Fitoi Gjermania, humbi Merkel

Fitoi Gjermania, humbi Merkel

Nga Ullrich Fichtner - 22/11/2017

Në fillim, lajmi i mirë: Kolapsi i negociatave për koalicionin në Berlin e shpëtoi vendin nga një qeveri në pasivitet, një qeveri pa vizion apo ambicie. Sikur kancelarja Angela Merkel të kishte arritur të prodhonte një aleance mes kristiandemokratëve të saj (CDU), Bashkimit Kristian Social Bavarez (CSU), Demokratëve të Lirë miqësorë me biznesin (FDP) dhe të Gjelbërve, vendi – në të vërtetë, i gjithë kontinenti – do të përballeshin me një stanjacion 4-vjeçar, me një qeveri gjermane në qendër e cila më shumë do ta ndante se sa do ta mbante të bashkuar. Katër partitë e përfshira nuk do të plotësonin njëra-tjetrën në mënyrë konstruktive. Më tepër do t’i ngatërroheshin nëpër këmbë njëra-tjetrës.

Edhe pse shumë politikanë gjermanë kanë deklaruar të kundërtën gjatë debateve të muajve të fundit: Vullneti i elektoratit nuk ishte ai i ngjeshjes së bashku një koalicion partish që nuk e kanë vendin së bashku. Askush përveç të përfshirëve nuk ëndërronte një kabinet me arqi-konservatorë nga CSU, ambientalistë nga Të Gjelbrit dhe oportunistë nga FDB të mbledhur rreth një tryeze të vetme. Fakti që një koalicion i tillë ishte subjekt i negociatave në radhë të parë është thjesht rezultat i një tradite sipas së cilës koalicionet e mundshme interpretohen si dëshira e elektoratit. Por, nuk pati asnjë mandat serioz për këtë aleancë të veçantë.

Duke u larguar nga bisedimet, FDP kontribuoi për transparencën politike në Gjermani – edhe nëse ky nuk ishte synimi i partisë. Ata që votojnë për Të Gjelbrit përgjithësisht nuk shpresojnë për një koalicion me FDP, ndërsa përkrahësit e CSU priren të mos kenë gjë tjetër veç nënçmimit për Të Gjelbrit. Dhe, duhet thënë, pikërisht kështu duhej të shkonin punët.

Rivaliteti midis partive është gjaku i demokracisë sonë dhe detyra kryesore e tyre nuk është ajo e sigurimit të mirëqenies së shtetit por ajo e reflektimit të diversitetit të qeverisë gjermane. Është diçka që Social Demokratët duhet t’ua kujtojnë votuesve tani që ka nisur breshëria e thirrjeve që partia, për hir të vendit, të rikonsiderojë vendimin e saj për mosvazhdimin e koalicionit me konservativët e Merkelit. Ndërkaq, interpretimi fillestar i rezultatit të zgjedhjeve të 24 shtatorit, që elektorati është i etur ta heqë qafe koalicionin Merkel-SPD, mbetet korrekt.

Ku gjendet Merkel

Me bisedimet në kolaps dhe synimin e SPD-së për të shkuar në opozitë, nuk ka më koalicione të mundshme në horizont – dhe është e drejtë të thuhet që sistemi politik gjerman tani e sheh veten në krizë. Për shumë vite, spektri partiak në Gjermani ka qenë duke u fragmentuar ndërsa partitë anësore janë radikalizuar deri në pikën sa që tani kemi shtatë parti në parlamentin gjerman. Përballë një konstelacioni të tillë, sistemi po dështon dhe nuk është më në gjendje të prodhojë opsionet e qartë për koalicione me të cilat janë mësuar votuesit gjermanë.

Kërkimi i zgjedhjeve të reja do të ishte njësoj me mbajtjen peng të votuesve deri sa të nxirrnin një rezultat të pranueshëm për aparatin politik. Dhe sikur të ndodhte, duket se një nga përfitueset do të ishte partia e populiste e krahut të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Opsioni tjetër i vetëm do të ishte një qeveri e pakicës. Ky eksperiment është provuar me raste në landet gjermane pa shumë dëm, por kurrë në nivel federal. Ndërkaq, argumenti mallëngjyes se ekonomia më e fortë e Evropës nuk mund t’ia lejojë vetes një qeveri të lëkundshme nuk është veçanërisht bindës.

Megjithatë, pyetja më e rëndësishme është se çfarë do të ndodhë me vetë Merkelin. Kjo mund të shënojë vërtet fillimin e fundit të karrierës së saj si kancelare. Ditët e fundit, është bërë e qartë se një pjesë e mirë e pushtetit që kishte ka avulluar – duke filluar me faktin që, kur afati që ajo kishte vendosur për përfundimin e bisedimeve kaloi të premten e kaluar, nuk pati pasoja. Të dielën në mbrëmje, nuk ishin vetëm bisedimet që përfunduan, por e gjithë metoda e qeverisjes së Merkelit.

Për vite, ajo e ka mbajtur ideologjinë jashtë politikës – dhe një koalicion me FDP dhe Të Gjelbrit do të kishte qenë kurorëzimi i kësaj përqasjeje. Do të kishte provuar se edhe ambientalistët dhe fetishistët e tregtisë së lirë mund të punojnë së bashku për sa kohë që dora e fortë e Merkelit është aty, për të mbajtur gjithkënd në rresht. Por kjo tani i përket historisë. Kjo krizë është kriza e Merkelit. Do të jetë interesante të shohim se si do të përpiqet ta zgjidhë – dhe nëse do të shembet nën të.

E njëjta vlen edhe për ata që investuan kapital politik në këtë aleancë të konceptuar keq. Liderët e gjelbër dukeshin të gatshëm të hiqnin dorë nga shumë gjëra dhe me shumë gjasa do të kritikohen ashpër brenda partisë. CSU në Bavaria ishte në shpërbërje që shumë më parë se prishja e bisedimeve të së dielës dhe partia pa dyshim që do të pendohet që nuk e hoqi vetë spinën. FDP do të shohë me nervozizëm rezultatet e sondazhe të opinionit për të parë se sa keq mund të ndëshkohet. Dhe CDU e Merkelit? Do të mblidhet rreth lideres dhe do të vazhdojë të lutet për lumturinë idilike të premtuar nga kancelarja. Por është një mesazh tashmë i zhveshur nga kredibiliteti.

Marrë nga Der Spiegel-Përgatiti SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco