Kërcënimi i Trumpit me butonin bërthamor ishte strategjikisht gjenial

Kërcënimi i Trumpit me butonin bërthamor ishte strategjikisht gjenial

Nga Marc Thiessen - 14/01/2018

Kur Presidenti tha se nuk e përjashtonte një luftë të kufizuar bërthamore me kundërshtarin komunist, kritikët u “tmerruan” dhe u “skandalizuan”ndërsa regjimi i quajti fjalët e tij “marrëzi e rrezikshme”.

Presidenti në fjalë nuk ishte Donald Trump. Ishte Ronald Reagan, i cili, në vitin e parë në Shtëpinë e Bardhë e pa të mundshme që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik t’i mbijetonin një shkëmbimi goditjesh me armë taktike bërthamore. Në të njëjtin vit, Richard Pipes, drejtori për çështjet sovjetike dhe evropiano-lindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha për Washington Post mundësia e luftës bërthamore, sipas mendimit të tij, ishte rreth 40 përqind. Këto vërejtje i dërguan një sinjal Moskës se Reagan nuk ishte si paraardhësit e tij. Ai nuk donte luftë, por nuk do t’i druhej asaj nëse e provokonin.

Mesazhi u mor. Më 1981, shefi i atëhershëm i KGB-së dhe lideri i ardhshëm sovjetik, Juri Andropov, deklaroi në një konferencë të rëndësishme të KGB-së se Reagan “por përgatitej në mënyrë aktive për luftë dhe se një goditje bërthamore ishte e mundur”. Dy vjet më pas, Margaret Thatcher zbuloi informacione të marra nga Koloneli i KGB-së Oleg Gordijevski (i cili punonte për britanikët) se zyrtarët u bindën përherë e më tepër se Reagan po përgatitej për të goditur i pari me raketë bërthamore dhe po stërvitej për këtë. Në fakt, NATO bëri vërtet manovra për luftë bërthamore — “Able Archer 83” — të cilat përfshinin aeroplanë që lëviznin në pistë me mbushje bërthamore falso. Përsëri, Reagan nuk i zhgënjeu rusët në besimin e tyre. Krejt e kundërta: Një vit më pas ai bëri shaka teksa provonte mikrofonin para fjalimit të përjavshëm në radio “fillojmë bombardimin për pesë minuta”. Besimi i udhëheqësve sovjetikë se Reagan mund të ishte aq i çmendur sa të shtypte butonin bërthamor diktoi sjelljen e sovjetikëve dhe ndihmoi në mundësimin e fundit paqësor të Luftës së Ftohtë.

Tani Trump po përpiqet t’i dërgojë një mesazh të ngjashëm regjimit të Koresë së Veriut. Tweet-i i tij i fundit që i bëri të ditur Phenianit se butoni i tij bërthamor është “shumë më i madh e më i fuqishëm” se i Kimit nuk ishte as i paqëndrueshëm dhe as budallallëk. Përkundrazi, ishte pjesë e një fushate të qëllimshme që synon t’i tregojë Koresë së Veriut që Trump, ndryshe nga paraardhësit e tij, është gati të përdorë forcën për ta ndaluar Phenianin të kërcënojë qytetet amerikane.

Për dekada, koreano-veriorët kanë besuar se janë të paprekshëm, përshkak se mund ta bëjnë hi Seulin me armë konvencionale. Tani janë në rrugën e zhvillimit të aftësive për shkrumbimin e qyteteve amerikane me armë bërthamore. Ata mendojnë se zotërimi i këtyre armëve i bën më të sigurt. Trump po përpiqet t’i bindë se e kundërta është e vërtetë. Shansi më i mirë për të parandaluar përdorimin e një force të tillë është që Koreja e Veriut të marrë e ta besojë këtë mesazh. Ndaj bëjmë mirë të shpresojmë që Trump të ketë sukses.

Në “Fox News Sunday,” Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, nënvizoi mesazhin e Trumpit duke deklarua se “ne duam që regjimi të kuptojë se, ndryshe nga më parë, ne kemi synimin ta zgjidhim këtë dhe kemi bindjen e fortë se zgjidhja diplomatike është përgjigjja e duhur, por kjo administratë është e përgatitur të bëjë atë që duhet që njerëzit në Los Angeles, Denver, New York të mos jenë të rrezikuar ngaqë Kim ka një armë bërthamore”.

Edhe të gjithë ata në makinën e përhershme të zemërimit që e quajnë Trumpin “të marrë” për postimet në Twitter pa dashje e ndihmojnë në dërgimin e këtij mesazhi Phenianit, ashtu si kritikët e Reaganit ndihmuan në bindjen e Mokës që ai ishte i çmendur.

A po luan blofin Trump me kërcënimet për aksione ushtarake? Jo. Siç e ka shpjeguar së fundmi këshilltari i sigurisë kombëtare H.R. McMaster, Trump “nuk do ta lejojë këtë regjim rebel vrasës të kërcënojë Shtetet e Bashkuara me amërn më shkatërrimtare të planetit”.

Trump postoi në gusht se “zgjidhjet ushtarake tashmë janë plotësisht gati e (armët) të mbushura, në rast se Koreja e Veriut vepron pa u menduar. Shpresoj që Kim Jong Un të ndjekë tjetër rrugë”.

Kjo nuk do të thotë luftë bërthamore. Nëse Korea e Veriut vazhdon me testimet, mund të ndërmerret ndonjë goditje me raketa për të shkatërruar uzinat bërthamore të Phenianit. Për më tepër, siç vë në dukje kolagia ime në American Enterprise Institute, Oriana Skylar Mastro, “Kim e kupton që një luftë e dytë koreane do të përfundonte me përmbysjen e tij ndaj ai e ka arsyen për ta shmangur një përshkallëzim të tillë. Duke supozuar se Kimi është racional, do të ishte e mundur një goditje e limituar kirurgjike nga SHBA dhe përgjigja e Koresë do të ishte minimale”.

Tweet-et e Trumpit synojnë që të parandalojnë vajtjen deri në atë pikë. Ato nuk janë vetëm krejtësisht racionale, por edhe strategjikisht të zgjuara. Le të shpresojmë që kritikët e tij të vazhdojnë të vënë në pikëpyetje shëndetin e tij mendor, sepse kjo vetëm ndihmon që Kim ta kuptojë që Trump e ka seriozisht.

Marrë nga Washington Post-Përgatiti Syri.net

*Marc Thiessen ka shërbyer si shkruajtësi kryesor i fjalimeve të Presidentit George W. Bush dhe Sekretarit të Mbrojtjes Donald Rumsfeld

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco