Vuajtjet e Kryeministrit dhe degradimi i skandalit!

Vuajtjet e Kryeministrit dhe degradimi i skandalit!

Nga Agron Gjekmarkaj - 07/11/2017

Deri më tani mbase do të dukej e tepërt tek nuk mban më ta krahasonim Edi Ramën me Sizifin se fort i komplikuar dhe i mbushur me urti është ai qerrata mit antik! Kryeministri ynë ku e ku më i thjeshtë shfaqet paçka se këso kohe të trazuar i bashkojnë mundimet që mund të rrëfehen veç natën e fundit.

Të dy shtyjnë përpjetë një gur të rëndë qamet. Të parit ja ngarkoi Zeusi plot zemëratë, punë perëndishë, kurse të dytit nga halli i përbashkët, punë jo të pastra njerëzish, ish-ministri i tij i Brendshëm, “më i suksesshmi” i Qeverisë! Sapo, Kryeqyteti i lodhur festimesh për shendin e socialisteve fitilat e të cilit u ndezën me 25 Qershor po qetohej dhe opozita e ngratë po fshinte lotët e nxehtë të vajit për humbjen e madhe plasi në mes të Bulevardit skandali ‘Tahiri’ me befasi e rropamë njëherësh.

Kushedi sa pezëm e dalldi ka shkaktuar tek i pari i ekzekutivit. Enigmë mbeten përmasat e frikës dhe panikut që i kanë hazdisur midenë! Zukama e rrëmujës së mendimeve dhe veprimeve na cimbis ende timpanin e veshit. Deklaratat e turbullta plot metafora qaramane që përgënjeshtonin njëra-tjetrën dhe veprime plot ngut kontradiktore gjithashtu s’na kanë dalë ende nga tepeleku.

“Timonieri” në këtë shtrëngatë e ka të qartë se ka marrë një goditje të rëndë kic e në bash, në imazh po e po, por jo vetëm.

Akuzat për përfshirje në trafik të pushtetit zënë vend nderi në dosjet italiane e më gjerë. Përdorimi i parave të pista në fushatën elektorale gjithashtu. Pas luhatjesh e hesapesh që të prishin atë të bekuar gjumë Edi Rama vendosi ta marrë koston dhe të mbrojë bashkëpunëtorin e vet kryesor të këtyre katër viteve. Pasi e kreu aktin me forcën e kartonëve në Parlament, ai tentoi ta fusë këtë ngjarje në hullinë tradicionale që kanë hyrë edhe të tjera ndodhi të rënda këto 27 vite pluralizëm duke ju turrur sistemit të drejtësisë siç gjithmonë ka ndodhur. Shpresa se do ta zhurmojë me improvizime derisa interesi të bjerë dhe opinioni të lodhet duke e përtypur si një lajm të stërpërsëritur i regetiu befas në shqisa.

Kështu u rikthye artificialisht në vëmendje Himara me rezistencën e banoreve të cilët kërkonin më parë tu njihej certifikata e pronësisë dhe më pas të bëheshin shpronësimet dhe prishja e shtëpive. Uzdaja e Ramës ishte që derivatet e kësaj përpjekje të çonin drejt një tensionimi të ri të marrëdhënieve me Greqinë dhe vetë ai të luante karten e patriotizmit dhe nacionalizmit si burri që i dha munxet Greqisë.

Në këtë kontekst qerasi me një udhetim të gjatë deri në Kakavijë ministrat e Jashtëm dhe të Kulturës, ku mijëra emigrantë ishin bllokuar për disa orë nga pala greke e doganës. U drobitën, rrugë e gjatë por, Greqia kësaj radhe u duk më indiferente për të dhuruar sadisfaksione kesodore.

Ndërsa i shkon në mendje që të urdhërojë Erjon Braçen që të mbrojë nga persekutimi karotat e Divjakës dhe t’i hajë live ato, ndërsa Niko Peleshin ta degëdisë për të mjelë lopët në Myzeqe e Pandeli Majkon për t’i rënë lahutës në Morinë, si bard i hershëm i çështjes kombëtare, por si zor të kenë më efekt siç ka një prezervativ i grisur në disa vende.

Ditën e enjte në parlament Kryeministri sillej e pështillej për ta yshtyr llafin politik tek përplasjet e vërteta dhe të rreme me Greqinë. Thirri në ndihmë edhe fjalët helene “palikari” dhe “qirje” që në shqip përkthehen në trim dhe zotëri, por që tingëllima e tyre është asosacion me një organ dhe një akt seksual. Shqiptarët në semantiken e tyre të komunikimit të përditshëm nuk u japin status përdorimi publik. Rruga e mundimshme e skandalit Tahiri po e fut në të tilla shtigje Ramën, ku gojështhurja nga halli është një formë e mundimeve disaditore që e kanë zaptuar.

Por gënjeshtrat nuk komandohen në mënyrë logjike si e vërteta. “Gurin” e tyre s’ke ku e kap që ta shtysh. Ai të ikën dore dhe të bie ngjitë me kërpudhën e Kryeministrisë.

Gjetja e dy patentave për vozitje skafesh të ish-ministrit të Brendshëm (megjithëse ky i fundit sa herë është akuzuar kryesisht nga Sali Berisha për pasjen në pronësi të një jahti, Tahiri e ka mohuar atë) në makinën e biznesmenit 25 vjeçar që u ndalua para dy ditësh si dhe shuma prej 830 mije euro shto këtu pohimet e Kryetarit të PD-së Lulzim Basha për daljet jashtë shtetit të Saimir Tahirit me këtë person e rikthejnë edhe një herë me forcë skandalin Tahiri në qendër të debatit politik e mediatik.

Kryeministri do ta ketë mjaft të zorshme ta eklipsoje me pseudo ngjarje megjithëse nuk do të reshtë se provuari. Degradimi i këtij skandali po degradon qeverisjen e Edi Ramës qysh në muajin e dytë të të dytit mandat duke bërë të prekshme karakteristikat e tij për cdo qytetar të këtij vendi i cili me gjasë i ka fikur dritat e reagimit dhe besimit se dikush mund ta nxjerrë nga një batak i tillë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco