‘Kurrë mos hap një kuti me krimba’, Ramës ja hapën...

‘Kurrë mos hap një kuti me krimba’, Ramës ja hapën...

Nga SYRI.net - 23/10/2017

Në gjuhën e Alastair Cambell, këshilltarit të vyer të Edi Ramës ka një shprehje: ‘never open a can of worms-kurrë mos hap një kuti me krimba’. Edi Ramës ja hapi Saimir Tahiri, dhe nuk mund t’i mbledh më. Më mirë se Rama, nuk e di askush këtë. Prandaj, ai më parë se të fillonte betejën politike për të mbrojtur Tahirin, ka gjetur avokatin ligjor të tij.

Në një takim me strukturat e Policisë së Shtetit, Edi Rama u shpreh se ‘Po diskutojmë me një kompani hetimesh dhe auditimesh që drejtohet nga agjente të FBI-së, ish-agjentë të FBI-së, që do të vijnë këtu’. Pse i duhet Edi Ramës një kompani private hetimesh? Rama u mundua ta shiste si përpjekje të qeverisë dhe Policisë së Shtetit për të luftuar krimin e organizuar. Në fakt është krejt e kundërta.

E para, nëse Edi Rama do ta kishte seriozisht luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, këtë ndihmë të ‘privatit’ do ta kërkonte që me ardhjen e tij në pushtet në vitin 2013, atëherë kur sipas tij ‘krimi kishte kapur të gjithë kupolën e Policisë së Shtetit” dhe qeverisë.

E dyta, Qeveria amerikane që në vitin 1998, ndihmon institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri nëpërmjet dy projekteve. Projekti i parë është nëpërmjet OPDAT (Overseas Prosecutorial Development, Assistance and Training Program) i atashuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme, që ka për objekt pune asistencën në hartimin e legjislacionit penal, donacione të pajisjeve për organet e zbatimit të ligjit, trajnimi i gjykatësve, prokurorëve, dhe policëve, me synim krijimin e trukturave efektive të zbatimit të ligjit. Projekti i Dytë është nëpërmjet ICITAP (International Criminal Investigative Training Assistance Program, atashuar pranë Policisë së Shtetit. ICITAP ndihmon Policinë e Shtetit në menaxhimin e kufirit dhe anti-trafikun, luftën ndaj krimit të organizuar, llogaridhënia e policisë, menaxhimi i burimeve njerëzore, trajnimet, si dhe sistemet e menaxhimit të informacionit, duke përfshirë TIMS-in që zuri në grep makinën e Tahirit. E përkthyer në terma financiarë, ndihma që qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë Shqipërisë në këto dy fusha shkon në disa dhjetëra milionë dollar. Vetë sistemi TIMS është dhuratë e SHBA-ve, dhe është sistemi më i avancuar në Europë.

 OPDAT dhe ICITAP kanë qenë të përfshira direket në reformën e sistemit të drejtësisë, VETTING, dhe aktualisht po punojnë në hapat konkretë për implementimin e kësaj reforme. Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me FBI dhe DEA në operacionet e përbashkëta ndërkombëtare, është bërë dhe vazhdon të behët nëpërmjet këtyre dy strukturave. Si OPDAT, ashtu dhe ICITAP, janë programe të bashkëpunimit ndërkombëtar të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve, dhe financohen nga Departamenti i Shtetit. Pra, qeveria e SHBA-ve është këtu, na ka ndihmuar dhe po na ndihmon.

Pse i duhet Edi Ramës të paguajë një kompani private hetimesh, kur të njëjtën që e bëjnë SHBA-të në mënyrë institucionale me paratë e veta? Kujtojmë se vetëm sistemi TIMS i ka kushtuar taksa-paguesve amerikane mbi 24 milion dollar.

I duhen, sepse Edi Rama e di që hetimi i Saimir Tahirit është vetëm maja e ajsbergut, dhe se kjo çështje, më shume se politike, do t’i kthehet atij në çështje ligjore. Edi Ramës do t’i dalin lidhjet e tij okulte me botën e krimit që para ardhjes së tij në pushtet. Një hetim i plotë dhe i gjithanshëm do të nxjerrë se asgjë nuk ka qenë e rastësishme, por e kalkuluar, e programuar, zbatuar dhe mbikëqyrur nga vetë ai. Që nga bashkëpunimi me banda kriminale për të ardhur në pushtet; futja në parlament, në pushtet vendor dhe në administratë të personave me precedentë të rëndë kriminal; kanabizimi i vendit dhe trafiku i drogave të forta; shkarkimi i të gjithë kupolës së Policisë së Shtetit brenda një nate; largimi nga puna i më shume se 650 oficereve të ‘policisë së Saliut’, shkatërrimi i të gjitha strukturave operacionale të policisë në nivel qarqesh dhe shkrirja e rrjetit të agjentëve nën mbulim; nxjerrja jashtë loje e sistemit të radarëve, dhe në funksion të saj, largimi ose nxjerrja në lirim e mbi 200 agjentëve të shërbimit sekret ushtarak, si dhe de-kapitimit të Policisë Ushtarake; lufta frontale ndaj prokurorisë dhe gjykatave.

E di pra, që në një fazë të caktuar hetimesh, do të dalë që e gjithë qeverisja e tij, kanë qenë një skeme e përkryer kriminale; e krijuar dhe drejtuar prej tij. Saimiri, Damiani, Mimi dhe shumë të tjerë, kanë qenë veçse aktorë në këtë skeme. E di, se hetimet do të hapen në të paktën tre kontinente. Dhe në këtë rrethanë, i duhen ‘agjentët privatë të FBI-së’.

Në media u njoftua se Rama ka kontaktuar kompaninë e ish-Drejtorit të FBI, Louis Freeh. Zoti Freeh është një personalitet i drejtësisë penale të SHBA-ve. Në mes te tjerave, ai ka hetuar me sukses çështjen më komplekse të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në historinë e SHBA-ve kundër mafias siciliane në New York, në të ashtuquajturën ‘Gjyqi Pizza-Connection’.

Sipas portalit exit.al, e kontaktuar muaj më parë nga kjo e fundit, zyra e shtypit e FBI-së ishte përgjigjur: ‘Louis Freeh është qytetar privat, dhe vepron si i tillë. Ai nuk ka aktualisht asnjë lidhje formale, dhe nuk përfaqëson në asnjë lloj mënyre FBI-në apo organizatat ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara’.

Në një shikim të detajuar në vetë faqen e internetit të kompanisë së zotit Freeh, ‘Freeh Group International Solutions (www.freehgroup.com) bie në sy profili i lartë i ekspertizës në fusha si trafiku ndërkombëtar i drogës, pastrimi i parave, korrupsioni, si dhe hetimet komplekse ndërkombëtare. Lidershipi i kompanisë përbëhet nga ish-personalitete në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës së SHBA-ve.

Në kushtet ku pritet të ndodhet Edi Rama, rekrutimi i një kompanie të tillë, është këshilla më e vyer që dikush mund ti ketë dhënë atij. Veçse edhe në këtë rast, lobimin dhe mbrojtjen penale planifikon ta bëjë nën mbulimin e ‘ndihmës nga FBI’ dhe me paratë e taksapaguesve shqiptar. OPDAT dhe ICITAP, nuk i ngelet gjë tjetër veçse të kthehet në SHBA, ose të përballet me ish-shefin, këtë herë si avokat dhe lobist i Edi Ramës.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Sali Berisha.25/10/2017 21:22

E themi këtë pasi Berisha tha me siguri të madhe se ishte një ish ministër socialist ai që na solli dosjen e abuzimeve dhe mbi bazën e asaj dosjeje Fatos Nano u dënua me burg.

Po kush ishte Sali Berisha që duhej të çohej dosja e abuzimeve të ish kryeministrit Fatos Nano për të marrë vendimin për dënimin e tij. Ai ishte presidenti i asaj kohe, por kishte marrë në dorë dhe prokurorinë, gjykatën, shërbimin sekret dhe gjithçka. Ndaj Sali Berisha, ndonëse akuzoi ish ministrin e ndjerë, ai nxori veten të zbuluar se kishte qënë vetë Ai që kishte dhënë vendimin për burgosjen e ish liderit socialist në opozitë.

Të gjithë e mbajnë mend kohën kur Fatos Nano u dënua politikisht. Kur u kërkua lirimi i tij nga të gjitha organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duke e cilësuar si të burgosur politik. Por Sali Berisha bëri çfarë mundi që Fatos Nano të mbetej në burg, të dcënohej sërish. Dhe këtë e bëri në bashkëpuniom dhe me “kuartetin” drejtues të PS me në krye Ilir Metën. I cili ishte njëherësh nënkryetar i PS, sekretar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në këtë parti por dhe kreu i FRESSH, i vetmi organizëm i majtë i integruar në të majtën evropiane dhe shihej si shpresë për reformimin e së majtës në Shqipëri. Pra Sali Berisha përgatiti terreni për ridënimin e Fatos Nanos me 10 vite burg, pasi deshi të arrestonte ish kreun e Kasacionit Zef Brozi, i cili përndiqej nga SHIK i Gazidedes vetëm se refuzoi të dënonte Fatos Nanon pa asnjë fakt. Fati i tij ishte se ndërhyri ambasada amerikane që ai të shpëtonte nga eliminimi fizik dhe të dërgohej në SHBA ku mori azil politik. Ndërkohë që u përjashtua ish prokurori Skënder Demiri që deklaroi se s’ka asnjë provë për dënimin e Fatos Nanos.

Ishte Ilir Meta ai që ndërhyri fort, duke mbledhur dhe ndonjë letër andej dhe këndej, por dhe duke i dhënë garanci Berishës se dhe e majta evropiane as që donte t’ia dinte për Fatos Nanon. Në këto kushte Fatos Nanos i ‘ngopën’ dhe 10 vite të tjerë burg nga gjykata e Berishës, me mbështetjen dhe të Ilir Metës dhe të një pjese të kupolës së PS. Që e drejtonte këtë parti, sa kohë Nano ishte në burg.

Vetëm pas zgjedhjeve të vitit 1996 që u vodhën barbarisht nga Berisha, me rezultate dhe 130 përqind si në Cërrik dhe në Kuçovë, Fatos Nano largoi katër nënkryetarët e PS, mes tyre dhe Ilir Metën. Duke bërë që njerëzit e Berishës në PS të mos kishin rol. Ndërkohë që kujtesa e Berishës pikërisht në këto momente të sulmeve ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, është një diversion për të treguar se dosja kundër tij është përpiluar nga PS. Por dhe për të treguar se Ilir Meta asokohe dhe as në këtë kohë nuk ka dorë në përgatitjen e dosjeve për Fatos Nanon dhe për Saimir Tahirin. Ku në të vërtetë Prokurorët e Berishës dhe Metës, bashkë dhe me stafet e krerëve përkatës, janë ata që i kanë dhënë prokurorisë të gatshme kërkesën për të marrë leje në Kuvend që Saimir Tahiri të arrestohet. Madje i kanë dhënë dhe “provat” që duhej të asistoheshin në komision nga tre prokurorët tropojanë, me firmën e deputetit të PD Gent Strazimir. E njëjta ngjarje në dy kohë, por Berisha tashmë është shumë i plakur për ta luajtur si duhet këtë lojë

Shto koment

Denonco