Të pathënat e ‘Hakiut të Tahirit’ dhe ‘Çakos së Ramës’

Të pathënat e ‘Hakiut të Tahirit’ dhe ‘Çakos së Ramës’

Nga Poli Hoxha - 09/01/2018

Në një prononcim të fundit për mediat pas daljes së lajmit për lirimin nga detyra, ish- drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako deklaroi i qetë se; “nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme, çdo fillim e ka një fund”.

Kjo retorikë në pamje të parë duket normale nëse mendon se pas asaj që ka ndodhur me kanabisimin e vendit, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është në të drejtën e tij të punojë me një ekip të ri ku “kapiteni”, pra drejtori i Përgjithshëm, të jetë të paktën një “fytyrë e re”.

Xhafaj shumë shpejt është shndërruar në shpresën e madhe të Edi Ramës për të hequr njollën ndërkombëtare, që i gdhendi në ballë Rilindjes Saimir Tahiri me kanabisimin e vendit nga njëra anë, si dhe njëkohësisht të lajë duar e tija, të zhytura që në gjenezë të kësaj afere gjigante kriminale.

 Në çdo dalje këtu dhe nëpër Europë, Rama ka nisur të artikulojë fortë transformimin e ngjyrës së hartës së Shqipërisë; nga ekstremisht jeshile,  në zero kultivim të kanabisit. Por kur të vijë dita që ta shpallë si fitore të madhe këtë bilanc, do ti duhet që të bëjë kontrastin; krahasimin e kohës së Tahirit, me atë të Xhafajt.

 Imagjinoni sërish në këtë pranverë, pallatin e Kongreseve të mbushur me policë nga gjithë vendi si në vitin 2015 kur linçohej Dritan Zagani pse kishte denoncuar Habilaj: Edi Ramën pompoz, po njësoj në krah të ambasadorëve Lu e Vlahutin, i cili tregon në ekranin e madh një hartë komplet jeshile të viteve 2015-2016 dhe një tjetër normale të 2017-2018-ës. A do të kishte kuptim, logjikë dhe besueshmëri, prania aty e Haki Çakos?

Çdo fillim e ka një fund- thotë Çako. Por fundi i tij në detyrën e lartë, nuk erdhi në logjikën e rrjedhës së ngjarjeve. Ky fund kishte ardhur disa herë më herët në kohë, por nuk u ekzekutua kurrë nga kryeministri Rama. Përse?

Le ti marrim në mënyrë sa më të koncentruar, (kjo është një histori `epike` të cilën, nuk ka analizë që ta shterojë) zhvillimet me radhë.

Hakiu i Tahirit

Haki Çako nuk ka qenë kurrë ndonjë figurë e spikatur në policinë shqiptare, përpara vitit 2013. Ata që e njohin mirë ndër dekada policinë e dinë që ai “shquhej” si një oficer i nivelit mesatar, “burrë i mirë”, por asgjë më shumë. Karriera e tij do të marrë një kthesë të madhe kur Saimir Tahiri e emëroi, në krye të bluve të Gjirokastrës.

Kjo përzgjedhje u bë ndërkohë që po përgatitej dhe pritej goditja ndaj oazit të Lazaratit, ku kultivohej dhe përpunohej në sasi të jashtëzakonshme kanabis “me licencë”.

Pas rënies së fshatit që ishte bërë hit botëror, euforia dhe fuqia e Saimir Tahirit kapi zenitin. Ai mori në dorë në mënyrë të jashtëligjshme, komplet strukturat e policisë së shtetit. Çdo emër, jo vetëm për drejtorët e rëndësishëm, por edhe për nivel shefash sektorësh, përzgjidhej nga ministri. Kjo gjë e lodhi shumë shpejt drejtorin e Përgjithshëm të Policisë në atë periudhë, Artan Didi. Kulmi ishte plasja e skandalit me mbrojtjen që ju bë ish-deputetit Mark Froku, duke mbajtur të fshehur një urdhër-arrest të Interpolit. Didi si një oficer karriere me edukim të egër ushtarak që vinte nga drejtimi i forcave RENEA kuptoi, se nëse vazhdohej kështu mund të kishte të njëjtin fat si paraardhësi i tij Veli Myftari, që me naivitet hodhi një firmë pas një urdhri politik-korruptiv për tenderin e pasaportave dhe përfundoi në burg vetëm për atë shkelje formale të ligjit. Vetëm për një firmë, sepse aferën me dhjetëra milion euro po e gëzojnë edhe sot të tjerë.

Kështu Didi iku mijëra kilometra larg, në SHBA, për ti hapur vendin Haki Çakos, i cili u tregua i gatshëm të nënshkruante çdo gjë që i kërkonte Saimir Tahiri dhe madje, edhe të futej në lojën e madhe të përgjimeve politike. 

Ndërkohë që prokuroria e hetonte dhe gjykata e kishte pezulluar për këtë skandal, Saimiri i mbështetur fort edhe nga Rama e mbrojti Hakiun  në mënyrën më të paprecedentë, duke sulmuar politikisht sistemin e drejtësisë. Ky stad i karrierës së tij do të ishte një tjetër fund normal, në një shtet ligjor. Por nuk ndodhi. Nuk bëhej fjalë thjesht për sekretet e përgjimeve politike, që posedonte Çako.

 Ndërkohë në terren kishte nisur realizimi i projektit, “Mbi 1 miliard”, nëpërmjet lazaratizimit të gjithë Shqipërisë, pavarësisht se oreksi u hap gjatë rrugës dhe shifra në fund shkoi disa fish. Skema tashmë e zbardhur ishte shumë e thjeshtë; Policia lejoi në këmbim të 20-30 përqindëshit fushë të lirë për organizatat kriminale, që të bënin atë që bënë. Këto nga ana tjetër do të investoheshin me burimet financiare dhe njerëzore në funksion të fitores së PS-së në zgjedhje; miliardat e kthyera mbrapsht në euro nga tregu i Europës, do të përdoreshin për ti dhënë frymë me investime në ndërtim dhe infrastrukturë, qeverisjes “Rama II”.

Duhet theksuar se në të gjithë këtë diagram, (me Tahirin, pa Saimirin), Haki Çako është protagonist dhe dëshmitar kyç.

Por pasi zullumi i kanabisimit të Shqipërisë u bë edhe çështje ndërkombëtare, kryeministri u detyrua që të largojë pak muaj përpara zgjedhjeve delfinin e tij, nga ministria e Brendshme. Fatmir Xhafaj i sapoemëruar e nisi me vrull retushimin e imazhit të policisë, përbaltur si kurrë më parë, por shumë shpejt do të zbulonte se gjërat nuk ishin aq të thjeshta.

Çako i Ramës

Kryeministri Rama pak kohë më parë deklaroi, se ai vetë personalisht kurrë nuk kishte komunikuar me asnjë drejtues policie në gjithë hierarkinë, në kohën që ministria e Brendshme drejtohej nga Saimir Tahiri. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë me ndonjë përjashtim, pasi nuk është ndonjë sekret se Saimir Tahiri ka qenë jo vetëm ministri më i besuar i tij, por edhe “konia” pa kushte e rritur politikisht po prej tij.

Fatmir Xhafaj për hir të së vërtetës, gjënë e parë që bëri kur mori detyrën ishte kërkesa ultimative drejtuar Ramës, për zëvendësimin e Haki Çakos; të paktën në funksion të fasadës. Fillimisht kryeministri ra dakord, por me kusht që kjo lëvizje të bëhej në marrëveshje me vetë Çakon dhe ai të jepte dorëheqjen, në mënyrën më të butë.

Xhafaj ja kërkoi këtë gjë drejtorit që i la peshqesh Tahiri, por ky refuzoi prerë. Në këto kushte kryeministri mbajti anën e Çakos. Më shumë se gjithçka tjetër, në atë kohë kishte në mendje zgjedhjet; timonin dhe gjithë tepsinë. Ky është edhe momenti, kur Fatmir Xhafaj gati e ndërpret komunikimin me drejtorin e Përgjithshëm.

Pas kësaj në lojë futet direkt Rama, i cili detyrohet ta lidh kabullin që përçonte situatën nga baza, direkt me drejtorin e Përgjithshëm.

 Pastaj papritur rrodhën zhvillimet, e marrëveshjes së 18 Prillit. Rama lëshoi çdo gjë, që deri në atë kohë dukej e pabesueshme. Edhe Fatmirin vetë, por Çakon jo dhe jo. Kështu ndodhi “çuditërisht”, pavarësisht se emri i tij kishte qenë nga opozita kusht i panegociueshëm dhe Lulzim Basha e dinte shumë mirë se fati i atyre zgjedhjeve varej më së shumti, nga organizatat kriminale që kishin kryer kanabisimin dhe që duhej të kthenin mbrapsht me vota cep më cep të Shqipërisë, “nderin e madh”.

Në skemën që përshkruam më lartë, kabulli ndërlidhej kështu; Polica në terren ku realizohej operacioni “Mbi 1 mliard, nga kanabisi”; Haki Çako; Saimir Tahir dhe fundi ose koka më saktë, te Edi Rama.

 Gjatë zgjedhjeve me ministër të Brendshëm të dërguarin e Bashës, Dritan Demiraj, Edi Rama policinë dhe gjithë ministrinë e Brendshme e kontrollonte dhe monitoronte, nëpërmjet Haki Çakos. Dhe në fakt nuk i doli keq, pas rezultati ishte i tillë sa që ka rrezik të ketë habitur, edhe Arben Ahmetajn dhe Damian Gjiknurin, të cilët i kanë mbushur mendjen se po të duan, mund të kapin edhe te 80 përqindëshin sa herë dhe kurdoherë, që  të bëhen zgjedhje.

Kështu gjatë fushatës elektorale, “Hakiu i Tahirit” u bë krejtësisht, “Çako i Ramës”.

 Një lidhje kjo e fortë më shumë se sa e mendon ndokush; e ngjizur në kohë të vështira me plot sekrete dhe që mbi të gjitha u kurorëzua me supersuksesin e timonit me gjithë tepsinë, krejtësisht për vete.

Pikërisht këtë fakt nuk e dinte krejtësisht mirë, Fatmir Xhafaj, pasi u rikthye në karrigen e ministrit të Brendshëm dhe habitej se si kryeministri nuk e lejonte ta shkarkonte “Hakiun e Saimirit”. Sidomos pas skandalit të Habilajt dhe shpalljes në kërkim të drejtorëve që po ai kishte emëruar e mbrojtur, derisa ja mbathën jashtë Shqipërisë.

Sekretet e asaj që ndodhën me kanabisimin e Shqipërisë; organizatorët; financimet; investimet që po bëhen gati, përveç Edi Ramës i dinë në hollësi Saimir Tahiri, Haki Çako dhe deri diku edhe Visho Ajazi. Ky i fundit është rehatuar si ambasador në Bruksel; Tahirit me pasaportë në xhep i është rikthyer gjumi dhe buzëqeshja, kurse `Çako i Ramës`, në pamje të parë po pret i qetë.

Çdo fillim e ka një fund-ju tha gazetarëve. Në fakt historia e vërtetë “epike” e kanabisimin të Shqipërisë, ende nuk ka nisur të tregohet e jo më të ndëshkohet!  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ajo10/01/2018 17:09

Perfekte ! Nuk ke cfare t'i shtosh.

Shto koment

Denonco