Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta para bashkisë së Tiranës

Vetingu dhe 'Drejtësia e re' e Ramës

Vetingu dhe 'Drejtësia e re' e Ramës

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei - 26/10/2017

Më 4 shtator, ambasadorja Vlahutin  solli “lajme të mira” nga Brukseli. Mes deklaratave të tjera inkurajuese dhe pozitive, ambasadorja Vlahutin, pohoi:

“Do të thoja që Shqipëria po përjeton një moment të mirë. Reforma në drejtësi, e cila është në fakt reforma më impenjative dhe më komplekse nga të gjitha, është tashmë gati për t’u zbatuar me procesin e vetingut, i cili do të fillojë në më pak se dy javë. Krijimi i institucioneve të reja, si për shembull, prokuroria e posaçme për sa i përket korrupsionit apo krimit të organizuar, e cila do të fillojë [punën] me shpresë nga fundi i vitit”.

Dy javët për të cilat foli Ambasadorja Vlahutin kaluan dhe tani janë bërë pothuajse dy muaj. Përkundër ardhjes së ekspertëve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe rindërtimit të dyshimtë të godinës së ish-Ministrisë së Kulturës në Pallat të Vetingut, vetingu në vetvete, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dhe institucionet e tjera të vetingut, nuk duket se ka nisur.

Ndërkohë, “moment i mirë” në fillim të shtatorit duket se ka kaluar. Zbulimet e fundit për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe lidhjet e ngushta me botën e krimit treguan jo vetëm paaftësinë vezulluese të qeverisë shqiptare për të luftuar në mënyrë efektive krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës — një nga pesë kushtet kyçe për hapjen e bisedimeve me BE-në —por çfarë është më e rëndësishme treguan qëllimet e vërteta politike pas reformës në drejtësi, qëllime për të cilat opozita ka paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për muaj të tërë.

Këto qëllime u shprehën qartë edhe nga Kryeministri Edi Rama në një fjalim para grupit parlamentar të PS-së, në të cilin ai deklaroi se opozita është e frikësuar nga “drejtësia e re”.

“E nëse në fund drejtësia pohon të vërtetën e Saimir Tahirit atëherë ju siguroj se nuk do të jetë më nevoja t’ju themi njerëzve si në kaq shumë vite, se ne jemi ndryshe dhe Saimiri mirë se të kthehet me nderin që do i takojë dhe me zemrat tona peshë prej një çlirimit shumë të madh në vendin që i përket, në këtë grup dhe në këtë familje politike ku gjithëkush mund të gabojë, por askush nuk mund të tradhëtojë Shqipërinë, njerëzit që na besojnë dhe që na mbështesin.”

Me fjalë të tjera, “drejtësia e re”, drejtësia e pas vetingut, do të jetë drejtësia e cila do ta lërë të lirë Saimir Tahirin dhe do të provojë pafajësinë e tij.

Ndoshta, nuk mund të gjendej një artikulim më i qartë për atë që vetingu duhet të përmbushë, në këndvështrimin e Ramës: për ta bërë të qartë që ministri i tij, i cili lejoi trafikimin e drogës, dhe krahu i djathtë i tij të lirohet.

Çështja Tahiri është çështja provë për çfarëdo lloj “drejtësie të re” që do të vendoset.

Sjellja e disa deputetëve në mbrojtje të Saimir Tahirit, ditën e premte, ishte tronditëse, jo vetëm për mungesën absolute të njohurisë mbi Kushtetutën apo Rregulloren e Kuvendit, por tronditëse në veçanti sepse këta ishin të njëjtët persona të cilët hartuan reformën në drejtësi.

Nëse sistemi është i aftë të nxisë specialistët e mirënjohur si Vasilika Hysi, ish-kryetare e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të shqiptojnë deklarata nga më absurdet, përfshirë edhe atë teë pretendimit se heqja e privilegjit të imunitetit parlamentar të Saimir Tahirit është cënim i të drejtat themelore të njeriut, atëhere ky sistem duhet të jetë i kalbur që në rrënjë. Dhe kalbëzimi tani ka objektiv të kapë tërësisht degët e drejtësisë së qeverisë — për të vendosur “një drejtësi të re”.

Ndaj nuk është ndonjë çudi e madhe që ndodhitë e fundit pranohen në heshtje të plotë nga mbështetësit e huaj të reformës në drejtësi. A mos ndoshta ata befas e kuptuan se kanë bërë të njëjtin gabim si në shumë vende të tjera komuniste — pra që ia sërvirën gjykatat në pjatë prej floriri Edi Ramës?

Ndoshta mund të na ndihmojë të kthehemi pas dhe të lexojmë raportin “Qasja e BE-së për reformën në drejtësi në Evropën Lindore dhe Juglindore.”:

“Reformat gjyqësore dhe antikorrupsion të promovuara me kosto të lartë nga BE shpesh dëmtohen nga Parlamentet. Ne duhet të përballemi me realitetin që këto vende kanë një problem strukturor: kërkesa e dobët e brendshme për të luftuar korrupsionin. Për fat të keq, partitë politike janë me të vërtetë përfaqësues të popullit të tyre.”

Parlamenti shqiptar, i njëjti parlament që kaloi reformën në drejtësi kaq shumë të mbështetur nga BE, tani ka planifikuar të mbrojë një ish-ministër të privilegjuar, të dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo është “kostoja e lartë” që BE duhet të paguajë./exit.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco