‘Barba Pilo’ ka vdekur, por ‘Barba Xhorxh’ është akoma gjallë!

‘Barba Pilo’ ka vdekur, por ‘Barba Xhorxh’ është akoma gjallë!

Nga Poli Hoxha - 12/12/2017

Për 3 ditë rresht që nga data 18 Korrik 2016 deri më datë 21, përpara Kuvendit të Shqipërisë shumë organizata të Shoqërisë Civile të organizuara nga Fondacioni Soros protestuan për zhbllokimin dhe votimin e Reformës në  Drejtësi. Në këto protesta u pa si protagonist edhe ambasadori i SHBA në Tiranë Donald Lu dhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin. Në vlagën e këtyre protestave plot 50 organizata joqeveritare nënshkruan edhe një peticion, drejtuar deputetëve dhe klasës politike.

“Të bindur se politika duhet t’i bindet vullnetit të qytetarëve, organizatat e shoqërisë civile do të vijojnë të ngrenë zërin, në mënyrë të pandalshme për të nxjerrë para përgjegjësisë politikanët shqiptarë për detyrat e tyre politike, institucionale dhe morale, në lidhje me zbatimin e ligjit të vettingut dhe integrimin europian”, shkruanin dhe përbetoheshin atëherë ata.

Sot pas më shumë se 18 muajve jemi në një situatë kaotike; bllokim të krijimit të institucioneve dhe veçanërisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mbi të gjitha një situatë shpërthyese politike. Në mënyrën më absurde në pamje të parë, përgjegjëse është pikërisht kjo e ashtuquajtur  Shoqëria Civile, e cila u përdor atëherë, për një mision të kundërt.

Por çfarë po ndodh?

Ndërkohë që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm, po skadonte me shpejtësi, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genc Gjonçaj, iu drejtua më 15 nëntor për herë të pestë Shoqërisë Civile, që të paraqiste urgjentisht pranë Avokatit të Popullit, kandidaturat për një vend në KLP. U dha edhe si afat i fundit i paraqitjes së kandidaturave;  data 30 Nëntor.

Për këtë arsye, Gjonçaj zhvilloi atëherë në ambientet e Kuvendit një takim me shoqata të Shoqërisë Civile, për të mësuar prej tyre arsyet e vërteta, “të ngurrimit” për të pasur anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

 Në atë takim, përfaqësuesit e Shoqërisë Civile u ankuan për kritere “të vështira” për kandidatët që duhet të shkojnë në KLP (nuk e bënë, kur Reforma në Drejtësi ishte ende draft), disa prej të cilave janë të pamundura për t’u përmbushur (koha që ka punuar si jurist), por edhe “frika” e përgojimit të kandidatit të tyre nga politika. Të dyja arsyet duken absurde. Por edhe nëse janë të vërteta, atëherë i bie që nuk do të kemi kurrë një kandidat prej tyre dhe ajo që duhet të bëjë shpejt Edi Rama është ndryshimi urgjent i ligjit dhe jo oferta pazaresh Lulzim Bashës.

Nga ana tjetër, ndërkohë që publikisht Kuvendi bënte të gjitha këto “përpjekje” për të nxitur Shoqërinë Civile që të zhbllokonte, KLP, përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve pa bujë dhe fshehtas opozitës i dërgojnë OBDAT dhe EURALIUS një kërkesë për dhënie opinioni, për mënyrën e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës, në rast të mos formimit të KLP-së.

 Vini re! Kjo ka ndodhur shumë më herët se 30 Nëntori, që përcaktonte edhe afatin e fundit për Shoqërinë Civile për të paraqitur në Kuvend kandidaturën e vet. Por datën 30 nëntor që jepte Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk e pritën, as  ekspertët e  OBDAT dhe EURALIUS.

Nëpërmjet një letre që tashmë është bërë mollë sherri për të dy krahët e politikës, publikuar në datë 21 Nëntor, ata “këshillojnë” që të zbatohet ligji dhe prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet sipas një neni tranzitor të ligjit për Prokurorinë, i cili thotë se Kuvendi cakton ( pra nuk zgjedh siç po bëjnë sot me shpejtësi) një prokuror me përvojë që të drejtojë, në kushtet kur KLP nuk është krijuar ende. Dhe kjo, me vetëm një grusht votash të mazhorancës.

 Por në këtë letër-opinion” të EURALIUS dhe OPDAT (Në thelb edhe këto misione janë tip organizatash jo qeveritare, me ekspertë të paguar nga SHBA dhe BE, për të dhënë asistencë ligjore në vendin tonë) që Rama e përdori si urdhër të SHBA dhe BE,  harrohet qëllimisht të thuhet se çfarë ndodh me shkeljen flagrante jo vetëm të frymës së Kushtetutës, por edhe të shumë neneve dhe ligjeve të saj në këtë rast.

Ish-shefit i Euralius, Rainer Deville, që mund të quhet edhe si “baba” i kësaj Reforme në Drejtësi që po fut ujë gjithandej ende pa u vënë në zbatim, rreth një muaj e gjysmë më parë deklaroi:

“Mund të themi që nuk e kemi më ne (ndërkombëtarët) frymën e reformave. Do duhet të shikoni se kush është personi që mund t’i çojë përpara reformat. Aktualisht mungon motori, për t’i çuar gjërat përpara”.

Pra motori ka  ngecur dhe gishti vihet te një person… Por kush është ky njeri kaq i fuqishëm në politikën shqiptare, që mund të bëjë motorin? Përveç Edi Ramës që ka një shumicë absolute në parlament dhe të gjithë po e shohin si  po e përdor në rastin konkret në Komisionin e Ligjeve, askush tjetër nuk ka ndonjë gjë në dorë.

Deville u largua nga misioni në mënyrë “misterioze”, por fryma që e karakterizoi mënyrën sesi u bë Reforma në Drejtësi nga ekspertët e OPDAPT dhe EURALIU duket qartë, që është ende  e njëjta dhe vjen nga i njëjti burim; ai që kontrollon Shoqërinë Civile në Shqipëri..

Ngërçi aktual që ka kapluar zgjedhjen e kryeprokurorit dhe që duket se po e kalon vendin në një krizë të thellë politike që të kujton periudhën përpara reformës nuk do të ishte kaq i fortë, nëse Shoqëria Civile do të angazhohej për të zënë vendet e saj në sistemin e ri të Drejtësisë, me po të njëjtin zell me të cilin protestonte për votimin e Kushtetutës së 21 Korrikut në vitin 2016.

Kishin 9 muaj afat që nga pranvera e vitit të kaluar, kur nisën thirrjet e para për kandidim për organizatat joqeveritare, por ato në një mënyrë që  tashmë po duket se ka qenë e ndërgjegjshme janë treguar në rastin më të mire, apatike në këtë drejtim. Por dyshimet janë të forta, se ky bllokim është i qëllimshëm dhe shumë fakte e tregojnë këtë. Kush po e luan lojën?

Ndiqni me vëmendje skemën:

Kemi në qendër Fondacionin Soros, i cili tashmë dihet që me donacione në miliona dollarë kontrollon shumicën e Shoqërisë Civile në vendin tonë; Po ky fondacion bëhet bashkautor në përpilimin e Reformës në Drejtësi brenda OPDAPT dhe EURALIUS; I bën presion opozitës dhe organizon me 50 shoqata, protesta për miratimin sa më të shpejtë të saj; Po kjo Shoqëri Civile për 9 muaj rresht deri sa digjen afatet, nuk jep një emër të saktë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë; Mazhoranca e Ramës (Sorosist i vetëshpallur) nxiton që të zgjedhë vetë prokurorin e ashtuquajtur të përkohshëm, edhe me “këshillën” e OPDAPT dhe EURALIUS; Edi Rama i bën ofertë Bashës, për të bërë së bashku një pazar për Prokurorin e Përgjithshëm dhe jo vetëm, duke tentuar kështu që ta bëjë atë bashkëpunëtor në vënien e shkelmit, të gjithë Kushtetutës së re të miratuar në mënyrë historike në unanimitet; Basha nuk pranon duke paraljmëruar ditë të vështira për politikën shqiptare nëse Rama nuk tërhiqet...

Pra papritur kthehemi në pikën zero. Palët të ngrira, në llogore lufte përball njëra tjetrës; gati njësoj si përpara 21 Korrikut të vitit 2016!

Nëse ju kujtohen, ato kohë ishin të arta për Edi Ramën; Nuk kishim çështje dite dhe kryelajm, as drogën që kishte mbuluar vendin, as korrupsionin dhe koncesionet grabitqare, as pastrimin e miliardave të kanabisit, as dështimi i qeverisjes së Rilindjes.

Atëherë kishim vetëm një kryeministër që “luftonte” me epizëm për Reformën në Drejtësi, edhe me Ilir Metën ortak në qeverisje. Ishte koha kur ai ishte kryekalorësi, që përfaqësonte ëndrrën historike të shqiptarëve dhe vringëllinte shpatën kundër opozitës, `që bën çdo gjë për ta ndalur dhe sabotuar...`.

Loja ka filluar! Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për një kryeprokuror të kontrolluar nga Rama, që mund të mbyllë e zvarrisë përkohësisht ca dosje të nxehta!

Ramën e ka marrë malli dhe e sheh si të vetmen varkë shpëtimi, kohën kur ai ishte luftëtari i madh për Reformën në Drejtësi dhe shqiptarët e shihnin në dritë të syrit.

E reja është, se tani në vitin 2017 kur duhen mbyllur zullumet e shumta kriminale të dala sheshit, jo vetëm të Tahirin, opozita nuk është vetëm “kundër” zbatimit të Reformës në Drejtësi, por edhe “sabotatore” e hapjes së negociatave mes Shqipërisë së Edi Ramës dhe BE-së së Mogerinit.

`Barba Pilo` ka vdekur, por `Barba Xhorxh` është akoma gjallë dhe i fortë; Këtu, në Bruksel dhe në Washington, po të doni!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp13/12/2017 09:30

z.FR,"Gjethet" i mer era, ndersa "Plepi"eshte nje peme me jete gjatesi te shkurter.Nese do isha njeri me pseudonime, nuk do shprehja mendime."Shoqerija Civile" eshte nje realitet.Nese nga nje instrument opozitarizmi ndaj qeverisjeve Ajo eshte kthyer ne nje bisht dhe ndihmese kryesisht e te majtes atehere ka deshtuar modeli.Njofjen dhe atributet "Shoqerise Civile" ja kane njohur te 140 deputetet e Parlamentit te Shqiperise me ndryshimet e fundit te Kushtetutes.Rrjeta e merimanges soroiste (Shoqerise Civile) eshte e shtrire gjere e gjate, poshte e larte ne te gjitha institucionet dhe vendimarrjet e rendesishme.Tashti qe luga eshte futur shume thelle alarmohemi.Futja e hundeve te Soros ne ndertimin e institucioneve demokratike eshte nje fenomen jo vetem shqiptar.Nese kjo eshte e demshme apo jo kete nuk mund ta theme se nuk di tjetren.Opozita, politikanet dhe intelektual te spikatur mund ti drejtohen Departamentit te Shtetit, per gjithe nderhyrjet ,pengesat dhe devijimin e Reformes ne Drejtesi sipas midese se mazhorances dhe interesave ngushtesisht te Edi Rames. e te z.Lu .Apo rrime bejme sehir derisa te agravohet situata dhe pastaj fajin nga nga Rama te Lu ta kerkojme te te gjithe partneret.Ose del ne proteste ."Shoqerija Civile" zevendesoji sindikatat si opozite ndaj qeverisjeve.Por edhe se si funksiononin sindikatat edhe kjo dihet.Ndaj mos te flasim si e ema e Zeqos nga maja e Plepit.

molla13/12/2017 01:58

Kategorise se krasnojve (te kuqve) nga tp. qe vazhdojne me pergjithesimin "klasa politike shqiptare", do ju kujtoja se ne nje shporte mund te gjesh molle te shendosha, ca te fishkura, ca pak te kalbura e te tjera teresisht te kalbura. Ai qe e ka mendjen ne vend, veprimin e pare qe ben, seleksionon te kalburat e i hedh ne plehra. Ato molle qe kane filluar te kalben, jua pret pjesen e demtuar e i ha. sebashku me mollet e vyshkura. Mollet e shendosha perpiqet ti ruaj ne vende te pershtateshme per ti konsumuar sa me gjate. Qe te besh njelloj te gjithe "klasen politike" shqiptare si molle te kalbura e ti hedhesh ne koshin e plehrave sebashku me mollet e shendosha, eshte nje marrezi e madhe se nuk e ka lluksin Shqiperia te importoje aliene per te bere politiken qe ju pelqen te kuqve. Meqe jemi tek shembulli i shportes se molles, te kujtoj o krasjot, se ndryshe nga koha e diktatures se kuqe ku shqiptaret kishin vetem nje shporte, nje parti, sot kane me dhjetra parti te majta e te djathta, kane me qindra politikane te rij te arsimuar e formuar ne shkollat me prestigjioze te perendimit, por kane edhe gjysmake te pa arsimuar, e akoma deri ish ministra te sigurimit te Dulles qe bejne ligjet ne parlament. Molla e kalbur, kalb mollen tjeter. Kriminelet e pandeshkuar te diktatures, inspirojne kriminelet e trafikantet e droges e prostitucionit. Nuk i fut dot ne nje shporte njelloj, edhe trafikantet. Ka trafikante qe e bejne kete krim te detyruar nga skamja, por ka edhe bose te mafies me lidhje te fuqishme.me qeveritaret, qe komandojne politiken. Te groposen separi mollet e kalbura qe po kuterbojne gjithe Shqiperine me eren e tyre te qelbur e jo te bejme thirrje per te groposur te gjitha frutet e te hame vetem bar per idealet e partise se kuqe.

Arber12/12/2017 20:14

Nuk e kuptoj perse qorollepseni ne gjera si "shoqeria Civile nuk nxjerr kandidate". Vete po thoni dhe te gjithe e dime qe ajo eshte thjeshte nje grusht njerezish qe paguhen nga Soros. Ata nuk jane nje entitet i zgjedhur nga populli me vote, por thjeshte ca sherbetore te Soros qe vetshpallen "shoqeri civile" dhe nuk kane asnje te drejte te perfaqesojne popullin. Si ka mundesi qe ti jepet e drejta te kete kandidat Xhorxh Soros per Kryeprokuror? A do te vije dita ti japim shkelmin ketij plehre me emrin Soros dhe sherbetoreve te tij, sic beri Hungaria? Per kete duhet folur si ta heqim qafe kete ndyresire e njerezit e tij nga Shqiperia e jo "e lagu se lagu".

FR12/12/2017 19:36

Shoku Krasasi, me pseudonim "Gjethja", "Plepi" a gjithë ç'mos, me popullin mund te tallni menderen sa te doni, po me njerezit qe dine te lexojne mos u lodhni kot. Kush eshte marre me keto pune, e di se te ne nuk ka "shoqeri civile te te dyja kraheve", por vec nje "shoqeri civile (=kopile)", e gjitha e vendosur ne nje krah, krejt si organizatat e masave ne kohe te Barba Pilos. Prandaj mos na e kendoni edhe ketu ate kengen "oj, oj, te gjithe njesoj" e mos na flisni per "klase politike", se ne armiqte e klases e dime qe kush llafos per "klase politike" eshte spiun i Sigurimit te rilindur te Shtetit.

krasasi tp12/12/2017 17:32

Nese "Shoqerija Civile "qe financohet dhe i diktohen axhendat nga Xh.Soros dhe z.Rama nuk paraqiti asnje kandidature per KLP , pse pjesa tjeter e "Shoqerise Civile" jashte ketij ndikimi nuk paraqiti kandidature?.A thua qe gjithe "Shoqerija Civile" nuk ka asnje kandidature qe ploteson kriteret .Apo te dy krahet e "Shoqerise Civile" komandohen nga te dy krahet e politikes dhe se gjithe "Shoqerija Civile" me porosi partije ka kontribuar ne sabotimin e KLP.Klasa politike shqiptare duhet ti jete borxhlli ambasadoreve ,respektivisht kancelarive perendimore qe po jua jep nje shans te dyte.Ne vend te Reformes ne Drejtesi ,Vetingut dhe SPAK dhe BKH po ju ofron marreveshje,kompromis dhe reforma midis mazhorances dhe opozites per integrim ne BE dhe kapercimin e ngercit institucional.Nderkombetaret sipas meje nuk duan ta ulin avionin ne pista te improvizuara si ato ne Divjake dhe ne Ishem por ngadal ne pista me te sigurta .PPP(partneritetit publik privat) duhet ti korespodoj nje PPP( prokuror i pergjithshem i perkohshem).Por te gjithe e kane te qarte qe si PPP i mazhorances dhe PP( Prokurori i Pergjithshem ) aktuali kane flejtur dhe do flene mbi dosje.Sa here qe ju ka interesuar , klasa politike e ka gjetur fjalen per ta ndryshuar Kushtetuten dhe sa here qe jua ka dashur interesi kane luajtur teater me qytetaret shqiptar.Une jam per kthimin e legjitimitetit te institucioneve te shtetit dhe kunder republikes ambasadoriale por me kushte qe te na mbushni mendjen qe politika shqiptare na qenka e zene rob nga diktati ambasadorial.Keto jane gjepura.Korrupsini ,lidhjet e dyshimta me faktor te tjere, lidhjet nepotike , pandeshkushmerija etj e kane identifikuar kete mazhorance dhe kete opozite si
bashke pergjegjese per mos zhvillim me ritmet e duhura.

Shto koment

Denonco