Lajmi i fundit

Rrezohet rekursi i Fredi Belerit për lejimin e betimit si kryebashkiak i Himarës

Kurthi i Kryeministrit ndaj opozitës

Kurthi i Kryeministrit ndaj opozitës

Nga Bujar Nishani - 07/12/2017

Rrugëtimi evropian e Shqipërisë është projekti i shekullit për shqiptarët. Megjithëse një Komb Evropian aq i vjetër sa vetë Evropa, shqiptarët janë luftuar, izoluar, u janë ngritur kurthe, janë përçarë, grabitur territore, lënë në varfëri, atrofizuar në raport me lirinë, civilizimin dhe kulturën perëndimore, historikisht.

Por, ky shekull ka nisur krejt ndryshe nga e shkuara për shqiptarët. Liria ekonomike është një mundësi për ta. Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqiptarët lëvizin të lirë pa viza në Evropë. Integrimi Evropian mbetet ëndrra ende e parealizuar e shqiptarëve, por e vetmja alternativë e tyre për të ardhmen.

Politikisht ky mund të jetë vetëm një proçes, një angazhim, një kontribut gjithëpërfshirës. Në këtë kontekst çdo iniciativë për angazhim gjithëpërfshirës ka sens mëse normal. Por thirrja formale e Kryeministrit të vendit ndaj opozitës për pakt për integrimin dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, më së pari ka nevojë për disa sqarime publike nga Kryeministri i vendit.

Së pari, pse u përjashtua dhe anatemua politikisht opozita nga takimi i fundit i Këshillit të Asociim Stabilizimit në Bruksel.

Së dyti, Kryeministri duhet të sqarojë për opinionin qëndrimin e tij politik më të fundit se Shqipëria mund të orientohet drejt Rusisë dhe Kinës nëse nuk hapen negociatat e BE me vendin. Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për opozitën e cila ka lindur në këtë vend dhe ka egzistuar si orientuese e Shqipërisë drejt perëndimit. Pa e sqaruar këtë pozicionim të ri politik të qeverisë aktuale, opozitës shqiptare do ti vihet në dyshim përkatësia, gjithashtu.

Proçesi i Prokurorit të Përgjithshëm kërkon veçse zbatimin korrekt të Kushtetutës.

Prokurorit të Përgjithshëm i ka mbaruar mandati. Më datën 8 dhjetor Prokurori aktual i Përgjithshëm nuk mund të hyjë më në zyrën e këtij institucioni. Ky moment kërkon zgjedhjen e një prokurori të ri. Ky proçes duhet të shkoj vetëm sipas përcaktimeve kushtetuese dhe jo dëshirës politike të Kryeministrit të vendit.

Kushtetuta e Shqipërisë Neni 179/13 citon “Deri në zgjedhjet parlamentare, që do mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit (94 vota). Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit (84 vota).” Kjo është Kushtetuta e Shqipërisë, e zeza mbi të bardhë, që nuk e lëviz as topi, as Kryeministri, as Parlamenti dhe asnjë përfaqësues ndërkombëtar. Eshtë e vërtetë që ka një artific (i njëanëshëm politikisht) në ligjin për prokurorinë. Por ka një hierarki juridike në çdo vend demokratik. Kushtetuta prevalon mbi çdo ligj. Kushtetuta është ligji themeltar që qëndron i pari në hierarkinë e tërësisë së legjislacionit të një shteti ligjor.

Nëse maxhoranca politike do ti qëndrojë nocionit të “prokurorit të përkohshëm”, referenca kushtetuese për këtë moment procedurial kërkon 94 vota në parlament. Nëse do referohet zgjedhja e tij me 84 vota duhet propozimi nga KLP. Parashikim tjetër kushtetues nuk ka. Kryeministri nuk ka asnjë tagër dhe asnjë hapësirë apo mundësi që Ai, të propozojë procedurën. Ndaj oferta e tij ndaj opozitës është thjesht një kurth për betejë të imazhit publik. Nëse opozita do të bjerë apo jo në këtë kurth të ngritur, mbetet për tu parë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

OPOPO08/12/2017 00:10

Opoziteka por tekne ne SHQIPERI nuk ka popull te ngritur politiko idellogjikisht te kuptoi politikat demokratike. Jemi popull socialist i dembelosur nga komunizmi, e aqe me keq sot kur pushtetin e kane trashegimtaret e katileve te ekonomise e te ndergjegjes se njerezve. Kush thote qe nuk ka soc-komuniste e ka zene gjumi.,Zhvillimi i kohes kerko revolucion politiko ekonomikme revolicion demokratik...

KUSTAQI07/12/2017 17:52

Edhe ketu keta KOstaqe te varfer mehderisht mundohen te futin kunja si kapo banda i tyre qe ka percare gjithe kombin.NEJSE.... Sqarimi ligjor i ish presidentit eshte informatk per te orientuar opinionet ne interpretime egzakte sipas kushtetutes, e c;far te keqe ka ketu? AAAA.... po sepse del zbuluar tentativa e politikanit lakuriq qe kemi ne krye per te uzurpuar tere pushtetet. Pergjigjen e Z BASHA e lexuam ,,,,SKA MARREVESHJE ME HIPOKRITET E PUSHTETIT...

Akili07/12/2017 17:10

Po pse, a ka sot opozite? Une nuk besoj. Po te kishte opozite kjo qeveri nuk rrinte ne kembe 24 ore. Rama duhet te falenderoje Bashen cdo ore te dites qe vazhdon te jete ne pushtet. Nuk ppo o ngre kurth, jo zoti Nishani. Rama po i jep mundesine qe ne syte e disa personave qe qe akoma besojne tek PD, Basha te njihet si Kryetar. Jo zoni Nishani. Nuk ka opozite sot. Basha eshte thjesht nje Lolo, ne duart e Rames.

Kosta07/12/2017 15:49

....dhe kurthet qe po i ngre, kreut te opozites, Nihani, per ti mare detyren.....

Shto koment

Denonco