Një boshllëk ligjor që nuk mund të plotësohet me shkelje të Kushtetutës

Një boshllëk ligjor që nuk mund të plotësohet me shkelje të Kushtetutës

Nga Ylli Manjani - 23/11/2017

Një vit e gjysëm pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, shteti ( sistemi i drejtësisë) është në kolaps! Gjykatat e Larta janë jashtë funksionit, gjykatat e zakonshme krejt jashtë kontrollit, prokuroria e decentralizuar tashmë të kujton sistemin e hozrashotit Rus; Inspektimi nuk ekziston fare; numri i çështjeve të pa gjykuara është i madh dhe vetëm rritet.

Njerëzit nuk dinë ku të përplasin kokën!

Askush nuk e di nga ta kapë! Kushtetuta, veçanërisht nenet tranzitore të saj, hynë e dolën nga fuqia pa u zbatuar thuajse fare. Ligjet e vjetra dhe ato të rejat janë pjesërisht në fuqi dhe përplasen me njëra tjetrën. Kaos spektakolar! Përgjegjësi nuk mban askush. Reformë e shkuar reformës!

Për pak ditë, nëse mandati i Prokurorit të Përgjithshëm nuk mbaron parakohe, edhe Prokuroria mbetet pa drejtim. Ky është një prej boshllëqeve më të dukshme që prodhon reforma e miratuar në letër, por e pazbatuar. Mos krijimi ende i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) bllokon të gjithë skemën e emërimit të prokurorit të ri. Prokurorit aktual i mbaron mandati me 3 dhjetor.

Ndërkohë, nuk ka një Zëvendës Prokuror të Përgjithshëm, sepse procesin e zgjedhjes së tij e ndaluan të gjithë (ambasadorët më së shumti) para disa muajsh.

EURALIUS dhe OPDAT, nxituan të bëjnë një interpretim të tyrin, në injorim të Kushtetutës dhe jo krejtësisht në përputhje me ligjin e ri për Prokurorinë. Se përse e bënë këtë e dinë ata, por qartësisht kjo llogjikë e tyre shkon për shtat me logjikën e qeverisë që kërkon të zgjedhë fët e fët një prokuror të sajin, qoftë dhe të përkohshëm. Në fakt tani ka “halle" qeveria më vonë do kenë marrë një drejtim...

Sidoqoftë, leximi i kujdesshëm i nenit 109.2 të ligjit për Prokurorinë, (nen tranzitor ky) kuptohet qartë se me dtë 3 dhjetor Prokuroria Shqiptare mbetet pa drejtues! Në këtë pikë jam dakord me mendimin e Artan Hoxhës. Pra, nëse Adriatik Llalla nuk ikën para datës 3, Prokuroria mbetet pa drejtues.

Ky është interpretimi gjuhësor, logjik dhe kronologjik i nenit 109.2 i parë edhe në harmoni me Kushtetutën dhe me të gjithë nenet e ligjit në fjalë.

Boshllëk e shkuar boshllëkut!

“Republika e Ekspertëve” nuk ka asnjë fjalë për këtë fakt të rëndë! Ska se si të ketë! Kjo Republikë punon me ditë pune, të paguara mirë madje. Nuk i kërcet shumë se çndodh me shtetin. E rëndësishme për ta është të sigurohet financimi për projektin e radhës...

Ndërkohë “Republika e Diplomatëve” po eksploron për punën e radhës, në karrierat Personale... Loja me peshq e me sorra mbaroi!

Politika përpiqet ta zgjidhë boshllëkun, por në mënyrën e saj. Qeveria thotë caktojmë një të përkohshëm me shumicë të thjeshtë. Opozita, ndonëse jo shumë e qartë në deklarim publik, do kërkojë garancitë e një procesit Kushtetutës.

Në këto kushte zgjidhjet që kërkohen janë jashtë logjikës së ligjeve të shkruara. Jashtë kësaj kornize me shumë gjasë do fitojë “i forti”.

Pra peshku i madh që nuk kapet, sepse qeveris!

I forti mund të zgjedhë një prokuror që do, nën përkufizimin “ i përkohshëm”. Por mund të bëjë edhe kompromis me këtë që është, megjithë sherret e brendshme që mund të këtë qeveria nëse zgjidhet ky opsion... Teorikisht të dyja janë të mundshme. Kapelja ligjore i vihet cilësdo zgjidhje, përsa kohë që Kushtetuta dhe ligji kanë dalë nga loja.

E përsëris ky arsyetim vlen pas datës 3 dhjetor.

Ndërkohe insistoj: cilado qoftë zgjidhja që eksplorohet apo do përdoret, Prokurori i Përgjithshëm ( i përkohshëm ose jo) duhet të zgjidhet apo të caktohet, vetëm me të paktën 3/5 e votave të Kuvendit. Kjo shumicë do të kërkohet për plotësim vendi vakant në çdo kohë që mund të ndodhe!

Kjo kërkesë do ta mbyllte disi kontestin politik dhe do ta afronte zgjidhjen e përdorur me Kushtetutën dhe me Ligjin.

Zgjidhjet e tjera janë vetëm për “peshqit e mëdhenj”....

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

krasasi tp23/11/2017 18:26

Sec kam nje parandjenje, Kushdo Prokuror i Pergjithshem qe do caktohet ,qofte sikur edhe vete z.Rama ta emeroj, do jete me efikas se z.Llalla.KLP dhe strukturat e tjera SPAK dhe BKH do krijohen dhe Vetingu do kryet.Rreziku me i madh sipas meje nuk eshte se kush do behet Prokuror i Pergjithshem por, sabotimi i krijimit te strukturave te Reformes ne Drejtesi dhe Vetingut, nepermjet grackave proceduriale qe aktoret politik do perdorin, ngaqe te gjithe e kane me Ta .Kjo nuk mund te fshihet me.

Ajo23/11/2017 14:33

Z. Manjani,
Ju jeni nga intelektualet dhe njohesit e ligjit ( nuk them politik sepse askush nuk do te kete neper kembe nje politik te tille qe flet sipas logjikes se fakteve jo sipas interesave konjukturale te partise) te pakte qe ka ky vend qe po perpiqet te hedhe drite dhe te ndihmoje ne krijimin e nje shteti ligjor. Ju vleresoj shume ju dhe nje tjeter intelektual si Erind Piciri, por cudia eshte se askush nuk iu degjon!
Ju lutem vazhdoni betejen tuaj, por kam frike se do mbeteni nje ze ne shkretetire.
Do deshiroja qe qofte ju apo Z.Piciri ( megjithesee di qe u perkisni kraheve te ndryshme politike, por jeni njerez kurajoze dhe intelektuale te mirefillte qe per me teper iu dhimbset ky vend) te krijonit ndonje force politike te re. Kjo opozite qe kemi eshte e paafte te beje gje dhe kete e tregoi tani kur ishte momenti me i lehte per tu bere ne kushtet e kapitullimit te plote te qeverise Rama. Dhe perseri Rama qeveris!!!!!!

Shto koment