‘Habilajt’, pas Tahirit edhe mediat!

‘Habilajt’, pas Tahirit edhe mediat!

Nga SYRI.net - 27/10/2017

Që të nesërmen e intervistës (E vetmja që Saimir Tahiri ka dhënë, që pas plasjes së skandalit Habilaj) për “Opinion”, ku u shfaq i dorëzuar duke deklaruar, “Jam ministri i Brendshëm më jetëgjatë pas viteve 90, por mesa duket për mua është e thënë që të bëj edhe pak burg”, në mënyrë të rrufeshme u organizua një front më së shumti mediatik, në mbrojtje gati të hapur të tij.

Në krye të këtij organizimi kaq të shpejtë dhe që duket se po sponsorizohet fort qëndron “Tema” e Mero Bazes dhe ndonjë televizion, që prej kohësh atakohet publikisht, si pastrues parash droge. Por edhe mjaft gazetarë me reputacion, në mënyrë më të sofistikuar lëvizin çdo mbrëmje studio më studio televizive, për të kryer të njëjtin mision.

Në të njëjtën intervistë për Blendi Fevziun, Tahiri gati i dorëzuar për fatin që e priste lëshoi një deklaratë të “çuditshme”: Edhe unë mund të kisha vepruar si të tjerët, të blija mediat, etj... por nuk e bëra.

Ky “pishmanllëk” i shfaqur në një moment të vështirë, duket se e ka bindur Tahirin që të veprojë edhe ai “si të tjerët”, që në momentin që doli nga studioja e Fevziut.

Mënyrat se si po kryhet operacioni mediatik për mbrojtjen e tij, janë të ndryshme. Mediat dhe gazetarët që kanë dalë hapur për ti bërë alibinë ish-ministrit të kapur në rrjetën e përgjimeve të Antimafias janë përqendruar më së shumti në denigrimin e figurës së prokurorëve, që po merren direkt me dosjen.

 Pasi bombarduan opinionin me konspiracione “tropojanësh”, që dashkan të rrëzojnë Edi Ramën nëpërmjet Tahirit, arritën deri aty sa u futën edhe në shtratin bashkëshortor të tyre. Një valë e paparë desinformacioni për 3 përfaqësuesit e Krimeve të Rënda, të cilët kërkuan në Kuvend arrestimin e Tahirit, tentoi që ti shantazhonte hapur ata ose të paktën ti kompleksonte.

Nga ana tjetër disa gazetarë edhe me emër, po e kryejnë misionin e tyre në mënyrë më të sofistikuar. Sulmet e tyre janë të përqendruara te Edi Rama. Ideja dhe synimi është, që të arrijnë të përçojnë në opinion publik perceptimin se nëse “pritet” koka e Tahirit, në të njëjtën tepsi do të përfundojë edhe ajo e Ramës.

 Duke mbajtur gjallë çdo natë nëpër studio televizive pritshmërinë për përgjime të reja, edhe më skandaloze se ato ku del Saimir Tahiri (për Ramën, ministra të tjerë, ish-kryeministra etj), me një gur po përpiqen të vrasin dy zogj.

I pari dhe më kryesori është shantazhi që i bëjnë Edi Ramës duke i çuar lajm, se nëse heq dorë nga mbrojtja deri në fund e Tahirit, ka për të përfunduar edhe më keq se ai.

 Guri i dytë është shndrimi i çështjes së nxehtë Tahiri, në një debat që synon të nxjerr të kriminalizuar të gjithë shoqërinë shqiptare dhe se ai është vetëm, një ushtar-viktimë i vogël, në maskaradën 27 vjeçare që ka ndodhur në Shqipëri. Në këtë frymë synohet që të krijohet bindja në opinion publik, se nëse duhet bërë një gjyq; ose përpara tij duhet të dalin në rresht të gjithë që kanë udhëhequr këtë vend gjatë tranzicionit, ose askush...

Duhet theksuar se edhe këta, njësoj si grupimi tjetër i pozicionuar pa asnjë lloj maskimi pro-Tahir, po mbajnë nën trysni të fortë Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke i kërkuar llogari se ku ishte deri më tani; pse nuk arreston këtë apo atë; rikujtojnë ngjarje të kohës së kaluar ku është implikuar shteti e qeveritarë të lartë etj, etj.

 Pra po luajnë me gjysmë të vërteta, për të fshehur apo sfumuar sadopak të vërtetën e frikshme të Tahirit e cila është aktuale dhe ofron shansin e madh, që të hapë rrugën edhe për çdo çështje tjetër, për të cilën prokuroria me dashje apo nga paaftësia ka dështuar.

Ky grup gazetarësh dhe analistësh, ndryshe nga ai që përfaqësohet nga Baze (kanë dalë hapur në mbrojtje të Tahirit siç edhe bënë për rastin e Klement Balilajt), janë në fakt skalioni, ku ish-ministri i Brendshëm ka varur shpresat më të mëdha.

Kjo sepse për hir të së vërtetës, ata përgjithësisht kanë qenë denoncues të kanabisimit të vendit edhe me fakte, por duke u përpjekur që ta nxjerrin simbolin e Rilindjes, në rastin më të keq si të paaftë për atë që ndodhi dhe në rastin më të mirë, si viktimë e vetëkriminalizimit masiv të policisë, e cila bashkëpunoi me baronët e drogës, që nga mbjellja deri te kalimi i saj në vendet e BE-së.

Çështja “Tahiri” sot nuk është një provë vetëm për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Reformën në Drejtësi dhe klasën politike shqiptare, por edhe për median. Ky skandal i paprecedent duket se po shërben, edhe si një lakmues për gazetarinë shqiptare.

Është alarmuese të shohësh, se si po i dalin në pah me shpejtësi “pushtetit të katërt”, njollat e errëta të një sëmundje të gjatë në ngjizjen e nëndheshme që ka bërë, jo vetëm me politikën e korruptuar, por edhe me krimin!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

edvin28/10/2017 23:38

Mediat aktuale kombetare nuk mund te quhen kurresesi "pushteti i katert"!Jo vetem pse ato nuk takojne fare ne misionin e te katertit pushtet,por sepse mediat ne fjale jane kthyer ne gjobevenes te publikut,sa here qe ne godinat qeveritare po bie zjarr krimi apo korrupsioni.Pa frike mund te quhet "Pushteti gjobevenesve te pavarur"

krasasi tp27/10/2017 18:06

Autoresine per nevojen e reformimit te sistemit te drejtesise e ka pa dyshim z.Berisha.Kete ide e zhvilloj me tej z.Rama.Frika se politikanet kerkojne qe ne bashkepunim ta sabotojne reformen ne drejtesi ,nga qe te gjithe jane me shume apo me pak mekatar per mos integrim dhe zhvillim, ka rrite perceptimin ne qytetaret, por edhe ne nderkombetaret (miq te shqiptareve) se nga politika s'ka "shpetim".Tash kufijt e veprimit te politikes, te medias, por ne daci edhe te nderkombetareve, jane te limituar.Jane nga Tropoja apo jane nga Tepelena, kusherinj te Z.Berisha apo armiq te tij, kjo nuk ka per te patur asnje ndikim ne gjithe punen e prokurorise.Ne nuk mund t'ju imponojme as Meros as gazetareve apo opinionisteve shetites se cfare sygjerojne, ke prekin dhe cfare guri rrokullisin dhe se Ai(guri)behet shkak per formimin e ndonji orteku apo gjitheperfshirje ne hetime apo gjykime.Gjithcka eshte vendosur.Narkotrafiku ka gjunjezuar shtetin.Narkotrafiku ka kriminalizuar politiken.Narkotrafiku ka kriminalizuar zgjedhjet.Nuk vendos vota dhe vullneti i qytetareve me zgjedhje te lira e te ndershme.Pra shteti ka rene.Ra me nje goditje vdekje prurese me topuzin e Gjergj Elez Alis(S.T) apo i mjaftonte nji grusht ngaqe qe i drobitur progresivisht, kesaj nuk ja jep pergjigjen as politika, as media ,as ne qytetaret.Pergjigje do jap PKR dhe organet e Vetingut te cilat jam i bindur qe nuk mund ti fus ne thes as z.Berisha as z.Rama,as z.Lu dhe as zj.Vlautin.Ja sheshi ja mejdani hidhu prokuror kapedani.I dha mbeshtetje z.Berisha zj.I.Rama por zonja nuk u kthye ne Silvi Konti.Prokuroret e sotem mjafton te kene integritet, profesionalizem dhe mos te jene te kapur nga interesa mafioze, se gazetaret dhe politikanet nuk i degjon njeri ngaqe ata nuk kane as kohe te meren me dokrrat tona.

Shto koment

Denonco