Thërrisni vajtocat!

Thërrisni vajtocat!

Nga Poli Hoxha - 06/11/2017

Janë bërë të lodhshme, dëshpëruese dhe gati qesharake kërcitjet nëpër studio televizive, ato prononcime opozitarësh dhe veçanërisht klithmat nëpër rrjetet sociale, ku bëhet thirrje për protesta dhe rrëzimin e qeverisë Rama. Rasti “Tahiri”, ose më saktë shndërrimi i një shteti në mes të Europës në një ndërmarrje gjigante kriminale, vërtet është një skandal i paprecedentë që në çdo vend tjetër (ku shoqëritë janë në minimumin e ndërgjegjësimit civil),  do të hidhte në kosh Ramën me gjithë shpurën e tij. Por jemi në Shqipëri, ku skandalet janë normalitet dhe ku mund vetëm të shpresohet, thjesht për një fillim të fundit, jo për vetë fundin.

Parullat; “çohuni se kjo qeveri i ka ditët e numëruara”, ngjasojnë me thirrjet e asaj viktimës që ka rënë në duart e torturuesit dhe i jep zemër vetes duke bërtitur: Lëshomë se je i marrë fund me këtë që po bën, do ta shohësh si do të përfundosh!

Por ndërkohë që nge zërin, të vetmen shpresë që ka është frika, që mund të kaplojë papritur xhelatin nga fjalët e tij, t`ia lirojë fytin dhe të ikë me vrap. Ose shpresa se dera do të shqyhet papritur dhe në çastin e fundit të mbërrijnë ca “Rambo” amerikanë, italianë, gjermanë e kushedi çfarë tjetër dhe ti japin shkelmin kokës, kryemafiozit Rama.

Një popull ngrihet vetëm atëherë, kur është i ndërgjegjshëm se në pushtet nuk janë votat e tij dhe partia që ka fituar zgjedhjet, por vetëm një mirazh mashtrues i tyre. Jo kur e rrjepin, por kur kupton se nuk ka më lëkurë për të “dhuruar”. Jo kur e tallin, e prozvalin dhe e lënë pa punë, por kur kupton se ai ka lindur ca fëmijë që do të rriten, martohen e do të lindin sërish fëmijë të tjerë, të cilët do të jenë njësoj si ata, të varfër deri në mbijetesë.

 Populli ngrihet vetëm kur individët arrijnë të  kapërcejë partitizmin dhe interesat mikroborgjeze. Kur arrin të kuptojë, se lufta nuk bëhet thjesht kundër Tiranit, por kundër Tiranisë. Jo për karrigen e Edi Ramës, por për mafien në pushtet. Të kuptojë se ajo nuk sjell më shumë para të lehta, por është fundi i fundit të së ardhmes së fëmijëve, nipërve dhe stërnipërve.

 Koha thërret për revolucion dhe jo për rotacion! Por fatkeqësisht, harrojeni!

Me revolucion kuptoj një shpërthim të fuqishëm popullor që ti japë goditjen e fundit shkatërruese, skemës më të pamëshirshme grabitqare të parë në ndonjë vend të civilizuar, që ka ngritur një klasë politikanësh. Një grusht njerëzish që historia, rrethanat, apo një ndonjë dorë e padukshme u dha shansin të drejtoni pluralizmin shqiptarë dhe u shndërruan në pasanikë të frikshëm. Nuk bëhet më fjalë për individë, por për një qelizë kanceroze malinje e makute, që riprodhon vetveten pa u ndalur.

Populli shqiptar ka gjithë të drejtë e zotit, që të dalë rrugëve dhe të heqë zvarrë Edi Ramën me gjithë ministrat e tij, pas këtyre që dëgjon e sheh së fundmi, por nuk e bën dot. 

Nuk kanë fuqi dhe as guxim. Metastazat e qelizës, ngadalë, viti pas viti, zgjedhje pas zgjedhjes i kanë kapur, edhe ata. Dikë te një “copë” punë, një tjetër te “nderi” që u bëjnë te biznesi i vogël me të cilin mban familjen, dikush tjetër e di që “ata” e dinë se mbolli apo dha shtëpinë në fshat për të magazinuar kanabis; të tjerë janë të kompleksuar se në qeveritë e shkuara e kanë ngjyer edhe ata gishtin sado pak etj, etj, pa mbarim.

Shqiptarët nuk tërbohen dot, kur mësojnë për pasuritë përrallore të atyre që paguhen nga taksat, që jua marrin ma pikë mëshire. Ata thjesht janë të dëshpëruar dhe të dekurajuar nga fuqia dhe luksi i atij që deri dje i dukej aty në parti; “i njëjtë”.

Prandaj mos prisni kot dhe hiqni dorë nga thirrjet, për demonstrata. Edhe nëse organizoni të tilla dhe mbushni sheshet, “një vrimë në ujë” do të bëni, sepse populli do të jetë duke u marrë edhe këtë herë, me operacionin “Uji”, apo grekët e poshtër që mbyllin doganën, për kunj të Ramë patriotit.

Nuk ka më çfarë të ndalosh dhe as të rrëzosh, në këtë vend. S`ka më betejë partish dhe ideologjish. Mirë janë ato “hapjet e barkut”, çdo të Enjte në parlament. Tashmë jemi vonë dhe bëhet fjalë, vetëm për dialektikë. Për një cikël, që duket se është në fazën e fundit. Makutëria dhe pashpirtësia e kësaj klase, politik-biznes-media, ndaj këtij populli është rruga drejt fundit, që i kanë caktuar vetes.

Kush e ka zemrën e fortë e “ndonjë lek mënjanë”, të rrijë dhe të presë, sepse kur të rrëzohen kjo do të ndodh për meritë të vetë atyre. Qeni, nuk mban dot brekë, për një kohë të gjatë. Aq më tepër të qëndisura në ar, e të rënduara nga gurët e çmuar.

Edi Ramën dhe organizatën e tij, si një fenomen që përfaqëson fazën e fundit të zhvillimit të qelizës malinje mëmë, nuk e rrëzon dot populli, as opozita dhe aq më pak media. Edhe nga “rambot” amerikanë, italianë e gjermanë hiqeni mendjen. Ishim dëshmitarë të heshtur, se si qeliza përdori si një test prove, gëlltitjen e një pasurie kombëtare si Partia Socialiste. Sot mund të kuptohen klithmat e Koço Kokëdhimës dhe të tjerëve, që nga brenda e kuptuan të vërtetën. Nuk e dimë se deri ku shkoi eksperimenti me Partinë Demokratike, por infeksioni duket që ka ngjitur, pavarësisht përpëlitjeve të forta së fundmi të rruazave të kuqe, që gjithsesi po japin shpresë.

Kjo, nuk do të thotë që ata që e kanë kuptuar kurthin, të bien në gjumë letargjik, derisa zhurma e shembjes përfundimtare të ngrehinës ti zgjojë.

Kam dëgjuar se në zona të thella të Mirditës dhe Labërisë, vende -vende ekzistojnë ende të famshmet vajtoca. Ndoshta ka ardhur koha që këto grupe të gatshme grash, që kanë gati në sëndukët et e tyre rrobat dhe shamitë e zeza korb për çdo rast vdekje në fshat apo më gjerë, të thirren në kryeqytet nga Qeliza, sepse miniera e tyre e arit që i vunë emrin “Tranzicion”, ka nisur të shembet. Amin!

Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

DRITAZI07/11/2017 04:12

Pa zhdukjen e mbeturinave te komunizmit, pa zhdukur trahegimerine komuniste qe ka mberthyer shtetin tone me lukerine e shpuren RAMISTE qe po i ben gjemen e do ia beje edhe me keq nga cduken shenjat e ketij psiko shtetari fat keq per kete popull. Ne se dikush komenton akoma e ve ne dukje te metat e z...SALI BERISHA por pa bere pararelizma me kete qe kemi sotKM jane shume larg me njeri tjetrin, sepse z SALI ka vepra mete paqme ne krahasim me kete palo KM Te pyesim pak se kur jetonimdhe e kishim ekonomine me mire? Ka pyetje qe nuk mbarojnene krahasimim meste dy ish e ketij psiko- skico politikani. Kush i ve gishtin kokes , mendo per te nesermen.

t06/11/2017 17:42

me ndejt e me prit derisa te bien vete eshte kohe e gjate

selim rroshi06/11/2017 17:33

Po kujt ti vene pas? Saliut qe perdori te fortet e vet vrau e preu beri grusht shteti e dha e mori leke me to atij ti vene pas? Apo Metes me bllok ne dore qe veproi njesoj. Rama vertet ka bere ate qe se beri askush Eskobarin kryeminister. Po ja u hodhen njerezit e pembysen Ramen. Cdo vije neser prap te forte me tendera dhe ngritje trau ne dogane per beniaminet. Apo ndonje Lazarat te ri. Cfar garancie kane njerezit me. E vetmja garanci qe kane eshte shpresa te fshihen ne ndonje kamion e te ikin sa syte kembet. Dhe kte po bejne se ska drite fare tuneli ne horizont.

fifi sos06/11/2017 17:29

Analize perfekte e kohes e momentit qe ndodhemi. Aty ku ska popull , nuk ka kerkese ndaj shtypies. aty ky ska kerkese ndaj shtypies ka nenshtrim. aty ku populli duron shtypien ska me kuptim se kemi popull.

Sonja06/11/2017 17:16

Shume e sakt, por jo kaq pa shpres. Ndoshta ka dhe nje mundesi te fundit, per te mos perfunduar ne funde te gremines. Te gjitha forcat politike duhet te bashkohen dhe bashke me ta duhet te bashkohen dhe te gjithe intelektualet qe e kuptojne se cpo ndodh..njeres zgjohuni...

Shto koment

Denonco