A ka degjeneruar dekriminalizimi…?

A ka degjeneruar dekriminalizimi…?

Nga Kastriot Islami - 22/01/2018

Individët me rekorde kriminale arritën të futen në parlament në një numër të frikshëm. Rama i përdori ata maksimalisht në zgjedhjet e vitit 2013. Zonat më të prekura ishin në qarqet veriore të vëndit dhe në disa zona bastion të PD. Kjo strategji i shkaktoi një humbje të rëndë PD në zonat e saj bastion, kryesisht të qarqet veriore. Me ardhjen e Ramës në krye të qeverisë u rrit numri i individëve me rekorde kriminale edhe në administratën publike, kryesisht në postet kyce dhe pozicionet lukrative(fitimprurëse). Kjo dukuri do të prekte edhe drejtimin e bashkive duke u kthyer në shqetësuese në zgjedhjet e 2015. Shqetësues do të ishte emërimi i tyre në polici. Të gjithë individët me rekorde kriminale, si ata të larguar apo prezent në kuvend, ashtu edhe ata në krye të bashkive, në pozicione drejtues në PS dhe në administratën publike do të ishin shumë aktiv në zgjedhjet e 2017, si në blerjen e votave ashtu edhe në kërcënimin e votuesve.

***

Ligji i dekriminalizimit erdhi si rezultat i insistimit të opozitës dhe mbështetjes së parlamentit europian. Shqipëria do të cilësohej vëndi i parë dhe i vetëm në Europë që do të stigmatizohej si vendi me deputetë të inkriminuar dhe të cilit iu kërkua të hartohej një ligj special për largimin nga kuvendi e drejtimi i bashkive i të zgjedhurve me rekorde kriminale dhe për pengimin e kandidimit të tyre në të ardhmen. Ky ligj ndonëse do të zvarritej nga Rama më së fundmi do të miratohej për shkak të presionit opozitar.

***

Zbatimi i tij për parlamentin do të zvarritej në kohë nga Rama, kurse për kryetarët e bashkive Rama do të bënte rezistencë edhe më të lartë, duke e shtyrë procesin përtej zgjedhjeve vendore të 2015. Në zgjedhjet e përgjithshme të 2017, numri i deputetëve të “kapur” nga ligji i dekriminalizimit do të reduktohej ndjeshëm. Madje në partitë kryesore dekriminalizimi do të çonte në zgjedhjet e 2017 drejt zeros numrin e depuetëve me rekorde kriminale, duke mbetur ende prezent kjo dukuri në disa parti të vogla që ju shmangën veprimit të ligjit me sugjerimin/ndihmën e Ramës, i cili e përdori këtë mekanizëm për të garantuar shumicën qeverisëse.

***

Prandaj po të analizohet integralisht e në thellësi zbatimi i ligjit të dekriminalizimit mund të arrihet në përfundimin se zbatimi i ligjit nuk ka thënë efektet e programuara ose që procesi i dekriminalizimit ka degjeneruar. Përse?

- Shumë individë me rekorde kriminale, por jo të gjithë, s’janë më në parlament;

- Në krye të bashkive socialiste ka ende individë me rekorde kriminale;

- Në poste kyce të administratës publike, ligji i dekriminalizimit nuk ka vepruar, pothujase të gjithë individët me rekorde kriminale të emëruar nga Rama vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtët poste;

- Shumë individë, për të mos thënë të gjithë individët me rekorde kriminale që i përkasin PS dhe që s’janë deputetë, janë në një masë të konsiderueshme sistemuar në poste drejtuese të administratës publike;

- Disa nga individët me rekorde kriminale të larguar nga parlamenti, në marrëveshje me Ramën, kanë mbështetur kandidatura për deputetë, njerëz të afërt të familjeve te tyre ose “kukulla” që kanë marrë përsipër të përfaqsojnë interesat e tyre;

- Një pjesë ish-deputetësh të larguar nga parlamenti si rezultat i aplikimit të ligjit të dekriminalizimit, në marrëveshje me Ramën, janë të sistemuar në pozicione të rëndësishme në PS, duke siguruar njëkohësisht përfitime direkte apo indirekte përmes emërimesh në administratë apo duke përfituar fonde publike;

- Rama ka urdhëruar në të gjitha rastet anëtarët e PS në KQZ të pengojnë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit kur ka pasur kërkesa nga Prokuroria për zbatimin e tij ose është përpjekur ta simetrizojë situatën përmes gjuetisë së shtrigave ndaj disa individëve të partive kundërshtare që kanë rezultuar të pa prekur nga ky ligj.

Përfundimisht, Rama për ti shpëtuar akuzës së “ideatorit, zbatuesit e përfituesit” të lidhjeve të krimit me politikën, ka penguar zbatimin e këtij ligji. Ka përdorur të gjithë mjetet e mënyrat për ti maskuar këta individë si në administratën publike ashtu edhe në postet kyce të PS. Në raste ekstreme duke afruar të afërm të tyre. Dhe kur kjo ka qenë e pamundur, përmes marrëveshjesh, i ka sugjeruar atyre të strehohen në parti aleate.

Syri.net /22 janar 2018

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco