Droga dhe krimi i Shqipërisë, dhurata e Noriegës për BE-në!

Droga dhe krimi i Shqipërisë, dhurata e Noriegës për BE-në!

Nga Sali Berisha - 21/11/2017

Një letër si vetë-akuzë fatale e Noriegës për veten e tij!

Droga dhe krimi i Shqipërisë, dhurata e Noriegës për Bashkimin Europian!

Të dashur miq, me letrën që u dërgon kryeministrave të 28 vendeve të BE, në të cilën ai shpall se droga e Shqipërisë është tashmë problem i Bashkimit Europian, Edi Rama pranon se droga, eksportimi i saj dhe i krimit të organizuar nga Shqipëria në këto vende është dhurata e tij për BE, është mirënjohja e tij për miliarda e miliarda euro dhënë nga taksapaguesit e vendeve anëtare të BE për shqiptarët.

Sigurisht, Edi Rama, kur shkruajti në këtë letër se droga e Shqipërisë është çështje e Bashkimit Europian, nuk kishte parasysh një gjë të tillë. Me këtë deklaratë në letrën e tij ai kërkonte t'i bënte ata bashkëfajtor dhe bashkëpërgjegjës për lumin e drogës dhe krimit të organizuar që eksportohet nga Shqipëria në vendet e tyre. Kjo është një vetë-akuzë edhe më e rëndë se e para, që Noriega bënë me shkrim para 28 liderëve të vendeve anëtare të BE.

Në formulimin e saj ai bazohet në logjikën e pacipë të banditit: po vërtet unë të vjedh, të vras por edhe ti ke faj se nuk ruhesh, nuk më kap dot.

Ministrat dhe deputetët e Ramës, bazuar në këtë arsyetim banditesk, e kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur në parlament për përgjegjësi direkte Italinë, Greqinë dhe vendet e tjera, në të cilat eksportohet droga dhe krimi nga Shqipëria, për tregun që ato i ofrojnë kësaj droge dhe krimit të lidhur me të..

Mirëpo Noriega dhe këshilltarët e tij kanabist, harrojnë se eksporti i krimit drejt vendeve të tjera përbën kërcënim madhor për rendin dhe sigurinë e këtyre vendeve. Rreth 40 vite më parë, narko-diktatori i Panamasë që ndërtoi narko-shtetin e parë në botë, Manuel Noriega u thoshte SHBA së për narkoshtetin e tij dhe megatrafikun e kokainës nga Panamaja drejt SHBA ka përgjegjësi edhe qeveria amerikane.

Në të vërtet, për të shlyer përgjegjësinë dhe për sigurinë e vendit te tij, Presidenti G. H Bush dërgoi marinsat dhe përmbysi diktatorin e Panamasë, Manuel Noriegen dhe narko-shtetin e tij! Natyrisht, BE dhe vendet anëtare por as dhe SHBA nuk do ndërhyjnë ushtarakisht për të përmbysur Noriegën e Shqipërisë dhe narko-shtetin e tij. Por sigurisht që asnjëri prej 28 kryeministrave të vendeve të BE apo dhe vendeve të rajonit nuk është i gatshëm të ndajë përgjegjësi me Edi Ramën për shndërrimin e Shqipërisë në Kanabistan dhe qendër operacionale rajonale të krimit të organizuar.

Ata disponojnë të gjitha të dhënat e autoriteteve italiane, sipas të cilave në vitin e Edi Ramës, vitin 2016, në Shqipëri, si rezultat i politikës nxitëse dhe mbështetjes nga policia, u mbollën 219 mijë hektar me kanabis apo 8 milion rrënjë. Disponojnë gjithashtu dosjet e përgjimeve, të cilat dëshmojnë se në Shqipëri peshku i madh është vetë Edi Rama, se Olsi me grupin trafikantëve që solli nga Bostoni është kryesor në trafikun e kokainës në rajon.

Ata i dorëzuan dosjen "Tahiri" si provë për qëndrimin e Ramës, por ky i fundit, me qëndrimin e tij faktoi se ai vet është kryepeshkaqeni i Shqipërisë. Ata me mediat e tyre më të mëdha publike dhe private kanë denoncuar çdo ditë dhe çdo javë lidhjet e Ramës, ministrave të tij me drogën dhe krimin, dhe çdo ditë flasin për ndërtimin nga ana e tij të narko-shtetit në Shqipëri.

Kështu që përpjekja e Ramës për të bërë bashkëpërgjegjës kryeministrat e vendeve anëtare të BE për shndërrimin e Shqipërisë në Kanabistan është thjeshtë një përpjekje banditeske, tragjikomike dhe e stilit të vjetër hoxhist. Kjo deklaratë vetëm sa i bënë kryeministrat e vendeve anëtare të BE dhe qeveritë e tyre të jenë më të vendosur në qëndrimet ndaj Shqipërisë dhe të konsiderojnë masa shtrënguese konkrete ndaj vendit tonë për kërcënimin që paraqet eksporti i drogës dhe krimit nga Shqipëria për rendin dhe sigurinë e tyre.

Këto nisma tashmë kanë filluar dhe ato do të vazhdojnë.

Duke përfunduar, iu bëj thirrje të gjithë atyre shqiptarëve, që të ardhmen e tyre e besojnë jashtë krimit dhe drogës, të marrim përgjegjësitë tona dhe të ngrihemi në një revolucion popullor për të përmbysur Noriegën dhe narko-shtetin e tij. sb.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco