Shtatorja e Azemit i tremb bijtë e etërve të cilët ai i rrëzoi 26 vite më parë

Shtatorja e Azemit i tremb bijtë e etërve të cilët ai i rrëzoi 26 vite më parë

Nga Belind Këlliçi - 30/10/2017

Mos i paragjykoni ata që sulmojnë Azemin, modeli i tyre janë trafikantët dhe kriminelët.

Vendosjen e shtatores së Azemit në qytetin e tij të lindjes, në Bajram Curri kisha ditë që e prisja me një gëzim të brendshëm, nga ato gëzimet që në fakt është e vështirë ti shpjegosh. Ceremonia e së premtes ishte kthyer në temë diskutimi në çdo tavolinë demokratësh dhe jo vetëm. Kur do nisesh për në Tropojë? Me kë do të shkosh? Ikim bashkë? Ata që patën fatin ta njohin tregonin pjesëza të historisë me të.

Natyrisht me shumë gëzim dhe me një krenari të ligjshme flisnin bashkëqytetarët e tij. Dukej se kishte kohë që pritej rikthimi i Azemit në shtëpi. Dita po vinte, emocionet po shtoheshin. Tropoja ka qenë e vijon të mbetet një frymëzim i madh për çdo demokrat. Qyteti që i dha dy bijë të çmuar lëvizjes për demokraci dhe arkitektin e zhvillimeve të rëndësishme të Shqipërisë sot, Azem Hajdarin dhe Sali Berishën. Tropoja u kthye po ashtu në shtëpinë apo konakun siç e quajti Daut Haradinaj të UÇK, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mëngjesin e së premtes herët u nisëm për në Tropojë. Falë kontributit të Azem Hajdarit, punës dhe përkushtimit të Sali Berishës, vizionit dhe luftës së Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit dhe shumë luftëtarëve të UÇK, rruga ishte ndër më të bukurat dhe emocionueset që jo më shumë se 10 vite më parë askush s’do ta kishte imagjinuar. Kaluam përmes rrugës se kombit, për tu ndalur për një kafe në Gjakovë e më pas ndaluam në sheshin qendror të Bajram Currit. Malësia e Gjakovës siç u pelqen ta thërrasin Tropojanët, priste shumë miq. Qyteti ishte në festë. Shtatlartë e me krenarinë që karakterizon çdo qytetar që të takonte, të uronin mirëseardhjen në qytetin e Azemit dhe Sali Berishës. Një qytet i vogël që i ka dhënë kaq shumë historisë së Shqipërisë. Kënga e vallja oshëtinte në qytetin mes malesh. Të ftuarit nga çdo trevë shqiptare po zinin vend. Miqtë mes të cilëve kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish Kryeministri Sali Berisha, zbuluan shtatoren e Azemit. Krenar me gjoksin përballë furtunës e me shikimin që përfshinte çdo trevë shqiptare, qëndronte Azemi në mes të qytetit të tij. Shpatullat ia mbronte mali i Shkëlzenit e përballë kishte miq të vjetër e të rinj, bashkëluftëtarë e mijëra qytetarë që kishin dale për t’i uruar mirëseardhjen.

Teksa shihja Azemin në mendje më vinte gjithçka lidhej me vitet e lëvizjes studentore të viteve 90. Një i ri që vinte nga qyteti më i largët, guxoi të vihej përballë një regjimi ndër më kriminalet në Europë. Një guxim për tu adhuruar dhe një mesazh i madh për mua dhe bashkëmoshatarët e mi. Ceremonia mbaroi por jehona vazhdon akoma. Një energji pozitive na shoqëron nga qyteti i vogël verior, një frymëzim i madh nga vepra e Azem Hajdarit. Azemi na u rishfaq sot dhe si një apel në këto kohë të zeza që po kalon vendi për tu ngritur dhe për ta shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat e krimit ku ka rënë. Mediat gjerësisht flisnin për guximin e Azemit. Një guxim që dhe sot ende frikëson bijtë e etërve që u rrëzuan në vitet 90. Hija e tij i ndjek nga pas.

Heronjtë kanë aftësinë të kallin tmerr dhe me përmendoret e tyre. Kjo u reflektua dhe te qeverisja e sotme që vazhdon të na servirë si rilindje simbolet e urryera komuniste. Nga ylli i kuq, te foto e diktatorit Hoxha, nga promovimi në poste të larta i funksionarëve të regjimit dhe bijtë e tyre, tek dekorimi i xhelatëve të diktaturës. Mercenarët e qeverisë nxituan të villnin vrer ndaj figurës së Azemit. Nuk bënë asgjë më shumë veçse reflektuan frikën e tyre të guximi, frymëzimi dhe motivimi që Azemi u bën të rinjve sot. Teksa lexoja disa prej tyre që simbolizojnë aleancën e qelbësirave, ndjeja keqardhje në batakun ku kanë rënë. E më shumë keqardhje ndjej për bashkëmoshatarët e mij Ramist (jam i bindur që socialistët e vërtetë s’kanë asgjë të përbashkët me të rinjtë adhurues të Ramës).

Rilindja u ka dhënë si model trafikantët, përdhunuesit, kriminelët. Modeli i tyre i demokracisë janë qeveritarët e lidhur me krimin dhe trafiqet, si ish ministri Saimir Tahiri apo ministri aktual Fatmir Xhafa. Modeli i tyre për të ecur përpara në jetë e për të qenë i suksesshëm është Arben Ndoka, Mark Frroku, Armando Prenga, Elvis Roshi, Artur Bushi, etj. Modeli i tyre është se në pushtet vihet duke blerë vota në bashkëpunim me krimin, se si qeveria vihet në shërbim të trafikantëve. Modeli që u ofrohet është kanabizimi i Shqipërisë. Modeli i zhvillimit që u serviret është punësimi në arat e kanabisit.

Unë e kuptoj Ramën dhe mercenarët e tij që s’mund të vlerësojnë dot figurën e Azemit, sepse frymëzimi i tyre është Enver Hoxha, janë Ndokët, Bushët, Roshët, Habilajt, Balilajt, e çdo kriminel e trafikant i mundshëm. Mos i paragjykoni se gjithkush ka modelin e tij në jetë. Demokratët kanë Azemin, kanë Sali Berishën, Gramoz Pashkon, Pjetër Arbnorin e shumë të tjerë. Unë s’pata fatin ta njoh Azemin, por sot shpirtin e tij luftarak, guximin e pashoq dhe dëshirën për një Shqipëri Europiane, e shoh tek çdo bashkëmoshatar që do një Shqipëri pa krim, pa drogë, të zhvilluar dhe europiane. 

Azemin nuk e kam njohur, por ai është frymëzim për mua se si një i ri duhet të guxojë dhe luftojë për liri dhe demokraci, për idealin dhe ëndrrat e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Riku02/11/2017 14:10

Akoma me statuja,,

belind31/10/2017 14:01

Edhe ne statuje duket si kriminel!

Statuja30/10/2017 20:46

Nikjo statuje nuk po i ngjajka farefare Azemit, nuk e di cfare po mendoni ju objektivisht?

Shto koment

Denonco