Ngritja dhe rënia mediatike e prijësve sociopatë

Ngritja dhe rënia mediatike e prijësve sociopatë

Nga Erion Piciri - 26/10/2017

Në një vend ballkanik, tranzicioni nxori në sipërfaqe një personazh politik kontrovers, karizmatik, orator dhe populist. Në sajë të stilit të tij polemik, agresiv e degradues me kundershtarët, duke përdorur mjeshtërisht mediat që ushqehen nga skandali, ky njeri arriti majat e audiencës televizive.

Kur ai ishte live vështirë të kapte kush një audiencë më të madhe. I lexuar, krijues si shkrimtar, me aftësi rrëfyese dhe përbaltese si askush tjetër, ky shouman i vërtetë trulloste mendjen e qytetarit mediokër dhe injorant me efekte të konsiderueshme elektorale.

Kështu ai arriti të kishte një përfaqësim parlamentar konstant të partisë së tij dhe të shkonte deri në raundin e dyte të presidencialeve. Kuptohet që disa vende, spekullantet politikë e mediatikë, të pastabilizuar mendërisht i mbajnë nën kuotat e 10%, ndërsa disa vende të tjera marrosen prej tyre dhe për fatin e keq i bëjnë kryeministra, kancelarë dhe presidentë. 

Duke iu kthyer historisë të personazhit tonë, në një moment atij i mori koka erë dhe filloi të përbaltë median, gazetarët dhe investorët e saj. Ky ishte momenti kur kaloi vijën e kuqe dhe u kthye në shqetësim kombëtar. Atëherë një sërë liderash të opinionit bën thirrje për një izolim mediatik dhe nuk zgjati shumë kohë, popullariteti i ra dhe partia e tij doli nga parlamenti. Në epokën e komunikimit në masë pa përhapjen mediatike politikanët janë të mbaruar. Këtu roli i medias për të vërtetën dhe interesin publik është thelbësor.

Prijësit populistë shquhen përmes medias dhe media ka obligimin të shpëtojë kombin nga dëmet që mund t'i krijojnë këto krijesa mediatike pa shtylle kurrizore, vizion dhe dobishmëri social-politike. 

Tomas Chamorro-Premuziç në  shkrim e tij 'The Dark Side of Charisma', tek Harvard Business Revieë (nëntor 2016) do sugjeronte një sërë masash mbrojtjëse ndër të cilat kufizimi i ekspozimit mediatik të karizmatikëve sociopate sepse hutojnë publikun dhe përmes medias duken me kompetentë seç janë në të vërtetë.

Në të kundërt sugjeron ai, trajtimet analitike me prova dhe fakte mbi punën e tyre janë më të vlefshme për shoqerinë. Kur kombet nuk kanë imunitet kulturor ndaj kësaj kategorie, mekanizmat mediatikë dhe të shoqërisë civile duhet të hyjnë në funksion dhe minimizojnë dëmet që kjo specie mund të krijojë.

Spekullantët emocionalë të turmave janë të rrezikshëm dhe mbajtja e tyre nën fre deri në largimin nga skena publike është në interes kombëtar. Progresi vjen nga puna e individit të zot jashtë politikës dhe jo nga teleqeverisjet e populisteve arrogante me prirje antidemokratike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco