Reforma në Drejtësi në tre kohë

Reforma në Drejtësi në tre kohë

Nga Lavdrim Lita - 25/10/2017

Për shkak të ndryshimi të strategjisë së zgjerimit të  BE, Komisioni Europian do të botojë raportin periodik për progresin e vendeve kandidate dhe jo kandidate, jo në nëntor të këtij viti si zakonisht, por në prill vitit të ardhshëm me paketën e zgjerimit. Raportet e Komisionit Europian janë gjithmonë një radiografi e mirë e gjërave që shkojnë dhe nuk shkojnë në vendin tonë, si dhe shërbejnë për të parë ecurinë e procesit të reformave. Sidomos të reformës në drejtësi, e cila ka plot 15 muaj që ka nisur dhe së shpejti priten rezultatet e para.   

Padyshim, reforma në sistemin e Drejtësisë është përpjekja më madhore e dhjetë vjeçarit të fundit të komunitetit ndërkombëtar dhe vendas për ti dhënë fund tranzicionit endemik në jetën publike. Kjo për shkak se, reforma e drejtuar për nga sistemi ka si qëllim të thënë reforminin e organeve të drejtësisë dhe si qëllim të pa thënë motivimin e shoqërisë përmes ngritjes së nivelit të mirëqeverisjes dhe rritjes së standarteve demokratike. Përpjekje për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur, të gjithëpranueshme dhe moderne ka pasur edhe herë të tjera, ku më të njohurat janë instalimi i një modeli francez i drejtësisë në kohën e Mbretit Zog, ndryshimi i sistemit pas kolapsit të regjimit komunist dhe së fundmi impakti amerikan në ndryshimin e sistemit aktual.  

Impakti francez – Në periudhën qeverisës së Ahmet Zogut, si kryeministër, president dhe mbret ka pasur një përpjekje të jashtëzakonshme për të shtrirë në të gjithë vendin sistemin e drejtësisë, sipas një modeli perendimor, ku miratimi i Kodit civil Napoleonik si kod Civil i Mbretërisë (1929), parashikonte dhe garantonte të drejtat e individit dhe për herë të parë e parashikoi kontratën e martesës, e cila duhej bërë me akt publik para noterit, përpara celebrimit të martesës. Kodi Civil i Zogut, është një akt që tregon se edhe Shqipëria mund të bëhet nga shqiptarët. Dhe për të dhënë një shembull: një nga bashkëautoret e Kodit Civil ishte Mehdi Frasheri, ish projektuesi dhe hartuesi i kodit doganor dhe pjesëtari i vetëm shqiptar në komisionin e Përcaktimit të Kufijve të Shqipërisë.

Impakti europian – Përpjekja e dytë madhore për të dhënë një sistem drejtësie të merituar vendit ishte në periudhën  ndwrmjet viteve 1991-1995, pas rënies së regjimit komunist, ku drejtësia ishte një shtojcë e partisë së Punës. Pas përmbysjes së komunizmit dhe hyrjes në një fazë të pluralizmin politik, që nënkuptonte një sistem demokratik sipas modelit europian,  shteti shqiptar u përballua me një sfidë të re në sistemin e drejtësisë, ku  orientimi i ri i politikës ishte ndryshimi  i sistemit të mëparshëm dhe krijimin e një sistemi drejtësie mbi baza demokratike. Në këtë frymë u konkretizua dhe  u miratua e ‘Dispozitave kryesore kushtetuese (1991), të cilat shfuqizuan Kushtetutën e vitit 1976 dhe paraprakisht hyri në fuqi legjislacionin e ri dhe i tërë sistemin e drejtësis. Sistemi i drejtësisë që vepronte dëri më sot është konceptuar në fillim të viteve 90, ku Shqipëria dhe shqiptarët ishin shumë ndryshe. 

Impakti amerikan - Përpjekja e tretë madhore për të reformuar sistemin e drejtësisë nisi pas marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE, që kulmoi në ndryshimet kushtuese të 2016, si një investim i drejtpërdrejtë të Shteve të Bashkuara të Amerikës. Roli përcaktues i ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Lu për të bashkuar në një mendje 140 deputetë të Republikës për të votuar ndryshimet kushtetuese, është rasti i parë dhe i fundit i një mrekullie politike.  SHBA përkrah fuqishëm levën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Procesi i Vettingut për sistemin e drejtësisë që, është një nga komponentët kryesorë të reformës në drejtësi, dhe rezultatet e saj të para do të mundësojnë çeljen e negociatave me BE.

Sido që të jetë, një gjë duhet thënë pa mëdyshje, reforma në Drejtësi ka humbur pak momentumin, duke qenë përballë një sfide kritike, për shkak se të gjithë aktorët në vend jo vetëm politik, por edhe vetë sistemi i drejtësisë, kanë hyrë në një konflikt verbal, dhe jo procedurial, të cilët zhgënjejnë edhe më shumë qytetarët që presin që hapja e negociatave dhe antarësimi në BE të sjellë benefite dhe detyrime për standarte demokratike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco