Klanet mafioze, lidhja e tyre me shtetin dhe rrethimi i Ramës

Klanet mafioze, lidhja e tyre me shtetin dhe rrethimi i Ramës

Nga SYRI.net - 06/11/2017

Klanet e familjet mafioze po rezultojnë të lidhura ngushtësisht me pushtetin vendor e qendror, madje lidhjet shkojnë deri të kryetarë të bashkive kryesore dhe ministra e deri te kryeministri. Faktet e shumta që po dalin çdo ditë po provojnë tre teza.

Së pari ekzistencën e klaneve dhe familjeve mafioze.

Së dyti lidhjen e tyre të fortë me drejtuesit më të lartë të shtetit.

Dhe së treti, nga të dhënat paraprake, Rama dhe drejtues të kupolës së lartë qeverisëse, rezultojnë të kapur me “fakte e prova”(që kanë dalë e do të dalin në ditët në vijim) brenda një rrethimi pa pasur asnjë mundësi shpëtimi.

Tirana. Saimir Tahiri është një nga personazhet e akuzuar për lidhje me krimin, trafiqet e manipulimin e zgjedhjeve. Tahiri, duke qenë shumë pranë Ramës dhe njeriu më i besuar i tij për katër vjet, nga hetimet paraprake, bazuar në “prova e fakte” të pakundërshtueshme nga autoritet italiane, rezulton i implikuar në lidhje të ngushtë e bashkëpunim, me klanet mafioze të Habilajve. Ky klan mafioz akuzohet për aktivitete korruptive në lidhje të ngushtë me ish-Ministrin e Brendshëm, për trafiqe të drogës e armëve, për kultivimin e kanabisit në lidhje të ngushtë me rrjetin policor e deri segmente të ushtrisë si dhe për manipulimin e zgjedhjeve. Tahiri shumë shpejt do të rezultojë nga prova e fakte të reja i lidhur ngushtë me bandat e Shullazit. Për rrjedhojë Tahiri është një nga personazhet kyc i lidhjeve të politikës me krimin, korrupsionin e trafiqet duke demonstruar lidhjet e këtyre klaneve me qeverinë Rama. Në këtë rrjet është e përfshirë edhe Mimi Kodheli, si ish-ministre e Mbrojtjes. Deri tani është hedhur hapi i parë është hedhur për të zbardhur këtë lidhje të klaneve mafioze me shtetin. Konkretisht Tahiri është nën hetim dhe i është ndaluar dalja jashtë vëndit. Po kështu dyshime të forta bien mbi Mimi Kodhelin. Dhe nuk mbetet jashtë këtij rrethi as Edi Rama.

Elbasani. Qazim Sejdini është një personazh tjetër i rëndësishëm politik i lidhur ngushtësisht me klanet dhe familjet mafioze në qarkun e Elbasanit. Hetimet e 67 personave, për aktivitete kriminale, për korrupsion, për pastrim parash dhe pasuri të paligjshme, ku përfshihen edhe shumë persona të afërt të Sejdinit, shumë shpejt do të nxjerrin në dritë të diellit “fakte e prova” të pakundërshtueshme jo vetëm të lidhjes së klaneve e familjeve mafioze me pushtetin vendor, ose më konkretisht kryetarin e bashkisë së Elbasanit, por do të qartësohen edhe lidhjet e këtyre klaneve, me kryetarin e grupit parlamentar Balla dhe drejtuesin e kupolës Rama. Në ditët në vijim, me shumë gjasa Qazim Sejdinit do ti ndalohet dalja jashtë kufijve të vendit.

Durrësi. Vangjush Dako është akuzuar për lidhje me klanin mafioz të Lul Berishës, një nga grupimet më të rrezikshme në vend, i implikuar në shumë afera korruptive, në aktivitete kriminale e trafiqet e drogës, dhe shumë aktiv në manipulimin e zgjedhjeve në favor të zgjedhjes së Dakos si kryetar i bashkisë së Durrësit dhe për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Hapi i parë është hedhur, SHBA i ka refuzuar vizën Vangjush Dakos, një mesazh i qartë për ndëshkimin e lidhjeve të krimit me pushtetin vendor, dhe natyrisht edhe një mesazh i qartë për vetë Ramën, i cili e ka Dakon ndërmjetësin e besuar të lidhjeve direkte me klanin mafioz të Durrësit.

Fier. Gramoz Rucit i është refuzuar prej kohësh viza për në SHBA. Po kështu në momentin e emërimit si kryetar i Kuvendit, ambasadori amerikan, përmes një xhesti shumë të qartë, do të shprehte qëndrimin kundërshtues të SHBA për vendosjen e Rucit në krye të kuvendit. Media ka raportuar prej kohësh se Rucit i është refuzuar viza me shënimin “për implikim në aktivitete të lidhura me trafiqet e drogës..”. Shumë indikacione, të cilat me shumë gjasa në ditët në vijim, do të bëhen publike, flasin për lidhje të të afërmve të Rucit me klanet mafioze që veprojnë në Fier në sektorin e naftës, por edhe të implikuar në aktiviteteve korruptive e kriminale, dhe shumë aktiv, me në krye vetë Rucin për manipulimin e zgjedhjeve, ku rezulton i përfshirë edhe kryetari i Bashkisë Fier.

Prezenca e klaneve dhe familjeve mafioze nuk është vetëm në këto katër qarqe kryesore. Ato në përmasa pak më të vogla dhe veprimtari me intensitet më të ulët veprojnë edhe në Shkodër, Lezhë, Dibër e Vlorë. Të gjithë këto klane e familje janë të arshivuara edhe si emra edhe si aktivitete. Lidhjet e tyre me drejtuesit e pushtetit vendor si dhe me ministrat e kryeministrin janë të faktuara e në ndjekje. Rama duket tashmë i rrethuar dhe zbulimi i kësaj skeme është dhe vetëm çështje kohe. Këto i kanë kuptuar edhe vetë të gjithë personazhet e implikuar, prandaj janë edhe në panik e të çoroditur, një pjesë e tyre madje ka filluar të pendohet e të bashkëpunojnë në hetime. Ditët e javët në vijim do të jenë vendimtare dhe me shumë zhvillime të rëndësishme.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco