Lajmi i fundit

Vjedhjet me '5D'/ Sot protesta e opozitës të bashkia e Tiranës

Në kërkim të policisë që duam!

Në kërkim të policisë që duam!

Nga Hysni Gurra - 23/11/2017

E kujt ia merrte mendja se sot pas më shumë se katër viteve nga sllogani i famshëm “policia që duam”, do gjendeshim në kërkim të policit që duam!

Filloi me aksionin e famshëm në Lazarat shkrimi i këtij sllogani, shkëndija se “policia që duam” u duk që atje, në fakt, për sytë e profesionistëve të policisë. Policia e shtetit dha një dëshmor gjatë aksionit në Lazarat, dëshmor në kohë paqe, dëshmor si pasojë e një aksioni të papregatitur mirë profesionalisht. Dhamë një dëshmor për shkak të një aksioni axhami-sh.

Dhe e gjitha kjo rezultoi siç e kam shkruar edhe dy vite më parë - Lazarati ishte loja!

Dhe fatkeqësisht, kjo e parathenë rezultoi e saktë. Sllogani “policia që duam” u mundua të mbushet me takime në pallatin e kongreseve, me show të ndryshëm të policimit në komunitet e të tjera gjeste publike. Ndërkohë që shumica besonte slloganin dhe një pakicë e vogël mundohej të bënte oponencë ndaj këtij sllogani, ndërkombëtarët përgjonin. Përgjonin dhe nisnin “memo” konfidenciale kryeministrit të vendit për të shkarkuar ministrin e brendshëm. Sa më shumë forcoheshin këto kërkesa aq më shumë rritej  mbështetja publike e kryeministrit për ministrin e tij dhe slloganin “policia që duam”.

Në Shqipëri se ç’ka pas një si traditë që policia kryesisht nuk anatemohej apo sulmohej shumë, kishte një konsensus të të gjithë palëve për ta respektuar uniformën e policisë. Madje nëse dikush bënte diçka të tillë shihej me skepticizëm nga publiku.

E filluan ta prishin këtë traditë Edi dhe Saimir që kur ishin në opozitë. Duke sulmuar, anatemuar dhe dhunuar uniformat blu kur kishin manifestime dhe protesta. E bitisën pasi erdhën në pushtet.

Sipas slloganit “policia që duam” doli një sondazh që tregonte se shqiptarët besonin më shumë policinë që duam sesa Zotin. Publikimi i një budallallëku të tillë, të sponsorizuar, qe kulmi i fantazisë së shfrenuar që karakterizon këta që nga viti ‘67!

Policia u inkriminua. U vu nën hyqmin e krimit. U përdor si punëtore krahu, e cila mbillte, prashiste, vadiste dhe ngarkonte kanabis për ta nisur drejt vendeve europiane. Policia u bë e fortë me të butët dhe e butë me të fortët!

U desh një protestë disa mujore e opozitës në bulevard, deri edhe rrezikimi i shkuarjes në zgjedhje pa opozitë, që mafia të jepte “ok” për largimin e njeriut të tyre nga ministria e brendshme.

Denigrimi i një institucioni të depolitizuar ligjërisht siç është policia e shtetit u vulos me një parrullë “faleminderit Saimir”, kur Saimiri iku nga drejtimi i policisë!

A mund të ndodhnin të gjitha këto pa dijeninë e kryeministrit të vendit?

Kurrë! Në këtë vend kaq të vogël, kaq thashethemexhi, ka vetëm një njeri i cili di gjithçka, dhe ai është kryeministri i vendit.

Së fundmi, ish drejtues të lartë të policisë së Vlorës, Vlora që ka nxjerre km deputet, gjë e cila e bën dy herë përgjegjës, u zhdukën pasi doli urdhër arresti për ta. Si mundet të zhduken ish drejtues të lartë të policisë sa hap e mbyll sytë? Ish drejtuesit e policisë që duam nuk janë zhdukur, janë ndihmuar të zhduken.

Ambasadori i SHBA-së në vendin tonë ka folur për peshq të mëdhenj por ka përmendur vetëm emra cirongash deri tani, ambasadori i SHBA-së në OSCE ka përmendur me emër dhe mbiemër peshkun e madh në Shqipëri.

Ambasadori i SHBA-së në OSCE na turpëroi, na bëri të besojmë vërtet se peshku qelbet nga koka, shprehje kjo që populli ynë kushedi sa kohë ka që e përdor.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco