Në 28 nëntor 1944, Shqipëria, nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri!

Në 28 nëntor 1944, Shqipëria, nga një pushtim i vjetër në një pushtim të ri!

Nga Sali Berisha - 05/12/2017

Data 28 nëntor 1944 mbahet si dita e çlirimit të Shqipërisë dhe, siç dihet, edhe sot vazhdon debati mbi saktësinë e datës së çlirimit, nëse kjo ka ndodhur me datë 28, për ç’ka ekzistojnë të gjitha provat se kjo ishte data e pranuar fillimisht. Personalisht jam dakord me historianët se dita e çlirimit, e tërheqjes së ushtrisë gjermane nga Shqipëria mund të ishte secila nga ditët, nga data 17 nëntor e tutje. Madje, me logjikën qesharake të largimit të gjermanit të fundit nga Shqipëria, kjo datë mund të ishte 2 apo 4 e më shumë dhjetor.

Por data 29 nëntor, siç pretendon e majta shqiptare, ka simbolikë anti-shqiptare, pasi përfaqëson datën e falsifikuar nga Enver Hoxha, ndonëse ai vet, jo vetëm që u instalua në krye të qeverisë së tij më datën 28 nëntor 1944,por edhe një vit më vonë ai festoi çlirimin po me datën 28 nëntor. Pra rëndësia e këtij debati qëndron në faktin se, Enver Hoxha falsifikoi edhe këtë datë, për ta njehësuar këtë festë jo me ditën e çlirimit por me festën kombëtare të Federatës së Jugosllavisë, pra me ditën e shpalljes së saj nga J. Broz Tito në Jajcë, më 29 nëntor të vitit 1943. Diktatori Hoxha falsifikoi datën e çlirimit në mënyrë që, pas bashkimit si Republikë e 7-të me Federatën Jugosllave, Shqipëria do të festonte edhe ajo më 29 nëntor, së bashku me republikat tjera, jo Jajcën por Çlirimin e saj.

Por në rast se për datën e çlirimit debati përsëritet çdo nëntor mjerisht, ende sot e kësaj dite jo pak shqiptarë dhe në tërësi e majta shqiptare, nuk janë ndalur dhe nuk ndalen dot në një aspekt tjetër themelor të kësaj date. Ata nuk janë ndalur në të vërtetën më të pamohueshme historike, se 28 nëntori i vitit 1944 shënoi jo vetëm çlirimin nga një pushtim i huaj, me saktë largimin e një pushtuesi të huaj nga Shqipëria por dhe zëvendësimin e atij pushtimi me një pushtim tjetër të huaj dhe me një pushtim të brendshëm pasi, në fronin e pushtetit në Tiranë, u ul një klikë terroriste shqiptaro-serbe me projekt kryesor zhdukjen e shtetit të pavarur të shqiptarëve.

Sot historianë dhe studiues, vendas dhe të huaj, me botimet e tyre serioze dhe të shumta, të bazuara në mijëra dokumente të arkivave të vendit, të aleatëve dhe vendeve të tjera, kanë rishkruar historinë në dritën e të vërtetave të pamohueshme historike. Ata, me veprat e tyre tejet të rëndësishme, kanë shkrirë si rrezet e diellit brymën, malin e lartë të falsifikimeve të historiografisë hoxhiste. Prandaj sot, bazuar në të vërtetat historike shkencore është koha për reflektim të thellë nga çdo shqiptar kudo që jeton, për historinë tonë në tërësi, si dhe në rastin konkret, edhe rreth kësaj date.

Studimet, botimet te historianëve shqiptar,seriozë e të lirë të këtij çerek shekulli, të bazuara në dokumente dhe raporte të kohës, kanë provuar në mënyrë shteruese se J. B. Tito dhe Partia Komuniste e Jugosllavisë, themeluan me dy qëllime kryesore me të dërguarit e tyre në nëntor të vitit 1941 në Tiranë, për interesa të serbomadhisë, Partinë Komuniste të Shqipërisë. Qëllimi i parë dhe më kryesor ishte krijimi i kalit të Trojës, pra i një partie dhe lëvizje jugosllave në Tiranë, të drejtuar dhe urdhëruar dhe përdorur prej tyre kundër çështjes shqiptare. Qëllimi i dytë ishte që, në zbatim të porosive të Kominternit pas sulmit nazist ndaj Bashkimit Sovjetik, kjo forcë dhe kjo lëvizje shqiptaro-serbe të mobilizonte shqiptarët në luftë kundër pushtuesve. Në këtë kontekst, është provuar se të deleguarit, komunistë serbo-malazez, shkruan programin e PKSH, pa iu referuar as dhe një herë Kosovës dhe çështjes shqiptare. Ata de facto vunë në krye të PKSH Miladin Popoviçin dhe emëruan rreth tij Enver Hoxhën dhe vasalët e tjerë. Ata, siç pohon dhe vet Tito, themeluan, udhëhoqën dhe urdhëruan këtë parti dhe njësitë e saj partizane, si parti dhe lëvizje jugosllave, gjatë gjithë luftës.

Tito dhe PKJ, me kalin e saj të Trojës PKSH në Tiranë, arriti me sukses të bllokojë bashkimin e shqiptarëve në Shqipëri dhe bashkimin e kombit shqiptar në tërësi, në luftën kundër pushtuesve. Ata, me ndihmën direkte të PKSH dhe Enver Hoxhës dhe shqiptarëve me origjinë nga Kosova, që u dërguan aty me mision si Fadil Hoxha etj, arritën të vendosin Kosovën nën vartësinë e PKJ, pavarësisht se Federata Jugosllave nuk ekzistonte.

Tito dhe PKJ, nëpërmjet lëvizjes së tyre jugosllave që themeluan në Tiranë, realizuan sa më sipër jo vetëm duke përjashtuar tërësisht çështjen kombëtare nga programi i PKSH, por dhe duke imponuar anulimin e menjëhershëm të Marrëveshjes së Mukjes, injorimin dhe asgjësimin e Marrëveshjes së Bujanit, dërgimin e brigadave dhe divizioneve partizane të Shqipërisë në Kosovë me pretekstin e çlirimit të saj nga gjermanët. Por në të vërtet ato hynë si pararojë e pushtimit të Kosovës nga divizionet serbo-malazeze dhe bashkautorë në vendosjen e saj në administrim ushtarak nga Tito dhe masakrat e mëdha ndaj shqiptarëve, si masakra e Tivarit etj.

Krahas këtyre, historianët dhe studiuesit kanë faktuar me dokumente se: udhëheqësit jugosllavë dhe vegla e tyre Enver Hoxha, pas shtatorit 1943 degraduan me qellim luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve në një luftë kryesisht vëllavrasëse civile dhe se PKSH, siç pranojnë unanimisht vet Enver Hoxha dhe udhëheqja e tjetër e kësaj partie në Plenumin e Dytë të Beratit, zbatoi gjatë luftës një vijë politike terroriste, pra veproi si një organizatë e tillë dhe se udhëheqja e saja kishte kryer,urdhëruar në dhjetëra e qindra raste akte të mirëfillta terroriste.

Këto studime, të bazuara në dokumente të panumërta, kanë provuar se serbët, Enver Hoxha dhe vasalët e tyre të tjerë shqiptarë në krye të ushtrisë partizane të Shqipërisë dhe Kosovës kryen gjatë luftës kundër pushtuesve, gjenocid dhe krime të rënda kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve.

Përveç këtyre, klika terroriste serbo shqiptare në krye të ushtrisë partizane dhunoi në Shqipëri në qindra e qindra raste konventat ndërkombëtare të Gjenevës, Hagës, për mbrojtjen e popullatës civile, robërve të luftës, të sëmurëve dhe të plagosurve të luftës, etj., etj.

E vërteta të detyron, thotë një fjalë latine, prandaj sot është në interes të çdo shqiptari, të raportit të tij me të vërtetën historike të kombit te vet të shtrojë pyetjen: A u çliruam vërtet ne shqiptarët, me datë 28 nëntor 1944?

Në përpjekjen për një përgjigje objektive të kësaj pyetje do të gjejmë? se e vërteta e çlirimit tonë, është një? medalje me dy faqe. Në njërën anë, është e vërtetë se, në raport me pushtimin gjerman, ne u çliruam pasi gjermanët, në humbje e sipër të luftës, u tërhoqën nga Shqipëria në nëntor të vitit 1944 dhe ne shqiptarët dolëm nga Lufta e Dytë Botërore të renditur në anën e aleatëve.

Po me 28 nëntor te vitit 1944, Enver Hoxha u instalua në Tiranë me qeverinë? e tij dhe mbajti fjalimin e gjatë të fitores. Gjatë kësaj lufte, flijuan jetën dhe rininë e tyre, mijëra djem dhe vajza, burra e gra të kombit tonë dhe, dhjetëra mijëra të tjerë luftuan me guxim, vendosmëri pushtuesit nazifashistë dhe renditën kështu Shqipërinë, në anën e drejtë të historisë. Nderimi për ata që flijuan jetën për idealet e lirisë do mbetet i përjetshëm. Gjaku dhe sakrifica e tyre qëndron në themele të lirisë tonë kombëtare. Sikundër i tillë do mbetet nderimi edhe për të gjithë ata që luftuan kundër pushtuesve për lirinë kombëtare dhe nuk u sollën gjatë luftës si kainë ndaj vëllezërve të tyre, nuk kryen akte terroriste, gjenocide dhe krime kundër njerëzimit. Ndërsa të gjithë autorët e akteve të tilla, për krimet e tyre monstruoze, kanë përfunduar dhe do të përfundojnë aty ku dhe e kanë vendin, në koshin e plehrave të historisë.

Me ketë rast dua të shtojë këtu se, këto të vërteta historike nuk mund të mohohen, pavarësisht nga manipulimet dhe falsifikimet monstruoze të luftës nga historianët hoxhistë, si rritja me disa herë i numrit të të rënëve, shpikja e betejave edhe të paqena, stërfryrja e humbjeve të shkaktuara armikut etj etj. Këto të vërteta për luftën partizane, nuk mund të mohohen as nga gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit që udhëheqja komuniste shqiptaro-sllave kreu gjatë luftës, madje nuk mund të mohohen as dhe nga karakteri vëllavrasës dhe civil që dominoi këtë luftë, pasi Enver Hoxha dhe klika e tij, për qëllime të pushtetit personal dhe i urdhëruar nga padronët e tij serb, i dhanë me qellim asaj pas shkelmimit nga ai të Marrëveshjes historike të Mukjes, në shtator të vitit 1943.

Këto të vërteta nuk mund të mohohen as dhe nga disa veçori të pamohueshme të pushtimit gjermane në Shqipëri apo mungesa e betejave frontale kundër tyre. Ato nuk mund të mohohen as dhe nga fakti së ushtritë? gjermane u tërhoqën vetë për qëllimet e tyre gjeo-strategjike, jo vetëm nga Shqipëria por edhe zona të tjera të rajonit.

Në idenë e saj, lufta kundër pushtuesve, ishte një luftë e drejtë.

Aleatët anglo-amerikanë kishin njohur, vlerësuar, mbështetur, financuar dhe furnizuar me armë, uniforma, ushqime, para,specialistë, ushtrinë partizane. Qeveritë e vendeve aleate kishin mirëpritur dhe përshëndetur që në fillim luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve. Në mënyrë të pamohueshme forcat partizane komuniste ishin dhe njësitë më të organizuara dhe më numerike në teatrin e luftës në Shqipëri. Por duhet thënë se kjo jo për shkak të mbështetjes së tyre të gjerë në popull, por para së gjithash për shkak të dobësive të pamohueshme dhe qëndrimeve kaotike të nacionalistëve shqiptarë. Është i drejtë dhe plotësisht i justifikuar, dhe mendoj unë i detyrueshëm, dënimi me ashpërsi i të gjitha qëndrimeve ç’njerëzore antikombëtare të klikës serbo-shqiptare që udhëhoqi luftën. Por, është tejet i gabuar mohimi i luftës, i gjakut të derdhur dhe sakrificave të mëdha që partizanët pavarësisht nga orientimi i tyre politik bënë për liri.

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se renditja në anën e drejtë të luftës së Dytë Botërore pati një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Kjo, jo vetëm për dinjitetin kombëtar të shqiptarëve por edhe për faktin se, me gjithë mbështetjen që aleatët i kishin dhënë luftës së popullit shqiptar kundër pushtuesve, ata, që në krye të herës kishin lënë të hapur, dhe këtu me sa duket nën ndikimin e Greqisë, çështjen e përcaktimit të kufijve të Shqipërisë. Sipas tyre, kufijtë e Shqipërisë do të caktoheshin pas luftës, në konferencën e Paqes. Këtu qëndron më shumë se në çdo drejtim tjetër dhe rëndësia e pamohueshme e renditjes së Shqipërisë në anën e aleatëve, pasi renditja në anën e kundërt, gjë për të cilën kishte edhe shqiptar që punonin, mund të shoqërohej me ndëshkime të rënda, si palë e humbur.

Por ana tjetër, ana e zezë e medaljes së datës së 28 nëntorit 1944, pra datës së Çlirimit, është se kjo datë, jo që nuk do të shënonte çlirimin e vërtetë të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por vetëm do të sillte zëvendësimin e pushtimit gjerman me specifikat e tij me pushtimin serb, jugosllav shumë herë më të rrezikshëm për vet ekzistencën e kombit shqiptar, si dhe vendosjen e diktaturës 46 vjeçare më të egër, më moniste, si pushtimi i brendshëm më barbar, që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë? e tyre. Kështu që, kjo ditë e nëntorit të vitit 1944, është edha dita e vendosjes së një pushtimi më të zi për shqiptarët. Këtu më poshtë do të ndalem shkurtimisht në vendosjen e pushtimit serb, jugosllav, pas 28 nëntorit të vitit 1944, në Shqipëri.

Ky zëvendësim i pushtimeve ndodhi sepse, në Tiranë, në pushtet do të vinte partia dhe ushtria e themeluar, e drejtuar dhe e udhëhequr nga serbët e PKJ dhe Tito, dhe vegla e tyre Enver Hoxha, të cilët pasi shitën Kosovën, kishin vendosur dhe punonin së bashku me Beogradin për projektin ogurzi e antikombëtar, aneksimin e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Jugosllavisë?.

At Zef Pëllumbi, dëshmitar i çlirimit të Shkodrës, shkruan në kryeveprën e tij “Rr’no vetëm me tregue” se: me datën 29 nëntor Shkodra u gdhi e mbushur me flamuj jugosllavë dhe se në këmbanoren e Katedrales së qytetit, flamuri shqiptar pa yll u zëvendësua nga një partizan me flamurin jugosllav. Pra, në qytetin e përjetshëm të shqiptarëve, si dëshmi tragjike e zëvendësimit të pushtimeve, flamuri i pushtuesit që iku u zëvendësua jo me flamurin kombëtar, por me flamurin e pushtuesit të ri. Kështu mjerisht, më 28 nëntor të vitit 1994, shqiptarët festuan çlirimin, lirinë, të mashtruar si kurrë më parë në historinë e tyre dhe, duke mos e kuptuar shumë prej tyre se,pikërisht këtë datë, ata hynë në një pushtim të ri. Më saktë ata brohoritën atë ditë një klikë shqiptaro-jugosllave me në krye Enver Hoxhën, që u instalua në pushtet me projektin makabër të asgjësimit të lirisë së tyre kombëtare, pavarësisë së Shqipërisë dhe aneksimin e saj si Republikë e 7-të në Federatën e Sllavëve të Jugut, armiqve shekullorë të kombit shqiptar.

Pas kësaj dite pra, 28 nëntorit 1944, instalimit në Tiranë të klikës shqiptaro-serbe të Enver Hoxhës, vendosjes nga ky i fundit i veriut të Shqipërisë dhe më pas edhe Kosovës nga Tito në pushtim dhe administrim ushtarak, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit në Shqipëri dhe në Kosovë, do të merrnin dhjetëra mijëra jetë të pafajshme, ose do të largonin nga vendi mbi qindra, mijëra shqiptarë. Me këtë dhunë dhe terror të egër ndaj shqiptarëve, Tito me vasalin e tij Enver Hoxha, me ushtritë e tyre partizane do të vazhdonin të ecnin me vendosmëri në zbatimin e doktrinës së Çubrilloviçit në Kosovë, por në një farë varanti te saj edhe në veriun e Shqipërisë. Ata manu militari do të zhduknin çdo pengesë në rrugën e aneksimit të plotë të Kosovës si krahinë e Republikës së Serbisë?, si dhe për asgjësimin e pavarësisë dhe bashkimin e Shqipërisë me Federatën e Sllavëve të Jugut, si Republikë e shtatë e saj.

Aneksimi i Shqipërisë nga Federata Jugosllave, ishte akti i fundit i tragjedisë së madhe që Josif Broz Tito, PKSH dhe Enver Hoxha, po realizonte ndaj shqiptarëve. Ky akt, vinte si kurorëzim i instalimit të kalit të Trojës në Tiranë, injorimit total gjatë luftës nga Enver Hoxha, të çështjes së Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, vendosjes së tyre në vartësi të PKJ dhe mbështetjes së plotë të pushtimit serb të tyre. Aneksimi i Shqipërisë si Republikë e 7-të e ish- Jugosllavisë?, ishte një? projekt i Titos dhe udhëheqjes jugosllave, që në vitet e luftës. Me përfshirjen e Shqipërisë si Republikë e 7-të e Federatës Jugosllave, përveç ëndrrës së vjetër të Serbisë, daljes së saj në Durrës, sipas tyre do të merrte një zgjidhje përfundimtare edhe problemi i shqiptarëve të Kosovës në kuadrin Federatës së Jugosllavisë. Madje, duket se për këtë projekt, ata kishin bindur edhe vetë Stalinin, i cili në takimin me Titon dhe delegacionin e tij në Moskë, i kishte porositur që të "gllabëronin Shqipërinë”. Në të vërtetë, në dokumentin e AVNOJ-it, në nëntor 1943, udhëheqja komuniste jugosllave, nuk ftoi fare përfaqësuesit e Kosovës dhe në kundërshtim me atë çka kishte premtuar, Kosovën e la si krahinë të Serbisë. Në këtë konferencë, Tito shpalli në letër Republikën Federative të Jugosllavisë dhe njësitë apo Republiklat e saj. Ai, në këtë dokument, kishte lenë të hapur mundësinë e pranimit në federatë të republikave të tjera, natyrisht pa cituar nominalisht Shqipërinë por duke vetëkuptuar, para së gjithash, atë.

Kështu që, pas datës 28 nëntor 1944, jo rastësisht por në funksion të zbatimit të projektit të aneksimit të Shqipërisë nga federata e Titos, në zyrat e pushtetit të ri në Tiranë, në të gjitha nivelet e tij në parti, qeveri, ushtri, polici, sigurim, arsim, tregti, ndërtim, miniera, etj., etj., do të vërshonin këshilltarët jugosllavë, vendim-marrësit e vërtetë të vendit. Jugosllavizimi me shpejtësi dhe në çdo qelizë i shtetit dhe shoqërisë shqiptare, ishte misioni i tyre më kryesor. Madje, autoritetet jugosllave me lejen e Hoxhës, do të instalonin në Shkodër, legalisht një seksion të shërbimit OZNA (shërbimit të fshehtë jugosllav, para ardhjes se UDB) që vepronte e ushtronte terror njëlloj si në Kosovë, i pavarur dhe me autoritet të plotë kundër qytetarëve shqiptarë në mbarë veriun e vendit. Ky seksion i OZNA-s, në mënyrë të pavarur nga autoritetet shqiptare, ndalonte, arrestonte, rrëmbente për në ish- Jugosllavi, madje edhe pushkatonte brenda territorit të Shqipërisë, qindra dhe qindra shqiptarë, të cilët i konsideronin anti-jugosllavë.

Në bashkëpunim të ngushtë me këshilltarët e Titos dhe me zell dhe entuziazëm të veçantë, udhëheqja komuniste e Shqipërisë, do të përfundonte dhe do të firmoste me shpejtësi të rrufeshme, që në muajin dhjetor të vitit 1944, Traktatin e Bashkëpunimit dhe Ndihmës së dyanshme midis Tiranës dhe Beogradit, si kuadër ligjore i paradhomë se bashkimit midis dy vendeve. Traktatin e firmosi vetë Marshalli Tito.

Të dy qeveritë, po në procesin e bashkimit të plotë të të dy vendeve, firmosën një seri marrëveshjesh të tjera për bashkimin ekonomik, doganor, monetar. Krejt ndryshe nga sa paraqitej më vonë nga historianët hoxhistë, Enver Hoxha, firmosi dhe pranoi që të dislokoheshin në Shqipëri divizione të ushtrisë Jugosllave. Ai pas kësaj, i propozon Titos, bashkimin e ushtrive me një Komandë dhe Shtatmadhëri të përbashkët, pra unifikimin e komandës ushtarake të të dy ushtrive.

Në sistemin arsimor të vendit, në të gjitha nivelet, serbishtja do të bëhej gjuha e detyruar. Të gjitha shkollat, klasat, sallat dhe oborret e tyre, buçisnin nga këngët dhe brohoritjet për Marshallin Tito, për bashkim vllazërimin me popujt e Jugosllavisë. Letrat, artet, muzika, folklori, prodhimet e tjera artistike jugosllave, do të mbushnin boshllëkun e krijuar me ndalimin e veprave letrare artistike të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, që nuk kishin mbështetur apo kishin kundërshtuar vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri. Enver Hoxha do të mbante fjalime në Kuç e gjetiu kundër Fishtës. Ai, në këto fjalime do të krahasonte gjeniun e epikës së letrave tona me Vladan Gjeorgjeviçin, ish-kryeministrin serb në vitin 1913, që kishte kryer masakrat më të mëdha ndaj shqiptarëve dhe ishte shprehur se “shqiptarët, janë njerëz primitivë”. Indipendentistët, ata që shpreheshin për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë shpalleshin si revanshistë.

Për klikën e Tiranës dielli tashmë lindte nga Beogradi!

Ekonomia shqiptare u vendos e tëra në duart dhe kontrollin e dhjetëra e dhjetëra ndërmarrjeve jugosllave, që u krijuan me shpejtësi në Shqipëri. Të gjitha shkëmbimet tregtare bëheshin pothuaj ekskluzivisht me Beogradin. Vetëm në këto shkëmbime, midis të tjerash, Beogradi grabiste nga Shqipëria sasinë kolosale dhjetëra e dhjetëra tonelata flori, dhe mallra të tjera të cilat pushtetarë?t komunistë ua konfiskuan, me gjak e hekur, tregtarëve, sipërmarrësve, qytetarëve shqiptarë dhe morën si kundër vlerë punishte, vagonë, hekurishte të pa vlerë. Për Enver Hoxhën dhe suitën e tij kriminale antishqiptare, zhdukja nga harta e Shqipërisë së pavarur, bashkimi i saj me Federatën e Jugosllavisë si Republikë e 7-të e kësaj federate, ishte e ardhmja më e mirë, më e sigurt e kombit shqiptar.

Në kontekstin e aneksimit të Shqipërisë, asgjësimit të pavarësisë së saj, në mbledhjen e Byrosë Politike, të dt. 8 Janar 1945, Enver Hoxha si promotor kryesor i bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë, propozon “bashkimin e PKSH me PKJ, mbi baza federative, me Sekretar të Përgjithshëm për PKSH Marshallin Titon, si kusht i domosdoshëm i bashkimit të Shqipërisë me Federatën Jugosllave. Vendosmë?rinë e tij për zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj si Republikë e 7-të me Federatën Jugosllave, Enver Hoxha, do ta dëshmonte edhe nëpërmjet një letre te drejtuar Josif Broz Titos, lidhur me bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Në këtë letër, ndër të tjera, Enver Hoxha shkruan: “nga shoku Savo, na është sugjeruar ..... një hap tjetër përpara në lidhje me formimin e shteteve tona,d.m.th., në rast se shkohet sa më shpejt në bashkimin e dy popujve tanë”, dhe se vazhdon ai:"ky bashkim, s’ka asgjë formale, por ndihet thellë në zemrat e popullit tonë. Ne, duhet të punojmë konkretisht për Federatën dhe për këtë gjë, në vendin tonë punohet me të gjitha format”,

Më poshtë, Hoxha vazhdon: “ne kemi nevojë të na thuhet nga ju, nëse ka ardhur momenti kur neve duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit dhe të mbërrimë në konkluzione”, dhe së fundi “ne kemi bindjen se, sikundër Komiteti Central i Jugosllavisë do të na sqarojë dhe do të na këshillojë hapat dhe shoqërisht mbi këtë çështje të rëndësishme për të dy vendet tona”.

Po në këtë linjë është edhe deklarata e Titos dhënë agjencisë AP, në vitin 1946, se, “Kosova dhe territoret e tjera shqiptare do t’i aneksohen Shqipërisë”. Kjo deklaratë, është bërë vetëm e vetëm me projektin e “gllabërimit të Shqipërisë etnike” pra, Shqipërisë, Kosovës dhe territoreve të tjera shqiptare, si dhe shndërrimin e tyre në Republikën e 7-të të Jugosllavisë.

Ky projekt ogurzi, në të cilin ora e kombit shqiptar kishte ndaluar edhe ecte me orën e Beogradit, po shkonte i sigurt dhe pandalshëm drejt realizimit të tij. Ai do të dështonte vetëm për shkak të keqësimit dhe prishjes së shpejtë të marrëdhënieve midis Stalinit dhe Titos, prishje kjo që nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë apo marrëdhëniet shqiptaro- jugosllave, por që sigurisht, tashti Stalini nuk do të pranonte aneksimin nga armiku i tij Tito, të Shqipërisë.

Kështu që Shqiperia, de fakto e pushtuar nga jugosllavet nuk u shndërrua dot sipas projektit Tito -Enver në Republikë të 7-të të Jogosllavisë por kjo nuk ndryshon faktin se 28 nëntori 1944, dita që Enver Hoxha dhe qeveria e tij hyri triumfalisht në Tiranë është gjithashtu edhe dita e triumfit të serbëve, armiqve tanë shekullore mbi te gjithe shqiptaret. Në shekuj shqiptarët dhe serbët ishin përballur me dhjetëra e dhjetra herë. Nga mesi i viteve 1800 e këtej, serbët i kishin fituar në tërësi të gjitha luftërat kundër shqiptarëve, kishin dalë në Durrës dhe pushtuar shumicën e territoreve tona, kishin kryer gjenocide dhe masakrat më të tmerrshme ndaj nesh. Kishin arritur të bindin zotërit e kësaj toke se nuk ekzistonte komb shqiptar. Por, në të gjitha këto luftëra, serbët kishin patur ndihmën politike, ushtarake, financiare të perandorive më të mëdha të kohës, përveç Austro-Hungarisë. Kurse fitoren e tyre më të madhe qe nga koha e Car Dushanit ndaj kombit shqiptar, fitoren e 28 nëntorit të vitit 1994, serbët e arritën jo me mbështetjen dhe ndërhyrjen direkte në anën e tyre të fuqive të mëdha, por e realizuan nëpërmjet shqiptarëve, kalit të Trojës, lëvizjes jugosllave që themeluan dhe udhëhoqën në Shqipëri dhe Kosovë, me Enver Hoxhën dhe veglat e tyre ne Shqipëri, Fadil Hoxhën dhe vasalët e tjerë shqiptarë në Kosovë.

Me gjithë këto, e majta shqiptare e kryesuar nga Edi Rama mban ndaj kësaj dite qëndrim të njëjtë identik me atë të diktatorit stalinist Enver Hoxha.

Edi Rama, pinjoll i bllokmenëve hoxhist, 27 vite me parë thërriste dhe shkruante "Të sulmojmë bllokun”, “të nxjerrim jashtë ligjit PPSH”.

Sipas tij, “lufta lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjithshme civile”, “shkaktare e të cilës ishte PKSH, e drejtuar nga emisarë jugosllavë” dhe se kjo ndodhi,"për shkak të luftës për pushtet të gjeneral Enver Hoxha” dhe se “Partia Socialiste që ka dalë nga mitra e përgjakur e krimit të PPSH duhet të dalë jashtë ligji ose të rithemelohet”. Apo se "Kongresi i Përmetit ishte legjitimimi i diktaturës". Madje dhe se, “Për sa kohë PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo nuk mund të ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme”. Asokohe Edi Rama nuk kursente as të rënët për liri, ai shkruante se “gjaku i dëshmorëve është gjaku i rremë në themel të kolltukëve …".

Në këto konsiderata të Edi Ramës, 26 vite më parë ka të vërteta historike të pamohueshme. Por si për të faktuar hipokrizinë dhe fallsitetin, mjerimin e tij sapo do vinte në pushtet në vitin 2013, Edi Rama do festonte më 29 nëntor ditën e çlirimit i rrethuar nga portrete të Enver Hoxhës, dhe do t'i shpërndante ato pamje me rrjetin e tij social FB personal në mbarë botën.

Në një akt të vërtet antikombëtar, edhe sot, pas 70 vitesh, megjithëse ish-pushtuesit e para 28 nëntorit të vitit 1944 janë miqtë dhe partnerët tanë strategjikë ndër më kryesoret, Edi Rama mban ende si kryefestë të të majtës shqiptare ditën e largimit të gjermanit të fundit nga Shqipëria dhe ditën parë të pushtimit serb, dhe kjo vetëm e vetëm për të mbrojtur atë si trashëgiminë e etërve të saj barbarë, mizorë e tradhtarë. Madje Edi Rama, për t'i bërë karshillëk njëlloj si etërit e tij, ditës së pavarësisë dhe mbajtur gjallë si festë, i ka vendosur kësaj date mbrapa si mballomë edhe Natën e Bardhë.

Në këtë shkrim u ndala shkurtimisht vetëm në njërin aspekt tragjik që mbarte në vehte ajo që e majta shqiptare e feston si ditë çlirimi dhe që e kremton jo për të nderuar të rënët e luftës as dhe luftëtarët idealistë të saj, por për të mbrojtur terroristët, xhelatët, kliken serbo-shqiptare të Enver Hoxhës që u instalua në Tiranë më datën 28 nëntor të vitit 1944. Sikundër shtoj se nuk u ndala këtu në aspektin më katastrofal të kësaj date, si ditë e parë e vendosjes së diktaturës moniste më mizore të të gjitha kohërave në Shqipëri, diktaturës hoxhiste.

Duke përfunduar ftoj çdo shqiptar, që në dritën e të vërtetave të pakundërshtueshme të historisë dhe për hir të raportit me të vërtetën që duhet te këtë njeriu i qytetëruar te reflektojë rreth saj! Më mirë vonë se kurrë!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Arsimi -Prishtine06/12/2017 14:20

Ate qe i bere ti Shqiperise nuk kane munder t`ia beje askush. Ti e dogje ate e le pa ushtri,e le pa nder, i rrenove krenarine,i vrave djemte me te mire, ia arrestove ushtaret UCK-se,ti qe i fale detin dhe naften Greqise....Tash del e llomotit ti burre i shkines(Sllobodanke), ti mik i antishtqiptarit Fazlliq...., Ti horri i Shqiperisi dhe shqiptareve.

fery06/12/2017 10:17

Egzakte Sonja , 29 Nentori eshte Data e cila duhet te kujtohet si date okupimi e Shqipërisë andaj dhe ka rendesi te dihet.Ngase , E.Hoxha me 1944 dergoi ne Kosove brigaden e 5- te te ushtrise Shqiptare me komandant Ramzi Alia me qellim qe kjo brigade ti ua pamundesonte shqiptareve te Kosoves vete te cliroheshin nga nazistet ngase ,shqiptaret e Kosoves u derguan ne fronte tjera lufte ne jugosllavi sikur ne Srem. Shqiptaret e Kosoves ( mbi 8.000 ) ushtria jugosllave me 1945 i mobilizoi ne Prizren kurse kur arriten ne Tivar ( Mal te Zi ) ata mizorishte u pushkatim nga hordhite serbo-malazeze ( qe njihet si masakra e Tivarit dhe shume pak flitet per kete masaker ) kurse , ne mobilizimin e dhuneshem te tyre ishte bashkepjesemarres edhe E.Hoxha
Keshtu Sonja , po na dele se Jugosllavia na e paska clirue Kosoven ( atehere ishte pjese e Shqipërisë ) dhe se Shqipëria per kete sherbim ia dha peshqesh Titos Kosoven dhe 29 Nentorin si dite te clirimit te saje .Kjo Sonja ka edhe simboliken tjeter idioteske serbe sepse , sipas logjikes dhe mitologjise serbe , kjo do te thote se Shqipëria nuk cenka cliruar vete me forca te veta por , Shqiperine na e paskan cliruar jugosllavet andaj dhe si dite clirimi Shqipëria duhet te kete 29 Nentorin , diten e shpallejes se bashkimit te republikave jugosllave , me 29 Nentor 1943 ne Jajce te Bosnjes .Kjo pra Sonja eshte prapavija e 29 Nentorit, date te cilen per fat te keq kuqaloshet e Enverit dhe Titos ne Shqiperi po e kujtojme me nostalgji te papare dhe , pasi Enveri kishte nji mik shtepie Milladin Popoviqin , edhe Fatos Nano do ta kete mik Millisheviqin , edhe Sali Berisha do ta kete mik shtepie Damir Fazliqin , edhe Edi Rama do ta kete mik Goran Bregoviqin etj.etj. , e qe ne përkthim kjo do te thote se , tradita shqiptare per te patur nji mik serb vazhdon, sikur qe vazhdon edhe kujtimi i dates se 29 Nentorit si dite clirimi i Shqipërise , Sonja e nderuar

SRB05/12/2017 21:16

Dite e zeze jeni Ju Dhjetoristet, bande e organizuar dhe e dirigjuar nga PPSH! Po ti vrojtosh te gjithe nje nga nje, shumice jane femije oficeresh, femije sekretaresh partie, komunistesh te thekur dhe ne krye te tyre nje sek org baze te PPSH te shendetesise i quajtur Sali Rame Berisha! SRB ishte person i shtepise se bllokut!!! e kush ishte ne ate kohe hyresdales ne Bllok e din me se miri Gjenerata jone, ndersa rinia genjehet lehte sepse nuk ja kapen Imagjinata, sado inteligjente te jete!!! Ju e zhytet me thelle Shqiperine ne erresire, JUUUU JUUUU JJJUUUU SRB SALI RAME BERISHA!

Ka akoma05/12/2017 20:09

Fitorja me e madhe e demokracise eshte marja pjese e shokut ruci ne kongresin e partise republikane te amerikes.....

ArT05/12/2017 19:51

Doktor,

Komunistet na pushtuan me 29 Nentor 1944 dhe pas 1990 ti bere qe te na pushtojne perseri.

fery05/12/2017 18:31

Kurse , pase " ardhjes se demokracise " me 1990 , Shqipëria vazhdoi te jete e pushtuar dhe , eshte e pushtuar nga paseardhesit e mendesise dhe mbeturinat e everitese dhe titiste ngase , oligarket shqiptar vuajne akoma jane nostalgjik per "kohrat e arta" komuniste te qenit te pushtuar nga jugosllavet.Kete e tregojne ne veper dhe sjelljet qe tregojne pushtetaret shqiptar ne j edhepse po keta jugosllav ua morren Kosoven Shqipërisë dhe kunder popullit shqiptar te Kosoves perdoren metodat me c njerzore per 45 vite qe imagjinata e njeriut s mund te imagjinoj, politika e shtetit shqiptar per fat te keq " vdiq " per ti permirsuar dhe thelluar maredhenjet me Serbine te cilat kulmuan dhe dolen ne siperfaqe me ndermjetesimin e ambasadores kroate te BE ne Tirane Romana Vlahutin.
Ish Jugosllavia dje dhe , Serbia sot kane qene , jane dhe gjithmone do te jene armik me i madh i shqiptareve dhe deri sa shqiptaret veprojne perballe Serbise me logjiken " njeri thumbit , tjetri patkoit " pa i perfillur interesat gjitheshqiptare te kombit , shteti shqiptar para Serbise dhe para botes do te dalin qesharak , do te dalin popull infantil.Per ta shmangur kete perceptim negativ qe ishte Imponim jugosllav, shqiptaret fillimisht duhet deklasuar dhe hequr nga shqiptimi daten antishqiptare 29.Nentorin.Kjo eshte piknenisja , te tjerat do re vijne pase

BERISHA KRENARIA E KOMBIT05/12/2017 17:54

Mo po Zoti te ruajte Z Berisha, eshte tragjedi per neve bijte e shqipes qe na sunduan serbet me mashen e tyre Edver Peder Hoxha. Po domosdo, do verviten neper studio bijte e komunisteve shqiptaro-serbe. Neve gjithsesi duhet te ruajme gjakftohtesine dhe nuk duhet te biem ne gracken e tyre qe te hakmerremi mes nesh se per kete dite kane investuar serbet dhe greket. Veriu I shqiperise eshte thyer, mundur pergjate fitoreve kunder hordhive serbe por kurre nuk eshte nen-shtruar si ndodhi me falangat. Le te fuqizohet Kosova, shqiptaret e Maqedonise e te Malit Zi ne harmoni me Camet dhe pastaj te bejme gjyqin e drejte historik. Dua te denoj me perbuzje shtirjen e Pandeli Majkos (majkovicit) qe eshte nje shtires, maske dhe helmues I kombit tone tani. Mundet te kene shume njerez te ndryeshem mendime te ndryeshme por Une Kam timen. Dhe them keshtu se ky ka marre nje iniciative te pelqyeshme por nuk besohet aspak perderisa eshte nje paterice e Qeverie se pushteve, nuk ka denuar kurre krimet e makabre qe kane kryer partia e tij, babait tij etj. Nuk e krahasoj me Bushatin per shembull se ai eshte pro serb se Vitua I tij u puthte me vicet ne Beograd ndersa bijte me patriote te kesaj toke dhe kombit masakroheshin nga cetniket serbe me ndihmen dhe nen bajonetat e komunisteve shqiptare. Zoti ju ka dhene hakun deri tani. Hoxha lehte si qen vitet e fundit te jetes tij, Shehu u vra apo vrau veten si qen, Kapon e griu KANCERI,Hazbiu dhe shehu tjeter u vrane nga shoket e parties, Lleshi ngeli qorr gjithe jeten etj etj ejt. Lusim Zotin te ver dore mbi kete komb te vjeter dhe te nen-shtruar nga pisat.

P.P.SH05/12/2017 15:20

Pushtimi me i madh i shqiperise i erdhi nga pushtimi komunist.. Banditet e shiturtek Jugosllavet e tek TITO, shkaterruan anen morale te popullit tone , shkatrruan ekonomine, shkatrrun besimin ne zot . E transformuan njeriun ne robot partie te huliganeve komuniste. Ne shqiperi nuk ka historiane te sinqerte ekorekt me historine ,, por ka historiane partie, interpretues e kamuflues perpunues te historise. Cdo gje e vertete eshte shtemberuar ne Shqiperi.Keta qe kane perpunuar keqas historine duhen te nxirren jashte historise se paster SHQIPTARE.SHQIOERI eshte cliruar kur eshte cliruar TIRANA, sigjithe shtetet e tjera. Kete te pranojnekomunistet e rinj.

Sonja05/12/2017 15:19

E crendesi ka dita apo data e clirimit (nese do ta quanim dite clirimi ) z. Berisha. Perse i jepet kaq rendesi kesaj date. Kjo date nuk eshte clirimi i shqiperis, por okupimi i shqiperis nga diktatura komuniste, si e tille , ajo jo vetem qe nuk duhet te festohet, por duhet te kujtohet si 7 prilli, si dita me ogurzez e shqiperis.

Shto koment