Lajmi i fundit

Ilir Meta deklaratë për mediat

Kur diktatura mund demokracinë!

Kur diktatura mund demokracinë!

Nga Hysni Gurra - 08/12/2017

Është e dhimbshme ta thuash këtë më datë 8 dhjetor. Por më gjykoni pasi të lexoni.

Mbrëmë më 7 dhjetor në një emision televiziv të mbrëmjes, moderatori Ylli Rakipi kishte në studio dy ish ministra bujqësie. Një nga diktatura dhe një nga liria! Tema: Përmbytja!

- E ndoqa me vëmendje debatin. Me keqardhje shumë të madhe konstatova se ish ministre e diktaturës kishte një epërsi të “tmerrshme” ndaj ministrit të kohës së lirisë gjatë debatit. Fliste për vepra madhore, pyllëzime masive, ngritje argjinaturash, pritash, kolektorësh, hidrovorësh etj, të gjitha ngritur nga zero. I quante vepra arti. Çfarë mund t’i kundërshtosh kur sheh se vepra të tilla, ngritur në kushte shumë më të vështira se sot, rezistojnë akoma edhe pse kanë kaluar  40-50 vite nga ndërtimi i tyre?

- Është fatkeqësi e tmerrshme të shohësh epërsinë e një sistemi totalitar ndaj atij të lirë pas 27-të viteve liri!

- Ndiej neveri për atë sistem. Por ndiej po aq neveri për çdo kënd që këto vite liri ka bërë të mundur që krahasimet tona dhe arritjet të mos mund të tejkalojnë atë sistem.

- Keqardhje që e them, por absolutisht Themie Thomai, ish ministre e e bujqësisë së diktaturës (jo më e mira e atij sistemi) ka një epërsi të tmerrshme ndaj gjithë ministrave të bujqësisë së 27-të viteve liri të marrë sëbashku!

Ne vigjilje të 8-të dhjetorit të 27-të të lirisë, Shqipëria pësoi një përmbytje apokaliptike.

U mbytën rrugët, u shembën urat, bagëtia, tokat bujqësore.

Si përherë, këto 27-të vite liri u zhvilluan emisione televizive, disa për të hedhur dritë dhe dhënë zgjidhje e disa të tjera për të përmbytur mendjet e opinionit publik. Njerëzit  në një shoqëri të lirë japin zgjidhje sipas mendjes së tyre, në një shoqëri totalitare japin zgjidhje sipas midesë së një personi.

Qeveria tha se përmbytja ishte më e vogël se dy vite më parë, gati gati po thoshte se këtë radhë jeni përmbytur më me kujdes. Ekspertët që nuk punojnë për qeverinë japin zgjidhje racionale. Ata që punojnë për qeverinë, që kanë edhe më shumë akses në media, e hedhin vallen sipas fyellit të qeverisë.

Shumëçka është thënë për këtë situatë e cila përsëritet e përsëritet vazhdimisht e vazhdimisht në Shqipëri.

Zgjidhjet dihen tashmë. Nuk ka mbetur gjë të shpikim ne!

Pyllëzim, prita malore dhe përgjatë rrjedhës së lumenjve, pastrim kanalesh, kolektorësht, rritje kapacitetesh të hidrovorëve...etj.

Nuk po detajoj shumë për këtë pjesë të ezauruar në detaje.

Nëse në këtë vend nuk zhduket korrupsioni dhe rritet profesionalizmi në administratën shtetërore gjithçka flitet është si të rrahësh ujë në hava kot.

Kryeministri ka dhënë EUREKA-n.

- Sigurimi i detyrueshëm për të përballuar kostot e dëmshpërblimeve financiare për të përmbyturit.

- Një pyetje: pse të paguaj unë për pulat e x fermeri në Fier p.sh?!

- Kush janë shkaqet e përmbytjeve, cilat janë fashat e familjeve që përmbyten?

- Ata që përmbyten në shumicë dërrmuese janë fshatarë të varfër, u përmbyteten 10 pula, një lopë, dy dynym tokë. Mund ta detyrosh një fermer të tillë të sigurohet?!

-  Ja po i pranojmë për një moment sigurimet. Ku të sigurohesh, në kompanitë e sigurimeve të cilat në Shqipëri funksionojnë si kartel?! A nuk kemi shembullin e makinave që veprojnë si monopol dhe a janë të paktë ata që kanë provuar në kurriz pas aksidentit se për çfarë sigurimi bëhet fjalë?

- Përse do ta detyrosh të sigurojë dhjetë pula, sepse ti si shtet vjedh paratë që duhet të pyllëzosh vendin, të pastrosh kanalet, kolektorët, hidrovorët, për këtë arsye duhet ta detyrosh të sigurohet?

- Ta vjedhësh dy herë, njëherë në buxhet dhe njëherë nëpërmjet karteleve të sigurimit, të cilat nuk kanë asnjë arsye në botë të të dëmshpërblejnë për shkaqe që varen plotësisht nga shteti?

- Shteti së pari duhet të eleminojë plotësisht shkaqet e përmbytjeve të cilat vijnë si pasojë e mosfunksionimit të plotë të tij. Më pas kryeministri mund të flasë për sigurim të detyrueshëm. Ky nuk është debat midis liberalësh dhe konservatorësh. Ky është debat midis një shteti të përgjegjshëm dhe një shteti të papërgjegjshëm.

Kemi 27-të vjet të lirë nga diktatura dhe me të ndenjura në ujë.

Dhe pas 27 vjetësh një ministre të diktaturës që vë me shpatulla pas murit një ministër të “demokracisë”!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

agroni08/12/2017 23:31

Ty Hysniu i Gurres mund ta urresh ate periudhe sa te lodhesh, por as qe nuk mund t'i afrohesh, si thote ajo fjala popullore, as te maja e thoit te gishtit te madh te kembes ne te gjitha drejtimet. Ne nje pike ke te drejte, qe keto 27 vite ti dhe te gjithe ata qe e urreni ate periudhe nuk keni arritur akoma qe t'i shkaterroni te gjitha ato qe u ndertuan ga populii ne ate "diktature". Turp per varferine intelektual dhe guximin qe e shfaqni ate lloj varferije.

Shto koment

Denonco