Modeli oligarkik shqiptar e ukrainas i qeverisjes së vendit

Modeli oligarkik shqiptar e ukrainas i qeverisjes së vendit

Nga Kastriot Islami - 20/01/2018

Në mënyrë që lexuesi shqiptar të kuptojë se çfarë përfaqëson “rregjimi oligarkik shqiptar” është me sa duket e nevojshme t'i bëhet me dije edhe “eksperienca” e vendeve të tjera ish-komuniste, një nga më tipiket është Ukraina. Ky model duhet njohur e madje studiuar në thellësi po të kemi parasysh ngjarjet që pasuan vendosjen e rregjimit oligarkik në Ukrainë. Ky model duhet analizuar për të evidentuar ngjashmëritë dhe dallimet mes tij dhe modelit shqiptar.

Sistemi oligarkik në Ukrainë është “modeli” i përsosur për të kuptuar sesi sistemi demokratik në vëndet ish-komuniste ka degjeneruar në Demokraci Oligarkike. Fati i Ukrainës tashmë dihet, fat të cilin nuk mundën as Revolucioni Portokalli dhe as Ngjarjet e 2013-2014 ta ndryshonin. Ukraina tashmë ka humbur Krimenë dhe e ka sovrantetit të cunguar.

Shumë mbështetës të qeverive oligarkike në vendet ish-komuniste nuk e pranojnë krahasimin me Ukrainën dhe aq më pak ngjashëmritë me lindjen dhe ecurinë e Demokracisë Oligarkike ukrainase; por nuk ka asnje dyshim që edhe demokracitë e tjera oligarkike ish-komuniste kanë lindur pothuajse në të njëtën mënyrë dhe janë zhvilluar me të njëjtat synime, mënyra e mjete, me të njëjtat tipe burimesh njerzore dhe kanë shkelur në të njëjtat shtigje e ka progresuar pothuajse me të njëjtat ritme.

Natyrisht ajo që ka ndodhur në Ukrainë ka vecantitë e saj: i) historinë e krijimit të Ukrainës, ii) pasuritë e shumta të nëntokës ukrainase; iii) lidhjet specifike me ish-BRSS dhe aktualisht me Rusinë; iv) pozicionin e vecantë gjeopolitik; gjë që bën Demokracinë Oligarkike të Ukrainës specifike, ndërkohë që shumë element të saj thelbësorë gjënden pothuajse të njëjtë edhe në të gjithë vendet e tjera ish-komuniste që në vitet ’90. Prandaj modeli ukrainas është i njëjtë edhe për Shqipërinë, edhe për vëndet e Ballkanit e të Europës ish-komuniste, Lindore, Qëndrore e Jugore ndonëse specifikat janë individuale e lokale. Më poshtë, bazuar në një dokument komprehensiv për Demokracinë Oligarkike në Ukrainë, shpjegohet embrioni nga i cili ka lindur Demokracia Oligarkike në Ukrainë.

Gjeneza e sistemit oligarkik

Sistemi oligarkik në Ukrainë fillon të formohet menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por përfundimisht u ngrit me vendosmëri gjatë gjysmës së dytë të viteve 1990, gjatë periudhës kur president i vendit ishte Leonid Kucma (Leonid Kuchma). Për këtë arsye ai konsiderohet si babai themelues i këtij sistemi. Ky sistem lindi që prej viteve të fundit të ekzistencës së BRSS, pasi filloi prestrojka, kur anëtarët e nomeklaturës se larte e te mesme komuniste filluan të grumbullonin kapital. Kur Ukraina fitoi pavarësinë, ky kapital i mundësoi ato të blinin ndërmarrjet industriale me cmime të ulta gjatë privatizimit të tyre. Grupet e para të biznesit (të cilët u quajtën klane) filluan të lindnin gjatë periudhës së transformimit politik dhe ekonomik të vëndit. Faktori që i bashkoi në grupe ishte ose territori i përbashkët ose sektori i përbashkët në të cilin ata vepronin (për shëmbull sektori i gazit apo i metalurgjisë). Varësia e ndërsjelltë midis përfaqsuesve të biznesit dhe politikës u krijua paralelisht. Anëtarët e aparatit shtetëror nxirrnin përfitime nga mbështetja e biznesmenëve, ndërkohë që ata mbyllnin sytë ndaj dhunime të ligjit, të përhapura gjërësisht gjatë procesit të privatizimit dhe ushtrimit te bizneseve. Në marrëdhëniet midis përfaqsuesve të biznesit dhe politikës u mbivendosën edhe lidhjet me grupet e botës kriminale. Betejat e ashpra për ndikim në mesin e viteve 1990 cuan në një numër vrasjesh të famshme të zyrtarëve të shtetit (për shëmbull, ajo e Vadym Hetman, ish drejtues i Bankës Kombëtare të Ukrainës), të biznesmenëve të njohur (për shëmbull, Yevhen Shcherban) dhe të bosëve të mafias (Akhat Bragin).    

Formimi i klaneve

Ardhja e Kuchmës në pushtet në vitin 1994, dhe miratimi i Kushtetutës e cila vendosi sistemin presidencial në Ukrainë bëri të mundur të organizohej një sistem i varësisë së ndërsjelltë midis politikës e biznesit, i cili tashmë ishte formuar. Klanet e bazuara në industrinë rajonale, të cilët ishin të shpërndara në mënyrë disproporcionale në të gjithë vëndin, u krijuan në mandatin e parë të Leonid Kuchmës. Kompanitë më të mëdha industriale ishin të përqëndruara në dy rajonet lindore, në Pellgun e Donetcit (rrethet e Donetskut dhe Lunanskit) dhe në zonën përreth Dnipropetrovskit (kryesisht rrethet e Dnipropetrovskit dhe Zaporizhias). Qëndrat e tjera industriale, të tilla si Kharkov, ishin dicka më pak të rëndësishme. Presidenti, nisur nga autoriteti i lartë që zotëronte, do të shërbente si arbitër gjatë lindjes së grupeve oligarkike. Ai u kujdes të ruante ballancën midis klaneve duke mbështetur disa prejt tyre kundër disa të tjerëve dhe duke  parandaluar për një kohë të gjatë që oligarkët të bëheshin të pavarur nga strukturat e qeverisë. 3 klane u formuan gjatë mandatit të parë të Kuchmas:

Klani i Donetskut – baza e biznesit te tij ishte metalurgjia. Rinat Akhmetov arrinte te kishte pozitën e oligarkut me të fuqishëm të grupit të Donteskut. Ky grup përbëhej nga një numër nën-klanesh dhe nën-grupesh, ku përfshiheshin Bashkimi Industrial i Donbasit (ISD) me pronar Serhiy Taruta dhe Vitaly Hayduk dhe grupi i kontrolluar nga vëllëzërit Klyuyev, Andriy dhe Serhiy. Viktor Janukovic, i cili ishte guvernator i Rrethit të Donetskut në 1997-2002 dhe kryeministër i Ukrainës ne 2002-2005 gjatë mandatit të dytë të Kuchmës, u bë përfasqsuesi politik kryesor i këtij klani. Fillimisht, Janukovici nuk luajti një rol të pavarur; ai ishte më tepër i ngarkuar si ndihmësi i interesave te biznesmenëve nga Donetsku. Vetëm kur ai u bë kryeministër roli i tij filloi të rritej. Partia e Ringjalljes Rajonale të Ukrainës, e cila u formua në 1997 dhe që u riemërua në 2000 si Partia e Rajoneve, ka qënë baza politike e klanit të Donetskut.

Klani i Dnipropetrovskit  - kishte ndikimin me të fortë gjatë mandatit të parë të Kuchmës. Rëndësia e këtij klani arriti kulmin në periudhën kur Pavlo Lazarenko ishte kryeministër (1996-1997). Julia Timoshenko ishte ndihmesja me e ngushtë e këtij klani. Një nga arësyet kryesore përse grupi i Dnipropetrovskit ishte kaq i fortë është e lidhur me faktin se Kuchma vinte nga Rrethi i Dnipropetrovskit dhe kishte punuar për shumë vite në Dnipropetrovsk. Pas dorëheqjes se qeverisë së Lazarenkos dhe largimit jasht vëndit të Lazarenkos, ky klan u shpërbë në disa grupe, me i rëndësishmi nga të cilët u formua rreth Viktor Pinchuk (i cili ishte dhëndri i Kuchmës). Më vonë, Grupi Privat i drejtuar nga Ihor Kolomorskyi dhe Henadiy Boholyubov do të marrë rëndësi më të madhe ndërkohë që grupet e tjerë do të bëhen më pak ndikues. Metalurgjia ishte fusha kryesore e aktivitetit të Pinchukut. Grupi Privat ishte përqëndruar në sektorin financiar (banka). Është e rëndësishme të thuhet se një numër politikanësh me influencë, përfshi Julia Timoshenkon dhe Serhiy Tihipko, ishin të lidhur me klanin e Dnipropetrovskit.

Klani i Kievit – kishte figure kryesore Viktor Medvedchukun, kryetar i Administratës Presidenciale gjatë mandatit të dytë të Kuchmës. Ky grup përbëhej nga “Kiev shtatë”; aktualisht vetëm vëllezërit Surkis, Hryhoriy dhe Ihor janë ende aktivë në këtë grup biznesmenësh. Krahasuar me klanet e tjerë, grupi i Kievit kishte një bazë ekonomike modeste (që kryesisht vepronte ne sektorin e energjisë, bankave dhe media), por ishte grupi më i fuqishëm politik. Forca e tij politike ishte e bazuar ne pozitën e Medvedchukut si ndihmës i Kuchmës dhe në influencën e Partisë Social Demokrate të Ukrainës (e bashkuar), SPDU, e cila kishte deputetët e saj në Parlamentin e Ukrainës (të quajtur  Verkhovna Rada).

Në gjysmën e dytë të viteve ‘90, sistemi që lindi në Ukrainë ishte mjaft i ngjashëm me sistemin rus, ku autoriteti i Presidentit Boris Jelcin ishte i kufizuar nga oligarkët e fuqishëm, si për shëmbull Boris Berezovski. Kur Vladimir Putini erdhi në fuqi në 2000, këto dy modele u bënë mjaft të ndryshëm. Putini arriti të vendosë në varësinë e qeverisë biznesin e madh vetëm për disa vjet. Një gurë themeli në këtë process ishte kalimi në shtet i aseteve të kompanisë më të madhe të naftës Yuko, pronar i së cilës ishte Mikael Khodorkovski, i cili u dënua me 9 vjet burg. Ky proces lëvizi në drejtim të kundërt: qeveria u bë gjithnjë e më e dobët dhe oligarkët gjithnjë e më të fortë. Një gjyq i ngjashëm me atë të Khodorkovskit s’ndodhi asnjëherë në Ukrainë. Përkundrazi, pozitat e Kuchmës u minuan kryesisht në vitin 2000 nga “Skandali i Kasetës” dhe ai u bë gjithnjë e më i varur nga biznesi i madh.

Lindja dhe rënia e Pavlo Lazarenkos

Lazarenko, i cili vjen nga Rrethi i Dnipropetrovskit, mund të konsiderohet simbol i periudhës së parë turbulente të ndryshimit të Ukrainës, pasi vendi fitoi pavarësinë. Në vitet 1992–1995, ai drejtoi Rrethin e Dnipropetrovskit – fillimisht si i dërguar presidencial dhe më vonë si guvernator. Në 1995, ai u emërua Zëvëndës Kryeministër dhe u bë Kryeministër i Ukrainës në 1996-1997. Ndërkohë Lazarenko ishte një biznesmen shumë aktiv. Ai perceptohej nga shumica si oligarku më i madh i rajonit kur ishte guvernator i Rrethit të Dnipropetrovskit. Kur ai mbante postin e kryeministrit, korporata e Sistemit Energjitik te Bashkuar te Ukrainës (YESU) u zhvillua me shpejtësi.

Për një kohë të shkurtër YESU u bë grupi financiar dhe industrial më i madh i Ukrainës dhe importuesi më i madh privat i gazit rus, ndërkohë që zotëronte edhe shumë asete në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. YESU u rrit në madhësi të konsiderueshme nën patronazhin e Lazarenkos, i cili ishte me shumë gjasa një aksioner i fshehtë i kësaj kompanie. Zgjerimi i tij e futi Lazarenkon në konflikt me shumë biznesmenë me influencë, përfshi edhe Yevhen Shcherban, i cili u vra në 1996. Pozita e Lazarenkos u bë aq e fortë saqë rrezikoi edhe Kuchmën, i cili dëshëronte ta hiqte qafe këtë konkurent të papërshtatshëm. Lazaraenko u akuzua për korrupsion, për përfitim të pronës shetërore dhe transferim të parave jasht vendit.

Parlamenti i hoqi atij imunitetin ne 1999. Lazarenko u largua jasht vëndit, por u ndalua në Nju Jork, ku ai u përball me akuzën për pastrim parashë. Kjo akuzë kishte të bënte me shumën prej 114 milion dollarë të pastruar gjatë kohës kur kishte qënë kryeministër. Në 2006, një gjykatë në San Francisko e ka dënuar me 9 vjet burg. Rënia e Lazarenkos i dha fund lulëzimit të YESU. Kompania doli jasht tregut të gazit, dhe asetet e tij i kaluan grupeve të tjerë të biznesit, një prej të cilëve ishte kompania Interpipe e Viktor Pinchuk.

Rasti i Lazarenkos është interesant sepse asnjë oligark tjetër i një dimensioni të tillë nuk është rrëzuar tashmë në Ukrainë. Megjithatë, rasti i Lazarenkos do tja vlente të përmendej nga fakti që Julia Timoshenko, e cila kishte drejtuar YESU në vitet 1995-1997, do të mbarte karrierën e saj në politikë e biznes me mbështetjen e tij.  Më vonë ajo ishte zgjedhur deputete në parlament e do të caktohej zëvëndëse e Lazararenkos në partinë e tij, Hromada. Në 1999, kur ishte e qartë se rënia e Lazarenkos ishte e paevitueshme, Timoshenko krijoi partinë e saj, me emrin Batkivshchyna (Atdheu), e cila u bë kryetare e saj. Rasti YESU është përdorur më parë kundër Timoshenkos. Në fillim të 2001, ajo u arrestua për një një muaj për akuzat e eksportit ilegal të gazit dhe evazion fiskal. Rasti YESU u rihap në tetor të 2011, Shërbimi Sekret i Ukrainës njoftoi që kishte filluar procedimi penal kundër Timoshenkos. Ajo u akuzua për krijimin e një borxhi ndaj buxhetit të shtetit në shumën prej 400 milion dollar. Më vonë prokuroria hetoi pjesëmarrjen e mundshme të Timoshenkos në vrasjen e Shcherban.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco