Lajmi i fundit

I zhdukur prej një jave, gjyshja dorëzon në prokurori 3-vjeçarin

Opozita bëhet me sokratë të vuajtur, jo me derra të kënaqur

Opozita bëhet me sokratë të vuajtur, jo me derra të kënaqur

Nga Ilir Babaramo - 19/11/2017

Lulzim Basha është tepër i ri për të qenë plaka Nurihan, personazhi i famshëm i Kadaresë që vdiq duke pritur dëshpërimisht zbarkimin e aleatëve. Seanca e fundit parlamentare ishte një triumf i Ramës duke e detyruar shefin e opozitës të belbëzojë sapo kryeministri i përmendi disa prej emrave të sipërmarrësve më të mëdhenj në vend. Në mënyrë të pavullnetshme Rama ishte duke i bërë dhuratën më të çmuar, por Basha e humbi këtë momentum. Kishte mundësinë të dërrmonte publikisht qeverinë, por uli kokën si i zënë në faj. Sërish ju dha mundësia për tu bërë lider, (vetëm ata mund të bëjnë operacione cezariane në politikë), por la qartë të kuptohet se nuk është sovran në vendimet dhe qëndrimet e tij publike.

Seanca e fundit ishte vërtet një spektakël. Ato që vetëm Rama di të ndërtojë me cinizmin e tij. Me shumë të drejtë opozita kishte ndërtuar sulmin kundër buxhetit si një projekt klientelist që nuk rrit ekonominë e vendit, por ushqen stanjacionin dhe orekset e oligarkëve të rinj dhe të vjetër shqiptarë. Basha dhe të vetët numëruan fondet e dhuruara për check-upin, sterilizimin, projektin 1 miliardë dollarë, ku dihet paraprakisht, ende pa u hapur gara, se kush do ndërtojë rrugën e Arbrit, spitalin e Fierit, rrugën e Bregut e kështu me radhë.

Preventivët e fryrë të tyre tashmë i dinë të gjithë. Ishte një ortek akuzash që do ta detyronin çdo kryeministër, dhe atë më të pacipin, të dilte me vrap nga salla e kuvendit. Por nuk ndodhi kështu. Rama dëgjonte me ngërdheshje në fytyrë. U ngrit në foltore dhe pas tij ministrat për të dhënë përgjigje. I kujtuan Bashës dhe Partisë Demokratike se tepsinë e koncesioneve e kishin futur ata të parët në furrë. U përmendën me radhë koncesioni i markimit të karburanteve, i kolaudimit të makinave, ai i skanimit. Basha dhe të vetët ulën kokën si të zënë në faj. Heshtja pllakosi sallën e Kuvendit sapo Rama përmendi emrin e Zamir Manes me një zgërdhitje tallëse në fytyrë.

Cinizmi i Ramës zbuloi se çfarë po luhet realisht në politikën shqiptare, thelbin e gjësë: Në Shqipëri nuk ka patur rotacion politik. Thjesht, Rama duke marrë pushtetin, i mori PD dhe oligarkët e saj, madje më të ndritshmin e tyre, i cili po përfiton dhe ato koncesione që Berisha ia kishte refuzuar si të ekzagjeruara. Basha, në vend të ndihej i çliruar nga pesha e mëkatit u shfaq si ai fëmija i përkëdhelur dhe i pambrojtur sepse i forti i lagjes ka ndryshuar skuadër.

Ajo që prisnin qytetarët ishte që Basha të ngrihej në foltore dhe të deklaronte solemnisht se opozita kur të vijë në pushtet do anulojë koncesionet skandaloze që ishin dhënë nga qeveria e mëparshme e saj. Tek e fundit faturën politike të tyre tashmë e ka paguar , kur doli në opozitë mbi katër vjet më parë. Por Basha nuk e bëri këtë. Nuk tha gjysmë fjale për skanimin në dogana, kur paguhej në çdo pikë doganore 40 euro për çdo deklaratë, ndonëse vetëm në dy prej tyre kishte skaner.

Marrëzia arrin që paguhet skanim dhe për energjinë e importuar. Këtë babëzi të çmendur duhet ta denonconte, por nuk e bëri. Me të drejtë gjithkujt i lind dyshimi se të gjithë janë në tavë, se të gjithë marrin “pjesën nga dyqani i djathit”. Basha duhet ti kujtonte Ramës deklaratat e tij të bujshme kundër oligarkëve kur ky i fundit ishte në opozitë. Ti kujtonte, për shembull, se si për herë të parë në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare shefi i një opozite i shkruante letër kancelarit të një vendi tjetër kundër një kompanie lotarie. Ti kujtonte se kishte deklaruar gjithë bujë se do ta anulonte, por ende nuk e ka anuluar. Ti kujtonte konçensionin e pullave fiskale, që i prodhon dhe i shpërndan i njëjti oligark, ndonëse Shqipëria ka një shtypshkronjë shtetërore të letrave me vlerë.

Nëse Rama do thoshte se shteti shqiptar do humbiste më shumë në arbitrazh, ti kujtonte se qeveria e tij ka krijuar tashmë një faturë prej 2 miliardë eurosh në gjykatat ndërkombëtare. Ta pyeste përse janë lejuar të vazhdojnë vetëm ato konçensione që kanë diçka të përbashkët: Gjurmët e hirrës së derdhur rrugës të çojnë të gjitha tek “dyqani i djathit”.

Basha nuk bëri asgjë nga këto. Nuk tha se si në mënyrën më absurde shumë prej konçensioneve u janë dhënë kompanive të regjistruara në off shore. Askush nuk do ta paragjykonte se është kundër kapitalit. Do ishim qytetarët e një shteti të pasur nëse disa stërkala nga off shore të shtetasve të huaj do vinin të investoheshin në Shqipëri. Por nuk ka ndodhur kështu. Anonimët e off shore nuk kanë sjellë. Kanë ardhur për të marrë. Për të zhvatur para të buxhetit të shtetit për shërbime që askush nuk ua ka kërkuar. Mister i madh se si ndryshojnë aksionet në off shore.

Basha po tregon qartë se ka vendosur të presë. Nëse Nurihan dëgjonte me ankth radion çdo natë për një zbarkim të mundshëm të aleatëve, Basha qëmton artikujt e shtypit shqiptar dhe atij perëndimor kundër qeverisë me shpresën se ato do ta sjellin në pushtet. Vetëm në çastet e fundit të jetës së saj plaka Nurihan kuptoi se aleatëve nuk u ra rruga këtej nga ne dhe kishin zbarkuar kohë më parë në Siçili dhe Normandi. Opozita shqiptare nuk duhet të shkojë me shpresën se ajo që bënë ndërkombëtarët së fundi në Maqedoni mund ta bëjnë dhe tek ne. Tek e fundit dhe Zajevi e kreu detyrën e vet.

Shefi i dikurshëm i Maqedonisë ndërtoi një opozitë që ishte sovrane. Në krah kishte politikanë race. Nëse shikon grupin parlamentar të PD të kap menjëherë trishtimi. Ngjajnë me një tufë nëpunësish mediokër. Ndonëse flet kundër monopoleve, Basha ka në rreshtin e parë “zbulimet” e një universiteti privat që është vetëofruar si fidanishte kuadrosh siç ishte dikur shkolla e partisë “Vladimir Iliç”.

Ashtu si punonjësit e dikurshëm të shkollës së partisë shpërndaheshin për të zbërthyer në popull tezat e plenumit të fundit, këta zbarkojnë në çdo studio televizive për të mbrojtur pacipërsinë e radhës së qeverisë Rama. Rasti më eklatant: Avokatia për ardhjen e plehrave të Evropës në Shqipëri. Dhe Basha këta lloj “kuadrosh” ka zgjedhur.

Çfarë besimi mund të krijojë, çfarë shprese mund të ngjallë Basha me këtë radhë në krye të së cilës ka vënë dikë që e konsideron daljen në publik si në pasarelë mode, dikë që shfaq një koleksion bizhush që i afrohet atij të Imelda Markosit. Le të mos flasim si e ka bërë.

Basha ende nuk na bind për republikë të re. Sepse kështu siç po vepron është sikur Robespieri të kishte Maria Antuanetën pasionaria të republikës. Basha e humbi dhe këtë të enjte mundësinë që të shfaqet si lider. Si një kryetar që nuk është peng.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

astrit gora21/11/2017 02:25

gazetaria kazan duhet te behet me sokrate te varfer jo me derra te majmur nga komunizmi dhe demokracia

astrit20/11/2017 08:30

Keni haruar historine e Bashes: Bashen e futi ne parti Berisha, e beri deputet Berisha, e beri minister Berisha, e beri kryetar partie Berisha dhe inshalla Basha behet kryeminister po nga berisha!

I deleguari19/11/2017 22:01

Te te jape mend edhe komunisti I Vogel Babaramo,e sidomos t'i mesoje opozites se si te luftoje miqte e tij pjella te byrose politike,kjo tregon se Skandali qeverises qenka vertet alarmant !

Studenti19/11/2017 21:38

Qe kur, ketij Babaramos, qe e ka urryer PD-ne, paska filluar ti vije keq per te? Fajeson opoziten pse po rri Rama ne pushtet. Rama rri ne pushtet sepse Soros ka korruptuar disa nepunes te larte ne Bruksel, si Mogherini, Hahn etj si dhe ambasadorin amerikan Lu. Pa mbeshtetjen e tyre Rama nuk rri dot asnje sekonde ne pushtet.

t19/11/2017 14:55

nuk e di nese luli e lexon syrin,por do ishte interesante sesi do pergjigjej ai per kete artikull,por me siguri qe nuk do nd?het fare, se kjo i shkon me per shtatl

krasasi tp19/11/2017 14:54

z.Babaramo, intelektual dhe politikan seroz , patriot e me vizion demokratik, ka ky vend sa te duash.Nje pjese e konsiderushme jane perhapur neper bote si zogjte e korbit.Njerzit me inisiative dhe shpirt beznesi cdo qeveri i ka mbeshtetur. Pasi ju ka dhene doren ata ju kane mare krahun.Ne aleance me oligarkine rajonale dhe ate boterore ,ju ka kthyer brrylin disa politikaneve dhe interesit publik.Disa politikane i kane futur ne thes.Disa politikaneve te tjere qe nuk i kane futur ne thes, u kane shpallur lufte te heshtur sa per ti spostuar nga politika dhe vendimarrjet e medha.Pyetja se nese z.Basha hyn ne radhen e politikaneve te thesit eshte naive dhe nuk ju lejohet juve me stazh te gjate ne gazetari te beni pyetje naive.Pyetja e duhur mund te ishte: po z.Berisha kush e ka carmatosur?.Rekordmeni i notimit 3 ore ne det,dhe maratonisti i pa lodhur nen shembullin e Berluskonit duhet ta riorganizoj te djathten dhe gjithe kampin opozitar.Qe mos te shkele mbi llafin e dhene, leta filloj si lojtar dhe le ta mbyll si trajner.Zgjidhja tjeter eshte vetingu.Por edhe veting i mbikqyrur nga z.Rama nga z.Basha apo politikan te tjere te korruptuar nuk sjell zgjidhje.Ne prove eshte serioziteti i nderkombetareve.

Shto koment

Denonco