Tri tezat e Ramës kundër protestës së opozitës…

Tri tezat e Ramës kundër protestës së opozitës…

Nga Kastriot Islami - 15/01/2018

Protesta e opozitës është kthyer në shqetësimin kryesor të Ramës. Ajo minimalisht do të tregonte shkallën e lartë të pakënaqësisë dhe revoltës së qytetarëve. Nivelin e organizimit të veprimit opozitar. Prandaj Rama kërkon të fshehë pakënaqësinë e revoltën qytetare dhe të minimizojë veprimin opozitar, duke e paraqitur opozitën të dobët, të përçarë e të paaftë për tu shfaqur si alternativë përballë qeverisjes së tij të dështuar, madje nuk mungon të krijojë, qoftë edhe me kosto ndaj imazhit të tij, alibinë se opozita është e shitur dhe lidershipi i saj ka bërë pazare me të. Thënë shkurt e qartë: Rama nuk ka shpresë se mund të rritet mbështetja, qoftë qytetare qoftë ndërkombëtare ndaj tij dhe qeverisë së tij, dhe prandaj përpiqet të krijojë idenë, tek qytetarët, tek ndërkombëtarët e madje edhe brenda vetë opozitës e PD se alternativa opozitare, përballë tij, nuk është e besueshme, është e dobët, është e përçarë, është e papërgatitur të qeverisë pas tij vendin, deri edhe duke hedhur në treg sajesën se lidershipi opozitar është i shitur e me plot sherre të brendshme. Ndërkombëtarët kërkon ti sensibilizojë me “helmin” tashmë të njohur se: i) opozita është kundër integrimit dhe ii) lidershipi i opozitës kryen veprime radikale kundër qeverisë se është i frikësuar nga efektet e reformës së drejtësisë, pasi ka dështuar për të hedhur në erë edhe vetë reformën.

Tri janë tezat kryesore me të cilat vetë Rama, kupola e tij e ngushtë dhe media e tij klienteliste e sponsorizuar me paratë e pista të korrupsionit, të lidhjeve me qeverisë me krimin dhe narkotrafiqet, janë hedhur në sulm kundër opozitës e veçanërisht kundër protestës së saj të 27 majit 2018:

Teza I: Opozita është kundër hapjes së negociatave dhe kundër reformës në drejtësi.

Kjo është një tezë që artikulohet më shumë për ndërkombëtarët, ndërkohë që korrupsioni i qeverisë së tij, lidhjet e qeverisë së tij me krimin dhe kriminelët dhe kthimi i Shqipërisë në vendin e parë në Europë për kultivimin e kanabisit, narkotrafiqet dhe si vend origjine i emigracionit, madje duke ja kaluar edhe vëndeve të tilla si Afganistani, Sudani, Haiti e tjerë, duket se kanë vënë në rrezik hapjen e negociatave, pavarësisht vullnetit të shumicës së vendeve të BE për të vazhduar procesin e zgjerimit edhe në Ballkanin Perëndimor. Në realitet Rama nuk është i interesuar për hapjen e negociatave sepse më tej do të rritej shumë presioni ndaj keqqeverisjes së tij. Hilet me reformën në drejtësi dhe zgjedhja antikushtetuese e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, ishin në mënyrë indirekte veprime anti-reformë me synim vendosjen e drejtësisë nën kontroll e një shuplakë tjetër kundër hapjes së negociatave. E gjithë loja tinzare e Ramës dhe veprimet e tij të deritamishme janë për të akuzuar opozitën se është kundër integrimit. Deklaratat e tij më përfaqësues të vendeve të BE se nëse nuk hapen negociatat shqiptarët “mund ti drejtohen Rusisë apo Kinës” apo “se ata mund të realizojnë Shqipërinë e madhe” janë veçse alibi tinzare për të maskuar synimin e tij kundër hapjes së negociatave.

Teza II: Opozita është e pabesueshme, e dobët, e përçarë, e tjerë e tjerë…

Kjo është një tezë që hidhet në treg nga Rama dhe media e tij klienteliste për qytetarët vendas që mbështesin opozitën e veçanërisht për të trullosur ata qytetarë të paangazhuar që janë të zhgënjyer me keqqeverisjen e Ramës, për shkak të papunësisë, varfërisë ekstreme dhe arrogancës së qeverisë së tij. Qëllimi është ti largojë ata nga protesta, duke i detyruar të emigrojnë të pashpresë, duke iu thënë se “qeverisja kaq mundësi ka por opozita është edhe më e keqe”… Ai përmes kësaj teze kërkon të bëjë edhe diversion mes militantëve të PD, LSI e të aleatëve të tjerë, duke nxitur dallimet mes lidershipeve të tyre apo risjellë në vëmendje të militantëve të tyre apo stërzmadhuar problemet e brendshme të opozitës. Rama dhe media e tij klienteliste kërkojnë të nxisin sherr mes Bashës, Kryemadhit e aleatëve tradicionalë të PD. Rama ndërkohë kërkon t’ju mbushë mendjen ndërkombëtarëve se opozita është e dobët, pa alternativë dhe pa një strategji të qartë veprimesh për të mundësuar ardhjen e saj në pushtet. Duke zaptuar të gjithë institucionet e shtetit, duke vënë nën kontroll gjithçka deri edhe drejtësinë më së fundmi, duke dhunuar kushtetutën, duke dhunuar liritë dhe të drejtat politike të opozitës e goditur kundërshtarët e tij politikë, ai tenton ta shtyjë opozitën drejt veprimeve të tejskajshme për ta paraqitur atë te ndërkombëtarët si radikale, destruktive dhe si një opozitë reaktive në kuvend dhe protestuese në rrugë. Ai përmes mashtrimit, gënjeshtrave, sajimeve kërkon ti trullosë militantët dhe qytetarët me tezat se protestat nuk janë në interesin e tyre por kryhen për interesat personale të lidershipit të opozitës.

Teza III: Lidershipi i PD është i shitur kurse lidershipi i LSI ka frikë nga burgu…

Që nga 18 majin e në vijim, Rama, e sidomos media e tij klienteliste, përpiqen ta trajtojnë “marrëveshjen me detyrim e përcaktim” që Basha negocioi me Ramën, si shitje të interesave politike të PD në shkëmbim të forcimit të interesave politike të Bashës, ose thënë ndryshe për forcimin e pozitave të tij në parti dhe eliminimin e kundërshtarëve të brendshëm. Rama së bashku me makinerinë e propagandës së tij “fake news”, tinëzisht, gjatë të gjithë fushatës elektorale e në vijim e deri më sot, ka vijuar të krijojë idenë e shitjes së Bashës duke mos respektuar ndërkohë asnjë pikë të “marrëveshjes” gjë që çoi në humbjen e thellë në 2017, sigurisht edhe për shkak të veprimeve jo simetrike të Bashës ndaj veprimeve tinzare të Ramës. Këto ditë nuk kanë munguar as përpjekjet mjerane të “opinionistëve” të Ramës që për rimarrë e shitjes së Bashës janë të gatshëm të pranojnë se “krimineli Rama e ribleu Bashën, duke i dhënë vjehrrit të tij 13 milionët euro për pallatin në Vlorë” mjafton që Basha të bëhet i pabesueshëm në sytë e demokratëve dhe të sulmohet nga brenda partisë, sidomos tani që po organizohet protesta. Kurse për Kryemadhin e lidershipin e LSI, Rama është përpjekur të luajë në disa plane të tjera: i) lufta e Kryemadhit dhe lidershpit të LSI bëhet nga frika e ndëshkimit të disa prej figurave kryesore të LSI nga drejtësia e reformuar; ii) imazhi i Kryemadhit dhe qënia e LSI për 8 vjet në pushtet e dëmtojnë PD dhe e pengojnë atë të shndërrohet në opozitë të besueshme; iii) radikalizmi i LSI ka për synim pengimin e hapjes së negociatave.

Këto tri teza janë “fake neës” të përpunuara në mënyrë makiavelike e gebelsiane nga Rama dhe zyrat e tij të dizinformimit. Janë të shpërndara dhe hedhura në media nga i gjithë grupimi i “gazetarëve e opinionistëve” të medias klienteliste që mbahet me paratë e korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve. Kanë për shënjestër qytetarët vendas dhe ndërkombëtarët që ndodhen jashtë Shqipërisë dhe ata në Tiranë. Kërkojnë të pengojnë veprimin dhe reagimin protestues opozitar përmes mashtrimeve, gënjështrave e sajesave. Ato janë në shumicën e rasteve diversive por edhe kërcënuese. Opozitës i duhet të angazhohet seriozisht edhe në aspektin e menaxhimit të kësaj propagande të tmerrshme. Sigurisht pa neglizhuar edhe veprimtarinë e brendshme partiake për të krijuar ekipet e besueshme në sytë e publikut, për të kryer organizimin e duhur në funksion të rritjes së efikasitetit të veprimit opozitar dhe për të ndërtuar një strategji e kryer veprime në funksion të rritjes së besimit të qytetarëve te alternativa opozitare.

Syri.net /15 janar 2018

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco