Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Nëse do të ketë marrëveshje, bëni kujdes për….!

Nëse do të ketë marrëveshje, bëni kujdes për….!

Nga Kastriot Islami - 07/12/2017

Edi Rama për t’iu shmangur situatës së rëndë në të cilën ndodhet, po përpiqet të bëjë një “marrëveshje të re”. Ajo edhe mund të sugjerohet apo imponohet po ashtu si marrëveshja e 18 majit 2017. Për rrjedhojë përjashtimi i asaj apriori nuk do të ishte një ngjarje e sigurtë. Nëse ajo do të ndodhte, do të duhej të kiheshin parasysh tre momente. Së pari, “marrëveshja” do të duhet të jetë parimore, gjithpërfshirëse, institucionale dhe transparente. Së dyti, duhet të jetë vetëm për “rregullat e lojës së konkurrimit të ndershëm politik. Dhe së treti duhet, ndër të tjera, të fokusohet në tri piketa: i) reforma territoriale gjithëpërshirëse, ii) reforma e drejtësisë që siguron një drejtësi jashtë kontrollit politik për të ndëshkuar e shkatërruar lidhjet e politikës me krimin, korrupsionin dhe narkotrafiqet; iii) reforma zgjedhore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, pa blerje të votës, pa kërcënim të votuesve, pa përdorim të mjeteve administrative nga qeveria,  transparencë të financimit, e tjerë.

Konflikti politik është acaruar se janë prishur “rregullat e lojës së konkurrimit”…

Situata politike mbetet në thelb e tensionuar dhe konfliktuale. Kjo për shkak të një krize të thellë, të trashëguar e afatgjatë, morale, politike, ekonomike e sociale që herë, herë i shtohen edhe elementë kushtetues e ligjor. Arsyet janë të shumta, për më tepër që ajo është e mbarsur edhe me elementë emocionalë e psikologjikë.  Ajo rritet e komplikohet edhe për shkak të keqkomunikimit, të mungesës së kulturës demokratike e të dialogut por mbi të gjitha se në themel të saj qëndron beteja e ashpër për pushtet. Korrupsioni, lidhja e krimit me politikën dhe implikimi i “elitës politike” në hapësirën e trafiqeve, shoqëruar kjo edhe me një krizë ekonomike të eksportuar, e kanë bërë konfliktin politik edhe më të ashpër, madje ndonjëherë deri në kufijtë e asgjësimit të kundërshtarit, i cili konsiderohet armik për faktin e thjeshtë se fituesi i pushtetit përmes kapjes së shtetit siguron pasuri marramendëse. Dhe për të ruajtur pasuritë e paligjshme gjithnjë fituesi tenton të rrudhë a madje të eliminojë opozitën dhe kundërshtarët politikë, si jashtë ashtu edhe brenda kampit të vet, duke u orientuar drejt ndërtimit të një klientelë sektare përjashtuese e të gjithë atyre që janë jashtë saj dhe përfituese ekstremisht për të gjithë ata që ndodhen brenda saj. Konflikti arrin kulmin në ditën e zgjedhjeve që mendohet të fitohen me çdo çmim, duke blerë edhe votat edhe duke kërcënuar votuesit, dhe më tej pasi garantohet pushteti, fituesi shndërrohet në arrogant që mendon e vepron vetëm për pasuri dhe privilegje.  Konflikti është edhe më ashpër se janë prishur edhe “rregullat e lojës”.

Zgjedhjet e 2017 e thelluan krizën duke nxitur konfliktin politik

Zgjedhjet e kaluara të 2017 s’arritën t’i jepnin zgjidhje asnjë prej problemeve të trashëguara, madje i thelluan dhe komplikuan shumë prej tyre, duke krijuar perceptimin te shumica e qytetarëve se kriza e besimit po thellohet dhe shpresa për korrigjim po rrënohet.  Blerja e votës me paratë e korrupsionit dhe kërcënimi i votuesve përmes veprimit direkt apo indirekt të individëve me rekorde kriminale apo të lidhur me trafiqet e drogës, ishin dy dukuri cilësisht të reja që përcaktuan dimensionin e fitores për fituesin e vetëm kundër të gjithëve. Numri i individëve me rekorde kriminale si kandidatë për deputetë u zvogëlua formalisht, ndërkohë që ndikimi i tyre, i maskuar, ishte po aq i rëndësishëm sa më parë për përcaktimin e rezultatit zgjedhor. Përdorimi i parave të korrupsionit ishte përsëri në nivele shumë të larta, favorizuese për maxhorancën qeverisëse, e cila garantoi në këtë mënyrë e përmes tyre mandatet e nevojshme për qeverisjen e vendit e vetme, pra pa asnjë aleat. Mjetet administrative, punësimi në administratën publike, asistenca sociale, pensioni, u përdorën nga qeveria më shumë se më parë por në një formë më të maskuar. Të gjitha këto, të evidentuara edhe në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, dhanë të gjithë arsyet për ti cilësuar zgjedhjet jo legjtime dhe rezultatin zgjedhor të papranueshëm nga opozita. Ky moment do ta thellonte më shumë krizën politike dhe do të rriste konfliktin politik. Ndërkombëtarët duke qënë indiferent në shumicën e rasteve, por edhe në disa raste në anën e fituesit të zgjedhjeve, krijuan perceptimin te një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve se roli i tyre nuk ka mundësuar adresimin e krizës, madje disa prej tyre mendonin se kriza është thelluar edhe për shkak se një pjesë e tyre e vogël është e kompromentuar nga fituesit, për të heshtur ose për të legalizuar fitoren ilegjitime.

Çështja e kultivimit të kanabisit dhe narkotrafikut i “hodhi benzinë” krizës politike…

Kultivimi i kanabisit dhe trafiku i drogës ishte dhe mbetet një realitet që ka thelluar krizën politike e nxitur konfliktin politik, sepse ato kanë qenë faktor i rëndësishëm në tjetërsimin e votës, në pasurimin e paimagjinueshëm të kupolës drejtuese dhe për rrjedhojë në përcaktimin e rezultatit zgjedhor. Tentativat fillestare për të maskuar këtë dukuri por edhe më tej  propaganda antikanabis thjesht për të “larë duart si Ponc Pilati” apo veprimet për të pastruar paratë e fituara përmes projektit “1 miliardësh euro” apo ndërtimeve të kullave qiellgërvishtësve në bashkëpunim me klientelën oligarkike. Bërja publike e informacioneve nga shërbimet inteligjente partnere dhe autoritet e zbatimit të ligjit të vendeve fqinje, kanë bërë të mundur që publiku të  njihet me implikimin e zyrtarëve të lartë të shtetit e policisë në trafikun e kanabisit dhe me lidhjet e tyre me klane e familje mafioze që janë kapur në vendet fqinje për trafikun e drogës. Ky është një moment tjetër që ka shërbyer si “benzinë e hedhur” në situatën e zjarrtë politike duke nxitur edhe më shumë konfliktin politik.

Zgjidhjet e propozuara nga palët në konflikt…

Pyetja që shtrohet, jo për herë të parë, është: Si mund të dilet nga kjo situatë, nga ky rreth vicioz? Një përgjigje e ka dhënë opozita: largimi i Ramës si kryeministër, përndryshe situata do të përkeqësohet. Por në këtë rast mungon përgjigja që bëhet për këtë opsion: Si do të arrihet ky “objektiv” nga opozita? Me çfarë rruge? Dhe sa i mundshëm është realizimi i këtij “objektivi”, për më tepër që qytetarët duken të pashpresë e për rrjedhojë indiferentë e të painteresuar për tu bërë pjesë e arritjes së kësaj zgjidhjeje? Një përgjigje tjetër e ka dhënë me arrogancë Rama: Do të fitoj edhe zgjedhjet e 2019, edhe të 2021, madje duke ofenduar dhe u tallur me opozitën, të cilën e konsideron të dobët dhe të paaftë për ta hequr nga pushteti. Në realitet, zgjidhjet e propozuara nga palët, perceptohen nga publiku thjesht si retorikë apo shprehje verbale e emocionale opsionesh jorealiste.  Retorika që shoqëron në këtë rast konfliktin politik, veçse e komplikon gjetjen e zgjidhjes, për të mos thënë e thellon atë. Madje mund të thuhet se retorika, jo rrallë herë me një fjalor të papranueshëm e deri banal, e përplasjes mes palëve që më shumë monologojnë sesa dialogojnë apo debatojnë për daljen nga kjo gjendje ka shkaktuar lodhje e indiferentizëm te votuesit dhe qytetarët në përgjithësi. Prandaj edhe zgjidhja me pjesëmarrje të qytetarëve duket një opsion vështirësisht i realizueshëm për të mos thënë i parealizueshëm, sepse qytetarët s’janë ende të gatshëm të bëhen pjesë e lëvizjes për ndryshimin e gjendjes sepse kanë humbur besimin te politika dhe janë të lodhur prej saj, duke tentuar të gjejnë zgjidhjen individuale te emigrimi.

Vetëm marrëveshje për “rregullat e lojës së konkurrimit të ndershëm politik”!

Në asnjë rast gjatë 27 vjetëve, opsioni i konfliktit politik s’ka mundur të gjenerojë zgjidhje të përshtatshme afatgjatë, duke ndëshkuar më shumë opozitën por edhe maxhorancën sepse ka çuar në degradimin e situatës ekonomike dhe për rrjedhojë edhe rrënimin e gjendjes sociale të qytetarëve. Jo rrallë herë me presionin e ndërkombëtarëve janë arritur “marrëveshje” që më shumë kanë qënë “kompromise” jo transparente, “pazare” mes individësh, “zgjidhje” të paqëndrueshme, sa për të kaluar radhën. Në media këto ditë, flitet për një “marrëveshje të re” mes palëve, më konkretisht Rama po përpiqet të tërheqë opozitën në një “marrëveshje të re”?! Nëse ajo do të ndodhte, përsëris se do të duhej të kiheshin parasysh tre momente. Së pari, “marrëveshja” do të duhet të jetë parimore, gjithëpërfshirëse, institucionale dhe transparente. Së dyti, duhet të jetë vetëm për “rregullat e lojës së konkurrimit të ndershëm politik. Dhe së treti duhet, ndër të tjera, të fokusohet në tri piketa: i) reforma territoriale gjithëpërfshirëse, ii) reforma e drejtësisë që siguron një drejtësi jashtë kontrollit politik për të ndëshkuar e shkatërruar lidhjet e politikës me krimin, korrupsionin dhe narkotrafiqet; iii) reforma zgjedhore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, pa blerje të votës, pa kërcënim të votuesve, pa përdorim të mjeteve administrative nga qeveria,  transparencë të financimit, e tjerë. Nëse pranohen këto tri momente, atëherë mund të nisë debati për të, sepse debati për “rregullat e lojës së konkurrimit të ndershëm” s’do të thotë aspak pazar politik apo lëshim ndaj pushtetit. S’do të thotë aspak që opozita do të ndalë aksionin e saj politik e do të heshtë për çështjet madhore që ka ngritur. S’do të thotë aspak që çështjet që kanë krijuar këtë krizë të thellë të mbulohen e harrohen. Por do të thotë që zgjidhja e tyre e ndryshimi do të realizohen përmes “zgjedhjeve të lira e të ndershme” me “rregulla loje të gjithëpranuara”.

Tri piketat e “reformës” minimale për “rregullat e lojës së konkurimit të ndershëm politik”..

Tri piketat kryesore të një plani afatshkurtër vetëm për “rregullat e lojës së konkurrimit të ndershëm politik” që do të mund të përcaktoheshin larg zgjedhjeve dhe do të mund të testoheshin në zgjedhjet e ardhshme vendore do të mund të hapnin një perspektivë të re për të carë eventualisht rrethin vicioz të konfliktit politik afatgjatë. Dhe nëse zgjedhjet e ardhshme vendore do të ishin realisht të lira e të ndershme dhe rezultati do të ishte i gjithëpranuar, shanset për të dalë nga kriza përmes “rrugës së butë” do të ishin të konsiderueshme; koha e zhvillimit të tyre dhe krijimi i kushteve të barazisë në konkurrim për të gjithë palët do të ishin po ashtu pjesë e debatit të ardhshëm pas zgjedhjeve vendore dhe para zgjedhjeve të përgjithshme.

Piketa I: Shkatërrimi i lidhjes së politikës me krimin e narkotrafiqet.  Në këtë rast partitë politike duhet të shprehin qartas vullnetin dhe të mbajnë angazhimin për shkatërrimin real të lidhjes së politikës me krimin dhe narkotrafiqet. Ligji i dekriminalizimit është një bazë e mirë por i pamjaftueshëm për të eliminuar përfshirjen në listat e partive politike të kandidatëve me rekorde të dyshimta kriminale si dhe kandidatëve të propozuar e mbështetur prej tyre. Me vullnetin e  qartë  të të gjithë forcave politike, është e domosdoshme po ashtu të mos përfshihen në listat e partive, kandidatë me profil  “oligarkik” apo thënë ndryshe ata individë që zotërojnë pasuri të dyshimta,  të vendosura përmes përfitimeve apo privilegjeve nga privatizimet e pronës publike, nga koncesionet, nga lejet e ndërtimit apo licencat, apo përmes fitimit selektiv të tenderëve të fondeve publike nga pushteti qendror apo vendor.

Piketa e II: Largimi i politikanëve të shndërruar në oligarkë dhe të oligarkëve të futur në politikë. Realizimi i këtij objektivi të dytë lidhet ngushtësisht me krijimin e një sistemi të reformuar drejtësie, të pakapur nga asnjë forcë politike, profesional dhe të aftë për të goditur korrupsionin e nivelit të politikanë të lartë, lidhjet e krimit me politikën e trafikantët e drogës dhe të gjithë individët me pasuri të dyshimta, që janë futur në politikë përmes mekanizmave klientelistë. Thënë ndryshe, një drejtësi që do të ndëshkonte dhe largonte nga politika të gjithë politikanët e pasuruar përmes korrupsionit, përmes lidhjeve me krimin dhe përmes lidhjeve me narkotrafikantët, pavarësisht se cilës anë politike i përkasin, por edhe oligarkët e future në politikë përmes lidhjeve e favoreve klienteliste.

Piketa e III: Rishkimi i reformës territoriale, dixhitalizimi i zgjedhjeve, dhe transparencë e financimit të tyre. Në këtë rast bëhet fjalë për krijimin e kushteve “minimale” për zgjedhje vendore, të lira e të ndershme. Në këtë pikë është e rëndësishme të rishikohet reforma territoriale që ajo të gëzojë mbështetjen e të gjithë palëve. Po ashtu është shumë e rëndësishme që të diskutohen dhe të përcaktohen me mirëkuptim të gjithë elementët për kryerjen e votimit dhe/ose identifikimit dhe/ose numërimit elektronik. Në këtë aspekt duhet të përcaktohen rregulla të qarta e transparente për financimin e fushatës elektorale, përdorimin e mjeteve të administratës publike si dhe për mundësimin e paraqitjes së barabartë në media të të gjithë partive politike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco