Përmbytja që nxjerr Rilindjen lakuriq

Përmbytja që nxjerr Rilindjen lakuriq

Nga Namir Lapardhaja - 03/12/2017

Përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore nuk janë të reja në këtë vend. As të panjohura për vende më të zhvilluara dhe me kapacitete më të mëdha se ky i yni. Në këtë kuptim, përmbytje ka pasur, ka e do të ketë edhe në të ardhmen. Fajësimi për gjithçka i shtetit në situata përmbytjesh, nuk bën gjë tjetër veçse e amniston atë nga faji real që mund të ketë në raste specifike dhe të veçanta. Ndaj, analiza duhet bërë rast pas rasti, që të mos hidhet baltë kot nëse nuk është e nevojshme, të nxirren fajtorët në rastet konkrete dhe të përmirësohet puna atje ku duhet e ku mundet, për të shmangur përsëritjen në të ardhmen.

Natyrshëm që përmbytjen nuk e shkaktoi as Edi Rama, as Erjon Veliaj, as drejtues dhe eksponentë të tjerë të kësaj mazhorance. Për të mos përmendur pastaj personazhe qesharak të llojit të Taulant Ballës, i cili duke kërkuar fajësinë e përmbytjeve dhe reshjeve të shumta gishtin tregues e drejton në radhët e opozitës dhe të Lulzim Bashës.

Por padiskutim që shteti ka peshën e tij specifike të fajit dhe të përgjegjësisë, ndaj nuk mund të kalojë e gjithë kjo me retorikën e Kryeministrit Rama, i cili në çdo dalje të tij këto ditë po i mëshon mjaft dy elementeve: së pari, kjo situatë e krijuar është më e mirëmenaxhueshme se ajo e vitit 2015 dhe, së dyti, vitin tjetër nuk do të përsëritet më.

E para i ngjet asaj shprehjes “ishim mirë kur ishim keq”, ndërsa e dyta e shndërron zotin Rama në një parashikues afatgjatë të motit dhe së ardhmes. Nuk besoj se si human që është i ka këto aftësi.

Por le të rikthehemi edhe një herë tek faji i shtetit në fatkeqësi të tilla e le ta këqyrim konkretisht.

Nga reshjet e këtyre ditëve elementi i parë që bie në sy është se Rilindja Urbane, projekti më i madh dhe më i kushtueshëm i kësaj qeverie, ishte një dështim i madh. Pavarësisht se në 4 vjet u investua në qendrat e qyteteve, vetëm në reshjet e këtij fillim dhjetori u pa se në të gjithë sheshet, bulevardet, qendrat e qyteteve kalimi dhe lëvizja ishte e mundshme vetëm me not ose me mjete lundruese. Sistemi nëntokësor i kanalizieve doli i gjithë jashtë përdorimit.

Së dyti, shteti dhe më konkretisht kjo qeveri është fajtore e drejtpërdrejtë për gjendjen dhe përmbytjet në autostradën Tiranë-Durrës, më konkretisht në segmentin e kthesës së Rinasit me Tiranën. Është fajtore se propaganda e saj butaforike për mbjelljen e palmave, mbylljen e kanaleve kulluese, bëri që vetëm në 3 vitet e fundit kjo rrugë të përmbytet çdo vit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme tek bizneset aty pranë, problem të qarkullimit rrugor dhe kaos të gjithanshëm. Ndërkohë që ka një studim dhe projekt për zgjerimin e kësaj rruge, qeveria vijon ende me propagandën e saj të zëvendësimit të palmave me pisha.

Së treti, asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë ura të reja të shkatërruara nga reshjet e shiut dhe prurjet e lumenjve. Vetëm në 3 ditë kemi diku tek 10-15 ura në të gjithë territorin e vendit që janë shkatërruar totalisht, duke e bërë kalimin të pamundur dhe duke bllokuar mijëra familje dhe banorë.

Së katërti, duke qenë se i gjithë territori ynë përshkruhet nga lumenj në të gjithë hapësirën e tij gjeografike, të cilët, pavarësisht cekësisë së tyre të përditshme, me reshjet e shiut dhe motin e keq mund të shndërrohen në rrezik real për qendrat e banuara, qeveria nuk ka asnjë masë konkrete, asnjë investim, studim apo parashikim buxhetor, për pastrimin e aluvioneve dhe zgjerimin ose thellimin e shtetërve të tyre aty ku është e nevojshme dhe e domosdoshme. Kjo sepse e gjithë propaganda e kësaj qeverie është përqendruar vetëm tek fasada dhe tek e dukshmja, ndërsa një gjë e tillë është afatgjatë, jo e prekshme dhe sigurisht jo e dukshme për momentin, pavarësisht se rëndësia e saj për të ardhmen është jetike. 

Së pesti, shteti ynë është miop përsa i përket fatkeqësive të tilla natyrore. Dritëshkrurtësia e tij duket në atë se, pavarësisht rasteve të përsëritura në vitet e fundit, ai nuk merr asnjë masë konkrete që një gjë e tillë jo të parandalohet, sepse një gjë e tillë del jashtë aftësive të tij, por, së paku, të kufizohet dhe të mos ketë shtrirje dhe përhapje kaq të madhe. Mjaftohet me kalim të situatës dhe të rrezikut dhe për vitin tjetër ç’fat të kemi, ndërkohë që detyra e tij është edhe parandalimi i situatave të tilla. Janë ekspertët e fushave ata që mund të sugjerojmë ndërhyrjet e nevojshme për parandalim ose kufizim të përmbytjeve të tilla.

Si përfundim, situata të tilla fatkeqësish nuk duhet t’i shërbejnë politikës për të hedhur tymnajë dhe baltë mbi njëra-tjetrën, ngase një gjë e tillë nuk i shërben interesit dhe nevojës, por vetëm duke qenë konkret dhe evidentues rast pas rasti mund të shndërrohemi në të besueshëm dhe t’i shërbejmë interesit të publikut.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

komisari03/12/2017 20:51

Po ky zotni ka shkru disa here,e eshte ne keme a ecen vete,me duket si pasardhes i atyre qe pervetsuan historine dhe me pase pronat ne emer te servilizmit.O djale ece me kembet e tua o mik dhe shok i atyre qe vodhen dhe tjetersuan historin e qytetit tende Beratit.Kjo edhe per ty Lulzim Basha qe ke 12 te tille ne te tene shqipenine qe e bene per qefin PD.Une qe po te shkruaj jame ne gene de ne shpirte i djathe por jo keshtu se eshte turp dhe na flliqe.Me respekt edhe per doktorin se na shkoj shum duke pritur radhen.E djathta mbi gjithcka edjathta per gjithe cka.

Shto koment

Denonco