Financieri-trafikant Nezir Seitaj’, merr peng Sigurinë Kombëtare

Financieri-trafikant Nezir Seitaj’, merr peng Sigurinë Kombëtare

Nga Flamur Vezaj - 29/01/2018

Ditët e fundit po flitet për ligjshmërinë e Urdhërit mbi Ekstradimin e një shtetasi shqiptar drejt Italisë, të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë. Por e veçanta e këtij urdhëri për ekstradim qëndron në faktin se ky person njëkohësisht ishte duke u hetuar në shtetin Shqiptar dhe për më tepër ndaj tij ishte vendosur edhe një masë sigurimi.

Për këtë ngjarje të pazakontë, dhe me shumë sensibilitet në popull edhe për faktin se për këtë ngjarje është nën hetim edhe një ish-funksionar shumë i lartë i qeverisë, është bërë tashmë publik fakti i paligjshmërisëë së procedurave.

Jemi njohur me justifikimin e Ministres së Drejtëisë se nuk kishte dijeni për rastin e shtetasit nën hetim. Së fundmi u njohëma edhe me deklaratën e prokurores së përgjithshme mbi konstatimin e rastit dhe masat që ajo kishte ndërmarrë për të zbardhur të gjitha rrethanat në lidhje me praktikën e ndjekur për ekstradimin e shtetasit shqiptar që ndodhet aktualisht nën hetim në Shqipëri.

Por çfarë parashikon legjislacioni për një rast të tillë, cilat janë proçedurat që duhet të zbatohen për dhënien rrugë të një kërkese ekstradimi të paraqitur nga një shtet anëtar i Konventës Evropiane për Ekstradim?!

Së pari, pas paraqitjes së kërkesës për ekstradim, Ministria e Drejtësisë i përcjell aktet Prokurorisë Kompetente përmes Prokurorisë së Përgjithshme[1]. Në rastin konkret referuar Kodit të Procedurës Penale, kompetenca i përket Prokurorisë pranë vendit të qëndrimit ose të banimit të të pandehurit. Që në rastin konkret i përket pikërisht vendit të qëndrimit apo të banimit të personit që kërkohet të ekstradohet. Konform parashikimit të nenit 494/3 të K.Pr Penale ku shkruhet “3. Kompetenca për të vendosur masën u takon sipas rradhës, gjykatës së rrethit në territorin e së cilës personi ka vendbanimin, vendqëndrimin, apo banesën ose gjykatës së rrethit gjyqësor ku ai gjendet…”.

Pra qysh në krye të herës, që me fillimin e trajtimit të kërkesës për ekstradim është gabuar me dashje në përcaktimin e kompetencës pasi personi ndaj të cilit ishte sjellë kërkesa, ështe me banim dhe qëndrim në rrethin e Vlorës,  fakt i konfirmuar edhe në vendimin e gjykatës që ka lejuar ekstradimin. Pra kompetenca për këtë kërkesë i takonte Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, dhe Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Por duke qenë se për shtetasin e njohur si “financieri i Habilajve”, për të cilin ishte paraqitur dhe kërkesa për ekstradim ishte rregjistruar një procedim penal në ngarkim të tij pranë Prokurorisë për Krime të Rënda qysh në datën 19.10.2017, dhe në këtë datë për llogari të hetimeve pranë kësaj prokurorie ishte vendosur edhe masa e sigurimit ‘arrest në burg’ (referuar vendimit nr. 413, datë 20.10.2017). Për rrjedhojë për të gjitha kërkesa që do të paraqiteshin në lidhje me të do të ishte Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së parë për Krime të Rënda, e cila do t’i vlerësonte ato.

Pra qartazi në të dyja rastet kompetenca duhet të ndahej midis Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor ku ka vendbanimin/vendqëndrimin shtetasi që në rastin konkret i përket Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Prokurorisë për Krime të Rënda, por në asnjë rast nuk i përket Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Së dyti, ashtu si në Konventën Evropiane për Ekstradim edhe në K.Pr.Penale janë të përcaktuara shprehimisht rastet kur nuk mund të kryhet ekstradimi. Në nenin 491 të K.Pr.Penale “Mospranimi i kërkesës për ekstradim”, shkruhet “Nuk mund të jepet ekstradimi: c) kur ka filluar procedimi ose është gjykuar në Shqipëri edhe pse vepra është kryer jashtë shtetit…”

Në këtë dispozitë përcaktohet qartë se ndaj një personi që ka nisur një procedim penal nuk mund të kryhet ekstradimi. Për më tepër që ndaj personit është vendosur një masë sigurimi, çka e bën absolutisht të pamundur ekstradimin dhe lehtësisht të verifikueshëm faktin.

Në vendimin nr. 2387 Akti, datë 24.10.2017 për caktim mase të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nga ana e Gjyqtarit Bledar Abdullai me kërkesë të Prokurorëve Shahin Pasha dhe Armida (Hamiti) Moçka, (prurje e re e Llallës),  është parashikuar me siguri se ndaj të arrestuarit nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për të pamundësuar ekstradimin e tij.

Në këtë vendim “caktim mase sigurimi”, vihet re lehtësisht, fakti se as prokuroria dhe as gjykata nuk kanë analizuar në asnjë pikë kompetencën ?! I cuditshëm është fakti sesi as prokuroria dhe as gjykata nuk tregojnë se ku e gjetën dhe e arrestuan ‘financierin-trafikant Nezir Seiti’ ?!

Duket se që të dyja palët po zhvillonin këtë seancë me kodin e mafjes pasi është tërrësisht e pamundur të mospasqyrohej fakti në vendimin e gjykatës se ky person ishte i arrestuar për llogari të hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ndodhej në paraburgimin nr. 313 Tiranë. Madje edhe njoftimi për zhvillimin e seancës gjyqësore me objekt ‘ekstradimin jashtë shtetit të ‘financierit’ është bërë në burgun 313 ku ky person mbahej për llogari të Krimeve të Rënda. Pra për të disatën herë del i qartë fakti se ky person ishte nën hetim për vepra të rënda penale, por qëllimisht kjo rrethanë në Gjykatën e Tiranës është anashkaluar, me të vetmin qëllim ‘amnistimin e tij dhe të qeveritarit të lartë që fshihet pas tij’.

Nga verifikimi i vendimeve të dhëna nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për caktimin dhe zgjatjen e afatit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, konstatohet se organi i prokurorisë dhe Gjykata shprehen me bindje se nuk ekziston asnjë pengesë që pamundëson lejimin e ekstradimit për shtetasin nën hetim. Pra ky moment të krijon bindjen absolute se ashtuquajturi ‘financieri’, zotëron në mënyrë perfekte si prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë ashtu edhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pra pa kryer asnjë verifikim të nevojshëm dhe pa marrë informacione qoftë nga Pokuroria e Krimeve të Rënda, apo nga organi përgjegjës i burgjeve, Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, kanë legjitimuar një kërkesë totalisht të paligjshme në shkelje flagrante të ligjit dhe të të drejtave të tjera për një hetim të drejtë dhe t ëplotë.

Së treti, në kërkesën e paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, nuk është verifikuar për asnjë moment nëse personi ndaj të cilit ishte paraqitur kërkesa ndodhej nën hetim apo jo?! Gjykata ka përsëritur disa herë që nuk ekziston asnjë dispozitë ndaluese për kryerjen e ekstradimit, madje duke referuar edhe nenin 491 të K.Pr.Penale i cili shprehimisht dëshmon të kundërtën !!!

Së katërti, deri në momentin e dhënies udhë të vendimit për ekstradim, personi nën hetim kishte qëndruar për disa muaj në paraburgim dhe ndaj tij ashtu sikurse ndaj të gjithë të paraburgosurve të tjerë nga autoritetet e paraburgimit është në administrim një dosje personale ku ndër të tjerash janë të evidentuara të gjitha vendimet e dhëna ndaj tij, vepra për të cilën është burgosur/paraburgosur, afatet e qëndrimit, etj. (neni 17 i Ligjit “Për miratimin e rregullores së përgjithshme të burgjeve”, në nenin 17 “Rregjistrat themeltarë të të dënuarve dhe të paraburgosurve” përcakton se “1.Në çdo IEVP mbahet regjistri themeltar i të paraburgosurve apo të dënuarve në të cilin pasqyrohen të dhënat e mëposhtme: a) informacion i plotë në lidhje me identitetin e të paraburgosurit apo të dënuarit… b) informacion lidhur me veprën penale (vepra penale e kryer, masa e dënimit, gjykatën që ka dhënë vendimin, numri dhe data e vendimit, data e arrestimit, vendi ku është arrestuar, data dhe urdhëri i prokurorit për ekzekutimin e vendimit, çdo vendim i mëvonshëm gjykate që ndryshon vendimin e mëparshëm ose sjell pasoja në ekzekutimin e tij… c)…. ).

Pra në dosjen e personit nën hetim përpara sesa të urdhërohej ekstradimi i tij, adminsitroheshin edhe vendimet, konkretisht Vendimi nr. 413, datë 22.10.2017 i Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, (Vendim ky i dhënë me afat 20-ditor, i cili në faqen tetë të tij sqaron më së miri faktin se “ky person kërkohet edhe nga shteti Italian, krahas procedimit që tashmë është rregjsitruar në shqipëri”), Vendimi nr.415 datë 08.11.2017 i Gjykatës për Krime të Rënda Tiranë, ka vendosur caktim e masës së sigurimit ‘arrest në burg’ pa afat pasi edhe akuza ndaj ‘finanierit’ ka filluar të marrë formë, konkretisht për veprat penale të: “Trafikimi i narkotikëve”  dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të K.Penal. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda me vendimin nr. 145, datë 22.11.2017.

Krahasimi i këtyre datave me gjykimet e bëra nga Gjykata e Shkallës së parë, tregojnë se Gjykata e Krimeve të Rënda ka disponuar më herët me dhënien e vendimeve të tyre, çka tregon se hetimet për ‘financierin’ kanë filluar më përpra sesa të mbërinte kërkesa për ekstradim. Referuar vendimit nr. 1506, datë 18.12.2017 me gjyqtar Kastriot Gramshi, i cili ka lejuar ekstradimin, daton rreth 2 muaj, pasi ndaj të hetuarit ishte në fuqi masa e sigurimit ‘arrest në burg’ për llogari të hetimeve të Prokurorisë për Krime të Rënda. Vlen për të theksuar faktin se as ky gjyqtar dhe as të njëjtët prokurorë nuk analizojnë në asnjë rresht kompetencën dhe as faktin se ku është arrestuar dhe mbahet shtetasi ‘financier-trafikant” N.Seitaj?!

Pra edhe pse kishin kaluar më tepër sesa dy muaj që ‘financieri’ ndodhej në hetim, përsëri nga Prokuroria e Rrehit Gjyqësor Tiranë, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Burgjeve, ende nuk kishte marrë dijeni për këtë procedim ?!!!

Sipas llogjikës së tyre, ‘financieri’ mbahej në burg pa vendim gjykate !!!

Së pesti, Kodi i Procedurës Penale, i njeh Ministrisë së Drejtësisë tagrin për të disponuar ajo mbi lejimin e ekstradimit apo refuzimit të kërkesës (konform nenit 499 të K.Pr.Penale), pasi vendimi i gjykatës ka marrë formë të prerë. Pra edhe njëherë Ministria e Drejtësisë, ka patur detyrimin dhe përgjegjësinë për të vendosur përfundimisht në lidhje me kërkesën për ekstradim. Ajo ka patur të gjithë mundësitë ligjore dhe faktike për të verifikuar rrethanat dhe gjendjen juridike të personit dhe në përfundim t’i komunikonte palës kërkuese vendimin e saj.

Si garanci në lidhje me ekstradimin Ministria e Drejtësisë, ka të drejtën ligjore që të disponojë edhe me “Pezullimin e ekstradimit” (neni 500 i K.Pr.Penale), në rastin kur i ekstraduari duhet të gjykohet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Por në përfundim ajo nuk ka kryer asnjë verifikim dhe nuk ka ushtruar asnjë nga kompetencat e saj ligjore për të refuzuar një kërkesë e cila binte ndesh në mënyrë flagrante me ligjin, por ka urdhëruar me realizimin e ekstradimit të një shtetasi shqiptar ndaj të cilit po konkretizoheshin akuzat dhe po shkohej drejt gjykimit. Në këtë mënyrë ajo ka minuar të gjitha hetimet dhe bazën e provave të mbledhura nga një Prokurori vendase bazuar në ligj dhe ka rrezikuar që të ‘amnistojë’ një anëtar të një prej bandave me të rrezikshme që operojnë në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Nga gjithë këto parashikime dua t’i kthehem edhe njëherë deklarimit të Prokurores së Përgjithshme për mospasjen dijeni mbi hetimet që kryheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi normalisht më lindin pyetje si:

Si është e mundur që Prokuroria e Përgjithshme nuk ka informacion për një çështje për të cilën ajo më përpara kishte autorizuar kryerjen e hetimeve Prokurorinë për Krime të Rënda?!
Përse Prokuroria e Përgjithshme i përcolli kërkesën për ekstradim Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për sa kohë që çëshjta nuk ishte në kompetencën e saj?! Pasi qartazi këresa i përket Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Pra, haptazi rezulton se Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi ka urdhëruar të kryhen veprimet nga një Prokurori e cila nuk është kompetente. Përgjegjësia në këtë rast bie mbi Drejtorin e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, i cili fatmirësisht rezulton të jetë me Kombësi Greke por me Shtetësi Shqiptare sepse ishte përgjegjësi e e tij
Përse Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, gjatë shqyrtimit të kërkesës nuk verifikoi moskompetencën e saj kryesisht për kërkesën e paraqitur dhe nuk ja dërgoi çështjen Gjykatës Kompetente ku ndodhej dhe banonte shtetasi që kërkohej të ekstradohej?!
Gjatë kryerjes së verifikimeve pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Prokurorisë pranë saj, përse nuk u administrua dhe nuk u konstatua fakti i ekzistencës së një procedimi kur pjesë e materialeve ishin edhe kartela shoqëruese e personit gjatë periudhës kur ai ndodhet në paraburgim?!
Përse Ministria e Drejtësisë, si organi kompetent që ka në varësi Drejtorinë e Burgjeve, nuk verifikoi të dhënat dhe gjendjen juridike të personit ndaj të cilit ishte paraqitur kërkesa për ekstradim, përpara sesa të urdhëronte lejimin e ekstradimit?!
Në cfarë kushtesh është vendosur masa e sigurimit ‘arrest në burg’ për llogari të ekstradimit, kur shtetasi që u ekstradua ndërkohë ndodhej i paraburgosur për llogari të hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda me Vendimin 413, datë 22.10.2017 (vendim i lënë në fuqi nga gjykata e Apelit për krime të rënda, dhe Gjykata e Lartë) ?!
Si është e mundur që të gjitha institucionet që kanë urdhëruar dhe lejuar ekstradimin e shtetasit shqiptar nën hetim në Shqipëri drejt Italisë, nuk kanë patur dijeni për hetimet që kryheshin kur në edicionet e lajmeve në çdo stacion ishte përmendur me dhjetra apo qindra herë grupi i trafikantëve nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, së bashku me emrat e secilit anëtar?!

Të gjitha këto pikëpyetje të ngritura për këtë çështje nuk dëshmojnë se Prokuroria e Përgjithshme është e pafajshme në këtë vendimmarrje dhe nuk duket aspak e besueshme padijenija e saj dhe e gjithë institucioneve më pas, të cilat kanë urdhëruar kryerjen e ekstradimit.

Nga parashikimet ligjore dhe faktike si më sipër, qoftë organet proceduese si Prokuroria e Përgjithshmme, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ministria e Drejtësisë apo Drejtoria e Burgjeve, nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre ligjore në lidhje me verifikimet e nevojshme për procedurën e ekstradimit, duke sjellë si rezultat të tyre një vendimmarrje totalisht të gabuar dhe të kundërligjshme. Vendimmarrje për të cilën edhe pse faktet janë kokëforta dhe të pakontestueshme për të kundërtën, dua t’a besoj se jemi përpara një lapsusi dhe jo një paligjshmërie e cila nëse rezulton se është kryer me dashje, të krijon bindjen se po jetojmë në Corleone-n e viteve ’50 dhe jo Shqipërinë Evropiane siç dëgjojmë përditë në televizion.

Përsa i përket Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e kam përmendur edhe më përpara se ajo prokurori ka qenë një prokurori suksesi për shtetin shqiptar për shumë vite me radhë. E them këtë për shkak të përvojës time si gazetar dhe si jurist prej shumë vitesh, derisa në krye të institucionit të akuzës u vendos shtetasi Adriatik Llalla. Ardhja e këtij drejtuesi akuze, e them me plot bindje se e shkatërroi atë prokurori, së pari me prurujet e tij me komandimet, me transferimet, me presionet dhe dallaveret e tij, nga më të padëgjuarat ndonjëherë në sistemin e prokurorisë shqiptare, etj etj.

Me sjelljen e tij arrogante, aspak profesionale dhe etike, ai demotivoi trupën e prokurorëve më të mirë që kishte Shqipëria, demotivoi ata prokurorë të cilët për shumë vite me radhë bënë të mundur që grupet më të rrezikshme kriminale të përballeshin me drejtësinë.

Emërimet dhe komandimet e përzgjedhura nga ana e tij, pa meritokraci sollën keqfunksionimin në jo pak raste të kësaj prokurorie. Fakt për të cilin ndjej keqardhje. Rasti i fundit e dëshmon më së miri, se prokuroria e krimeve të rënda nuk guxoi minimalisht të arrestonte Drejtorin Juridik dhe Drejtorin e Burgut të IEVP-së 313, si dhe Shefin e Komisariatit Rinas dhe Shefin e Kufirit të cilët lejuan daljen jashtë institucionit dhe më pas jashtë Shqipërisë të trafikantit Nezir Seitaj.

Për të gjitha këto do të duhen edhe shumë vite që ne ta kuptojmë sesa dëm i ka bërë organit të akuzës shqiptare ‘i papërsëritshmi’ Adriatik Llalla. Pasi efektet e ‘shpurës së tij’ e cila ende i ka tentakulat në prokurorinë shqiptare, madje shumë të forta (edhe pranë Kryeprokurores aktuale), do të bëjnë që ‘finanieri-trafikant’ apo personat e tjerë të ngjashëm me të,  të kontrrollojnë vendimmarrjen e Prokurorive dhe Gjykatave Shqiptare, Policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, si në rastin konkret.

Botoi: Flamur Vezaj,

Gazetar & Avokat.

Neni 492 i K.Pr.Penale (ndryshuar pika 1 me ligjin 35/2017), “1. Kur merr nga një shtet I huaj një kërkesë ekstradimi, Ministria e Drejtësisë, në qoftë se nuk e refuzon atë, ia përcjell aktet brenda 10 ditëve prokurorit pranë gjykatës kompetente, nëpërmjet Prokurorit të Përgjithshëm…”

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco