Mos prisni shumë nga presidenca e Bullgarisë në BE

Mos prisni shumë nga presidenca e Bullgarisë në BE

Nga Adelina Marini - 19/01/2018

Më në fund, një vend që u hyri në BE pa një sundim të institucionalizuar qartë të ligjit ka marrë presidencën e Këshillit të BE, duke pasur si prioritet nxitjen e integrimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Bullgaria, bashkë me Rumaninë, hynë në BE më 2007 në një mekanizëm special monitorimi, pavarësisht të cilit elitat politike kanë vazhduar të sabotojnë vendosjen e sundimit të ligjit e të demokracisë.

Ironikisht, gjatë gjashtë muajve të rotacionit të presidencës, Bullgaria duhet të punojë pikërisht për mbrojtjen e sundimit të ligjit, i cili është nën sulm në Poloni – një rol që e vendos qeverinë e Bojko Borisov në një pozitë aspak të rehatshme.

Ndonëse sundimi i ligjit përmendet si parim themelor i Bashkimit Evropian në Traktatin e tij, ky subjekt nuk ka qenë vërtet në axhendë deri tani vonë. Besohej se sundimi i ligjit dhe demokracia ishin diçka e sigurt dhe vende si Bullgaria përbënin përjashtim. Megjithatë, me ngritjen e të ashtuquajturve regjime intolerante në Evropën Qendrore dhe me zgjedhjen e Emmanuel Macron si President i Francës, sundimi i ligjit u shndërrua befas në prioritet për BE.

Pak ditë para se Bullgaria të merrte presidencën nga Estonia, Komisioni Evropian krijoi një precedent duke propozuar aktivizimin e Nenit 7 të Traktatit të BE për Poloninë, duke përmendur dhunimet sistematike të sundimit të ligjit. Neni parashikon ngrirjen e pezullimit për anëtarët që bëjnë gabime. Përdorimi potencial i tij tregon se vala e intolerancës po shihet gjithmonë e më shumë si një kërcënim real për themelet demokratike të BE.

I takon Bullgarisë të punojë për këtë çështje gjatë presidencës së saj. Jo befasisht, kryeministri Borisov ka thënë se do të bëjë gjithçka është e mundur për të shmangur futjen e çështjes polake në axhendën e BE gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Por BE nuk mund të presë më. Meqënëse Bullgaria është një vend me sundimin e ligjit jofunksional, ajo nuk është pjesë e zonës Schengen dhe kjo mund të jetë pengesë edhe për futjen në eurozonë.

Aktualisht, reforma e Schengenit dhe thellimi i integrimit të eurozonës janë tema qendrore për BE. Mbi disa propozime legjislative polemizuese, Bullgaria do të duhet të kërkojë kompromis pa qenë autoritet mbi to.

Mungesa e arritjeve për të cilat mund të mburret, sidomos pas udhëheqjes së suksesshme dhe frymëzuese të Estonisë, ka bërë që qeveria bullgare të investojë të gjitha përpjekjet në paraqitjen publike të presidencës së saj, ndërsa zor se po bën ndonjë përpjekje për t’u përqendruar mbi temat që do të jenë në axhendën evropiane.

Vendi nuk ka bërë të qartë as se si synon të përballet me sfidën më të madhe të BE, ruajtjen e unitetit të tij, ndonëse pikërisht ky është edhe slogani i presidencës bullgarë: Të bashkuar qëndrojmë të fortë.

Në të kundërt, Bullgaria po prezantohet e promovohet si një shtet që merr frymëzim në tradita dhe ritet më të vjetra. Përpjekja e tepruar për të treguar se sa unike është kultura bullgare, si një kundërvënie karshi dështimit për t’u evropianizuar, tashmë ka krijuar polemikat e para.

Videoja promocionale e presidencës ka shkaktuar një valë indinjimi në BE dhe një eurodeputet francez ka kërkuar që ajo të ndalohet, pasi  në mënyrë të pavetëdijshme inkurajon ngacmimin seksual në një kohë kur një debat i hidhur por zhvillohet në Bullgari lidhur me ratifikimin e Konventës së Stambollit për luftën kundër dhunës ndaj grave.

Në video thuhet se shpeshherë në Bullgari – e prezantuar si një vajzë e re – “jo” do të thotë “po”. Ajo çka do të thotë është se bullgarët tundin kokën kur duan të thonë “po”, ndërsa evropianët bëjnë të njëjtën gjë për të thënë “jo”. Megjithatë, videoja ka dështuar të përcjellë këtë veçanti dhe ka krijuar përshtypjen e gabuar në sytë e të huajve.

Ndërkaq, në frymën e traditave të diktaturës komuniste, qeveria ka qenë e zënë kryesisht me zbukurimin e ndërtesës kryesore të presidencës, Pallatin Kombëtar të Kulturës, i cili ka qenë i neglizhuar për vite dhe ka një status pronësie të paqartë. Për hatër të presidencës, nga lulishtja e presidencës u hoq një monument në degradim i kohës së komunizmit, duke shkaktuar debate të ashpër publikë.

Kjo lëvizje nxori në dukje ndasi të thella në shoqërinë bullgare, e cila, 11 vjet pas anëtarësimit në BE, është më tepër se kurrë pa një objektiv dhe e endet midis euroskepticizmit të Evropës qendrore, alternativës ruse dhe pro-evropianizmit. Riparimet dhe zbukurimet e vitit të kaluar ishin të vetmet përgatitje për presidencën, me skandale të shkaktuar shpesh nga puna e dobët dhe dyshimet për korrupsion.

Ditët e para të presidencës kanë kaluar me njohjet reciproke. Korrespondentët e Brukselit sapo po zbulojnë se kush dhe çfarë është Bullgaria, duke u endur mes historisë mikse të trazuar të tranzicionit të saj e duke arritur të njëjtin konkluzion: Që ky është anëtari më i varfër e më i korruptuar i Bashkimit Evropian, i qeverisur nga një ish-truprojë i ish-diktatorit komunist.

Edhe bullgarët po njihen me BE. Por ndërsa ata e njohin mirë tashmë Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk ka qenë një zbulim i vërtetë për publikun bullgar. Ai fitoi zemrat e tyre me një fjalim të shkurtër në bullgarisht, në të cilin ofroi një përzierje që kënaqi vetëvlerësimin kombëtar, të dëmtuar nga imazhi i Bullgarisë dhe njerëzit e këqij në BE, duke përmendur së bashku Ivan Vazov, një nga klasikët e letërsisë bullgare, serialin televiziv Game of Thrones, luftëtarët e Spartakut dhe legjendën e futbollit Hristo Stoiçkov.

Pjo përzierje e çuditshme pati sukses në bërjen së bashku të qeverisë dhe kritikëve të saj, çka ishte një arritje, ndonëse solli kritika nga korrespondentët e Brukselit, disa prej të cilëve mbetën të habitur nga deklarata e Tuskut se situata në Ballkanin Perëndimor është më interesante se Game of Thrones, përveç faktit që atje nuk ka dragonj.

Kështu pra të karikuar me vetëbesim evropian, bullgarët ende duhet të mësojnë për problemet që sfidojnë Bashkimin Evropian dhe se cili  prej tyre do të prekë ata.

Atyre iu është kujtuar se, ashtu si luftëtarët e mëdhenj që kurr nuk humbën një flamur në betejë, deri tani ata apo e humbin luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, luftën për vendosjen e një sistemi gjyqësor dhe institucioneve të pavarura, për përmirësim domethënës në standardet e jetesës, dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, për njohjen e vlerave evropiane.

Përtej punës së madhe për ndërtimin e unionit bankar dhe reformës Schengen, publiku bullgar duhet të gëlltitë shkurtime të çuditshme dhe zhargon BE-je, të tilla si EDIS, rregullorja e Dublinit, CAP, PESCO e të tjera. Testi më i rëndësishëm për presidencën, megjithatë, do të jenë negociatat për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të BE. Do të jenë bisedime të vështira e të dhimbshme, pasi Britania po largohet e bashkë me të edhe një shumë e madhe parash.

Për më tepër, vitet e fundit, ndërsa përparësitë kanë ndryshuar, nevoja për pará është rritur. Qeveritë duhet të fusin duart më thellë në xhepa dhe/ose ta bëjnë buxhetin më tepër të përbashkët duke ndarë më tepër sovranitet e prej këndej edhe solidaritet.

Por nëse nuk ka solidaritet në shpërndarjen e emigrantëve, në vlerat e përbashkët dhe politikën e jashtme, atëherë pse duhet të ketë solidaritet për ndërtimin e rrugëve në vende të korruptuara anti-liberale, është pyetja që bëjnë vendet donatore. Ndaj Komisioni propozon lidhjen e dhënies së fondeve evropiane me vënien në funksionim të sundimit të ligjit. Bullgaria është një nga ato vende që është armiqësore me emigrantët, por ekonomia – edhe partitë në pushtet – varen të gjitha nga fondet e BE.

Presidenca bullgare nuk ka shumë karta të forta as për sa i përket integrimit të Ballkanit Perëndimor. Ajo vetë i përket rajonit të Ballkanit më tepër se Bashkimit Evropian.

Një vend që nuk ka krijuar ende një sistem gjyqësor të pavarur, që nuk ka organizma efektivë anti-korrupsion dhe që ka një marrëdhënie të paqartë me Rusinë ka ambicien për të ndihmuar vende që vuajnë nga të njëjtat probleme.

Pikërisht në kulmin e negociatave në kuadrin e buxhetit të ri të BE, Bullgaria do të tërheqë projektorët mbi fqinjët më të varfër të BE me shpresën se ato do të vazhdojnë të kenë vëmendjen të mjaftueshme financiare.

Një tjetër problem është se Bullgaria ka qenë pasive gjatë dy dekadave të fundit në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe tani e sheh të vështirë navigimin përmes një mase problemesh në rajon. Prandaj, ajo fokusohet kryesisht në lidhjen infrastrukturore dhe tregtare të rajonit.

Kryeministri Borisov ecën si një elefant në një dyqan porcelanesh, duke favorizuar dukshëm Serbinë përmes një marrëdhënieje të ngrohtë me Presidentin Aleksandër Vuçiç, me të cilin është shumë i ngjashëm për sa i përket stilit qeverisës. Ai ka treguar njëanshmëri edhe në grindjen kufitare midis Kroacisë e Sllovenisë, duke premtuar se do t’i kërkojë kryeministrit kroat Andrej Plenkoviç të shfaqë vullnet politik gjatë takimit të tyre të ardhshëm, pa premtuar të bëjë të njëjtën gjë edhe me kryeministrin slloven.

Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë kuptimi për BE, Bullgarinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Secili do të kuptojë se integrimi është një proces kompleks, i gjatë dhe në rritje i kthyeshëm që gjithashtu kërkon karikim të fortë gjeopolitik.

Kjo është gjë e mirë në fakt. Pa pasur iluzione, mund të nisë puna për gjërat thelbësore. Në fund të fundit, BE është një proces ndërtimi duke mësuar nga gabimet. Presidenca bullgare mund të shërbejë si emërues i përbashkët midis BE dhe Ballkanit Perëndimor.

Marrë nga Balkan Insight-Përgatiti: SYRI.net

Adelina Marini është një gazetare bullgare me bazë në Zagreb, themeluese dhe drejtuese e euinside.eu, media e fokusuar në çëshjet e BE, Ballkanin Perëndimor, politikën globale si dhe e çështjeve në lidhje me vendin e Bullgarisë dhe të Ballkanit në botë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco