqiptarëve seç iu kujtua për dreq edhe ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Edhe ai e shtyu 5 vjet mandatin duke premtuar arrestime të mëdha në Shtator. Zhgënjim-mesazhi i ambasadorit Lu, shënoi sot edhe zhgënjimin e madh të shqiptarëve se gjërat në këtë vend nuk mund të ndryshojnë.

Mesazhi i Zotit Lu bart në vetvete për ne shqitparët e ndershëm, notat e një dorëzimi të një fuqie tek e cila besojmë sot e gjithë ditën, e që e njëjta që sot duket e pafuqishme përballë një Shqipërie që thjeshtë nuuuuuk bëhet. Por përgjatë këtyre viteve të qëndrimit në Shqipëri, ambasadori Lu duhet ta kishte kuptuar se me çfarë lloj sorollopi politik kishte të bënte. Duhet ta kishte kuptuar se Edi Rama është nga ata politikej që të vret natën e të qan ditën, duhet ta kishte kuptuar se misioni i vetëm i Arta Markut (që aq shumë e mbështeti nën rrogoz) kishte si qëllim final t’i rimbursohej qiraja e shtëpisë në Tiranë, dhe që Reforma në Drejtësi për të cilën ai ka investuar aq shumë me mish e me shpirt, tashmë ka vdekur ende pa lindur.

Ne u munduam të ta themi shpesh Zoti Ambasador që shtetin nuk e drejton opozita, policinë nuk e menaxhon Lulzim Basha (jo se po ta kishte do të bënte më shumë), dhe se prokurorinë nuk e urdhëron Sali Berisha (ah sikur). Të gjitha këto Zoti Ambasador janë totalisht në dorën e Edi Ramës, prandaj sot në mesazhin tuaj bëtë një gabim teknik kur ju drejtuat “Politikanëve, policëve dhe prokurorëve”.

Asnjëri prej tyre nuk ka faj, megjithëse adresimi juaj ndënë rreshta duke qartazi se për kë është. Sot në mesazhin e ambasadorit Lu ka shumë fjalë, por mungon një emër, dhe fakti që nuk e përmend akoma e bën reagimin gjysmak. Zoti Ambasador ne shqiptarët themi edhe se “demi kapet për brirësh”, apo “po e kape gjarprin shtypi kokën”.

Në mesazhin tuaj si demi i hazdisur ashtu edhe gjarpëri i pabesë janë të lirë të vazhdojnë të bëjnë atë që dinë të bëjnë MIRË…, vetëm KEQ! Por mos u mërzisni, ne në Shqipëri kemi edhe një shprehje të fundit të cilën e shkruajta një artikull të para ca kohëve me titullin “E dashur Ambasada Amerikane në Tiranë”: Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë do të jetë!...

P.S… Politikanëve, policëve dhe prokurorëve: ju u zotuat përpara popullit shqiptar dhe përpara nesh. Ne investuam në burimet për t’ju ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku janë rezultatet? Populli shqiptar do që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Komuniteti ndërkombëtar kërkon rezultate konkrete përpara vendimeve të rëndësishme këtë pranverë. Tik-tak. Donald Lu...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

gent01/02/2018 13:38

Ah sikur Bledi ta drejtonte berisha.do vdesesh para se te ndodh kjo.

arusha panda01/02/2018 12:36

Kam frike se "peshku me i madh prej krejtve" eshte vete Lu-ja....

qytetar01/02/2018 10:30

Donald Lu i ka ngatëruar portat e politikës se vëndit qe e ka ngarkuar që të përfaqësoje e ne i kërkojme të gjejë portën politike në Shqipëri.
Zotëria flet në emër të SHBA, e injoron politikën e administratës që ka të drejtën legale për ta udhëhequr këtë vend.
E ka dëgjuar ndonjë shqiptar zotërinë ambasador. që si përfaqesues i SHBA, të shfaqë mendimin e tij për sulmet që i bëri presidentit Trump Edi Rama, apo të shfaqë publikisht kundërshtinë e tij që qeveria Rama, në kundërshtim me shumicën e shqiptarëve, i doli kundër vendimit të Senatit amerikan e administratës presidenciale për Jeruzalemin ?
Nuk shoh ndonjë të keqe që ndonjë dipllomat, të ketë bindjet e tij personale politike që mund të jenë ndryshe edhe nga qeveria e vendit të tij, por kur ushtron detyrën e ambasadadorit, ai është i detyruar të përçojë politikën zyrtarë të shtetit që përfaqëson, e jo të kundërshtarëve të huaj apo qoftë edhe opozitës vendëse.
Nëse mer përsipër të mbajë qëndrim politik ndryshe me administratën aktuale amerikane,z. Lu sëpari duhet të jepte dorheqjen nga profesioni i dipllomatit e ti përkushtohej politikës e jo duke përfituar nga detyra e ambasadorit, të pretendojë se mendimet e tij përfaqesojne gjithë SHBA. Nuk ka sepse të trajtohet si tabu edhe drejtësia amerikane.
Padyshim se as mund të bëhen krahasime me drejtësinë primitive shqiptare, por për fat të keq shohim se edhe në drejtësine e konsoliduar të këtij tempulli te demokracisë e shtetit ligjor në botë, ka përplasje grupe juristësh me qëndrime subjektive politike.
Një gjë nuk mund t'ja falin shqiptarët që vuajtë kalvarin e diktaturës më të egër komuniste në Europë, cilitdo ambasadori amerikan.
Mbështetjen prej tij të një force politike që si kryetar parlamenti ka një ish minister të fundit të ish sigurimit famëkeq enverist, të një ministri të jashtëm bir i një funksionari të lartë të PPSH apo ministri të mbrendshëm, një ish hetuesi të atij sigurimi.
Kur kjo mbështetje shoqërohet me heshtjen e çuditëshme për skandalin e madh të kanabizimit të gjithë Shqipërisë e për qindra tonelatat e trafikuara të kanabisit që jo vetëm janë mbështetur nga hallka të kësaj qeverie, por edhe janë demaskuar edhe si bashkëpuntorë në krim, nuk ka më vend të flitet me përgjithësimin "politika".
Qershia mbi tortë e këtij qëndrimi të dyshimtë, është kur ujkut i varen në qafë mëlçitë.
Reforma në drejtësi ju besohet atyre që janë objekt flagrant i drejtësisë.

bubrreci01/02/2018 01:05

As ka qene e as do te jete, as eshte bere e as do te behet ndonjehere SHTET per te qene.MOS SHPRESONI !

sonja31/01/2018 22:30

Ambasadori Lu i di te gjitha perfekt fare. Ai eshte ne tave dhe ne kazan me Ramen, Tahirin, Habilajt....prandaj mos prisni gje. Lu-ja do mbroj veten...mos prisni nga Lu asgje vecse zhytje ne llumin e narkotrafikanteve....shqiprija po iken ne gremin....Lu-ja duhet shpallur non grata nga populli shqiptar

Shto koment

Denonco