Ferma e kafshëve të Shqipërisë

Ferma e kafshëve të Shqipërisë

Nga Namir Lapardhaja - 24/10/2017

Libri "Ferma e kafshëve" i shkruar nga G. Orwell në vitin 1945 është alegoria më e mirë dhe më e jashtëzakonshme në letërsinë e shek. XX që përshkruan lindjen dhe rritjen e regjimeve diktatoriale.

Orëell e shkroi librin si mishërim të revolucionit bolshevik të vitit 1917 në Rusi, mirëpo, ashtu si veprat e mëdha letrare, alegoria është gjithëpërfshirëse dhe synon të shndërrohet në universale, për të gjithë regjimet dhe për të gjitha kohërat.

Kush e ka lexuar veprën, e ka të qartë subjektin e saj, ku kafshët e fermës "Menër" pasi kanë hequr qafe pronarin e tyre njeri, kanë marrë në dorë fatet e fermës së tyre, e drejtuar prej derrave (edhe ata në grindje me njeri-tjetrin për forcimin e pozitave dhe për marrjen e drejtimit të fermës) me parimin e famshëm se "të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se te tjeret".

Nuk do të ndalem gjatë tek subjekti i kësaj vepre modeste përsa i përket volumit, por që mishëron një mësim dhe mendësi universale të përpjekjes së njerëzve për liri dhe barazi, por, ashtu siç ndodh në regjimet diktatoriale, fjalëve të bukura dhe premtimeve boshe, ia zënë vendin metodat e vjetra, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse e thellojnë të keqen edhe më shumë.

Kanë një sektor propagande edhe kafshët e fermës, i cili i ushqen ato përditë me ideologjinë, mësimet, urdhëresat dhe me atë se si e se çfarë duhet të mendojnë e te besojnë.

Në përpjekjen e derrave për t'i mbajtur të nënshtruar kafshët e tjera, për të mos ngritur krye e për të mos menduar me mendjen e tyre, qëndron frikësimi i propagandës së drejtuesve të fermës për kthimin e Xhonsit, ish-pronarit njeri, i cili, pasi i kishte keqtrajtuar kafshët, një ditë nën organizimin e tyre revolucionar kishte marre arratinë për të mos u kthyer më.

Edhe pse Xhonsi, krahasur me drejtuesit e rinj dythundrak të fermës, ishte shumë herë më mirë, më i sjellshëm e më i drejtë në raport me të drejtat e kafshëve, sërish propaganda e derrave shërbente për ta paraqitur atë si e keqja më e madhe dhe si rrezikun më të madh, që qëndronte tek koka e kafshëve si shpata e Demokleut, dhe që mund të rikthehej nga momenti në moment, gjë që qartazi shërbente për t'i mbajtur kafshët e tjera të nënshtruara dhe për të legjitimuar padrejtësitë e tyre në kurriz të të tjerëve.

Ka një pasazh në faqen 32 te "Ferma e kafshëve", i cili e mishëron më së miri atë që po them:

"Shoke, thirri ai, s'besoj t'ju shkojë ndër mend se mos ne, derrat, po e bëjmë këtë duke u nisur nga interesi personal për t'i krijuar vetes privilegje. Ç'është e vërteta, një pjesë e mirë e jona nuk i vënë në gojë as qumështin as mollët. Por jemi të detyruar t'i marrim me zor me të vetmin synim: ruajtjen e shëndetit. Siç e ka vërtetuat edhe Shkenca Bashkëkohore, shokë, qumështi dhe mollët përmbajnë substanca absolutisht të domosdoshme për mirëqenien e derrave. Mbi supet tona ka rënë barra e drejtimit dhe udhëheqjes së jetës së fermës. As gjumi natës nuk na zë nga meraku qe kemi për mbarëvajtjen tuaj. Për ju, edhe vetëm për ju, jemi të detyruar të pimë atë farë qumështi dhe  të hamë ato palo molle. Po a e dini se ç'rrezik na kanoset po të mos na krijohet ne, derrave, lehtësira për të kryer si duhet detyrën? Do të kthehet Xhonsi. Po, po! Do të kthehet Xhonsi. Pa diskutim, shokë! - klithte Skuileri duke u tundur andej-këndej e duke spërdredhur bishtin. Nuk ma do mendja të ketë midis jush ndonjë që ka qejf t'i kthehet Xhonsi këtu, apo jo?

E pra, nëse kish gjë në botë që kafshët e lakmonin më tepër, kjo ishte dëshira që Xhonsi të mos kthehej më në asnjë mënyrë.

Po t'ua shtroje kështu çështjen, mbeteshin pa asnjë argument kundërshtimi.

Tani dilte fare e qartë se sa e rëndësishme ishte mirëmbajtja e derrave dhe ruajtja e shëndetit të tyre. Ndaj, pa i zgjatur shumë debatet, u ra në një mendje që qumështin dhe mollët e rrëzuat (por edhe pjesën më të madhe të mollëve të tjera, pasi të vileshin) t'ua rezervonin derrave."

Skuileri, si një ndër shefat e propagandës së fermës së Kafshëve, di mjaft mire se çelësi i sekretit të manipulimit është të tremburit me rikthimin e Xhonsit, rrezik që vjen nëse derrave nuk i krijohen lehtësi dhe privilegj në ushtrimin si duhet të detyrës.

Kush e ndjek diskurin e propagandës së pushtetit  në Shqipëri mjafton të lexojë këtë fragment të romanit për të kuptuar më së miri manipulimin e regjimeve diktatoriale nëpërmjet frikësimit të rikthimit të atyre që kanë qenë më parë, duke mos u ndalur e jetuar me të tashmen dhe të vërtetën, por me të shkuarën dhe të shërbyerit të saj si gogol për të trembur masat e popullit.

Në debatin e ditëve të fundit për rastin e ish-ministrit të Brendshëm, "Xhonsi" një herë janë prokurorët e çështjes, të cilët identifikohen si tropojanë dhe kushërinj të ish-Kryeministrit Berisha (edhe ky një tjetër "Xhons"), gjë krejtësisht e pavertetë dhe mashtrim. Por si "Xhonsi" shërbejnë edhe Gërdeci, 21 Janari, Rruga e Kombit etj. Askush nuk merret me çështjen dhe thelbin e saj, por, sipas parimit të dythundrakëve të "Fermës së kafshëve, nxitojnë të gjejnë gogolin, një "Xhons" modern dhe bashkëkohor, i cili shërben për të legjitimuar çdo poshtërsi dhe padrejtësi aktuale.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco