Mos e gjuani me shqelm LSI-në

Mos e gjuani me shqelm LSI-në

Nga Bledian Koka - 17/01/2018

LSI-ja ka shumë mëkate për të larë për 4 vite qeverisje dhe vetë unë i pari e kam hedhur gurin e parë të akuzës sa më ka zënë dora. Asnjë pendesë nuk kam për këtë. Pushteti është gjithmonë i fëlliqtë, opozita i bën nder gjithkujt që e përqafon. Qoftë edhe me pahirin e votave që nuk të japin pushtetin e pretenduar, qoftë edhe me dëshirën për të vazhduar për të qenë në tepsi. Llogaritë nuk bëhen kurrë në kalë, por në këmbë.

Sot LSI-ja është në këmbë bashkë me PD-në, me angazhimin e Monës për të bërë opozitë. Unë nuk besoj shumë tek kartat morale të opozitëbërjes, këto 4 vite e gjysmë të fundit ato janë zvetënuar më shumë se kurrë. Por mes opozitës opake, dhe inekzistencës së opozitës fare, ne duhet të zgjedhim gjithmonë të parën.

A duhet ti bëjmë rixha LSI-së që të bëjë rolin e vet si parti opozitare? Jo!... A duhet ta nxisim atë të luftojë më fort në opozitë? Gjithë ditën!... Sot LSI-ja (edhe për hir të inatit të skraparllinjve pa pushtet) është e rreshtuar qartazi në opozitë. Ndonjëherë me një marsh më shumë kundër Edi Ramës se PD-ja. Kjo nuk e bën PD-në më pak opozitë sot, se LSI-ja në pushtet deri dje.

Ajo çizme e lëshuar nga Kryemadhi drejt Edi Ramës në seancën e 18 Dhjetorit, në analizën e replikës me pushtetin besoj se ka ngjitur po aq fort sa çadra 2 mujore e PD-së një vit më parë. Koalicioni “Çadër-Çizme”, qartazi i shërben më shumë opozitës, sesa marrëveshja e 17 Majit. Në fund të fundit Rama nuk u rrëzuar as nga çadra Lulit e aq më pak nga çizmja Monës. Fakti që disa zëra brenda PD-së, kanë filluar të shtrembërojnë turinjtë në raport me raportin Basha-Kryemadhi me idenë se koalicioni PD-LSI është i panatyrshëm, apo se ministrat LSI-së kanë qenë kolegë me Tahirin, Beqjajn, Gjiknurin dhe Ahmetajn qartazi nuk qëndron.

Ata që refuzojnë sot frontin opozitar Luli-Mona, janë po ata që nuk kanë thënë asnjë fjalë për marrëveshjen Rama-Basha (në mos fërkojnë duart e përfitojnë prej saj). Përtej llastimeve politike të neo-demokratëve që bëjnë sikur janë të lirë të thonë të tyren edhe mbi veprimet e kryetarit që i solli nga asgjëja në PD, zjarri përçarës brenda frontit opozitar që ende nuk e ka provuar veten si të tillë, tregon se ata ose janë të pasinqertë ose janë të ligë. Budallenj asesi!. Sali Berisha ka punuar një jetë për të përçarë të majtën, sepse për hir të një indoktrinimi gati 50 vjeçar, rezulton se votuesi shqiptar çalon mëngjër.

PD dhe LSI kanë ç’të ndajnë në tepsinë e opozitës, dhe 27 Janari është një provë e parë. E dyta dhe më e rëndësishmja është ajo e zgjedhjeve lokale 2019 (dashtë Zoti dhe më shpejt). Nëse ata që kundërshtojnë frontin opozitar PD-LSI sot,  nuk e kanë idenë se të vetmen mundësi politiko-elektorale që kanë për të replikuar sa më fort të jetë e mundur QeveRilindjen, është ky bashkim “i panatyrshëm”, atëherë me plot gojë mund të thuhet se ose ata pak individë demokratë janë shitur, ose më keq akoma janë të blerë. Gjithmonë kjo duke shpresuar se Lulzim Basha nuk di gjë, dhe ata e bëjnë me kokën e vet!... 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp18/01/2018 16:57

Bledian, duhet protestuar dhe ti ke te drejte.Por qe ti quash te shitur dhe te blere te gjithe ata qe kontestojne lidershipin aktual te PD dhe qe nuk e konsiderojne "Cadren" dhe "Cizmen" si melhem per gjendjen katastrofike qe perjeton vendi ,tregon se Ju per fat te keq, keni pesuar nje metamorfoze te plote ne nje kohe te shkurter, duke u kthyer ne KAPAK KAZAN.

LIKU18/01/2018 04:03

Kur socialistet erdhen ne pushtet , nxoren parullen]]]te bashkohen qelbesirat per te rre zuar SALI BERISHEN]]] . e metevertete bashkimi horrave, e gangestereve, e mbeturinave komuniste e bene punen e tyre nepermjet veprimeve mafioze, e shitje blerieve, plus mashtrimeve te premtuara qe nuk u realizuan kurre,, por perkundrazi vendi perfundoi ne sketeren ekonomike.Le te jete nje proveme teper si populli bashkuar, pa ndasi politike ,qe te protestoie te permbyse kete regjim te oligarkise RAMA,Me mire do te jete, e me perpara do cohet demokracia.;

Arber Pashtriku18/01/2018 01:22

Po me zhgenjen fort Bledian Koka!
Pa u thyer LSI dhe LSIsmi politika shqiptare do mbetet ne kanal te mbyllur te ujrave te zeza. Pa moral nuk ndertohet asgje e paster dhe e qendrueshme. Mona dhe ndjekesit e Monës kane shume mekate qe nuk i lan as Nili.
Vetingu i mrefillte e I vertete duhet të filloje pikerisht nga Mona, Like Floriri dhe LSIstat e tjere. LIKJA ka ndertuar uren me Fahri Balliun dhe qe po ndihmojne felliqesiren Vilajet Qyrku rreziku me i madh I te ardhmes se Shqiperise, mekembesi I Sorosit ne Shqiperi.
Nga morali merr gjenezen shpresa per te ardhmen. LSI- a eshte guri ne qafe qe do ta fundose PD-ne dhe bashke me te edhe shpresen per nje Shqiperi me te mire.

Shto koment

Denonco