Emigracioni - faktor modernizimi

Emigracioni - faktor modernizimi

Nga Erion Piciri - 14/11/2017

Pak kohë më parë një intelektual shqiptar kthehej mbas 20 vitesh emigrimi në vendin e tij. Besonte se titujt, gradat, botimet dhe përvojat e gjata universitare në një vend europian, do vlerësoheshin edhe në Shqipërinë e tij. Iluzione – këtu nuk ka mbërritur ende ajo epokë. U trajtua në traditën më të mirë të këtyre anëve - me mungesë serioziteti, nga të parët e shtetit dhe të qeverisë, nga ata të universitetit dhe tek më të rëndomtit që kanë ndonjë gjë në dorë. Fjala e një ‘shtetari ’buzë Lane: 'ne na duhen djem të mirë, se për të zot jemi vetë'. U zhgënjye si shumë të tjerë, që ikin për mungesën e konkurrencës së ndershme dhe kompleksin që të pushtetshmit shfaqin ndaj njerëzve të vetrealizuar në botën e zhvilluar. ‘Kthimi i trurit’ është slogan - në të vërtetë përvoja e huaj e dikujt është një handikap, jo një atu, ngjall komplekse jo simpati. Bëhet fjalë për të njëjtën mendësi izoluese dhe përjashtuese që e shtynte një ndër drejtuesit kryesor të shtetit të godiste kundërshtarët e tij politikë në fushatën e fundit elektorale, me faktin se dikur kishin qenë emigrantë apo një politikan të njohur të sulmonte një kontrakandidat për kryetar partie se vinte nga studimet jashtë vendit dhe duhej të kthehej andej nga kishte ardhur dhe t'i linte rehat.

A mund të gjejë rehatinë dhe zhvillimin optimal një vend pa përfshirjen e kapitalit të tij më të mirë njerëzor? Shqipëria është një vend i vogël, por me qasjen e papërgjegjshme ndaj njerëzve të zot, bëhet edhe më e vogël. Mbas tetë muajsh endje, intelektuali ynë u kthye nga kishte ardhur. Kur s'të do vendi yt dhe të do vendi huaj, është zhgënjim individual dhe dramë kombëtare. Për ironi të fatit ata që e njihnin në vendin e emigrimit nuk donin ta humbisnin dhe insistuan të rikthehej në një institucion të studimit dhe promovimit kulturor. Me largimin jashtë të një studiuesi e ligjëruesi të tillë, humbet shkenca dhe kultura shqiptare, humbasin forumet intelektuale dhe auditorët e universiteteve, humbet shoqëria civile dhe vendi në tërësi. Sa njerëz të vlefshëm largohen çdo ditë nga mendësia feudale e zaptimit të institucioneve tona publike.  

Ka një mendësi që i shikon shqiptaret e dalë nëpër botë si diçka e huaj që nuk duhet të implikohen në përmirësimin e vendit të tyre të origjinës. Ka një derë të mbyllur për votim, për konkurrim, për investime, për t'u bërë pjesë e vendimmarrjeve dhe drejtimit që duhet të marrë ky vend. Në psikologjinë politike studiohet kjo ngjashmëri e njeriut me kafshët në ruajtje të territorit, në agresivitetin ndaj individëve, grupeve apo specieve të tjera që nuk janë të mjedisit të tij, që nuk janë integruar në hierarkinë dhe qasjet kulturore që kanë krijuar. Ne ka momente që biem në këtë primitivitet dhe nuk kemi krijuar ende mekanizmat e përfshirjes së shqiptarëve të kudondodhur nëpër botë. Ka vende si Izraeli që e ka përsosur këtë solidaritet kombëtar në nivel global dhe ka krijuar influencë, siguri dhe mirëqenie për qytetarët e tij.

Meriton të qartësojmë edhe ne këtë çështje dhe t'i mbyllim rrugën një mendësie përjashtuese, kudo ku ajo shfaqet. Goditja e shqiptarit të emigracionit, është sulm ndaj potencialit më të fuqishëm zhvillimor dhe modernizues të kombit tonë. Shqipëria ka një përmasë globale dhe është e plotë me të gjitha burimet e saj të ndara nëpër botë. Midis shqiptarëve të emigracionit ka shumë nga të përparuarit e shekullit të 21, që së bashku me të ngjashmin e tyre në hapësirën shqiptare, mund të krijojnë masën kritike për modernizim kombëtar.

EMIGRACIONI – TRANSFORMUES I SHQIPTARIT BASHKËKOHOR

Rënia e regjimit komunist bëri që më shumë se gjysma e popullsisë të merrte rrugët e emigrimit për punë, studime apo një jetë më të mirë. Në afro tre dekada mazhoriteti i popullsisë lëvizi jashtë dhe afro një e treta mbeti andej përgjithmonë. Të njëjtin fat përjetuan edhe shqiptarët në vendet fqinjë - represioni i detyroi të shpërnguleshin në të gjithë botën. Kështu që ne nuk jemi të plotë në hapësirën etnike por kur na shikon në një plan më të gjerë, me emigracionin europian dhe global.

Siç thoshte Kennedy për amerikanët, edhe ne shqiptarët jemi një komb emigrantësh, me një ndryshim, amerikanët si pritës dhe ne si dërgues, ata si komb i përqendruar kryesisht në një vend, por me etnicitet heterogjen dhe kulturë dominuese homogjene, ne si komb i shpërqendruar në disa shtete dhe nëpër botë, me etnicitet homogjen por me kulturë gjysmë heterogjene. Kjo përbën një dobësi për ecurinë normale të një kombi por edhe një oportunitet nëse krijohen kushte për eksplorim të këtij thesari kombëtar global. Shqiptarët kanë krijuar ndër vite një pasuri kolosale intelektuale, profesionale, shpirtërore dhe materiale kudo nëpër botë. Dhjetëra milion vite jetë, punë e studime në vende me standarde më të larta se vendi i tyre i origjinës. Një pasuri e vërtetë që meriton të respektohet nga pushtetarët dhe elitat profesionale të hapësirës shqiptare.

Të kesh qenë politikan apo burokrat i lartë në kryeqendrat tona nuk të bën superior ndaj atyre që kanë punuar dhe studiuar buzë Danubit, Atlantikut apo Paqësorit, në kryeqendrat e Europës Perëndimore apo Amerikës së Veriut. Emigracioni shqiptar, me ndonjë përjashtim, është punë e mundimshme, formim, arritje dhe ndershmëri, pushtetarët shqiptarë, me ndonjë përjashtim janë mediokritet, abuzim dhe kleptokraci. Diferenca është e qartë dhe kështu duket se ka qenë gjithmonë.

Shqiptarët më të shquar në histori, nga Skënderbeu tek Nënë Tereza, nga rilindasit tek Konica, Noli, Çabej, Kadareja, Rugova e shumë të tjerë kanë pasur në jetën e tyre periudha më të gjata a më të shkurtra emigrimi, kanë lëvizur dhe janë formuar nëpër botë. Këto periudha kanë luajtur një rol kyç në rrugëtimin e tyre qytetar, intelektual dhe patriotik. Perspektiva e të parit të gjërave nga një këndvështrim multikulturor është një atu për çdo njeri. Kur të mungon një eksperiencë e tillë, ke një mangësi. Nëse nuk ke hedhur në kokë sasinë e nevojshme të lëndës së parë, të modeleve të civilizimit bashkëkohor, vështirë t'i shërbesh kombit tënd më së miri dhe të shtysh përpara proceset e modernizimit. Nëse nuk ke përjetuar modelin e duhur, vështirë të luftosh ta implementosh atë. Mund të rrish gjatë dhe të afrosh pak dhe keq në krye të punëve të vendit. Duke i parë ngjarjet, personazhet dhe evolucionin shoqëror larg emocionalitetit etnocentrik dhe në plan krahasues me vende të tjera, nxjerr përfundime mjaft të dobishme për vendin tënd. Duke u formësuar në një klimë të shëndetshme, ke marrë antidotet ndaj kulturës korruptive, je mbartës i një modeli civilizues që përshpejton procesin e modernizimit. Të qenit gjithë jetën vetëm në një mjedis të infektuar nuk është diçka për t’u krenuar, aq më pak për një drejtues apo lider politik. Kjo tregon izolim dhe mungesë njohjeje të kombeve dhe kulturave të tjera, aq e domosdoshme në formësimin e një lideri autentik. Warren Bennis, një ndër studiuesit më me autoritet në çështjet e lidershipit në Amerikë, e shikon liderin si udhëtar nëpër botë, si njeriun që përjeton eksperienca që transformojnë vizionin dhe i japin motivimin për të bërë ndryshime në vendin e tij. Këtu emigrimi është thelbësor.

Procesi i nxënies përmes qëndrimit në vende të tjera është domosdoshmëri. Të mësosh gjuhët, eksperiencat e shkrira në thënie dhe histori, të përvetësosh mënyrat e reagimit nga gjërat më të vogla, në ato më komplekset si raportet me institucionet, qeveritë apo edhe mbrojtjen e të drejtave të tua dhe të të tjerëve, është një thesar në memorien tënde, i dobishëm në çdo kohë. Jeta në shoqëritë e modernizuara, të kthen në faktor nxitës në shoqëri që janë në proces modernizimi dhe ende nuk gjejnë rrugët për të dalë nga rrethi vicioz i traditave të dominimit klanor, të transaksionit të interesave kundër çdo principi korrektësie të botës moderne. Këtë përvojë të vyer e kanë sot miliona shqiptarë të kudondodhur nëpër botë.

EMIGRACIONI – PËRSHPEJTUES I MODERNIZIMIT KOMBËTAR

Përgjatë dekadave është shkatërruar tek ne modeli i garës, i punës me ndershmëri, i suksesit me dinjitet, i politikës me profesionalizëm, i qeverisjes me seriozitet, i ndërtimit të shtetit me racionalitet. Përgjatë dekadave u instalua modeli i gënjeshtrës dhe trukimit, i ngjitjes përmes servilizmit, i klanizmit dhe shpërdorimit të funksionit publik, i tjetërsimit të rolit të shtetit nga mbrojtës në dhunues të qytetarëve të tij. Këtu një investim drejt një kulture dhe modeli të ri duhet të kryhet. Shqiptarët e dalë nëpër botë mund dhe duhet të jenë një ndër kolonat e modernizimit, luftues të zakoneve dhe traditave të tejkaluara, udhërrëfyes drejt instalimit të vlerave dhe parimeve të shoqërive të zhvilluara. Këtë mision të ngjashmit e tyre e kanë kryer edhe në vende të tjera, pritet ta kryejnë edhe në hapësirën tonë kombëtare.

Samuel Huntington në librin e tij 'Political Order in Changing Societies', trajton procesin e modernizimit të shoqërive në zhvillim. Aty ai flet për modernizimin si ndryshim të vlerave themelore, identifikim dhe besnikëri të individit dhe grupeve me kombin jo me klanet dhe farefisin, për shoqëri të bazuara mbi realizimet, për një shoqëri ku individët kanë të drejtat dhe obligimet të barabarta mbi shtetin. Në këtë proces transformimi ai shikon se "këto norma janë të pranuara fillimisht nga studentët, ushtarakët dhe të tjerë që i kanë zbuluar jashtë vendit". Janë pikërisht këto grupe që sipas Huntington-it "gjykojnë shoqërinë e tyre mbi prizmin e këtyre normave të reja që vijnë nga jashtë dhe sjellja fillestare, e pranuar dhe legjitimuar përmes normave tradicionale, shikohet tani e papranueshme dhe e korruptuar, nën vështrimin e një drite moderne".

Shqiptari duke emigruar dhe jetuar si minoritar në shoqëri me një nivel të avancuar modernizimi është formësuar sipas rregullave të botës ku ka jetuar. Nëse procesi i transformimit ka qenë i pakthyeshëm, mbartësit e së mirës e kanë të gjithë potencialin për të nxitur dhe realizuar transformime në varg, në grupe të vogla dhe të mëdha, transformimin për të cilin kemi nevojë. Ata më të ngjashmit e tyre në vend mund ta ringjallin shpresën, të bëjnë kthesën.

Njerëz të tillë e kanë të qartë ndarjen publik/privat, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, modelin demokratik të lidershipit, se pushtetari është i punësuar i përkohshëm në pozicione publike, jo zot që mund të vendosi në mënyrë arbitrare, të përvetësojë dhe të ndajë me familjen dhe grupin e tij politik.

Njerëz të rritur me parime brenda dhe jashtë vendit nuk mund të pranojnë përfshirjen në një parti politike për të grabitur shtetin, për t’u punësuar në linjë partie në vendet që i përkasin administratës shtetërore, nuk mund të pranojnë të bëhen pjesë e çetave partiake për zgjedhje të pandershme, nuk mund të pranojnë arbitraritetin e lidershipit që funksionon në kundërshtim me kuadrin ligjor të partisë dhe institucioneve, nuk mund të pranojnë personalizimin e institucioneve, eklipsimin individual, familjar apo klanor të tyre, eleminimin e çdo forme të konkurrencës së ndershme.

Njerëz të formësuar me frymën e shoqërive të përparuara nuk mund të pranojnë një sistem të kapur nga disa duar, aleanca të paprincipta tribale, heshtjen ndaj kriminalizimit të vendit, heshtjen ndaj korrupsionit dhe krijimin e një shoqërie që abuzon me individin.

Njerëz të formësuar siç duhet në vendet e tyre dhe nëpër botë nuk mund t'ia lejojnë vetes të krijojnë një armatë të rinjsh, të futur në politikë dhe të joshur me iluzionin se kështu do ia dalin në jetë. Një njeri i edukuar mirë në vend të tij dhe në emigracion nuk mund të fusë në parlament studentë të paformuar dhe pa eksperiencën e nevojshme profesionale. Ky është një absurditet i papranueshëm për njeriun modern. Ky është model i shoqërive të pazhvilluara.

Huntington në librin e sipërpërmendur, e trajton në plan krahasues një fenomen të tillë. Ai vëren se në vendet në proces modernizimi të rinjtë ambiciozë e shohin politikën si mundësi pasurimi dhe jo biznesin siç ndodh në Shtetet e Bashkuara. Më tej ai citon nga studimi i George Taylor-it për Filipinet, një përshkrim sikur të ishte për Shqipërinë e ditëve tona. "Politika është një industri e madhe për filipinezin; është një mënyrë jetese. Politika është rruga kryesore drejt pushtetit, që nga ana e saj është rruga e vetme drejt pasurimit (...) Më shumë lekë mund të bëhen në një kohë të shkurtër përmes ndihmës së influencës politike sesa përmes mënyrave të tjera". E ndërtuar në këtë formë thotë Huntington-i, qëllimi i politikës nuk është interesi publik por ai personal.

Këtë shqiptari modern mund ta luftojë dhe ta përmbylli si cikël i degradimit të politikës. Keqpërdorimi politik i rinisë është i papranueshëm. Ka një kohë për shkollim, një kohë për konsolidim profesional dhe një kohë për t'u marrë me politikë. Djegia e etapave të kthen në një njeri pa peshë publike. Keqpërdorimi i njomësisë mendore, i dëshirës për identitet dhe sukses është manipulim. Në moshën e nxënies, e formimit të karakterit dhe idealeve rinore, i riu nuk duhet të kthehet në ushtar partie. Në moshën e njohjes me gjenialitetet e kulturës njerëzore, i riu nuk duhet të indoktrinohet me kodin e kleptokracisë dhe kriminalitetit. Në asnjë vend të civilizuar nuk të lejon kush rekrutimin politik të të rinjve pasi u ke mbyllur çdo rrugë për t'ia dalë në jetë. Nuk lejohet rekrutimi në çeta që marrin pushtetin, vende pune që s'u takojnë, përdoren për ilegalitete, se si të korruptohen dhe të nxjerrin lekë nga puna e shtetit dhe më pas se si të shkojnë të blejnë dhe të marrin vota për të mbajtur partinë dhe vendin e punës. Kjo është djegia e karakterit, shpirtit rinor dhe të ardhmes së një vendi. Këtë e bën bolshevikët, e përsëritën derivatet e tyre të tranzicionit por nuk janë forma të moralshme të militantizmit politik të kohëve moderne.

Shqiptari me mendje të hapur, mund dhe duhet të nxisë drejt modeleve universale, drejt integrimit dinjitoz të qytetarit, të riut dhe profesionistit, përmes punës dhe afrimit të aftësive të tij, në një vend me mundësi të hapura dhe me konkurrencë të ndershme në çdo fushë. Sipërmarrja dhe profesioni të fal lirinë, të jep punë, para, gëzim karriere, dinjitet dhe respekt publik. Politika, kur i hyn i ri, të le pa shkollë, pa profesion, pa një identitet personal, të kthen në një vegël partie, në anëtar çete që përfiton para, privilegje dhe të mira që s’të takojnë dhe që një ditë të ndëshkojnë. Rrugët e profesionit dhe biznesit janë pafund, shtrihen në hapësirë dhe kohë, të realizueshme për këdo, konkurenciale me përfitime të ligjshme, në progresion rritës me përvojën dhe aftësinë. Rrugët e politikës janë të kufizuara në disa institucione kombëtare, sigurojnë fitime të vogla dhe përfitime të mëdha nëse janë të paligjshme, për disa të zgjedhur për besnikëri dhe përulje, duke krijuar varësi ndaj liderit dhe grupit. Kjo ka bërë që shumë të rinj seriozë dhe të përgatitur të lenë Shqipërinë dhe këtu shqiptari modern, i dalë nëpër botë, mund të fillojë ndryshimin. E 'keqja' e atyre që u formësuan jashtë është se nuk mund të pranojnë çdo absurditet që në këtë vend quhet normalitet. Këtu ndahen dy botë.

Kjo nuk do të thotë që ç’do shqiptar që ka jetuar jashtë është një vlerë e sigurtë. Ka një probabilitet më të lartë të influecohesh pozitivisht në një vend të mirë, por gjithçka duhet gjykuar rast pas rasti. Nuk duhet t'i mitizojmë dhe as t'i linçojmë apriori. Politika shqiptare e këtyre viteve na ka mësuar të jemi të kujdesshëm. Në gjirin e saj disa të shkolluar jashtë, janë shquar për zhvatje të parave publike po aq sa dhe të tjerët. Tek disa merr kuptim thenia e Bergsonit, po t’i heqësh kontemporanit cipën e hollë të civilizimit, del primitivi. Kështu edhe disa prej turistëve tanë të emigrimit, ju ra shpejt ajo bojë e shkollës apo endjes jashtë dhe ju ka dalë tani në pah farkëtimi që u bëri politika e ndotur e anëve tona. Thellë thellë, dobësia e tyre nuk qëndron tek koha e punës apo shkollës jashtë  (ndoshta ajo është pjesa më e mirë e jetës së tyre) por tek karakteri i dobët dhe këneta ku u formësuan politikisht, tek paaftësia për t'i rezistuar të keqes dhe tek mungesa e luftës ndaj saj.

Ka disa modele të mira të qëndrimit jashtë si figurat e Rilindjes Kombëtare, vëllezërit Frashëri, Konica, Çabej, Rugova, profesionistët e shquar të çdo fushe që ndërtuan karriera me integritet sikurse ka dhe disa modele thellësisht negative si E. Hoxha, M. Shehu, disa nga politikanët e tranzicionit apo ata të krimit të organizuar ndërkombëtar që nxorën anën më të keqe të karakterit të tyre duke ngritur sisteme diktatoriale dhe kriminale. Për t’i hapur rrugë të mirës dhe frenuar të keqen na duhet një sistem me gara të ndershme dhe me qytetarë të prirur për të vlerësuar karakterin dhe aftësinë e gjithkujt, të bëjë ndarjen e miellit nga krundet, e vlerës së vërtetë nga falsiteti, e kapitalit të çmuar njerëzor nga mbetjet e këtushme dhe të emigracionit shqiptar nëpër botë.

EMIGRACIONI – REFORMUES I KLASËS POLITIKE

Emigracioni i solli vendit në tre dekada, para për t’u ushqyer, para për të investuar, para për rritje ekonomike dhe ekuilibër të balancave financiare por kjo nuk mjaftoi. Pritet t’i japi një ndryshim në mendësi, kulturë dhe vizion politik. Shqiptarët e kudondodhur duhet të kenë rol në modernizimin politik të Shqipërisë, jo një rol dekorativ me përzgjedhje selektive nga mendje të virusuara kryetarësh partie por si luftëtarë, ligjërues, udhërrëfyes, përfaqësues dhe transformues të Shqipërisë së sotme. Ne kemi sot nëpër botë një pjesë Shqipërie të pakompromentuar, me mendësi sipas vendeve të natyralizimit, që ia kanë dalë të shquhen si profesionistë dhe qytetarë të civilizuar. Në këto momente krize morale, ekonomike dhe politike që po kalojmë, kjo Shqipëri e shëndetshme mund të jetë një potencial për ndryshimin e vendit, për ngritjen e kapaciteteve tona konkurruese në hapësirën globale. Vetëm kjo Shqipëri ia ka dalë të bëhet si e gjithë bota Perëndimore dhe meriton të marri një rol drejtues. Shenjën e parë të forcës së saj e pamë me një përfaqësuese kombëtare të futbollit e ndërtuar kryesisht nga shqiptarët e diasporës. Ata e hapën derën e Europes në mënyrë dinjitoze. Në botën e sotme ngjashmëria e kodit kulturor të hap dyert e bashkëpunimit dhe  integrimit të plotë.

Shqipëria e këtushme, e marrë peng nga disa eksponentë me tipare korruptive dhe kriminale, e katandisur mes drogës, kleptokracisë dhe autoritarizmit delirant të disa prej sundimtarëve të saj, ka nevojë të ndihmohet nga Shqipëria nëpër botë, nga ç’ka ajo simbolizon përmes profesionalizmit, krijimtarisë, konkurrencës dhe mirësisë. Pjesa e shëndetshme e Shqipërisë brenda dhe jashtë, janë shpresa e vetme për ta kthyer vendin në rrugën e sigurisë dhe mirëqenies për të gjithë.

Duhet të vetëdijësohemi për patologjitë tona, për fortësitë dhe mbështetjen e vullnetshme tek potencialet më të realizuara. Duhet të mbyllet kapitulli i  përdorimit të njerëzve më të mirë të këtyre anëve, i përzgjedhjes selektive të shqiptarëve nëpër botë dhe përzënien e njerëzve më të zot. Politika shqiptare duhet t’i japi shqiptarëve të emigracionit të drejtën politike të votimit. Pas kësaj me proporcionalitetin e votuesve t'ju japë të drejtën e përfaqësimit politik në parlament. Që këtej fillon ndryshimi në varg, në kuadrin ligjor, pushtetin ekzekutiv, kulturën institucionale, kohezionin ndërshqiptar dhe integrimin europian dhe ndërkombëtar. Kjo energji dhe potencial shqiptar cilësor do ishte shërimi prej shumë patologjive që vuan sot vendi ynë.

Emigracioni ka edhe votues të përgjegjshëm që mund të balancojnë influencën e asaj mase që shet dhe ble vota, që përdhos demokracinë ligjore. Ata e duan dhe jetojnë me imazhin e Shqipërisë si një nënë e hijshme dhe do ndëshkojnë me votë ata që e dhunojnë dhe e keqtrajtojnë çdo ditë. Emigrantët kanë një dashuri për një Shqipëri të ëndërruar, të ngjashme me vendin e natyralizimit. Ata trupin e kanë  në vend të huaj, por mendjen dhe shpirtin në vendin e tyre.

Në vitin 2009, për zgjedhjet presidenciale të një vendi ballkanik, votat e diasporës përcaktuan fituesin e garës presidenciale. Nga votat kombëtare kishte fituar një kandidat që u nxitua të shpallte fitoren por me votat e emigracionit fitues doli kandidati tjetër. Votat e tyre ishin një votë racionale, nuk i impresionoi fakti se kandidati humbës kishte studiuar dhe punuar disa vite jashtë por e vlerësuan nga forca e karakterit, anturazhi i partisë së tij dhe aftësitë bindëse për të luftuar korrupsionin tek të tijët dhe vendin në tërësi. Emigracioni ka racionalitet, qartësi, baraslargësi ndaj fraksioneve politike në terren. Kur nuk ke interesa të vogla mbijetese, interesi publik mbizotëron, qartësia për të parë rrugën dhe njerëzit e duhur bëhet më e lehtë. Kështu mund të rinovohet edhe klasa jonë politike.

Njerëzit që u nisën nga deti dhe nga toka, në çdo cep të kësaj bote, pa asnjë siguri drejt një rruge të panjohur por me besimin se do ia dilnin, me instinktin e mbijetesës të këtij kombi që nuk ishte përkulur përpara vështirësive, mbartin një kod sakrifice që vlen shumë në këto momente. Ka rrëfime dhe vështirësi të pathëna, arritje dhe suksese të panjohura, njerëz të vendosur për kauza të mëdha, gjithçka nga substanca e nevojshme morale për krijimin e një modeli të ri shoqëror dhe politik. Pjesa e mirë e Shqipërisë dhe emigracionit mund të krijojnë në këto kohë një mazhoritet të ri dhe t'i japin vendit një tjetër perspektivë. Në këto momente, të shpresës së humbur nga politika dhe krimi, nga paaftësia e disave për të ndërtuar një shtet modern që siguron jetesën pa apeluar tek narkotrafiku, Shqipëria e shëndetshme në atdhe dhe ajo e suksesshme nëpër botë, mund t'i japin këtij kombi një projekt të ri, një shpresë të re, një ëndërr dhe energji për të hapur një kapitull të ri në historinë tonë kombëtare.

“Veni, vidi, vici”, si Jul Cezari dikur Romës, shqiptarët mund t’i flasin me krenari një ditë botës, për një mision të nisur dhe të përmbushur, për një vend të çliruar, që ecën drejt modernitetit, drejt vlerave te europianitetit. E nisën..., luftuan..., fituan... 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment