Rama me mediat, bilanci i luftës

Rama me mediat, bilanci i luftës

Nga Enton Abilekaj - 13/01/2018

E bëri prapë nga Lezha. Mediat prapë u habitën me insistimin e Kryeministrit për të injoruar apo fyer mediat. Një luftë konstante, e përditshme, nga e cila nuk tërhiqet, megjithëse e detyron të duket herë si Don Kishot e herë si Putin, Erdogan, Alijev e diktarorë të tjerë modernë. Është lufta e një njeriu që ka zgjedhur të heqë filtrin në komunikimin me publikun, që nuk dëshiron të verifikohet në gënjeshtër, që nuk pranon të kundërshtohet në lajthitje, që nuk pranon të ekspozohet në dështim. Duke sulmuar median si ndërmjetës dhe duke zgjedhur rrjetet sociale për komunikim direkt me publikun, shumëkush i ka dhënë të drejtë, e ka quajtur fitues, vecanërisht pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Por a ka fituar Rama me mediat? A quhet beteja e fituar e tij me kundërshtarët politikë, median e lirë dhe opinionin publik, fitore e autokratit ndaj demokracisë duke përdorur vetëm demagogjinë?

Është një betejë e pabarabartë, që nuk po zhvillohet vetem në Shqipëri, nuk po zhvillohet vetëm në Lindje, sot po ndodh edhe në Perëndim. Politikanë, demagogë me tendenca autokratike, që duan të përfitojnë dhe kanë arritur të përfitojnë nga teknologjia e re, komunikimi direkt nëpërmjet rrjeteve sociale, për të dalë nga kontrolli i mediave. Populli që zgjedh autokratët dhe demagogët në vend të mediave. Nuk është superioritet i fituesit, beteja është e pabarabartë. Media ka mission të vërtetë, demagogët promovojnë gënjeshtërn, kur e vërteta është e hidhur, njereëzit zgjedhin gënjshtrën e bukur. Nëse Rama propagandon bërjen e Shtetit, me masa dhe gjuhë populiste, nëse Rama propagandon “policinë që duam” duke ekspozuar vajzat elegante me uniforma blu, nëse thotë se Shqipëria po lulëzon nga rilidnja urbane me blloqe betoni të konturuara me pak gjelbërim, ky ushqim propagandistik është shumë më i mirë se e vërteta. Ato pak media që flasin për Shtetin – fasadë, për aksione të dështuara që godasin vetëm të pambrojturit, për reformat e dështuara që favorizojnë vetëm oligarkët, për policinë që bashkëpunon dhe ndonjëherë thjesht punon për krimin, për pyjet e betonit që zëvendësojnë gjelbërimin në emër të rilindjes Urbane, për korrupsionin e paprecedentë të Rilindjes Urbane të prokuruar në mënyrë të drejtpërdrejtë nëpër duar klientësh, duket sikur nxijnë të vërtetën.

Është lufta e pabarabartë mes imazhit të rremë dhe realitetit, mes demagogjisë dhe të vërtetës. Nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Në SHBA ku media është më e fortë, ku shoqëria civile dhe elitat demokratike janë të konsoliduara, kur reagimi qytetar është i jashtëzakonshëm dhe e bëjnë vendin të quhet qendra e demokracisë, demagogjia fitoi mbi të vërtetën. Premtimet për “ta bërë Amerikën të madhe sërish”, për miliarda dollarë investime në ifrastrukturë, për kthimin e dhjetra milionë vendeve të punës në vend, duke kthyer kompanitë e mëdha, fituan mbi realizmin. Britania doli nga Bashkimi Europian me premtimet për largimin e emrigrantëve komunitarë dhe ekstrakomunitarë që linin pa punë anglezët, me rifitimin e sovranitetit që i ishte dorëzuar Brukselit. Teza që fituan ndaj paralajmërimeve izolimin ekonomik dhe rënien e vlerës së monedhës.

Demagogjia populiste i ka fituar betejat e para me të vërtetën, edhe në vitet ’30 të shekullit XX, kur nazistët premtuar ringritjen e Gjermanisë. Kur mediat u zëvendësuan nga mjetet e propagandës. Kur, ndërsa humbisnin luftën, gjermanët kënaqeshin duke parë nëpër kinema fitoret e ushtrisë SS dhe, vetëm pak ditë më vonë, panë me sytë e tyre ushtritë Aleate nga Perëndimi dhe Ushtrinë e Kuqe nga Lindja që marshonin deri në Berlin. Demagogjia ishte fshehur nëpër bunkere, për t’u arratisur në panic, apo për tu djegur në dëshpërim. Realiteti ishte në rrugë. Kështu po ndodh sot në Shqipëri. Ata që kënaqen nëpër ekranet e shitur me betejat e fituara të “Policisë që Duam” me hashashin, panë më në fund që vendi ishte plantacion hashashi dhe punonjësit e policisë, nga roja i komisariatit deri tek drejtuesi më i lartë, ishin punëtorë të drogës. Ata që po kënaqeshin me filmat e gatshëm të Erjon Veliajt për Tiranën e gjelbëruar dhe mijëra pemët e mbjella, po shohin sot se si prishet këndi historik i lodrave në Tiranë, se si kafshohet parku i Liqenit cdo orë, se si fushat bëhen beton se si edhe cepat e mbetur të lagjeve po bëhen pallate, ndërsa pluhuri mbush mushkëritë dhe jeta i dorëzohet ndotjes që prodhon pisllëku i korrupsionit. Mjetet e propagandës janë ende të forta, demagogjia po mbahet ende në këmbë, por e vërteta po shkon nëpër shtëpitë e njerëzve si pluhur ndërtimi, si tym hashashi. Tani është koha kur e vërteta po u jep të drejtë mediave të lira dhe Rama po i humbet betejat e fundit për të humbur luftën. i shan mediat cdo ditë, pa shpresën për të fituar. Ka humbur tashmë, por kërkon një fajtor.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ola13/01/2018 20:26

Kur e vërteta është e hidhur, njerëzit zgjedhin gënjeshtrën e bukur, por e vërteta po shkon nëpër shtëpitë e njerëzve si pluhur ndërtimi, si tym hashashi.
Shume e bukur, edhe pse rrenqethese!

sonja 13/01/2018 19:31

perse nuk e publikoni komentin e bere me pare, apo ne mbrojteje te Rames dhe ju.

Sonja 13/01/2018 18:50

Nuk eshte e vertet qe Rama po bene lufte me mediat. Mediat jane te blera dhe te kontrolluara nga Rama totalish. Ato qe bene Rama nuk jane lufte me mediat, eshte shou per te mbuluar te verteten. Gazetaret nuk kane asgje ne dore, ata jane te punsuar dhe do te bejne cfare u dikton shefi i tyre qe eshte ne xhepin e Rames. Ne po shohim qe mediat jane te programuara per te mos ndjekur problemet reale, per te mos i bere lajmet goditese ndaj qeverrisjes, gjitheshka nje tymnaj. Te gjitha mediat jane te blera, bile edhe opozita eshte e blere dhe po bene lojen e Rames.

Shto koment

Denonco