Një Apel për Presidentin e Republikës

Një Apel për Presidentin e Republikës

Nga Bledian Koka - 30/01/2018

Në fillim të Janarit, shefi i kardiokirurgjisë së QSUT-së Edvin Prifti deklaroi publikisht se në 3 vitet e fundit janë larguar 600 mjekë nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe fenomeni sa vjen e zgjerohet. Madje Prifti dha edhe faktin se arsyeja e largimit nuk është vetëm ekonomike, por mbi te gjitha largimi kishte të bënte me sigurinë mjekut në vendin punës.

Kjo ka të bëjë, me sigurinë fizike që vjen si pasojë e frustrimit të pacientëve dhe familjarëve, për mëkate që s’kanë aspak lidhje me punën e mjekeve sesa me problemet e mprehta që ka "shëndetësia falas". Çfarë ndodh?

Nga 400 specializantë që ka sot QSUT-ja, 200 prej tyre janë përmbyllje të nivelit B2 të gjermanishtes. Kjo përkthehet në një kontratë të sigurtë në shtetin gjerman, përmes kompanive të rekrutimit që operojnë në Shqipëri. Ndërkohë që në spitalet e rretheve ka mungesë të theksuar specialistesh, largimet çdo ditë të mjekëve nga QSUT dhe 4 spitalet treciare të Tiranës po krijon një gropë shërbimi edhe në kryeqytet. Praktikisht nga vendi po largohen mjeket primarë dhe mjeket specializantë. Fenomeni i largimit po e çon Shqipërinë në prag të një situate të paprecedentë të rrezikut të mbetjes pa mjek në një afat shumë të shkurtër kohor. Kjo nuk mund të rregullohet sipas eksperteve të mjekësisë me të famshmin projekt të "patronazhim" që po ndjek me aq zell Ministria e Shëndetësisë.

Sipas kësaj skeme, mjekët e Tiranës  u ofrohen pagesa të kënaqshme për të shërbyer në rrethet e Shqipërisë (100 mijë lek dita, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe), por lëvizja e këtyre mjekëve drejt rretheve, krijon mungesë stafi në spitalet qendrore të Tiranës, dhe situata është kaotike ashtu siç është vënë re sidomos në QSUT.

Një muaj më parë i gjithë stafi i urgjencës qendrore të QSUT-së, kërcënoi me largim masiv nga puna për shkak të gjendjes së rënduar e krijuar si pasojë e numrit të lartë të pacientëve, mungesa e shtretërve, mungesa e mediakamenteve dhe bazës tjetër mjekësore e në të njëjtën kohë edhe presioni i madh që ushtronin familjarët e pacientët mbi mjekët, duke i fajësuar ata për faje që në fakt i ka shteti.

Dhe si të mos mjaftonte kjo, nga ana tjetër qëndron Kryeministri Edi Rama i cili në shfazim të plotë nuk ndalet së akuzuari mjekët si të korruptuar dhe duke i ftuar qytetarët që të denonconin rastet që i gjykonin si abuzive. Kaq u desh që qytetarët të fillonin ti shikonin akoma edhe më shumë, bluzat e bardha si “vdekja me kosë në dorë”, dhe incidentet nuk kanë munguar. Nëse ka sot një rrezik kombëtar që u kanoset shqiptarëve ai është shëndeti dhe kujdestarët e tij që janë MJEKËT.

Nëse ka një arsye se përse Presidenti i Republikës ka detyrimin kushtetues të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare,  ai është pikërisht fakti se vendi ynë sot nuk plotëson nevojat për mjekë. Nesër situata do të jetë akoma edhe më keq.

P.S… Në vitin 2009, ish shefi i urgjencës së onkologjikut, i ndjeri Agim Sallaku deklaronte se në Shqipëri regjistroheshin 2-3 mijë raste të kancerit në vit. A e dini sa është sot? Bëhet fjalë 7-8 mijë raste kanceri në vit, ose e thënë ndryshe 4-fishim i pranisë së të keqes në ajër. A mendoni se Shqipërisë i kanoset rrezik më i madh se kaq?!… Kapacitetet e Spitalit Onkologjik u reduktuan një vit më parë nga 90 shtretër në 63 të tilla, me argumentin se spitali nuk ishte eficent duke i kaluar të sëmurët me kancer që kuroheshin me kemioterapi, dha një urdhër që ata të kurohen në shërbime ambulatore, ose thënë ndryshe një torture tjetër nën vulën “Shëndetësia Falas”. “Gjeniu” që e mori këtë vendim nuk mund të ishte veçse Ilir Beqja. 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco