Gabimi i opozitarit që mungoi në protestën e sotme

Gabimi i opozitarit që mungoi në protestën e sotme

Nga Erl Murati - 27/01/2018

Ja si e shoh unë: mund të jesh votues i PS-së, por mund të dalësh në protestë. Në rrugë a në shesh, ti nuk po zgjedh midis Ramës dhe Bashës. Atë do ta bësh ditën e votimit.

Në protestë, ti si qytetar i kujton kryeministrit të radhës të dëgjojë zërin tënd. I kujton që e ka marrë zyrën me qira. Për të shërbyer, jo sunduar.

Dikush tha: nuk dola në protestë, sepse opozita është e dobët.

Sa qesharake. Po të ishte opozita e fortë, ndoshta s’do kish nevojë për ty. Ndoshta s’do kish nevojë për protestë fare.

Nëse opozita në këtë vend është e dobët, aq më keq për të gjithë. Atëherë kryeministri i rradhës, kushdo qoftë ai, do qeverisë pa dëgjuar askënd dhe pa e çarë kokën për asgjë.

Protesta nuk është hedhje vote ku ti zgjedh mes PS, PD a LSI.

Protesta është mjet demokratik, ku një qytetar pavarësisht se për kë voton, i thotë qeverisë “më llogarit edhe mua” me shpresën se do ta bëjë të mendohet 2 herë dhe ndoshta, të vetëkorrigjohet. Për të mirën e të gjithëve.

E keqja në Shqipëri është se njerëzit janë të polarizuar partiakisht dhe i shohin politikanët si yje futbolli, jo si të punësuar për të përmirësuar jetën tonë.

Ndaj, as mund të mendohet këtu që një socialist të dalë në protestë kundër Ramës, apo një demokrat kundër Bashës. Kjo do të quhej tradhti e madhe, “ndërrim lëkure”. Miqtë e fisi do ta përbuznin këtë njeri. Kjo është një mendësi primitiviste, që i ndan individët në kamikazë të njërit apo tjetrit udhëheqës.

E kundërta është normale: mund të jesh votues i cilësdo forcë politike, nëse ke pakënaqësi del në shesh dhe i kërkon pushtetit të ndryshojë kahjen apo tempin e qeverisjes.

Përsa kohë qytetarët do ta ndajnë veten mekanikisht në “të majtë e të djathtë” njësoj siç ndahen në tifozë Reali apo Barcelone, kërkesa e llogarisë ndaj politikës do jetë shumë larg. Afërmendsh, edhe politikani as do ta mendojë llogaridhënien.

Nëse vazhdon kjo ndarje tifozlliku “o me PS - o me PD”, qeveritarët e këtij vendi nuk do ta shohin popullin si një masë të vetme, së cilës duhet t’i përgjigjen. Por, do ta shohin të ndarë në 2 kampe: ku Rama e Basha kanë secili të verbërit e tij.

Pse duhet t’i interesojë Ramës ca thonë demokratët, ai ka socialistët e tij besnikë? Dhe anasjelltas, Basha është në opozitë, ç’i duhet atij ç’mendojnë socialistët? Ai ka demokratët e betuar pas tij, si në pushtet, si në opozitë.

Siguria që kanë liderët që “populli i tyre” i ndjek edhe në fitore edhe në humbje, edhe në suksese edhe në vjedhje e korrupsion, ja bën atyre jetën më të lehtë.

“Divide et impera” ka thënë latini dhe nuk e ka thënë kot. Kjo ndarje e popullit qorrazi në “demokratë e socialistë” e zhduk llogaridhënien si koncept.

Sjell këtë: ti mund të qeverisësh si bedel, mund të mos kesh asnjë bilanc në 4 vite, por besnikët do t’i kesh pas vetes në çdo rast.

Për sa kohë kjo s’do të ndryshojë, për sa kohë mendja nuk do të emancipohet duke qenë gjithnjë e në çdo rast opozitare, kërkuese dhe kritike ndaj realitetit, Rama dhe Basha (para tyre Nano-Berisha) thjesht do të ndërrojnë vendet çdo 8 vjet.

Dikush tjetër tha: unë s’marr pjesë në protesta të organizuara nga partitë politike. Eshtë e qartë se kjo është një alibi për të justifikuar përgjumjen e letargjinë: thua i ndritën këtu protestat jopartiake intelektualët dhe shoqëria civile?!

S’ka asgjë të keqe të ngresh zërin, të mos rreshtohesh, të mos konformohesh. “Po s’qau fëmija, s’i jep nëna të pijë”, thonë të vjetrit. Ditën e zgjedhjeve bë ç’të duash, por kur ke mundësi të flasësh, fol, mos u bëj filozof mbi mjerimin tënd.

Por, për sofistët e Tiranës ka gjithnjë një arsye për të qenë anti-opozitar.

Nëse protesta do shënonte incidente do thonin se ishte e dhunshme, por meqë doli paqësore thanë ishte e zbehtë. Po të kishte pak njerëz do thonin opozita nuk frymëzon, por meqë pati shumë thanë s’kishte entuziasëm. Po të ngulej çadra do shfrynin protestë demode, por meqë gjithçka u mbyll në 2 orë thanë s’pati surpriza.

Si parim, opozita – qoftë ajo më e keqja – nuk mund ta dëmtojë kurrë një vend më shumë se qeveria, andaj është mirë dhe në çdo rast, qofsh demokrat, socialist apo jopartiak, ti thuash qeverisë dhe kryeministrit të rradhës: dëgjoje zërin tim!

Ndryshe, shqiptarit të ngratë, atij që nuk e klasifikon veten partiakisht, i mbetet të ikë nga sytë këmbët në vende ku njerëzia nuk është e lyer me bojë blu dhe të kuqe. Në ato vende ku dinë ta ndajnë të mirën nga e keqja, ku protesta nuk është tabu dhe ku “heroi” është i drejti e jo i forti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

edvin28/01/2018 22:57

Po ti o Erl Murati,e fshive fare si te drejte njerezore veteqendrimi,alternativen e bojkotit. Ketu nuk jam krejt dakort me opinionin tuaj!Pajtohem me ju,ne se ne kete proteste te ashtuquajtur te opozites,do te merrnin pjese edhe socialiste, te cilet e kane kuptuar situaten e ndere ne vend dhe nuk tuten nga hakmarrja e pushtetit edhe ndaj tyre.Pajtohem,sepse ata edhe ne se zhgenjehen me protesten,neser kane alternative pushteti te tyre,te majte LSI-ne.Ndryshe mendoj une demokratja e zhgenjyer nga politika pa moral! Mua me hoqi dhunshem nga puna LSI-ja,rreth kater vite me pare.Mua me mashtroi Luli,rreth shtate muaj me pare!!!
"Ne se me genjen nje here,eshte faji yt!Ne se me genjen per te dyten here,eshte faji im" - ka thene Kryetari I Opozites.Dhe kryetari I opozites aktuale eshte burre i "mençur",por jo aq sa edhe per te na vjedhur masivisht, besimin per ndryshim!
Prandaj une nuk jam penduar,pse nuk mora pjese ne proteste kete here.Dhe ndjehem e sigurte qe nuk kam bere fare gabim...sepse me eshte krijuar bindja e plote ,qe ata(Edi-Mona-Luli) jane bashkemisionare te politikave antipopullore te SOROS-it! Qofsha e gabuar!

Tirana28/01/2018 20:09

Nje material shume i pikasur dhe elegant , ç'ka tregon per rritjen e pjekurise se ketij gazetari , dikur , jo shume vite me pare , nje gazetar opozitar i thekur ndaj Partise Demokratike .

Bosi28/01/2018 09:18

Ky shkrim eshte NJE MANIFEST; ky Manifest mendoj qe te pakten NJE MUAJ rrjesht te Botohet! Eshte shkrimi me i persosur qe kam lexuar megjithese idene themelore te ketij shkrimi jam une i pari qe e kam hedhur prej koohesh! : Nje shkodran tan jeten asht me vllaznin edhe ne kateg te dyt me dal, ; e njejta per nje tiranas, per nje durrsak, per nje korrcar, vlonjat etj etj per qytein e tyne por ne politike sduhet kurr me ndodh kshtu: kush e hedh nje hap ma shume Perpara, atij jepja vlla; pervec nje nr jo aq te madh besnikesh militante qe jane direkt te lidhura me interesa pune dhe posti!

Ferdinandi 28/01/2018 08:51

Nje analize e mire, shume e mire, per ata qe jane tifoze, qe per fatin tone te keq jane shume. Vetem uniteti mos na prishet, keshtu tha nje grua nga Berati ne ballafaqimin qe pat organizuar Fatos Nano....... Ky eshte tifozi i semure qe pret nga qielli rregullimin e halleve te tij, ti rroje uniteti......

t28/01/2018 06:31

Me shkoqur nuk thuhet,ne protesta duhet dalur gjithmone sa here qe qeveria (ciladoqofte) shperdoron pushtetin

goni27/01/2018 22:55

100%100 dakord!Bravo!

Fieraku nga Ferrasi27/01/2018 21:54

Te lumte!

Ajo27/01/2018 21:34

Plotesisht e vertete, ky eshte qendrimi qe duhet te mbajne gazetaret. Disa minuta me pare lexova komentin e Artur Zhejit per protesten. TURP per te.
Ne perpjekjet e tij per te minimalizuar rendesine e pjesmarrjes shume te madhe ne proteste, Zheji me cinizmin qe e karakterizon, u perpoq ti pershkruaje pjesemarresit ne proteste si nje turme njerezish qe kane dale ne piknik ne nje dite te bukur janari me diell.
Sipas tij kjo proteste nuk i shkaktoi asnje dem Rames. Koha do ta tregoje. Vecse uroj qe opozita e bashkuarte mos rreshte se protestuari derisa narko- shteti te bjere dhe bashke me te te diskretitohen edhe gazetaret e shitur.
Misioni i medias eshte te tregoje te verteten dhe te ndihmoje ne emancipimin dhe perpjekjet e shoqerise per te patur nje qeverisje me te mire. Por sic duket pjesa me e madhe e medias ne Shqiperi eshte e blere nga parate e droges.

Shto koment

Denonco